Jurges Veizaj
Ekipi ballshiot ka pësuar një rënie për në Kategorinë e Parë dhe problemet për ekipin jugor duket se sapo kanë filluar
Ndërsa sanksion është dhënë edhe për Armir Grimën e Vllaznisë, që u pezullua nga kampionati deri në fund të sezonit
Superliga Shqiptare po kalon një periudhë të vështirë. Kjo, pasi përsëri dhuna është kthyer në qendër të saj. Epiqendra kësaj radhe ishte në Ballsh, aty ku Besnik Çela, një nga përfaqësuesit e FSHF-së, u godit në kokë me shkop gome nga presidenti i Balashit. Një incident i shëmtuar ky, që sigurisht mori edhe vëmendjen e duhur. Mirëpo edhe reagimi nga Komisioni i Disiplinës ka qenë i rëndë dhe duket se nuk ka bërë lëshime. Sipas vendimit, ekipi i Bylisit, për shkak të veprimeve të kryera gjatë ndeshjes me Laçin, është pezulluar për këtë sezon, duke rënë automatikisht në Kategorinë e Parë, ndërsa Besnik Kapllanaj është përjashtuar nga veprimtaritë sportive përjetësisht. Një vendim i ashpër, që kërkon t’u bëjë thirrje skuadrave të tjera se çfarë ndodh nëse kryhen akte të tilla. Ndërkaq, ekipi kurbinas e fiton ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Ky vendim ekstrem bazohet në faktin që klubi i Bylisit jo vetëm që ka dështuar për organizimin e ndeshjes, por rrezikoi edhe jetën e një zyrtari të lartë të FSHF-së. Në bazë të rregullores, meqenëse Bylisi ka zhvilluar më shumë se gjysmën e ndeshjeve, të gjitha sfidat e mbetura i humbet në tavolinë me rezultatin 3-0. Masa të ashpra disiplinore u morën edhe ndaj zyrtarit të lartë të Vllaznisë, Armir Grima, i cili pezullohet nga aktiviteti deri në fund të kampionatit për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Ndëshkimit nga ana e disiplinorit nuk i kanë shpëtuar as klubet e Vllaznisë, Tiranës, Kukësit dhe Besës, që për sjellje të gabuar të tifozëve përkatës gjobiten secili 50 mijë lekë të reja. Lidhur me çështjen e lojtarit të KF Besa, Arbnor Fejzullahu dhe lojtarit të KF Kastrioti, Rigers Hoxha, Komisioni i Disiplinës kërkon të paraqiten pamjet filmike pas kërkesës së bërë nga klubet përkatëse. Ky ishte vendimi i Komisionit të Disiplinës, ndërkohë që pritet apelimi i skuadrës së Bylisit tek Komisioni i Apelit. Paraditen e së mërkurës, Besnik Kapllanaj ka dhënë dorëheqjen nga klubi dhe ka deklaruar se do të paraqitet të polici. “Do të vetëdorëzohem në polici. Nuk e dija që isha në kërkim për ngjarjen e së shtunës. Jap dorëheqjen, pasi e shikoj se ka shumë padrejtësi”, – ka deklaruar Kapllanaj për mediat. Ai akuzohet se ka goditur me mjete të forta në kokë të dërguarin e FSHF-së, Besnik Çela. Procedimi penal ndaj tij ka filluar për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. Komisioni ka nisur që në fillimet e këtij sezonit të jetë i ashpër në vendimet që merr. Duke parë që për shumë vite dhuna nuk ka ndaluar në stadiumet shqiptare, është vendosur që të merren masa drastike për mënjanuar këtë dukuri. Akte këto që sigurisht nuk i shërbejnë sportit dhe aq më tepër kur janë të përsëritura. Dhunimi dhe i një zyrtari solli edhe kulmin e situatës, që duket se i ka bërë të gjitha institucionet të ndërgjegjësohen shpejt.
“Ruzhdi Bizhuta” ndryshon projektin, zgjerim
“Ruzhdi Bizhuta” do të ketë disa ndryshime pozitive për sa i përket projektit. Sipas idesë së re, kapaciteti i stadiumit do të zgjerohet edhe më, pasi do të shtohen edhe 6 shkallë të tjera, duke e çuar numrin total të tyre në 16. Paralelisht me ndryshimet në projekt ndryshon edhe kuota e fondit që ishte parashikuar më herët për rikonstruksionin e stadiumit në Elbasan, e cila i kalon 2 milionë lekë. Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit për qarkun e Elbasanit, Artin Kovaçi, shprehet optimist për ecjen e punimeve, pavarësisht se ato ditët e fundit shpeshherë janë pezulluar, për shkak të ndryshimit të projektit. Kovaçi është i sigurt se stadiumi do të përfundojë brenda afatit dhe do të jetë gati për eliminatoret e ardhshme.
Federata Shqiptare përgënjeshtron lajmin, bileta edhe për tifozët kosovarë
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas një lajmi të publikuar në media, për “këshillimin” apo “sugjerimin” nga ana e UEFA-s për të mos pajisur me bileta tifozët nga Kosova për ndeshjen Shqipëri-Serbi, që do të zhvillohet më 8 tetor 2015, në Elbasan. Sipas institucionit të futbollit, nuk ka pasur rekomandime apo sugjerime të tilla nga ana e organizmit më të lartë të futbollit evropian, UEFA. FSHF garantoi që edhe sikur të kishte të tilla “këshilla”, ato kurrsesi nuk do të merreshin parasysh. Në një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare, FSHF siguroi se tifozët kosovarë do të jenë të mirëpritur në të gjitha ndeshjet e kombëtares kuqezi, pavarësisht se kundër cilës kombëtare do të luajmë. Sipas tyre, nuk ka pasur asnjë rekomandim nga institucionet e futbollit ndërkombëtar për moslejimin e tifozëve kosovarë në stadium në sfidën e zjarrtë me Serbinë që do të luhet në tetor të 2015-ës.
Shaqiri, i pakënaqur me minutat te Bajerni
Vëllai dhe menaxheri i Xherdan Shaqirit ka thënë se vëllai i tij nuk është i kënaqur te skuadra bavareze dhe se gjatë verës ka mundësi të largohet nga ky klub. Erdin Shaqiri, vëllai dhe menaxheri i futbollistit të Bajernit të Mynihut, Xherdan Shaqiri, tha se nuk janë të kënaqur që futbollisti nga Zhegra nuk është duke luajtur rregullisht te skuadra bavareze. “Xherdani është 22-vjeçar. Në këtë moshë ai duhet të luajë rregullisht, ndërsa këtë nuk po e bën momentalisht”, – tha Erdini për gazetën zvicerane “Blick”. Ai tha se janë duke pritur si do të rrjedhin gjërat deri në verë. “Do të presim deri në verë. Pastaj kur klubet si Liverpuli, Mançester Junajtid, Milan dhe skuadra tjera të vijnë, ne do t’i dëgjojmë”. Por menaxheri u shpreh se Bajerni i Mynihut është prioritet për ata. “Bajerni ende mbetet pika jonë e parë e kontratës, para se të flasim me klube të tjera”, – tha ai. Shaqiri ka kontratë me bavarezët deri më 2016.





