Anxhela Tato
Hetimet, mikrobusi me 25 pasagjerë doli nga rruga dhe përfundoi në kanal, i preu rrugën një automjet “Ford”
Në gjendje të rëndë shëndetësore 4 prej 17 të plagosurve, ishin anëtarë të Shoqatës së Pensionistëve
Ishin nisur për të festuar 7-8 Marsin, por udhëtimi përfundoi me një bilanc prej dy të vdekurish dhe 17 të plagosurish, prej të cilëve 4 në gjendje të rëndë shëndetësore. Një mikrobus me 25 pasagjerë, përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve, nisur nga Tirana në Strugë u përplas mesditën e djeshme në aksin rrugor Përrenjas – Librazhd në vendin e quajtur Ura e Madhe. Ndërprerja e rrugës nga një automjet tjetër detyroi shoferin e mikrobusit Bajram Kodra të bëjë një frenim të kushtëzuar, duke humbur kontrollin e mjetit për t’u përplasur më pas me shtyllën elektrike. Nga aksidenti tragjik humben jetën dy gra Atlie Toska, 66 vjeçe, dhe Klaudja Nushi, 25 vjeçe. Ndërsa 17 të plagosurit ndihmën e parë e morën në Spitalin e Librazhdit. Për një ndihmë më të specializuar 10 prej të plagosurve u transportuan në Tiranë. Ndërkohë që 4 prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë shëndetësore. Nga hetimet paraprake rezulton se mjeti tip “Ford” me targa AA 803 CT, me drejtues shtetasin me inicialet F.S, dyshohet të ketë qenë dhe shkaktari i daljes së mikrobusit nga rruga, duke detyruar drejtuesin që fillimisht të frenojë e më pas të përplaset.
Ngjarja
Nga informacionet paraprake të policisë thuhet se mikrobusi me targa AA 074 AX me 25 pasagjerë është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas ka përfunduar në një kanal. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Ndërkohë në vendngjarje mbërritën edhe 3 autoambulanca dhe tre mjekë kirurgë, të cilët i dhanë ndihmën e parë të plagosurve. Të aksidentuarit janë transportuar fillimisht në spitalin e Librazhdit. Mikrobusi ishte nisur nga Tirana me destinacion qytetin e Strugës. Nga të dhënat e fundit mësohet se një nga personat që ndodhen në gjendje kome është edhe drejtuesi i automjetit B. K. Klaudia Nushi, 25 vjeç, dhe Atile Toska, 66 vjeçe, janë dy viktimat e aksidentit të rëndë. Trupat e tyre ndodhen në spitalin e Përrenjasit. Ndërkohë nga të dhënat e fundit bëhet me dije se 8 nga të plagosurit janë transportuar në spitalin e Librazhdit dhe më pas katër prej tyre janë nisur drejt Tiranës për të marrë një mjekim më të specializuar. Përgjegjësi i Spitalit të Përrenjasit Mehmet Karriqi shprehet se në këtë spital tashmë ndodhen vetëm 5 të plagosur që janë jashtë rrezikut për jetën ndërkohë që 5 personat e tjerë janë nisur drejt spitalit të Librazhdit për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore. Karriqi thekson se dy viktimat e aksidentit janë 25 dhe 66 vjeç. Trupat e viktimave do t’i nënshtrohen ekspertizës mjekoligjore, e cila do të ndihmojë policinë në zbardhen e plotë të kësaj ngjarjeje. Ndërsa pritet që për pak dit të publikohet edhe ekspertiza shkencore e automjetit për rrethanat që bën të dilte nga rruga dhe të binte në kanal.
Kavajë
Prostitucion në lokal, pranga 3 vajzave, pronarit dhe klientit
Pesë persona kanë përfunduar në pranga në Kavajë. Të arrestuarit janë tri vajza që ushtronin prostitucion, pronari i një lokali dhe një prej klientëve. Arrestimi i tyre u bë i mundur në kuadër të operacionit policor “Balerinat”. Të arrestuar janë pronari i lokalit Shpëtim Tatani, 48 vjeç, ish-i dënuar për vrasje, klienti Erjon Rruga, 23 vjeç, nga Kavaja, dhe tre të ashtuquajtura “balerina”: Dallandyshe Male, 38 vjeçe, nga Lushnja, Shaze Seferi, 33 vjeçe, nga fshatrat e Kavajës, dhe Mahmude Hamzo, 31 vjeçe, nga Fieri. Policia e Kavajës bëri me dije se hetimi kishte nisur prej një muaji, për Shpëtim Tatanin, pronarin e lokalit i cili dyshohet se është edhe organizator i këtij aktiviteti të paligjshëm. Policia bëri me dije se është bërë e mundur edhe dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të “balerinave” të cilat nën petkun e kërcimtareve ushtronin këtë veprimtari. Vajzat që ishin të punësuara si balerina gjatë mbrëmjes ushtronin prostitucion, ndërsa pronari siguronte klientelën kundrejt shumave që varionin nga 3 deri në 5 mijë lekë të reja. Për këtë pronari Shpëtim Tatani, kishte ndërtuar tre dhoma të posaçme pas lokalit, për kryerjen e aktiviteti të prostitucionit.
Policia
Parandalohet vrasja e truprojës, arrestohen vëllezërit Ndoji
Një vrasje u parandalua orët e fundit prej efektivëve të komisariatit nr. 6 në Kashar të kryeqytetit, kur policia mundi të neutralizonte edhe personat që tentuan të kryenin këtë krim të rëndë. Tre persona tentuan të vrisnin truprojat e një lokali nate, ndërsa ngjarja ndodhi në mesnatë, pasi autorët ishin grindur më parë me truprojat. Sipas burimeve të policisë, Ylber Garubi, Edmond dhe Florenc Ndoji planifikuan vrasjen. Garubi ishte grindur disa net më parë me truprojën A. D., ndërsa Garubi dhe kushërinjtë Ndonji shkuan të armatosur me kallashnikov. Tre shkodranët thirrën me pretekstin e sqarimit truprojën A. D., por truproja tjetër me inicialet G. B. konstatoi armën dhe tentoi ndërmjetësimin. Në këtë moment truproja A. D. mundi të formonte në telefon numrin 129 dhe policia që dëgjoi grindjen nëpërmjet telefonit, u vu në lëvizje. Një patrullë u gjend 3 kilometra larg dhe ndërhyri me shpejtësi, teksa mbërritja e policisë solli reagimin dhe përleshjen mes 5 personave. Së fundmi, policia arrestoi dy vëllezërit Ndoji për tentativë vrasjeje si dhe është shpallur në kërkim Ylber Garubi, ndërsa në mjetin tip “BMW” të Garubit u gjend arma e tipi “Kallashnikov” me 2 krehër me fishekë.
Vjedhje celularësh
Arrestohet banda, policia dokumenton 25 grabitje
Katër persona janë vënë në pranga nga policia e kryeqytetit nën akuzën e vjedhjes. Sipas policisë Behar Brahaj, Shkëlzen Ismailgeci, Ervis Qemali dhe Vilson Brahaj janë arrestuar pasi akuzohen se kanë kryer 25 vjedhje kryesisht në kompani celulare. Blutë e Tiranës kanë mundur të identifikojnë të paktën 25 vjedhje të kryera nga personat e arrestuar. Policia sqaron se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe dhjete telefona të markave të ndryshme, të vjedhur në kohë dhe periudha të ndryshme si dhe pamjet filmike në forme elektronike CD, të cilët shfaqen duke kryer vjedhjet në dyqanet e celularëve.





