Një “klub” për shkrimtarët shkodranë

klubit-te-shkrimtareve-Shkoder-Foto-Gasper-Marku-ATSHPër herë të parë pas viteve ‘90, krijuesit shkodranë në fushën e letrave janë organizuar në një grupim të veçantë, të cilin e kanë quajtur “Klubi i shkrimtarëve shkodranë“. Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, bëhet fjalë për një grupim që kërkon të promovojë krijimtarinë e djeshme dhe të sotme letrare në këtë rajon të Shqipërisë veriperëndimore, i cili i ka dhënë letërsisë shqiptare një fond të pasur vlerash që nga koha e Marin Barletit, Rilindjes Kombëtare e deri pas Luftës së Dytë Botërore.

“Krijimi i klubit lindi si një obligim i shkrimtarëve shkodranë, pas shpërbërjes së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, dhe për pasojë të degëve të rretheve”, – shprehet për ATSH-në, shkrimtari Skënder Temali, i zgjedhur nga kolegët kryetar i “Klubit të shkrimtarëve Shkodër”.

Shkodra nuk është e para që krijon një klub shkrimtarësh, pasi të tilla janë hapur edhe në Korçë, Vlorë, Elbasan, Durrës, Lezhë, që njihen për traditat letrare.

“Tani që shkrimtarët shkodranë janë grupuar në një klub të veçantë, do të merremi në mënyrë specifike me krijimtarinë letrare origjinale, kritikën për figurat qëndrore të letërsisë shqiptare, përkthimet letrare nga gjuha e huaj, si dhe zbulimin dhe nxitjen e talenteve të rinj”, – tha për ATSH-në shkrimtari Temali.

Shkrimtarë dhe poetë të tillë si Gjergj Fishta, Pashko Vasa, Filip Shiroka, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Martin Camaj, Ernest Koliqi, At Zef Pllumi, mbeten në panteonin e letërsisë shqipe, edhe sepse me veprat e tyre kanë dhënë një kontribut të madh në pasurimin e shpirtit të shqiptarëve dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare.

Nisur nga tradita, klubi i sapo krijuar synon të promovojë kryesisht vlerat letrare të krijuesve shkodranë ndër shekuj, por edhe të viteve të fundit të cilët janë të shumtë, por që pak njihen.

“Jam optimist se një organizëm i tillë do të mbushë vakumin gjithëvjetor, do t’i japë një frymëmarrje të re zhvillimeve letrare, do ta nxisë krijimtarinë, analizën e mendimin kritik, por edhe krijimtarinë e më të rinjve”, – thotë shkrimtari Temali.

Në promovimin e Klubit, shkrimtarët shkodranë shprehën një mirënjohje të veçantë ndaj drejtuesve të bibliotekës “Marin Barleti” që çdo vit ka organizuar Festivalin e Letërsisë në Shkodër, por që gjithsesi është shumë pak nga ajo çka përfaqësojnë forcat krijuese në këtë rajon të Shqipërisë.

Share it :