Ervin Kaduku
Enti Kombëtar i Banesave ka shpallur kërkesën për blerje të apartamenteve nga stoku i banesave që u kanë mbetur prej kohësh ndërtuesve pa shitur. Vendimi, i marrë në vitin 2008 nga qeveria “Berisha”
Këtë vit Enti Kombëtar i Banesave do të eksperimentojë blerjen e shtëpive për të pastrehët në stokun e banesave të pashitura, në përputhje me një Vendim të Këshillit të Ministrave të marrë nga qeveria “Berisha” më 13 shkurt 2008. Vetëm pak ditë më parë ky institucion ka publikuar një njoftim, ku shpreh interes për blerje në treg të lirë të apartamenteve me kosto të ulët në kuadrin e zgjidhjes së rasteve emergjente të strehimit në qytetet Tiranë dhe Durrës.
Ndërkohë, Enti i Banesave tashmë po verifikon gjendjen e tyre në terren dhe ka hyrë në bisedime me Shoqatën e Ndërtuesve për të blerë shtëpi nga stoku i banesave të pashitura. Kjo është një mundësi “e artë” për ndërtuesit, pasi prej vitesh u kanë mbetur stok një numër i madh apartamentesh në të gjithë vendin, por numrin më të madh e kanë të regjistruar në Tiranë dhe Durrës, si qytetet që njohën dhe zhvillimin më të madh në këtë sektor.
Ndërkohë, burime nga Enti Kombëtar i Banesave bëjnë të ditur se për vitin 2014, këtij institucioni i është akorduar një fond prej 500 milionë lekë për investime, por që nuk është planifikuar të ndërtohet, por të eksperimentohet në blerjen e banesave nga tregu, duke qenë se kostoja e ndërtimit del më e lartë sesa banesat në treg. Në Shqipëri ka një numër shumë të madh banesash, stok.
Ndërkohë që nga shoqata e ndërtuesve është artikuluar një shifër prej 12 mijë banesa që janë të pashitura. Sipas një udhëzimi të qeverisë të nxjerrë një vit më parë, çmimi referencë mesatar në shkallë vendi do të jetë për ndërtimin e apartamenteve 37 806 lekë/m2. Ndërkohë, po të të bëjmë një konvertim të thjeshtë të këtij çmimi dhe fondit që ka për këtë vit për investime Enti Kombëtar i Banesave, prej 500 milionë lekë, rezulton se ky institucion mund të blejë 13 350 m2. Këtë sipërfaqe po ta përkthejmë në apartamente normale me sipërfaqe 70 m2, rezulton që të blihen rreth 190 apartamente.
Shpallja
Enti Kombëtar i Banesave shpall ofertën për të blerë apartamente nga kompani ndërtuese vendase të cilat kanë banesa të pashitura. Enti synon të blejë apartamente të vlerësuara me koston e ndërtimit në zonën Tiranë dhe Durrës.
Në njoftimin e Entit shkruhet:
1. Objekti: “Shprehje interesi për blerje në treg të lirë të apartamenteve me kosto të ulët në kuadrin e zgjidhjes së rasteve emergjente të strehimit në territorin në juridiksionin e bashkive Tiranë dhe Durrës”.
2. Enti Kombëtar i Banesave shpall kërkesën për shprehje interesi nga persona fizik a juridik privatë a publik, që disponojnë apartamente banimi në shitje
3. Përshkrim i shkurtër i objektit të blerjes:
Për të adresuar problemet e strehimit në qytet e Tiranës e Durrësit, Enti Kombëtar i Banesave, me fondet e vëna në dispozicion nga të ardhurat e veta, miratuar nga Këshilli Drejtues me vendimin nr. 4, datë 25.1.2014 dhe në zbatim të ligjit nr. 9232, datë 13.05.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” të ndryshuar dhe vendimit te Keshillit të Ministrave nr. 148, datë 13.2.2008, kërkon të realizojë blerjen e banesave me kosto të ulët në treg të lirë.
Si fazë parapërgatitore, kërkojmë të infomohemi mbi tregun e banesave në qytetet e sipërpërmendura.
Të interesuarit duhet të paraqesin ofertat e tyre, brenda datës 30 mars 2014, pranë Drejtorisë Qendrore të Entit Kombëtar të Banesave, me adresë: rr. “Sulejman Delvina”, prapa hotel “Diplomatit”. Ofertat mund të dërgohen edhe në rrugë elektronike në adresë: info@ekb.gov.al.
Ofertat duhet të përmbajnë sa më poshtë:
numrin e apartamenteve që disponohen
adresën ose zonën ku ndodhet apartamenti ose objekti i banimit
vitin e ndërtimit;
strukturën e çdo apartamenti;
sipërfaqen e çdo apartamenti;
informacion mbi:
gjendjen fizike dhe cilësinë e apartamentit (apartamenteve) dhe objektit;
lidhjet me infrastrukturën (rrugë, ujë i pijshëm e kanalizime, telefoni etj.)
lidhjen me shërbimet komunitare (shkolla, kopshte, qendra mjekësore etj.)
foto të objektit të banimit dhe apartamentit
çmimin e shitjes, të shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi;
çdo informacion tjetër që mund të gjykohet i nevojshëm
VKM e qeverisë “Berisha”
VENDIM
Nr. 148, datë 13.2.2008
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR BLERJEN E BANESAVE, ME KOSTO TË ULËT, NË TREG
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1 të nenit 17 të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Blerja e banesave, me kosto të ulët, në treg, të bëhet në bazë të çmimit kufi, të përcaktuar si mesatare e çmimit, me të cilin janë shitur banesat në tregun e lirë.
2. Banesat me kosto të ulët, si rregull, blihen në qytete, ku çmimi і shitblerjes së tyre në treg është më і ulët ose і barabartë me koston e ndërtimit të banesave nga shteti. Në qytete të tjera, banesa me kosto të ulët mund të blihet për zgjidhjen e rasteve emergjente të strehimit. Miratimi і rasteve emergjente, kur programi zbatohet nga bashkitë, bëhet me vendim të këshillit bashkiak, ndërsa kur programi zbatohet nga Enti Kombëtar і Banesave, miratimi bëhet nga Ministri і Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me kërkesë, të motivuar dhe të miratuar, të këshillit bashkiak, vetëm për ato raste, kur në ato bashki nuk ka banesa shtetërore në ndërtim.
3. Për llogaritjen e çmimit mesatar, bashkitë і referohen çmimit mesatar të shitblerjeve të banesave në treg, që miratohet çdo vit me udhëzim të Këshillit të Ministrave, sipas llogaritjeve të Entit Kombëtar të Banesave. Brenda kufirit të përcaktuar në udhëzim, çdo bashki miraton një çmim mesatar për zona të ndryshme të qytetit, sipas metodologjisë së miratuar prej tyre.
4. Me disponimin e fondeve për blerjen e banesave, me kosto të ulët, në treg, subjekti, і cili zbaton programin, përcakton numrin dhe strukturën e apartamenteve, që mund të blihen, si dhe njofton personat, e miratuar me vendim të këshillit bashkiak, për t’u trajtuar me banesë me kosto të ulët, për ta gjetur banesën në treg, sipas çmimit kufi.
5. Personit të njoftuar і lihen jo më shumë se 3 muaj kohë për të gjetur banesën në treg. Për arsye të motivuara, ky afat mund të shtyhet edhe tre muaj të tjerë. Pas skadimit të këtij afati, strukturat, që zbatojnë programin, shpallin njoftim publik për blerjen e apartamenteve në treg. Njoftimi bëhet nëpërmjet mjeteve të informimit publik, të paktën në dy prej të përditshmeve, me tirazh më të lartë, për 15 ditë kalendarike.
6. Banesat, e identifikuara për blerje, përpara fillimit të procedurave, inspektohen, për të parë nëse plotësojnë kushtet teknike dhe higjienike, nga inspektorë të higjienës dhe inxhinierë civilë. Kur banesa do të blihet për një person me aftësi të kufizuar, ajo duhet të plotësojë normat në fuqi për personat me aftësi të kufizuara (shmangien e barrierave arkitektonike) edhe pse me fonde publike, në këto raste, mund të përballohen shpenzimet për realizimin e ndërhyrjeve minimale, si:
a) prishja e shkallës hyrëse dhe zëvendësimi me rampe;
b) vendosja e korrimanos në shkallë;
c) zgjerimi і hapësirës së derës hyrëse të apartamentit;
ç) vendosja e korrimanove në banjë.
Edhe bashkitë e vogla dhe të mesme ndihmohen me financime nga Buxheti і Shtetit për përshtatjen e banesave, në bazë të projekteve dhe preventivave.
7. Banesa mbetet në pronësi të subjektit financues deri në shlyerjen e plotë të vlerës së saj nga përfituesi. Mënyra e shlyerjes së vlerës së banesës përcaktohet nga subjekti, që ka financuar blerjen e banesave në treg. Në rast se banesat janë blerë nga Enti Kombëtar і Banesave, mënyra e shlyerjes së vlerës përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, sipas shkronjave “c” e “e”, të nenit 34/1 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar.
8. Ngarkohen bashkitë, Enti Kombëtar і Banesave dhe subjektet e tjera, që financojnë për zbatimin e programeve të blerjes së banesave me kosto të ulët, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMІNІSTRІ
Sali Berisha
Bujqësia, 15 milionë euro eksport më shumë në 2013-ën
Eksportet bujqësore, blegtorale dhe agroindustriale për vitin 2013 kanë arritur në vlerën e 15.2 miliardë lekëve duke shënuar kështu një rritje me rreth 2 miliardë lekë në krahasim me vitin 2012 (rreth 15 milionë euro). Shifrat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë konfirmojnë edhe ato të dhëna nga Instituti i Statistikave, ku rezulton se sektori i bujqësisë është i vetmi që ka rritjen më të lartë të shkëmbimeve tregtare si rrjedhim edhe sektori me peshën më të madhe në rritjen ekonomike të vendit. Gjatë vitit 2012 eksportet kanë qenë në vlerën e 12,9 miliardë lekëve. Konkretisht, agroindustria ka rezultuar sektori më me peshë në rritjen e eksporteve, ku gjatë 2013, vlera e tyre ka arritur në rreth 7.9 miliardë lekë nga 6.4 miliardë që janë arkëtuar gjatë 2012-ës. Po ashtu edhe tregtimi i produkteve bujqësore ka siguruar të ardhura të larta, në vlerën e 6.6 miliardë lekëve duke shënuar një rritje me 1.7 miliard lekësh krahasuar me vitin paraardhës. Ndërkohë që eksportet blegtorale kanë shënuar performancë negative, ku për vitin që lamë pas arritën në vlerën e 643 milion lekëve nga 1.6 miliardë që ishin gjatë 2012-ës. Ndërsa importet gjatë vitit 2013, janë ulur në 9.2 miliardë lekë dhe 10.1 miliardë lekë.





