PAS PROTESTËS/ Opozita parashtron 5 kushte për konsensus me qeverinë, Basha: Rama të reagojë, “Shqipëria foli”

Florenc Drizari

 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kërkoi dje nga qeveria realizimin e 5 kushteve që duhen përmbushur, përndryshe paralajmëron sërish protesta të opozitës në sheshe kundër shumicës

 

 

Basha_ne_deklarate_21_shkurt Në deklaratën e parë pas protestës së 20 shkurtit në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi nga Kryeministri Edi Rama tërheqjen e projektligjit që, sipas tij, prishi konsensusin për nëpunësin civil. Në thirrjen e tij drejtuar kreut të qeverisë, Basha theksoi që Rama të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të pushojë luftën politike dhe personale kundër institucioneve të pavarura, si dhe të pranojnë në rrugë institucionale konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territoriale-administrative.

Gjithashtu, kreu i PD-së foli edhe për përcaktimin bashkë me opozitën të një plani të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE në muajin qershor dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Një ditë pas marshimit të protestës në sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryetari i Partisë Demokratike falënderoi qytetarët që iu përgjigjën thirrjes së opozitës.

“Nga dita e djeshme kjo qeveri duhet t’i bëjë llogaritë me sheshin, me marshimin, me protestën popullore, me polin e ri të demokracisë pjesëmarrëse në vend.

Si opozitë, jemi të entuziazmuar, të inkurajuar dhe akoma më të vendosur për të kryer detyrat tona para vendit dhe qytetarëve, por edhe shumë të vetëdijshëm për të administruar e drejtuar me modesti, urtësi dhe përgjegjësi të lartë Shqipërinë në protestë, shpresat dhe pritshmëritë e qindra mijëra shqiptarëve. Krerët e shumicës qeveritare Rama dhe Meta, janë njoftuar dhe paralajmëruar dje se populli nuk harron, se populli nuk mashtrohet, se populli nuk gënjehet dhe as nuk pajtohet me mashtrimet dhe gënjeshtrat e aq më pak me dështimet. Se populli nuk e pranon arrogancën e tyre, populli nuk e dorëzon demokracinë, liritë dhe të drejtat me asnjë çmim”, – tha Basha.

Kreu i PD-së renditi të gjitha pikat që i kërkon qeverisë shqiptare, duke paralajmëruar se nëse nuk do të mbahen, protesta të tjera do të organizohen nga PD-ja kundër qeverisë.

“- të tërheqin menjëherë projektligjin famëkeq që synon shkatërrimin e ligjit konsensual “Për nëpunësin civil” që ka qenë dhe është një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
– të zbatojnë menjëherë vendimin Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetues aktin normativ për këtë ligj.
– të ndalin menjëherë luftën politike dhe personale kundër institucioneve të pavarura përmes vendimeve antikushtetuese dhe të paligjshme si rasti i djeshëm flagrant i sulmit të paligjshëm ndaj kreut të ILDKP-së.
– të pranojnë në rrugë institucionale konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territoriale-administrative dhe aspekteve të tjera të kësaj reforme që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe procesin elektoral.

– të ulen dhe të përcaktojnë menjëherë, bashkë me opozitën po të kenë vullnetin e nevojshëm, një plan të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE në muajin qershor dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, – theksoi kreu i PD-së.

Në fund të fjalës së tij, Basha tha se protesta e së enjtes e do të pasohet nga të tjera marshime të opozitës, nëse qeveria sipas tij, nuk mban premtimet e 23 qershorit.

“Përballë shpërfilljes dhe arrogancës së qeverisë ajo do të pasohet me protesta të tjera të shumta, do të rritet e do të shndërrohet në një uragan popullor të lirisë dhe dinjitetit. Përballë paligjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë “Shqipëria në protestë” mbetet e do të jetë imperativi i kohës, puna jonë si opozitë, puna e gjithë njerëzve të lirë të këtij vendi”, – deklaroi Basha.

 

 

Protesta, Basha: Krijoi një aleancë të re politike mes opozitës dhe rinisë

Një pol i ri politik që lindi pas protestës së dy ditëve më parë mes opozitës dhe rinisë e cilësoi kreu i PD-së, Lulzim Basha, marshimin e qytetarëve në shesh. Sipas tij, marrëdhënia e opozitës me rininë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke paralajmëruar qeverinë për protesta të ardhshme, nëse nuk mban premtimet e bëra në zgjedhjet e shkuara parlamentare. “Një lidhje e ngushtë, një aleancë e re midis opozitës politike, rinisë së lirë dhe njerëzve të lirë, përballë shumicës parlamentare të votave të blera dhe të përftuara përmes mashtrimeve elektorale, kundër qeverisë më konfliktuale, më arrogante dhe më të papërgjegjshme të njëzet e tre vjetëve të fundit”, – deklaroi dje gjatë një dalje për mediat në selinë e PD-së, kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

 

Kërkesat e opozitës ndaj Ramës

 

1. Të tërheqin menjëherë projektligjin famëkeq që synon shkatërrimin e ligjit konsensual “Për nëpunësin civil”

2. Të zbatojnë menjëherë vendimin Gjykatës Kushtetuese për ligjin e nëpunësit civil

3. Të ndalin menjëherë luftën politike dhe personale kundër institucioneve të pavarura

4. Të pranojnë konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territoriale-administrative

5. Të ulen dhe të përcaktojnë bashkë me opozitën një plan të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit në BE

 

Berisha: Beteja do vazhdojë më fuqishëm se kurrë, me protesta, greva, demonstrata

 Një ditë pas protestës së opozitës në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha shprehu vlerësimin e tij për qytetarët që iu përgjigjën thirrjes së opozitës dhe në të njëjtën kohë paralajmëroi qeverinë se kjo protestë ishte fillimi i një sërë marshimesh dhe demonstratash që PD pritet të mbajë, nëse qeveria nuk realizon premtimet e bëra në fushatën e shkuar elektorale. Nga profili i tij në “Facebook”, Berisha shkruan: “Shqipëria sot (dje) nuk është me ajo që ishte dje! Një popull i tërë i mashtruar po ngrihet si vigan drejt zenitit të dinjitetit njerëzor dhe të vërtetave!

Mëngjesin e 20 shkurtit ne u gdhimë si qytetarët më të mashtruar të Evropës. Por ata që mbushën dje rrugët dhe sheshet e Tiranës si kurrë më parë për dinjitetin e tyre bënë që sot të jemi në këmbë të vendosur më shumë se kurrë kundër mashtrimit dhe për punësim, rritje të rrogave e të pensioneve, legalizim dhe shëndetësi falas, ulje të çmimeve dhe te taksave kundër tritolit e trafiqeve, të bandave dhe të qeverisë, kundër vrasjeve e grabitjeve.

Dje ishte vetëm fillimi madhështor i betejës sonë! Mjerë ai dhe ata qe menduan se me 1 milion shuplakat e tyre të mashtrimit groposën popullin opozitar. Beteja jonë do vazhdojë me fuqishëm se kurrë me protesta, greva, demonstrata dhe në Parlament e kudo me të gjitha mjetet demokratike deri në rivendosjen e dinjitetit tonë!!”, – mbyllet komenti i ish-kreut të qeverisë.

Share it :