U ekzekutua më 7 mars ’44/ Dëshmia e Thanas Nanos: Si iu kërkua Ramize Gjebresë analiza për virgjërinë

ramize gjebreaU desh shumë kohë që z. Thanas Nano të vendoste të shkruante kujtimet e tij të jetuara për Ramize Gjebrenë, ama pasi i shkroi e biseduam gjatë, nuk pranoi t’u bëhej asnjë ndryshim apo saktësim atyre. Përshkrimi e vlerësimi i ngjarjes tragjike të Gjebresë jepet me objektivitet, sepse vjen në harmoni dhe me burime arkivore, por dëshmia ka ndonjë pasaktësi anësore nga mosnjohja e argumenteve arkivore, për të cilat diskutuam mjaft duke u ndarë në mendime pro e kundër, si për reagimin e Shtabit të Përgjithshëm, për pushkatimin e Zaho Kokës e ndonjë tjetër. Ndihem i brengosur që dëshmia e tij vjen kaq vonë për opinionin, ama vjen kur është organizuar një kryqëzatë për të mbajtur gjallë legjendën e dashurisë dhe për të celebruar Zhulietën e Romeon shqiptar, siç e trajton Kadare te “Mosmarrëveshja”, dhe më keq akoma kur ekrani i “Opinionit” të Blendi F. ringjall me zë e figurë gjyqin kriminal të Gjebresë, duke risjellë fjalë për fjalë raportet e fshehta të inkuizitorëve Tanush Shyti, Zenel Hamiti, Lefter Kasneci, kryeinkuizitorit Xhako (Ramadan Xhangolli) i dërguari i Tarasit nga qendra dhe raportin e Komitetit të Qarkorit të Partisë të Vlorës, por “Opinionit” i mungoi analiza kritike e raporteve të mbushura me shpifje e intriga. Dëshmuesi Nano jep një argument më shumë, e tepër të besueshëm, se dashuria me Zahon ishte një shpifje e kobshme; dëshmia vjen me dhimbje të madhe dhe s’e deshi veten kur i shpëtoi një pikë loti nga pyetja ime ngulmuese, që mbeti pa përgjigje, për vërtetësinë e komisionit mjekësor për të parë virgjërinë e Gjebresë. E pabesueshme, por e vërtetë. Thanas Nano, ai burrë i ashpër e në funksione tepër të rëndësishme, vjen i drejtë, i sinqertë, objektiv, i dhembsur për të vërtetën, tepër njerëzor, qoftë edhe me ndonjë mbingarkesë nga e kaluara.

Vasfi Baruti

 

****

 

Dëshmia e plotë e Thanas Nanos:

 

“Po i jap këto shënime me kërkesën e autorit (Vasfi Baruti), i cili ka marrë përsipër të botojë një biografi për jetën dhe veprimtarinë e kësaj të reje revolucionare që militoi dhe dha jetën e saj të re për idealet e Luftës Nacional-Çlirimtare, në të cilën ajo u përkushtua me vendosmëri e devocion qysh në fillimet e saj. Kërkesën e autorit për t’i dhënë disa fakte që unë i kam jetuar në bashkëpunim me të në këtë kohë në Qarkun e Vlorës, i konsiderova edhe si detyrë para historisë, për të mos shtrembëruar të vërtetën mbi jetën e veprimtarinë e saj dhe ngjarjen tragjike, që i kushtoi jetën në atë moshë aq të re.

Për këtë ngjarje të trishtueshme, të cilën unë e jetoj me dhimbje edhe sot e kësaj dite kur kanë kaluar 50 vjet, është hedhur shumë baltë dhe janë sajuar shumë shpifje e trillime të ulëta nga ata që e kanë përçmuar LNÇL, nga pozitat e bashkëpunëtorëve me pushtuesit dhe armiq të ideve e idealeve që frymëzuan këtë luftë historike, nga më të lavdishmet e popullit tonë dhe përfundimet e saj po kaq të lavdishme. Për këtë arsye unë i kërkova autorit të biografisë se nëse edhe ai do të ishte viktimë e këtyre spekulimeve, unë do të refuzoja t’i plotësoja kërkesën. Më premtoi se do të bazohej vetëm në faktet e vërteta. Prandaj po ia plotësoj kërkesën i nxitur nga motivet e lartpërmendur dhe ndaj përgjegjësisë për të vërtetën historike.

Po hyj në temë. Ramizenë e kam njohur për herë të parë dhe kam marrë kontakte pune me të në vitin 1943. Ajo u dërgua në Qarkorin e Vlorës për të ndihmuar në organizimin e rinisë dhe në mobilizimin e saj në radhët e reparteve të Ushtrisë NÇL që vepronin në këtë qark. Ishte një vajzë e re që sapo kishte mbaruar shkollën e mesme të vajzave në Tiranë, ku edhe ishte aktivizuar që në bankat e saj. Që në takimin e parë të linte përshtypjen e një vajze të shkathët, shumë komunikuese dhe e afrueshme me njerëzit. Kishte kulturën e nevojshme për kohën, prandaj mua më afroi me të edhe ky fakt. Unë kisha mbaruar shkollën Normale të Elbasanit dhe ky nivel kulturor na lidhi të dyve për të bashkëpunuar në detyrat e kohës. Unë isha me detyrë si përgjegjës për agjitacionin e propagandën në Komitetin Qarkor të Partisë dhe drejtoja teknikën e Partisë, e cila merrej me botimin e materialit të shkruar që shpërndaheshin në popull e në radhët partizane.

Më bëri përshtypje, kur Gjebresë i ranë në dorë këto botime, interesimi i saj për përmbajtjen. Vërejtjet dhe sugjerimet e saj ishin bindëse e të argumentuara, prandaj unë i mirëprita. Si pasojë ne u lidhëm bashkë në marrëdhënie të ngushta e të frutshme pune. Këtë detyrë ajo e bënte plus asaj kryesores, që ishte puna me rininë në terren e në radhët e Brigadës Pestë.

Ngjarja tragjike, që i kushtoi jetën e saj të çmuar, ndodhi në dimrin e vitit 1943 e fillimi i vitit 1944. Në këtë kohë pushtuesit gjermanë e bashkëpunëtorët e tyre të Ballit e Legalitetit ndërmorën një operacion të gjerë e të organizuar në gjithë zonën e Shtabit të Zonës së Parë Operative në Qarkun e Vlorës e të Kurveleshit. Ofensiva armike ishte shumë e organizuar e me të gjitha mjetet e ushtrisë gjermane. Armiku synonte të përfitonte edhe nga kushtet e dimrit dhe nga bora e madhe që kishte mbuluar gjithë zonën ku vepronin repartet e Brigadës Pestë.

Ramizeja në këtë kohë ndodhej në Shtabin e Batalionit të Tretë të Brigadës së Pestë me zëvendëskomandant Zaho Koka, një djalë trim nga Vunoi. Batalioni në kohën e ofensivës gjermane ndodhej i tërhequr në malin e Vunoit, të mbuluar me një borë të trashë prej disa metrash, në kushte tepër të vështira, pa strehë, pa lidhje me fshatin, pa ushqim e pa asnjë ndihmë mjekësore për partizanët e plagosur e të sëmurë. Në historinë e luftërave të Brigadës së Pestë kjo gjendje ishte nga më të vështirat, me humbje jetësh nga ngrirjet e borës dhe nga mungesa e ushqimeve dhe e kujdesit për të plagosurit.

Siç është e natyrshme, Ramizeja ndodhej bashkë me shokët e Shtabit të Batalionit me nënkomandantin trim Zaho Koka. Prania e saj me shokët e këtij shtabi dhe sidomos me zëvendëskomandantin dhe natyra e saj e afrueshme, por gjithnjë e sinqertë nxori në shesh shpifjen e kobshme se Ramizeja kishte hyrë në marrëdhënie intime me Zahon.

Kjo shpifje, u bazua nga dikush, në një fakt se ishte parë gjak në të mbathurat e Ramizesë, e kjo, sipas autorit (të shpifjes), ishte e mjaftueshme për të mbështetur akuzën e pafaktuar. Lajmi ra si bombë në Shtabin e Brigadës, që e shqyrtoi ngjarjen, i ndikuar nga kushtet në të cilat ndodhej Brigada dhe mori vendimin tragjik, pa i gjykuar të akuzuarit dhe pa i analizuar akuzat: Zaho Koka të dërgohet pranë Shtabit të Përgjithshëm për t’u gjykuar dhe Ramizeja të dënohej me pushkatim. Vendimi iu la për miratim edhe Komitetit Qarkor të Partisë, i cili për fat të keq la në fuqi vendimin e Shtabit të Brigadës [Faksimile nga dorëshkrimi i Thanas Nanos].

Unë e kam jetuar ngjarjen, sepse isha i pranishëm në mbledhjen e Komitetit të Partisë. Ramizeja ndodhej në një dhomë tjetër, e trishtuar dhe e tronditur nga akuza që i bëhej, por nuk i shkonte në mendje se ndaj saj do të merrej një vendim kaq tragjik për jetën, sepse e ndiente veten të pafajshme. Unë kisha një trishtim të thellë për ngjarjen dhe për vetë personin e Gjebresë, të cilën e vlerësoja për aftësitë dhe perspektivën që premtonte si kuadro e ardhshme. Për atmosferën që u krijua, unë isha i pafuqishëm të veproja.

Të nesërmen (më 7 mars) një patrullë partizane e mori Ramizenë dhe në prani të një grupi partizanësh të tjerë, e goditi pas krahëve duke ecur. Unë nuk isha atje i pranishëm, por shokët që e panë ngjarjen më thanë se Ramizeja kur dëgjoi krismat e pushkëve ktheu vetëm kokën dhe ra pa shpirt. U eliminua kështu jo në fushën e luftës, që për ne ishte e pranueshme, por viktimë e një shpifje makabre, që mori jetën e një shoqeje të aftë e me shumë perspektivë.

Por ngjarja nuk do të kalonte pa reagimin nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, e në mënyrë të veçantë nga sh. Enver. Komitetit Qarkor të Vlorës e në mënyrë të veçantë sh. Hysni Kapo, që ishte drejtuesi kryesor i Ushtrisë NÇL të qarkut, iu drejtua një vërejtje e rëndë, duke e konsideruar veprimin si ato që ndodhin në zulutë e Afrikës. Zahoja jo vetëm nuk u konsiderua fajtor, por u dërgua të drejtonte përsëri Batalionin e Dytë të Brigadës. Por, pavarësisht nga ky rehabilitim, Zahoja, një djalë me karakter tepër të pastër e me ndershmëri tipike, e cilësoi këtë – shpifje që i bënë, një njollë të rëndë e të padurueshme që i rëndoi përjetë.

Një arsye që mund të ketë tërhequr edhe vëmendjen e fanatikëve, të prapambeturve e konservatorëve tipikë, që nuk mungonin në radhët partizane, ishte edhe fakti se Ramizeja ishte shumë e afrueshme me shokët, shumë miqësore me ta, por gjithnjë e hapur dhe shumë e sinqertë. Ajo kishte kulturën dhe edukatën e nevojshme që nuk mund të binte në gabimet që u akuzua e veçanërisht në kushtet në të cilat ndodheshin partizanët [Autori i dëshmisë, Thanas Nano, vijon kujtimet e veta për disa faktorë “të cilët përcaktojnë sa është fajësia e atyre që morën vendimin dhe sa e pafuqishme ishte logjika e tyre për të mos marrë një vendim të tillë”].

29 korrik 2002

 

 

Share it :