Taksa progresive/ FMN: Do të bëhen hapa mbrapa nëse dështon politika fiskale

Ervin Kaduku

 

 

 Opinione të të huajve, bizneseve dhe akademikëve lidhur me rezultatet e pritshme të paketës fiskale, që praktikisht rrit barrën e taksave në vend. FMN: mund të bëhen hapa mbrapa, nëse ndryshimi i bërë në politikën fiskale nuk rezulton efektiv

 

fabrike tullashEkspertët e ekonomisë, në pjesën më të madhe të tyre, mbështesin taksimin e sheshtë. Ata duan të presin edhe ndonjë muaj tjetër për të vlerësuar efektet e ndryshimit të kësaj takse në buxhet e në xhepat e sipërmarrësve. Por, pavarësisht rezultateve, të gjithë ekspertët vazhdojnë të preferojnë taksat e ulëta për një ekonomi si kjo e jona, ku informaliteti mbetet i lartë dhe rrezikon të rritet edhe më tej me rritjen e barrës fiskale.

Në një Forum mbi Lirinë Ekonomike, të mbajtur së fundi në Tiranë, u theksua se taksa progresive ka rënduar që tani gjendjen e ekonomisë, ndërsa nuk po rezulton e suksesshme në rritjen e të ardhurave për qeverinë. Drejtorja e Institutit të Vjenës për Lirinë Ekonomike, Barbara Kolm, theksoi se Shqipëria bëri hapa prapa me largimin nga taksa e sheshtë, ndërsa ofroi pasiguri në treg. “Shoqëritë e lira janë ato që po ecin me ritme më të shpejta e taksa e sheshtë ofron liri ekonomike. Ajo cilësohet si një taksë miqësore ndaj individëve e bizneseve”, – tha Kolm.

Ndërsa kanë pak shpresa në mundësinë e rishikimit kaq të shpejtë të taksës së re, atë progresive, të vendosur me nismë të qeverisë Rama, pasi ka vetëm dy muaj që është vënë, ekonomistët nuk heqin dorë gjithsesi nga bindja e tyre se taksimi i sheshtë do të ndihmonte më tepër në zhvillimin e vendit. Për më tepër, kur periudha e krizës dhe ulja e normës së fitimit janë në nivelet e tyre më të këqija, një efekt shumë.

Debati mbetet i hapur, pasi edhe drejtuesit e FMN-së pranojnë se mund të bëhen hapa mbrapa, nëse ndryshimi i bërë në politikën fiskale nuk rezulton efektiv.

Por, është fakt që debati mbi taksën progresive nuk përfundoi me miratimin e saj në Kuvend. Madje, rezultatet e të ardhurave në dy muajt e parë të këtij viti konfirmojnë atë që vetë sipërmarrësit paralajmëruan. Të ardhurat u rritën krahasuar me planin e Ministrisë së Financave, por nuk paraqiteshin shumë më lart se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Rezultati më i dukshëm i kësaj pakete fiskale ka qenë sigurisht rritja e informalitetit. Llogaritë jozyrtare flasin për një treg informal në masën 40% të ekonomisë së vendit dhe një barrë më e lartë fiskale rrezikon të shtojë numrin e kompanive që përdorin bilance të dyfishta, për t’iu shmangur pagesave.

Vetë shefi i FMN-së për Shqipërinë, Naadem Ilahi, ka vlerësuar si të drejtë shqetësimin e barrës fiskale pasi, sipas tij, bizneset dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme janë motori i rritjes.

Në Forumin e Lirisë Ekonomike, ku pikëpyetja u ngrit mbi atë nëse shteti po merr më shumë kompetenca në treg, drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë në vendin tonë bëri një krahasim të thjeshtë për të treguar nivelin e ndërhyrjes së qeverisë. Historia krahasuese, e treguar nga miku i tij në Ohajo, flet për dy njerëz që ecin në rrugë, ku njeri ka para dhe tjetri jo. Opsionet janë dy, sipas tij. I pari do të ishte shkëmbimi i një vlere të caktuar nga ai që ka, tek ai që nuk ka dhe opsioni i dytë do të ishte që personi që nuk ka para, të përdorë forcën për të marrë diçka nga tjetri. Duket se në Shqipëri po ndodh varianti i dytë, tha presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford.

Ekonomistët vlerësojnë se në historinë 22-vjeçare të tregut të lirë në Shqipëri, taksa e sheshtë për herë të parë ndihmoi realisht në uljen e informalitetit e dha rezultate në buxhet. Sipas Selami Xhepës, taksa progresive ushtron një presion të konsiderueshëm te bizneset e mëdha, të cilat, në kushtet e vështirësive ekonomike, janë më të prirura për të kaluar në informalitet.

Sipas presidentit të Konfindustrisë Hajredin Fratari, “me taksën e lartë shumë biznese kanë operuar në kushtet e korrupsionit”. Me taksën progresive, jo vetëm ka një prirje për t’u bërë informalë, por po vihet në rrezik konkurrueshmëria e sipërmarrjeve tona. “Taksë progresive në Shqipëri do të thotë që investitorët të zgjedhin vendet fqinje, ku po aplikohet taksa e sheshtë”, – thotë Fratari. Mali i Zi aktualisht po aplikon taksën fikse 9%, Maqedonia 10% (dhe pritet të ulet në 9%), ndërsa Kosova është në nivelin 10%.

I bindur për uljen e konkurrueshmërisë ndaj rajonit është edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka. Duke vënë në dukje taksat e ulëta në rajon, ai shtron pyetjen se me çfarë duhet t’i tërheqim investitorët e huaj. Sipas tij, kushtet më të mira do të ishin për një sistem të njëjtë taksash, në mënyrë që tregu të funksionojë si një i vetëm. Në fakt ka shumë kompani të huaja evropiane, që mund të “zbarkojnë” në një vend të Ballkanit, nëse arrijnë të shesin apo të prodhojnë për të gjithë rajonin.

Nga ana e tij, lidhur me taksën e sheshtë, prof. Adrian Civici kujton se propozuesit dhe vendet aplikuese të saj vlerësojnë qëllimin dhe efektet e saj: thjeshtimi i sistemit fiskal dhe kosto e ulët e procesit të mbledhjes/llogaritjes së pagesës së taksave, si nga qeveria ashtu dhe nga bizneset; rritja e të ardhurave fiskale në buxhet, pasi thjeshtimi zvogëlon informalitetin dhe rrit numrin e taksapaguesve; dekurajohet evazioni fiskal dhe stimulohet krijimi i vlerës së re apo të ardhurave/fitimit; favorizohet “neutraliteti fiskal” në sensin që parashikimet dhe veprimet e agjentëve ekonomikë çlirohen nga frika dhe dyshimet për efekte të papritura apo të pallogaritura nga efekti i taksave.

Periudhat kur është përdorur liberalizimi i taksave flasin shumë. Prof. Civici tregon se SHBA e Britania e Madhe i përdorën në vitet 1970-‘80. “Zonja e hekurt” Margaret Thatcher dhe Presidenti Reagan ndërmorën një revolucion ultraliberal nën moton “qeveria nuk është zgjidhje, pasi ajo është vetë problemi”, që d.m.th. “problemet nuk i zgjidh shteti, por tregu”. Sipas z. Civici, “tiparet kryesore të kësaj reforme radikale, synimi kryesor i së cilës ishte nxjerrja nga recesioni dhe kriza e viteve 1970 e dy prej ekonomive kryesore të botës, u fokusuan në zvogëlimin në minimum të “shtetit kujdestar (Etat-providence), reduktim masiv të taksave dhe thjeshtim të tij në një taksë të sheshtë e të ulët, privatizime masive, derregullimin e ekonomisë dhe çlirimin e forcave të tregut”.

Momenti i dytë i rëndësishëm, sipas tij, është “periudha e tranzicionit – nga shteti drejt tregut – që patën vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë këtu dhe Rusinë” në fillim të viteve 1990. Për të kopjuar idhujt e tyre liberalë si SHBA apo Anglia, për të zbatuar paketat e axhustimeve strukturore të FMN-së, për të stimuluar rritjen ekonomike, apo edhe për faktin se duhej të ndërtonin një sistem atraktiv fiskal, privilegjuan taksën e sheshtë. Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria e zbatuan në nivelin 10%, Gjeorgjia 12%, Ukraina dhe Rusia 13%, Serbia 14%, Polonia 15%, Hungaria dhe Rumania 16% etj.

 

Pas energjisë elektrike, paralajmërohet edhe rritja e tarifave të ujit

Përveç rritjes së tarifave të energjisë elektrike, të paralajmëruara tashmë nga burime brenda Entit Rregullator të Energjisë, tani duket se do të vijë edhe rritja e pagesave për faturat e ujit të pijshëm. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, tha dje se ndërmarrjet e Ujësjellësit nuk do të marrin asnjë lloj subvencioni për të mbuluar keqmenaxhimin si pasojë e politikave të mbërthyera, siç theksoi ai, “nga paaftësia dhe skema fiktive”. Në analizën vjetore të Ujësjellës-Kanalizimeve, ministri u shpreh se ky sistem do t’i nënshtrohet një reforme të thellë për të përfituar të ardhura.

“Uji është një aset që trajtohet me papërgjegjshmëri. 67% e ujit është pa të ardhura. Ne prodhojmë 4 litra ujë dhe vetëm për një litër ujë marrim para. 25% është mbledhja e faturave, ndërkohë që ju mund të faturoni 33%. Pa diskutim ka nevojë për një ndryshim thelbësor konceptual. Duhet të bëjmë reformimin e sektorit, në të gjithë nivelet e tij”, – u shpreh ministri Haxhinasto.

”Kërkohet një politikë e re për subvencionet, e cila deri tani arkëtohet te njerëzit me të ardhura më të ulëta, te njerëzit në nevojë. Nuk do të ketë subvencione për efiçencën e ulët”, – tha Edmond Haxhinasto. Ministri kërkoi në mënyrë urgjente që uji, si një aset i rëndësishëm, të trajtohet me përgjegjshmëri.
“Duhet të ketë një ndryshim thelbësor, të ndryshojmë kulturën në mënyrën si e trajtojmë dhe përdorim ujin”, – tha Edmond Haxhinasto.

 

 

Share it :