Protesta/ Shoferët e furgonëve përplasen me policinë, nuk lejohen të hyjnë në Tiranë

Për 7 orë rresht, me qindra shoferë të taksive 8+1 kanë protestuar në Tiranë. Konflikt fizik me policinë, ndërhyjnë forcat speciale. Protesta mbyllet me thirrjet për Kryeministrin “Na lër të punojmë”

 

 

protesta furgonatMe qindra shoferë të taksive 8+1 kanë protestuar ditën e djeshme për 7 orë rresht. Të nisur nga çdo qytet i vendit, shoferët janë takuar në pikat hyrëse të kryeqytetit, pranë Fakultetit Ekonomik te Rruga e Elbasanit dhe te Zogu i Zi. Që në momentin kur kanë mbërritur në Tiranë, shoferët kanë hasur në forcat e policisë, të cilat u kanë kërkuar që furgonët të mos i merrnin me vete, por t’i linin në periferi të Tiranës. Kjo masë ka sjellë kundërshtimin e shoferëve të cilët nisën protestën e tyre në dy segmentet kryesore te Ekonomiku dhe te Zogu i Zi. Fillimisht drejtuesit e taksive 8+1 kanë bllokuar këto dy segmente, duke qëndruar ulur në mes të rrugës. Në këtë moment ka ardhur dhe ndërhyrja e policisë, e cila ka kërkuar që të lirohet rruga. Te Ekonomiku përplasja ka vijuar për disa minuta rresht dhe në disa raste, policia e Tiranës përdori edhe forcën, duke shtyrë protestuesit. U desh ndërhyra e deputetëve të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesit të sindikatave, Gëzim Kalaja, që gjendja të mos shkonte drejt një konflikti. Tre deputetët e PD-së, Ridvan Bode, Luçiano Boçi, dhe Flamur Noka, u ulën bashkë me protestuesit dhe kërkuan që policia t’i lejonte të shkonin në vendin ku donin të protestojnë. Rreth orës 11:00, pranë Fakultetit Ekonomik, mbërritën forcat speciale të policisë. Me skafandra dhe me shkop gome në duar, forcat speciale kërkuan lirimin e rrugës. “Hapni rrugën”, – u tha një prej forcave speciale protestuesve. Nga ana e tyre shoferët kërkuan që policia të mos ushtronte presion mbi ta dhe t’i lejonte të protestonin. “Jemi njerëz dhe meritojmë të trajtohemi si qytetarë të Shqipërisë. Na lini të protestojmë, mos na sillni këtu polici e cila kërkon të na trembë”, – u shpreh një prej protestuesve. E njëjta situatë u pa dhe të Zogu i Zi, ku protestuesit kërkuan që të shkonin deri te zyra e Kryeministrit bashkë me mjetet e tyre. Sipas policisë, leja e protestës ishte marrë vetëm për individët dhe jo për mjetet, prandaj ata duhet t’i linin në periferi të Tiranës.

 

Në këmbë drejt Kryeministrisë

Pas zgjidhjes së konfliktit te Ekonomiku dhe te Zogu i Zi, protestuesit i janë drejtuar zyrës së Kryeministrit Edi Rama. Me pankarta në duar, ku shkruhej “Na lejoni të punojmë” apo “Mos na hiqni bukën e gojës”, shoferët kanë kërkuar që t’u bashkohen edhe qytetarë të tjerë. Në këmbë, nga të katër anët e Tiranës, protestuesit janë mbledhur te sheshi “Nënë Tereza”. Më pas protesta ka vazhduar para ndërtesës së qeverisë. Duke u drejtuar nga përfaqësuesi i sindikatave, Gëzim Kalaja, protestuesit me radhë kanë marrë fjalën për t’i kërkuar Kryeministrit t’i lejojë të punojnë. “Jemi taksapagues të rregullt. Unë kam një familje për të mbajtur dhe burim të ardhurash tjetër nuk kam. Sot kam një muaj që nuk çoj asnjë lek në shtëpi dhe kjo për shkakun e kësaj qeverie z. Kryeministër. Dil nga zyra dhe eja bisedo me ne”, – u shpreh një nga protestuesit. “Kanë qenë kryeministra Majko, Meta, Nano, Berisha dhe kemi vazhduar punën vazhdimisht, por nuk besoj se Edi Rama do t’i motivojë vetes që të qëndrojë në detyrë si Kryeministër që la pa bukë 21 mijë familje”, – u shpreh Gëzim Kalaja përfaqësues i sindikatave. “U ulëm në tryezë me ministrin Tahiri, por ai vetëm ministër nuk është. Tha do luftojmë konkurrencën e pandershme. Lulëzoi konkurrenca e pandershme më shumë nga të gjithë. Ministri tek Transportet e kanë vënë aty, por ai nuk merr vesh nga transporti. Ai nuk merr vesh as nga nafta, ça bëri ndryshimi i çmimit. Nuk ka kuptim që të vij nga Korça me 8 veta dhe të kthehem bosh, ndërkohë që i hedh 60 mijë lekë karburant makinës. Ç’të bëj? Të rris çmimin për qytetarët, t’ua dyfishoj atyre çmimin për të udhëtuar, e padrejtë”, – u shpreh një shofer nga Korça.

 

Protestë bashkë me familjet

Pavarësisht se nuk dëshironin të largoheshin nga sheshi para Kryeministrisë, drejtuesit e taksive 8+1, të detyruar nga sindikatat vendosën që ta mbyllnin protestën të nisur që në orët e para të mëngjesit, rreth orës 16:30 minuta. Gëzim Kalaja u ka bërë thirrje shoferëve që protestat të mos ndalojnë dhe ditën e hënë, pritet që drejtuesit e furgonëve të protestojnë bashkë me familjet e tyre. “Parlamenti të zgjidhë problemin, e kanë për detyrë të na takojnë. Ditën e hënë do jepen udhëzimet për protestën tjetër, të mërkurë ose të enjten do zhvillohet. Në mënyrë paqësore ashtu si sot, se dhunë ushtroi policia, të shpërndahemi për të shkuar tek familjet. Në protestën e ardhshme nuk do vini me furgonë, por me familjet, me studentët, me qytetarët përpara Parlamentit”, – tha Gëzim Kalaja. Protestuesit janë shpërndarë nëpër destinacionet e tyre, duke lënë mesazhin e tyre: “Na ktheni në punë”.

 

 

 Qeveria nuk tërhiqet, Haxhinasto: Do të zbatojmë ligjin

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, nuk është tërhequr nga vendimi për të ndalur furgonët që të kthehen bosh në kthim. Gjatë një konference për shtyp, Haxhinasto ka kërkuar që të zbatohet ligji për taksitë 8+1. “Vetëm duke zbatuar ligjin të gjithë qytetarët mund të jenë të barabartë përpara tij, përpara mundësive për punë, përpara mundësive për mirëqenie. Pronarët e taksive 8+1 kanë një licencë taksie, ata nuk kanë një licencë për të zhvilluar transportin ndërurban. Pyetja që shtrohet sot është: A do të zbatohet ligji apo jo? Fakti që qeveria e mëparshme dhe opozita e sotme ka shkelur ligjin, ka lënë një situatë anarkike në transportin publik, nuk do të thotë që kjo qeveri do të vazhdojë të shkelë ligjin. Ne do të vazhdojmë të zbatojmë ligjin. Ne nuk fshihemi pas gishtit, as pas problemit. Detyra jonë është të zgjidhim problemin sa do të vështira të jenë ato. Pra, ne do të vazhdojmë të zbatojmë ligjin. Taksitë do të jenë taksi dhe autobusët do të jenë autobusë”, – tha Haxhinasto. Sipas ministrit, nëse pronarët e automjeteve 8+1 duan të vazhdojnë aktivitetin e tyre, ata duhet të vendosin taksimetrin siç e përcakton ligji dhe të mos ndalojnë vend e pa vend për t’u mbushur gjatë rrugës. “Nëse pronarët e taksive 8+1 duan të vazhdojnë aktivitetin e tyre, ata duhet të aplikojnë për licenca të transportit ndërurban, të nisen në orare të përcaktuara dhe të kenë mjete me parametra sigurie, siç e kërkon ligji”, – tha Haxhinasto.

 

 

Policia: Furgonët nuk kishin leje për të hyrë në Tiranë

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ardian Çipa, drejtor i Policisë së Tiranës, u shpreh se mjetet e drejtuesve të taksive 8+1 ishin përcaktuar të qëndronin në periferi të Tiranës. “Bazuar në kërkesën për tubim të ardhur më datë 26.2.2014 nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, ku jemi njoftuar për organizimin e një tubimi paqësor, me qëllim lejimin e veprimtarisë vajtje-ardhje të drejtuesve të automjeteve 8+1, e cila do të zhvillohej në sheshin “Nënë Tereza” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, bëjmë me dije se nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë janë marrë masa për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, për zhvillimin normal të këtij tubimi paqësor duke krijuar lehtësirat e nevojshme të pjesëmarrësve në këtë tubim dhe përcaktuar vendparkimet e sakta të furgonëve 8+1 për zhvillimin normal të këtij tubimi. Me datë 28 shkurt 2014 në vijim të njoftimit për këtë tubim, kanë tentuar të hyjnë në qendër të Tiranës rreth 110 furgonë, të cilët pas kërkesës për parkim në vendin e caktuar kanë bllokuar akset kryesore të rrugëve për hyrjen në qytetin e Tiranës duke i mbajtur të bllokuara për rreth dy orë e duke paralizuar qarkullimin e lirë të mjeteve. Gjithashtu policia e Tiranës është e vendosur dhe nuk do të lejojë në asnjë rast cenimin e ligjit, duke kryer me rigorozitet detyrën”, – përfundoi deklaratën policia e Tiranës.

 

 

Share it :