Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli
Majkëll R. Edelshtajn
Dejvid Ramsej Stile
Ndërsa afronte mbarimi i semestrit, po afrohej edhe provimi përfundimtar i Sarës. Ajo e ndjente se nuk do të arrinte të përgatitej aq sa duhej, veç po t’i përvishej studimit me të paktën nga dy orë në ditë. Megjithatë, ndihej skeptike nëse do të arrinte apo jo ta realizonte këtë detyrë kaq të vështirë. Dënimet triminutëshe do të mund t’i jepnin një motivacion të menjëhershëm, kështu që i rekomandova këtë mënyrë:
1. Zgjidh një projekt. Sara pati zgjedhur që të studionte për provimet përfundimtare.
2. Cakto ditët specifike që dëshiron të heqësh mënjanë për detyrën tënde, kohëzgjatjen e secilës punë dhe kohënisjen. Sara vendosi t’i kushtonte kësaj pune pesë ditë në javë, duke studiuar nga dy orë në ditë dhe t’ia niste studimit pas darke në orën 19:30, duke lënë pushim ditët e premte dhe të shtunat.
3. Zgjidh një dënim dhe një përfitues si edhe një shpërblim. Sara zgjodhi ta dënonte veten me nga një dollar për çdo minutë të humbur nga të 120 minutat e caktuara për studim. Po ashtu caktoi nga një dollar dënim për çdo minutë-vonesë, po të mos ia niste studimit në orën 19:30. Sara pranoi t’ia dërgonte këto para fondit të një fushate elektorale për një politikan, të cilin e urrente shumë. Shpërblimi i vetvetes për kryerjen e plotë të studimit ditor, do të ishte një banjë në vaskën me ujë gurgullues përpara se të flinte.
4. Paguaje menjëherë dënimin në rast moskryerje të afateve. Për shembull: nëse sonte mbrëma Sara do ta niste studimin në orën 19:35, dënimi i saj do të ishte pesë dollarë. Veç kësaj, po të studionte vetëm 90 minuta dhe jo 120 minuta, atëherë duhej t’i shtonte shumës së mësipërme edhe 30 dollarë të tjerë. Për rrjedhojë, sapo të mbaronte studimin e mbrëmjes, shumën prej 35 dollarësh duhej t’ia postonte menjëherë fondit të fushatës së politikanit të urryer.
Sara e kuptoi procedurën dhe iu duk e drejtë. Megjithatë shprehu një kundërshtim:
– Më vjen shumë inat që t’ia dërgoj paratë atij maskarait thatanik. Në fakt, nuk e di nëse do ta detyroj veten që ta bëj këtë.
– Që të sigurohemi se do ta bësh, – i sugjerova unë, – kur të arrish sonte në shtëpi, bëj gati menjëherë një zarf me pullë dhe adresën e fondit të fushatës të atij maskarait thatanik. Pastaj firmose çekun, duke lënë bosh vetëm vendin e shumës dhe fute brenda në zarf. Kështu, nëse vjen koha për të paguar dënimin, gjithë sa mbetet është vetëm të shënohet shuma te çeku dhe pastaj të hidhet në kutinë postare, – i shpjegova.
– Më duket se kjo i rrit gjasat që t’ia dërgoj atij.
– Nëse kjo gjë të duket ende një detyrë e pamundur, sille te mua zarfin me adresën e shkruar dhe çekun brenda. Nëse shmangesh nga orari i studimit më njofto sa i detyrohesh atij maskarait thatanik, kështu që unë plotësoj shumën dhe ia postoj.
– Hm, e kuptova. Faleminderit!
Vetullat e vrenjtura të Sarës u çelën nga një nënqeshje.
– Por përderisa ky lloj dënimi të duket kaq i urryeshëm, mos e harro hilen e thjeshtë, e cila do të të sigurojë që të mos i dërgosh asnjë qindarkë atij maskarait thatanik.
– Dhe kjo është…?
– Kjo është: thjesht studio çdo natë nga dy orë, duke nisur që në orën 19:30 e tutje, pa ndalesë.
Sara buzëqeshi vesh më vesh.
Parimi i Premakut
Nganjëherë Sara e linte veten që ta rrëmbente prirja ndaj prokrastinacionit, aq sa më në fund i humbiste kot e tërë dita. Me mend ajo thoshte: “po bëj fillimisht një kafe e pastaj po i hyj studimit”. Pas kafesë mund të mendonte: “tani është tamam koha t’i telefonoj shoqes sime, Xhenit, përpara se ajo të niset për në shkollë. Do të flas me të vetëm një minutë. Pasi dërdëlliste me të për afro 60 minuta, i vinte koha të kontrollonte korrespondencën, e kështu me radhë. Ky zinxhir arsyetimesh mund të vijonte derisa vinte re se pati ardhur koha të binte në shtrat, ngaqë ishte bërë tepër vonë dhe ndihej mjaft e lodhur për tu marrë me gjësend tjetër. Këtë lloj arsyetimi e pashë si një rast për të aplikuar Parimin e Premakut, të formuluar nga psikologu Dejvid Premak, i cili thotë: Një sjellje e shpeshtësisë së lartë mund të përforcojë një sjellje të shpeshtësisë së ulët.
Le ta zëmë se zierja e një filxhan kafeje është diçka që ju e bëni shpesh dhe kollaj (një sjellje e shpeshtësisë së lartë). Le ta zemë më tej se pastrimin e qilimit të dhomës suaj me makinë vakum-thithëse është diçka që e bëni rrallë herë dhe me vështirësi (sjellje e shpeshtësisë së ulët).
Për të zbatuar Parimin e Premakut, mos e lejo veten të bësh një sjellje të shpeshtësisë së lartë (zierjen e kafesë), për sa kohë që nuk e ke bërë sjelljen e shpeshtësisë së ulët (pastrimin e qilimit me makinë vakum-thithëse).
Sara iu përkushtua kryerjes së detyrave shkollore nga pesë ditë në javë. Ajo mund t’i lejonte vetes një filxhan kafe pasi të kishte studiuar për 30 minuta, ama, nuk duhej t’i telefononte shoqes (një tjetër sjellje e saj e shpeshtësisë së lartë) pa i përfunduar plotësisht të dy orët e studimit.
Imagjinata triminutëshe e zgjimit
E hënë. Ora 7:00 e mëngjesit. Radio-zilja e Sarës hapet automatikisht dhe nis trumbeton lajmet e ditës. Ajo lëviz që poshtë jorganit të ngrohtë. E përgjumur dhe vetëm pjesërisht e zgjuar nga gjumi i thellë, ajo shtyp butonin e ziles. Pastaj menjëherë ia fut sërish gjumit. Pas dy orësh Sarës i del gjumi vetë. Ajo sheh orën dhe rend si e çmendur drejt banjës. Kjo ishte mënyra e zakonshme e zgjimit të Sarës, sidomos të hënave në mëngjes.
Unë i dhashë asaj dy mendime:
1. Të binte më herët për të fjetur.
2. Të përdorte imagjinatën triminutëshe të zgjimit.
Ja udhëzimet se çfarë pamjesh duhej të imagjinonte si të gjalla çdo mbrëmje, përpara se të shtrihej për të fjetur:
“Mëngjes, ora 7:00. Bie zilja. Ti hidhesh nga shtrati dhe rend në banjë”. Ndërkohë që e përfytyron këtë çast, përsërit fort me vete: “S’ka justifikime dhe kundërshtime – sapo të bjerë zilja në shtatë, do të hidhem nga shtrati, do të rend në banjë për dushin, sikur nami të bëhet”. Thuaje këtë për tri-minuta, duke e ripërsëritur imagjinatën në kokën tënde dhe duke e rithënë fjalinë motivuese.
Sara zbuloi se, kur nisi ta përdorte këtë imagjinatë zgjimi, kjo i dha rezultat. Nganjëherë, kur e neglizhonte praktikimin e saj, arrinte prapë të çohej në kohë. Megjithatë, pasi kaluan disa net rresht pa e bërë, pati sërish raste që nuk u çua dot nga gjumi dhe kjo gjë i kujtoi faktin se duhej t’i rikthehej prapë ushtrimit.





