Atentati/ Viktima, i skeduar nga policia, trafik droge në 3 shtete

Anxhela Tato

 

 Baki Xhabafti, me precedentë penalë në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë

 40-vjeçari prej pak ditësh ishte kthyer nga Gjermania në Shqipëri, ku jetonte me vëllain

 

shperthimiTrafiku i drogës është një ndër pistat ku janë përqendruar hetimet e bluve për atentatin ndaj 40-vjeçarit Baki Xhabafti. Sipas burimeve të policisë, rezulton se Bakiu ishte i përfshirë në trafik lëndësh narkotike në tri shtete. Vetëm prej pak ditësh viktima Baki Xhabafti ishte kthyer nga Gjermania, ku jetonte me vëllain e tij. Viktima rezulton të jetë i skeduar nga blutë si trafikant droge. Dyshohet se Xhabafti kishte precedentë penalë në Belgjikë, Gjermani dhe Holandë. Nga ana e bluve është kërkuar informacion më i detajuar në lidhje me skedën penale të 40-vjeçarit në këto shtete. Ndërsa nga ana e Prokurorisë së Tiranës është kërkuar gjithë dosja hetimore e hasmërisë Xhabafti-Ymeri. Dosjet e vjetra të viteve 1995 janë kërkuar të nxirren nga arkiva e Policisë e Shtetit, duke qenë një provë që do të orientojë hetimet në pistën e duhur. Ndonëse momentalisht janë tre pista hetimore, policia është përqendruar tek trafiqet e drogës së viktimës, i cili ishte babai i dy fëmijëve dhe i divorcuar nga gruaja. Prej kohësh Baki Xhabafti jetonte në Gjermani më vëllain e tij dhe ishte transferuar me banim nga Selita në Vorë, duke qenë më afër biznesit të tij, servisit të makinave. Dyshohet se lënda eksplozive është montuar në momentin që automjeti ka qenë i parkuar. Ndërsa autori i krimit ka qëndruar në gatishmëri të lëvizjeve të 40-vjeçarit, duke pritur çastin që viktima do të futej në automjet. Sapo ka parë prenë e tij autori ka aktivuara lëndës plasëse C4, e cila ishte montuar poshtë automjetit. Një sasi prej 200 gramësh eksploziv ka mjaftuar që t’i merrte jetën viktimës, i cili është nxjerrë i karbonizuar pas shuarjes së flakëve.

 

Hetimet

 Dyshimet paraprake të policisë e kanë lidhur këtë ngjarje me hasmërinë e vitit 1995 mes familjes Xhabafti dhe Ymeri. Policia thotë se janë shoqëruar mbi 20 persona, mes tyre anëtarë të fisit Ymeri. Një pistë hetimi është edhe ajo që vrasja mund të jetë porositur nga burgu, nga një prej anëtarëve të fisit Ymeri. Gjatë natës janë shoqëruar të gjithë familjarët e afërt të 5 të vrarëve të familjes Ymeri, të cilat sipas policisë mund të kishin tendenca për kryerjen e vrasjes. Në orët e mëngjesit në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, dhe komisariatet numër 2 dhe 6 nuk kishte asnjë prej të shoqëruarve që ishin lënë të lirë pasi u ishin marrë deklarimet e tyre me shkrim. Policia është tashmë në procesin e krahasimit dhe verifikimit të dëshmive të marra nga të shoqëruarit. Pritet që grupi hetimor të merrte në pyetje Eduard Ymerin, i cili ndodhet në burg për krime të rënda, për të parë nëse ai është i implikuar në ekzekutimin e pasdites së djeshme. Të njëjtat burime thanë se janë duke u verifikuar edhe probleme të mundshme të pronësisë apo konflikte të mbartura nga jashtë vendit. Dje në mëngjes skena e krimit vazhdonte të ishte e rrethuar. Flakët e shkaktuara nga shpërthimi ishin shuar, ndërsa nga makina kishte ngelur vetëm skeleti edhe ky i dëmtuar shumë. Fuqia e shpërthimit ka bërë që copëzat e makinës të jenë të shpërndara në një gjatësi prej 10 metrash. Tre policë vazhdojnë të ruajnë skenën e krimit.

 

 

Burrel, atentat punonjësit të SHISH, shpërthen makina

Dje, në orët e vona mbrëmjes në qendër të qytetit të Burrelit një tjetër automjet ka shpërthyer. Mjeti ka qenë i parkuar kur ka ndodhur shpërthimi. Menjëherë në vendngjarke ka shkuar forcat e policisë, duke nisur hetimet. Mjeti rezulton se është në pronësi të punonjësit të SHISH, Lumturi Sula. Thuhet se atentatorët nuk kanë pasur qëllim të vrisnin punonjësin e SHISH por vetëm për ta kërcënuar. Pas njoftimit të policisë ka reaguar edhe Ministria e Brendshme, duke deklaruar se nuk ka pasur shpërthim eksplozivi. Sipas ministrisë së brendshme, automjetit I është hedhur kapsollë miniere.

 

Vrasja

Lutfi Peti, konflikt pronësie me vëllezërit, është shoqëruar disa herë në polici

Lutfi Peti, i shoqëruar disa herë në polici për konflikte në familje. Viktima, i cili u gjet i vrarë mëngjesin e së enjtes tek Liqeni i Thatë, është person i njohur për forcat e policisë. Burime bëjnë me dije se viktima është shoqëruar disa herë në komisariat për shkak të problemeve që kishte me familjarë të tij. Bëhet fjalë për konfliktet e pronësisë që kishte me vëllezërit. Në zonën ku u gjet i vdekur, ndodhet një lokal, i cila ishte në bashkëpronësi të vëllezërve Peti. Përveç lokalit, vëllezërit kishin në pronësi edhe truallin e tokës, i cili u dha nga viktima një firme për ndërtim. Dyshohet se pikërisht ky mund të jetë edhe shkaku i vrasjes së 52-vjeçarit. Konfliktet e pronësisë është pista ku është përqendruar policia, nisur kjo edhe nga precedentët e mëparshëm të viktimës. Ndërsa pritet edhe rezultati i ekspertizës mjekoligjore, e cila do të hedh dritë për arsyet që viktima ka gjetur vdekjes.

 

Ngjarja

 Policia njoftoi paraditen e së enjtes se një person i pajetë është gjetur në një automjet, rreth orës 07:00 tek kodrat e Liqenit Artificial, në Tiranë. Kanë qenë banorë të zonës, të cilët kanë sinjalizuar forcat e policisë mbi një automjet brenda të cilit ndodhej një person i pajetë. Viktima më pas u identifikua si shtetasi Lutfi Peti, 52 vjeç, i cili ushtronte një aktivitet privat pranë Liqenit Artificial. Peti njihej për biznesin e tij të luleve dhe e ushtronte në zonën pranë Farit, aty ku u gjet dhe trupi i pajetë. Sipas informacioneve paraprake bëhej me dije se në trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune. Nga mbikëqyrja rezultoi se ishte goditur me sende të forta në kokë dhe qafë. Trupi u dërgua në morgun e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, ku iu krye autopsia. Ekspertiza mjeko-ligjore që po kryhet do të japë përgjigje për policinë, e cila mblodhi shumë prova dhe në vendin e ngjarjes. Paraprakisht hetimet e policisë janë përqendruar në tre pista kryesore, ajo e konfliktit për shkaqe pronësie, grabitjeje me dhunë apo mosmarrëveshje personale. Viktima kishte prona dhe një pjesë të truallit e kishte dhënë për ndërtimin e një pallati. Dyshohet se ky mund të jetë një nga shkaqet e konfliktit të 52-vjeçarit. Por jashtë hetimeve nuk do të lihet as biznesi i fidanishtes, si dhe i kafshëve të imta.

 

 

 

 

Share it :