Letër pa zarf/ Po. Ne do t’ia dalim!

Nebil-CikaNga Nebil Çika

 

Z. Çika si jeni? Uroj më së miri familjarisht! Data dhe momenti i shumëpritur për promovimin e librit të P. Zef Pllumit “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” është caktuar tashme me 6 mars, ora 16:30, në Senat Palazzo Giustiniani. E di që është sakrificë udhëtimi etj., por do kisha shumë dëshire t’ju kisha aty bashkë me zonjën Tuaj sigurisht. Do jetë aktivitet kulturor me praninë edhe të Berlusconit që do përmbylli prezantimin. Dëshira për diçka të vlefshme është e madhe me Zotin para uroj t’ia dalim! Respekte Keda! Ky është mesazhi që bashkë me ftesën më mbërriti nga Milano (Itali) bashkë me ftesën për të marrë pjesë në promovimin e librit të Atë Zef Pellumbit “Rrno për me tregue” i botuar në italisht me përkthimin e znj. Keda Kacelit dhe parathënie të ish-kryeministrit dhe politikanit të famshëm italian e evropian Silvio Berluskoni. Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë ngjarje të mrekullueshme mendova t’i përgjigjesha me këtë letër pa zarf znj. Keda Kacelit dhe ftesës së saj.

 

E nderuar znj. Kaceli!

 

Të falënderoj nga zemra për ftesën dhe punën e madhe që keni bërë me përthimin dhe botimin në italisht të një prej veprave më të çmuara të letrave shqipe, librit “Rrno vetëm për me tregue” të Atë Zef Pllumbit. Më vjen shumë keq që nuk mund të ndodhem dot fizikisht në promovimin e librit, por mendërisht dhe shpirtërisht do të jem atje, në mbështetje të punës suaj të mrekullueshme. Ju përgëzoj pa masë për realizimin e kësaj pune të madhe dhe ju uroj suksese edhe në punët e tjera që besoj se do t’i kryeni edhe më mirë në të ardhmen. Vendi ynë, Shqipëria, vjen nga errësira e thellë e diktaturës gjysmëshekullore më të egrën e më të përgjakshmen në Evropë. Imazhi ynë në Perëndim është me apo pa të drejtë i rrënuar dhe përgjegjëse kryesore për këtë është diktatura komuniste, pasoja dhe zgjatimet në këtë pothuaj demokraci të saj. Fatkeqësisht, bota perëndimore, dhe veçanërisht Italia, na njeh më shumë prej antivlerave sesa prej vlerave të popullit e kombit tonë. Nuk kanë faj. Shqipëria u prezantua në fund të Luftës se Ftohte pas rënies së diktaturës së fundit komuniste në Evropë me pamjet e tmerrshme të refugjatëve që mbërritën në anën tjetër të Adriatikut bashkë me pasojat e mjerimit, izolimit dhe përfundimit më të keq të qenies njerëzore, gjë që mund ta bëjë vetëm komunizmi dhe pushteti i tij. Sigurisht që jo të gjithë shqiptarët. Të dhunuar me të gjitha mënyrat, me besimin e ndaluar tek Zoti, pa ndjesitë e pronës private, demokracisë dhe shtetit ligjor, shumë prej nesh morën rrugën e gabuar, duke u ngjitur shqiptarëve namin e keq të trafikantëve dhe autorëve të veprave të tjera të paligjshme. Sigurisht që këta ishin vetëm një pakicë, por e keqja ngulitet në mendje më shpejt e më thellë se e mira dhe imazhi përfshiu padrejtësisht shqiptarët dhe Shqipërinë, duke na bërë shpeshherë pa të drejtë delen e zezë të Evropës. Evropa, media dhe publiku i saj detyrohej e shihte vetëm njërën anë të medaljes, atë të keqen, pasi vlerat e vërteta ishin të fshehura e të papromovuara publikisht. Evropa dhe Italia kishte njohur për 50 vite diktaturë atë Shqipëri që kishte dashur t’u tregonte diktatura komuniste dhe propaganda e saj, gjë që në shumë mënyra vazhdon të jetë pikë referimi edhe sot, sidomos për rrethet intelektuale e akademike. Shqipëria tjetër, ajo e vërteta, me sakrificat dhe vlerat reale të saj ishte fshehur, gjë që në shumë mënyra bëhet edhe sot. Ata e njihnin Shqipërinë nga shkrimtarë, artistë e propagandistë në shërbim të diktaturës, të vetmit që lejoheshin të përktheheshin, botoheshin apo performonin jashtë vendit, ndërkohë që intelektualët e vërtetë ose ishin vrarë ose ishin të mbyllur në kampet e tmerrshme të burgjeve dhe internimit. Fatkeqësisht, edhe ne këtë kohë hapjeje e demokracie të pretenduar, kjo lloj Shqipërie reale ka mbetur ende e izoluar dhe e panjohur për botën perëndimore, gjë që ka çuar shumë herë në perceptim të gabuar të tyre për vendin e popullin tonë. Sigurisht që për këtë nuk e kanë fajin të huajt, por vetë ne shqiptarët, me pamundësinë tonë për të promovuar anën tonë të mirë si brenda Shqipërisë edhe jashtë saj. Por e vërteta vonon, po nuk harron – thotë një proverb i popullit tonë. Dha ja, vjen një ditë si kjo e përkthimit, botimit dhe promovimit të librit tuaj, kur vlerat fillojnë të shfaqen e të promovohen dhe bota fillon të njohë Shqipërinë dhje shqiptarët e vërtetë. Libri i Atë Zef Pllumbit që ju keni zgjedhuar për t’ia treguar Italisë dhe krejt botës, megjithëse një kryevepër, është vetëm një pjesë e vogël e realitetit dhe vlerave të mëdha intelektuale, kulturore dhe shpirtërore e kombit tonë martir. Ju keni zgjedhur t’i ofroni publikut italian e më gjerë një pjesë të vogël, por thelbësore e domethënëse të së vërtetës shqiptare të treguar me mjeshtëri nga një martir i gjallë si Atë Zef Pllumi. Nuk besoj se mund të gjendej aktualisht një mënyrë më e mirë e prezantimit ndërkombëtar të popullit. Mendoj se libri që ju keni përkthyer, botuar dhe që po e promovoni më 6 mars, ka vlera jo vetëm për të treguar e kuptuar ferrin komunist të Shqipërisë, por për të kuptuar atë që “kolera e kuqe” mbart si filozofi politike në të gjithë botën. Komunistët dhe filozofia e tyre janë një lloj si në Shqipëri. Itali, Kubë, Kore e Veriut, Ukrainë etj. Libri ka përveç vlerave historike edhe një rëndësi të veçantë për studimin e komunizmit dhe të diktaturave, gjë që e bën të rëndësishëm edhe nga ana akademike e shkencore. Sigurisht që botuesit italianë e kanë kuptuar këtë dhe rëndësia që po i japin këtij botimi flet vetë.

 

E nderuar Keda!

 

Sinqerisht, më bëhet qejfi që ju keni ndërmarrë e keni realizuar një mision si ky. Jo rastësisht një nismë të tillë e keni marrë pikërisht ju. Duhet edukim familjar, por edhe gjen të marrjes përsipër punë të tilla që natyrisht duan edhe shumë përkushtim. Ndoshta jo krejt rastësisht (Zoti vepron në mënyra mistike) promovimi i librit tuaj përkon në kohë me një ngjarje të rëndë për Shqipërinë dhe veçanërisht për familjen tuaj. Në të njëjtën periudhë në vitin 1951, komunistët shqiptarë kryen një nga krimet më të mëdha, të pashembullt në Evropë, pushkatimin pa gjyq të 21 burrave dhe një gruaje intelektuale e njohur, midis tyre edhe gjyshin tuaj Jonuz Kaceli. Masakra e njohur si ajo e “bombës në Ambasadën Sovjetike” është një krim i pastër kundër njerëzimit, pasi 22 qytetarë të pafajshëm, pjesë e elitës sonë kombëtare, u pushkatuan pa gjyq nga diktatura komuniste, me vendim politik të krerëve më të lartë të saj. Në asnjë vend normal të botës, veçanërisht në Itali e Evropë, ky krim nuk do të ishte lënë pa u hetuar, gjykuar e ndëshkuar. Fatkeqësisht, në Shqipëri kjo gjë nuk ka ndodhur dhe në një periudhë afatshkurtër ka pak gjasa të ndodhë. Por jo vetëm kaq. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku asnjë autor i krimeve të komunizmit nuk është dënuar, ndërkohë që shumica gëzojnë ende dekoratat dhe nderimet e tjera të shtetit shqiptar. Askush nuk mban përgjegjësi për krimet monstruoze dhe një pjesë e mirë e autorëve të tyre apo pinjollë gjenetikë janë pjesë e rëndësishme e pushtetit në të gjitha nivelet dhe format e tij. Aktualisht, në qeveri janë ish-komunistët, të cilët janë angazhuar fort në rehabilitimin e diktaturës, e thënë ndryshe, baballarëve të tyre. Kryeministër i vendit është Edi Rama, djali i një drejtuesi të lartë të regjimit komunist, firmues i varjes së poetit antikomunist Havzi Nela në vitin 1998, varjes së fundit të një poeti në të gjithë botën. Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës komuniste, është kryetar i grupit parlamentar të mazhorancës ish-komuniste; ministër i Jashtëm Ditmir Bushati, djali i një drejtuesi tjetër komunist, i dënuar si autor i masakrës së fundit komuniste, asaj të 2 prillit 1991, kur katër kundërshtarë politikë u vrarë në një protestë ne Shkodër. Qeveria festoi 29 nëntorin, ditën e instalimit të diktaturës komuniste, me portretin e diktatorit Hoxha në sfond, ndërkohë që Kryetari i Parlamentit, Meta, dhe të tjerë politikanë e historiane ish-komunistë janë angazhuar drejtpërdrejt në rehabilitimin e Enver Hoxhës, ndërkohë që media e kontrolluar kryesisht prej tyre i ka dhënë kësaj fushate një hapësirë të konsiderueshme. Këto ditë në Shqipëri ka marrë dhenë botimi i një libri me kujtime të persekutorit të fundit komunist në Shqipëri, ish-shefit të Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, edhe ky i akuzuar për 2 prillin, i cili ka pushtuar faqet e para të gazetave. Besoj se vetëm në Shqipëri ndodh që dikush që duhej të ishte gjykuar e dënuar për gjenocid e krime kundër njerëzimit, të botojë libra e të trajtohet nga shtypi si hero. Aktualisht, ish-komunistët zotërojnë pothuaj të gjitha pushtetet, ndërkohë që kërcënojnë edhe ato pak institucione të pavarura, duke e çuar vendin drejt një situate që ka pak apo aspak ndryshim me atë që përshkruhet në librin e Atë Zef Pllumit, që ju keni përkthyer e botuar në italisht.

 

E nderuar zonjushë!

 

Ju jeni përfaqësuese e një shtrese dhe brezi që ngjallni shumë shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shkak të formimit dhe kurajës suaj ndryshe. Ju me këtë vepër të mrekullueshme më kujtoni profecinë e një tjetër shqiptari të famshëm, prof. dr. Isuf Luzi, i cili u detyrua ta kalonte gjithë jetën në mërgim, i përndjekur nga komunistët. Në fillim të viteve 1990, ai parashikonte në mënyrë të saktë se Shqipëria do të fillonte të prodhonte të mira materiale, shpirtërore, kulturore, intelektuale etj., aty nga viti 2015, kur brezi tjetër të merrte në dorë fatet e vendit. Ju jeni pa dyshim shenja e parë e realizimit të profecisë së tij dhe shpresoj shumë e besoj që nuk do të jetë e fundit. Siç thashë më lart, me këtë punë ju i keni bërë një shërbim të madh vendit e popullit tonë dhe sigurisht keni marrë edhe vlerësimin e miqve tanë italianë. Nuk e teproj të them se është një nder i jashtëzakonshëm për ju dhe autorin e veprës, Atë Zef Pllumi, që parathënien dhe promovimin e librit në italisht e ka marrë përsipër një personalitet politik me përmasat e Silvio Berlusconit. Vetëm një mendje si ai mund ta kuptonte plotësisht jashtë Shqipërisë vlerën e Atë Zef Pllumit dhe gjëmën e komunizmit shqiptar. Sigurisht që është nder edhe për të gjithë ne. E vlerësoj pa masë këtë veprim të Kavalierit, i cili me këtë fisnikëri ka sfiduar drejtpërdrejt politikanët shqiptarë, që në shumicën e rasteve përpiqen ta injorojnë apo ta manipulojnë atë çka ka ndodhur në Shqipëri gjatë gjysmë shekulli skllavërie komuniste. Besoj se ko e ka rritur edhe më respektin për të ndër shqiptarët, fisnikë e demokratë.

Më bëhet gjithashtu qejfi që autore e kësaj pune fantastike është një zonjë shqiptare. Gratë kanë pasur gjithnjë një kontribut të veçantë në qëndresën dhe përparimin e kombit tonë, nga lashtësia deri me sot. Nga mbretëreshat Teuta e Argjiroja, atdhetaret Marigoja e Shote Galica, martiret Musine Kokalari e Sabiha Kasimati e deri tek e shenjta Nënë Tereza janë me dhjetëra shembuj, me të cilat ju frymëzoheni e të gjithë ne shqiptarët krenohemi.

Në mesazhin tuaj më shprehnit besimin se “me ndihmën e Zotit ne do t’ia dalim”. Po. Unë kam besuar gjithmonë se ne do t’ia dallim. U kemi mbijetuar në shekuj pushtimeve e tiranive, i mbijetuam të pamundurës, ferrit të diktaturës komuniste. Kjo është koha jonë, dita jonë. Do t’ia dalim, se kemi me vete të vërtetën, dritën e Zotit mbi dhé. Do t’ia dalim edhe për gjyshin tënd dhe gjyshin tim, për prindërit tanë dhe të gjithë shqiptarët që sakrifikuan edhe jetën për këtë ditë. Ne do t’ia dalim para së gjithash për të ardhmen tonë e të pasardhësve tanë.

 

Jam krenar për një mike si Ju!

 

Me respekt! Nebili

Share it :