Jurges Veizaj
Pritet që të bëhen ndryshimet e duhura në sistemin e ndriçimit, por edhe në parking
Këto ndryshime do t’i japin stadiumit pamjen moderne, që do ta bëjë të përshtatshëm për ndeshjet ndërkombëtare
Ndryshime të mëdha pritet të ndodhin për stadiumin, ku do të luajë kombëtarja jonë. Një rrugë përreth stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, një parking dhe aksesorë modernë. Në këtë mënyrë do të shpenzohen paratë për stadiumin që do të ndërtohet në Elbasan. Kështu, me shtesën e konsiderueshme do të kemi disa ndryshime në projekt. Në radhë të parë, do të ndërtohet një parking i madh para stadiumit, por më e veçanta është se do të kemi një rrugë rreth stadiumit. Një rrugë me hyrje dhe dalje për tifozët përreth stadiumit për të lehtësuar përkrahësit t’i afrohen impiantit është puna shtesë për paratë shtesë që janë dhënë nga FSHF-ja dhe shteti. Gjithashtu, do të ketë shumë ndryshime nga projekti, i cili do të bëhet publik në ditët në vazhdim. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, burime zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bënë të ditur dje se vlera totale e shpenzimeve për rindërtimin e stadiumit në Elbasan do të shkojë 2 milionë euro. Nga 1.4 milionë që ishte parashikuar dy javë më parë. “Përfundimisht, ky projekt do të ketë një vlerë më të lartë. Sigurisht që kjo po ndodh pasi kërkojmë që punimet të jenë cilësore dhe të bëjmë gjithçka që kemi menduar në stadium. Do të jetë një investim i rëndësishëm dhe duam të ketë patjetër një pamje të shkëlqyer”, – tha burimi në FSHF. Investimi në stadiumin e Elbasanit është një financim trepalësh mes FSHF-së, shtetit shqiptar dhe Bashkisë së Elbasanit. Dy të parat do të impenjohen financiarisht për të rindërtuar stadiumin në brendësi, duke përfshirë edhe fushën, tabelën elektronike dhe ndriçimin, ndërsa Bashkia do të impenjohet për të rikonstruktuar rrugën përreth stadiumit dhe parkingun, që pritet të ketë rreth 400 vende për makinat. Gjithashtu, rruga do të jetë me dy korsi dhe do të ketë një ndriçim të cilësisë së lartë. Në stadiumin e Elbasanit ka të paktën një javë që kanë nisur punimet dhe mendohet që të përfundojnë në fund të muajit gusht. Dhe sikur të mos arrihet ky afat, Shqipëria mund të kërkojë të luajë jashtë dy ndeshjet e para zyrtare dhe të rikthehet në vend në tetor me dy sfida brenda 4 ditëve. Punimet parashikojnë rindërtimin e tribunës kryesore, e cila do të ketë një fasadë e tëra në xham dhe gjithashtu tribunën VIP me 400 vende dhe 100 vende për gazetarët. Tribunat e tjera do të rregullohen nga e para, ndërkohë që do të jetë një fushë e re dhe parashikohet që stadiumi të ketë 12.400 vende.
Platini: Ronaldo dhe Mesi zotërojnë futbollin
Drejtuesi i UEFA-s gjithashtu foli edhe për skuadrat që për momentin po dominojnë, duke dhënë edhe një parashikim për skuadrat që janë afër Kupës së Botës
Për rikandidimin përsëri në postin e drejtuesit të UEFA-s ai u shpreh se nuk e ka menduar, porse këtë gjë do ta bëjë pas botërorit
Temat më aktuale të botës së futbollit, por edhe parashikime për të ardhmen. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, rrëfehet për të gjitha në një intervistë dhe e nis me ngjarjen më të rëndësishme që do të presë vendi i tij pas dy vjetësh, me Euro 2016. “Janë bërë rikonstruksione të rëndësishme si në Marsejë dhe Sent Etien. Nuk e di nëse rezultati do të jetë si në vitin 1998, por është momenti për të ëndërruar. Jam i bindur se niveli i këtij kompeticioni nuk do të bjerë nga fakti që numri i skuadrave pjesëmarrëse është rritur në 24 nga 16 që ishte më parë”, – deklaroi Presidenti i UEFA-s. Platini foli edhe për dominimin bavarez në Evropë dhe mundësitë e Paris Sent Zhërmenit për të triumfuar në Ligën e Kampioneve. “Me Bajernin po ndodh e njëjta gjë si me Barcelonën, por asnjë ekip nuk ka mundur ta fitojë Champions-in dy herë radhazi. Sot me këtë Bajern dhe Barcelonë kemi arritur teknikisht futbollin total dhe të globalizuar. Gjermanët drejtohen nga një spanjoll, ndërsa Çelsi dhe Arsenali i janë larguar stilit anglez. Në lidhje me parisienët, të gjithë thonë se mund ta fitojnë Champions-in. Nëse unë them të kundërtën, do të më vrasin, por mund të them me bindje se do të dominojnë në kampionatin francez për 10 vjet dhe Monakoja do të jetë pas tyre”, – shprehet Platini. Për “Topin e Artë” 2013, francezi u shpreh se votoi për Riberinë, sepse ai kishte fituar gjithçka me klubin e tij, por nëse kriteret në votim do të mbeten të pandryshuara, atëherë do të jenë vetëm Mesi dhe Ronaldo që do të triumfojnë në vitet në vazhdim. Nuk kishte si të mungonte një parashikim edhe për Botërorin Brazil 2014. “Do të jetë e vështirë të kalohen amerikano-jugorët, pra Brazili, Argjentina, Uruguai dhe Kili. Vlerat tona të sigurta janë Spanja dhe Italia, dy gjenerata të rritura, ndërsa Gjermania nuk është pjekur ende. Pastaj vijnë Portugalia, Franca e Anglia, që po kështu janë skuadra të vështira për t’u kaluar”, – vijon numri një i UEFA-s. Në lidhje me kandidimin për Presidencën e FIFA-s, Mishel Platini përsëriti qëndrimin se nuk e ka menduar për asnjë moment, por diçka do të thotë kur të përfundojë botërori.
Dortmundi i tregon të fortin Zenitit
Dortmundi ka bërë një paraqitje fantastike kundër Zenit St. Petërburgut në “Stadion Petrovskij”. Skuadra gjermane fitoi me rezultatin 4-2. Verdhezinjtë e filluan sfidën në mënyrë të vrullshme, duke shënuar dy gola të shpejtë me anë të Henrik Mkitarian në minutën e katërt dhe Marko Rojsh një minutë më vonë. Kështu me këtë epërsi do të përfundonte pjesa e parë. Në gjysmën e dytë, vendasit e ngushtuan rezultatin përmes Oleg Shatov në të 58-ën mirëpo Robert Levandovski shënoi golin e tretë të mysafirëve. Në vazhdim, Zeniti fitoi një penallti, të cilën Hulk e konvertoi në gol. Mirëpo, Leva që ishte që ishte dhe heroi i ndeshjes nuk la hapësirë për eufori të vendasve duke realizuar golin e dytë personal. Kështu me këtë fitore skuadra e Klop është favorite për të kaluar në çerekfinale, pasi ndeshja tjetër do të zhvillohet në stadiumin e vetë ku aty janë edhe më të fuqishëm.
Bejl: Reali mund ta fitojë Ligën e Kampioneve
Uellsiani Gareth Bejl është i bindur se Reali i Madridit mund ta fitojë Ligën e Kampioneve dhe të gjitha ndeshjet e mbetura në këtë garë. Kampionët e La Ligas e fituan grupin e tyre ndaj Gallatasarait dhe Juventusit, me vetëm një barazim dhe të gjitha fitoret në grup, statistikat pozitive, që e bëjnë Bejlin të besojë se ekipi i tij mund t’i vazhdojë edhe në ndeshjet në vijim. “Ne e dimë se Liga e Kampioneve është garë e madhe me të gjitha ekipet më të mira në të, kështu që ne e dimë se do të jetë e vështirë. Mendoj se ne jemi të gatshëm, ne besojmë se mund të fitojmë secilën ndeshje kështu që ne do të shkojmë në Gjermani për t’u kthyer me një fitore”, – ka thënë Bejl.
Kosta: Nëse është nevoja, e godas Ramosin
Sulmuesi i Atletiko Madridit, Diego Kosta, thotë se ai do ta godasë Serxho Ramosin, nëse e sheh nevojën për ta bërë këtë. Dyshja u përplas disa herë në dy ndeshjet e luajtura në “Copa del Rey” dhe Kosta thotë se nuk do të kursehet as kësaj radhe ndaj mbrojtësit madrilen. “Unë nuk jam shenjtor në ndeshjet që luaj, por ndaj Realit të Madridit nuk kam kërkuar që të godas askënd. Kam luftuar me Ramosin. Tani, nëse duhet ta godas, do ta bëj këtë. Nëse ai duhet të më godasë, do ta bëjë këtë, por gjithmonë në mënyrë të rregullt ndaj futbollit. Ne e dimë se derbi është shumë i rëndësishëm, por ne nuk duhet që të humbasim shpresën vetëm për një ndeshje”, – ka thënë braziliani që luan për kombëtaren spanjolle.





