Ekonomia shqiptare, drejt specializimit për shërbimet

Ervin Kaduku

 

 

INSTAT: Më 2012 është rritur me 10 për qind shifra e xhiros së ndërmarrjeve krahasuar me vitin 2011

Ndërsa shërbimet ia kanë dalë të mbijetojnë, është ulur numri i ndërmarrjeve në ndërtim e industri…

 

ndertimiPavarësisht nga kriza, ekonomia shqiptare ka mundur, jo vetëm të mbrohet nga ndikimi negativ nga jashtë vendit, por madje të ecë shumë më mirë sesa pritej. Këtë e deklarojnë shifrat e afarizmit në ekonomi, të porsapublikuara nga ana e Institutit zyrtar të Statistikave, që bëri të ditur statistikat e rishikuara për vitin 2012 në këtë drejtim.

Shifra e afarizmit e realizuar në 2012 arriti vlerën 1.494 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9,5 për qind ndaj vitit 2011, bëhet e ditur në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve, të publikuar sot nga INSTAT. Ndërmarrjet me 20 dhe më shumë të punësuar kanë kontribuar me 67 për qind në shifrën e afarizmit, edhe pse zënë vetëm 2 për qind të numrit të ndërmarrjeve gjithsej.

Ndërmarrjet e shërbimeve kanë realizuar rreth 64 për qind të shifrës së afarizmit, ku peshën kryesore e zënë ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë të cilat kanë gjeneruar rreth 76,6 për qind të shifrës së afarizmit në këtë grup.

Për sa i përket investimeve dallohet një rritje e tyre në vitin 2012 ku u investuan 142 miliardë lekë, në krahasim me 126 miliardë lekë që u investuan në 2011 ose 13,2 për qind më shumë.

Shifra e afarizmit për të punësuar paraqitet me rritje prej 3,9 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ky tregues pati rritjen më të lartë prej 7,5 për qind në ndërmarrjet me 20 dhe më shumë të punësuar.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, 84 për qind, operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe kryesisht në sektorin e tregtisë (ku përfshihen, tregtia e automjeteve, tregtia me shumicë dhe tregtia me pakicë). Në tregti operojnë 46,8 për qind e ndërmarrjeve të cilat kanë kontribuar me 48,9 për qind në realizimin e shifrës së afarizmit nga të gjitha ndërmarrjet së bashku.

Të punësuarit në këtë sektor zënë 27,6 për qind të numrit të të punësuarve gjithsej. Në tregti është investuar vetëm 16 për qind e vlerës gjithsej të investimeve të kryera në të gjithë aktivitetet ekonomike të mbuluara në vrojtim.

Ndërmarrjet e prodhimit të të mirave ku përfshihen sektorët e industrisë dhe ndërtimit, kanë kontribuar me rreth 36,2 për qind në realizimin e shifrës së afarizmit, ku aktivitetet industriale të tilla si, industri nxjerrëse, përpunuese dhe energji elektrike dhe ujë, kanë kontribuar me 68,6 për qind. Në sektorët e Industrisë dhe Ndërtimit janë 15,6 për qind ndërmarrje të cilat kanë punësuar 41,1 për qind persona. Megjithëse numri i ndërmarrjeve ka pësuar një rënie 7,3 për qind në 2012 krahasuar me 2011, vërehet një rritje e lehtë e numrit të punësuarve me 0,2 për qind dhe një rritje më e ndjeshme prej 7 për qind në shifrën e afarizmit.

Në dallim nga sektori i industrisë, në sektorin e ndërtimit rënia e numrit të ndërmarrjeve prej 12 për qind është shoqëruar me rënien e numrit të të punësuarve me 3,9 për qind. Gjithashtu, ky sektor ka kontribuar me pak në realizimin e shifrës së afarizmit me 4,2 për qind, duke ulur edhe vlerën e investimeve me 3,5 për qind, sipas informacionit të publikuar nga INSTAT-i.

 

Vetëm ¼ e ndërmarrjeve drejtohet nga femra

Sipërmarrjet e drejtuara apo pronare nga femrat janë në nivel të ulët, në rreth 27% të të gjitha bizneseve aktive për vitin 2011, sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë.

Mbi 90% e bizneseve te drejtuara nga gratë gjenden në sektorët e shërbimeve (tregti me pakicë, turizëm, profesione të lira etj.).

Rreth 30% e të vetëpunësuarve janë femra. Përqindja e disbursimit të kredive nga bizneset e grave arriti në 25% në vitin 2011.

Ministria e Ekonomisë thekson se mungojnë politika për mbështetjen e sipërmarrjeve femërore dhe sipas raportit të “SME policy index 2012” Shqipëria vlerësohet me 2,5 pikë (nga 5 pikë maksimale).

Për këtë arsye, në strategjinë e saj për bizneset dhe investimet, Ministria e Ekonomisë parashikon, që duke pasur edhe mbështetjen e donatoreve synohet që të merren disa masa konkrete për mbështetjen e grave në biznes:

– Ndërmarrja e një anketimi në territorin e vendit me qëllim për të siguruar të dhëna të sakta mbi numrin, sektorët, madhësinë, vendndodhjen gjeografike, problematika që hasin gratë dhe nevojat në zhvillimin e biznesit të tyre;

– Mbi bazën e gjetjeve dhe konkluzioneve të këtij anketimi, synohet drejt hartimit të një programi mbështetës për gratë sipërmarrëse, me qëllim për të rritur pjesëmarrjen e tyre në biznes;

Krijimi i bazës së të dhënave mbi perfomancën ekonomike të grave në biznes;

– Rritja e ndërgjegjësimit si shkalla e përfitimit nga programet e BE-së, me qëllim për të rritur numrin e grave ambasadore dhe mentorë dhe me qëllim për tu bërë pjesë e network-ut në nivel rajonal dhe evropian;

– Hartimi i një dokumenti politikash për sipërmarrjen e grave, plan veprimi dhe buxhet;

– Zbatimi i politikave adekuate për gratë në biznes duke i shoqëruar me programe mbështetëse financiare si: skemave grante për fillimin e biznesit dhe për fuqizimin e tyre, skemave mbështetëse për të rritur aksesin në financë të femrave sipërmarrëse.

– Krijimi/mbështetja e network-ut kombëtar për gratë sipërmarrëse.

Ndërmarrja e këtyre masave ka qëllimin për të arritur që numri i sipërmarrjeve femërore deri në fund të vitit 2020 të arrijë në 35% të të gjitha bizneseve aktive. Numri i femrave të vetëpunësuar deri në fund të vitit 2020 të arrijë në 35%. Disbursimi i kredive për sipërmarrjet femërore deri në fund të vitit 2020 të arrijë në 35%.

 

Shqipëria e nis 2014-ën me 405 milionë euro më shumë borxh

Është rritur, sidomos në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, me 405 milionë euro borxhi publik i vendit. Ministria e Financave publikoi dje shifrat zyrtare të borxhit, ku vihet re se ai ka kaluar në afro 885 miliardë lekë, nga 828 miliardë, që ishte në fillim të vitit 2013. Rritja është e konsiderueshme, pot ë mendohet se në fund të vitit 2009, pra jo shumë larg në kohë, borxhi publik ishte 683 miliardë lekë, ose 1.5 miliardë euro më pak se sa tani.

 

Borxhi publik në shifra gjatë viteve të fundit

(në miliona lekë)

 

 

Zëri                             2009   2010   2011   2012   2013  

 

Borxhi publik                       682,547          715,517          772,735          828,268          884,892

 

Borxhi i qeverisë qendrore          682,547          715,370          772,517          827,981          884,501

 

Borxhi i pushtetit lokal      –           147     218     288     391

 

Borxhi i brendshëm           415,028          407,372          438,582          470,358          520,786

 

Borxhi i jashtëm                 267,519          307,999          333,935          357,622          363,715

 

 

Ky borxh përbën 65.08% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Por, nëse merren parasysh edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë, stoku i borxhit publik arrin në 70.4% të PBB-së.

Ecuria e borxhit
Krahasuar me vitin 2012, borxhi publik i qeverisë është rritur me 3.05% në vitin 2013. Stoku i borxhit, në raport me PPB-në e vitit 2012, realisht është rritur me 4.21%. Nga ana tjetër, ka pasur një ulje prej 1.57%, e cila, sipas këtij raporti, ka ardhur si pasojë e rritjes ekonomike të vitit të kaluar. Nevojat e politikave për financimin e deficitit buxhetor, kanë sjellë, gjatë vitit 2013, një rritje prej 2,88% të borxhit të brendshëm.
Për sa i përket borxhit të jashtëm, ai ka qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel. Kjo, si rrjedhojë e pakësimit të disbursimeve gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2013. Për t’iu rikthyer përsëri stokut të borxhit publik për vitin 2013, ai vlerësohet të jetë 70.4% e PBB-së, nëse do të merren parasysh edhe detyrimet e prapambetura, të cilat kapin shumën 72.6 miliardë lekë.

Huamarrja
Për vitin 2013, sipas raportit të programit Ekonomik dhe Fiskal 2012 – 2014, huamarrja e brendshme për vitin 2013 u realizua në nivelin e 46.2 miliardë lekë. Për sa i përket kësaj huamarrje, në raport theksohet se financimi ishte tërësisht me instrumente afatgjata. Në bazë të vlerësimeve më të fundit, 109.9% e financimit është kryer me instrumente afatgjata duke maturuar edhe instrumentet afatshkurtër në shumën prej 4.6 miliardë lekë.

Kosto
Kostoja e borxhit është ulur dhe niveli i interesit mesatar ka arritur 6,72% në fund të vitit 2013 duke u ulur me 110 pikë bazë krahasuar me një vit më parë. Kjo për arsye se gjatë 6-mujorit të dytë të vitit të kaluar janë ulur ndjeshëm normat e interesit si rezultat i likuiditetit të tepërt në sektorin bankar, ngurtësimit të kredive ndaj sektorit privat dhe për shkak të uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

 

 Qeveria nxjerr 85 milionë euro bono në shitje

Banka e Shqipërisë do të shesë të martën në ankand 11.9 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12 dhe 3-mujor. Për bonot 12-mujore, shuma e shpallur për shitje është 9.6 miliardë lekë, nga e cila 1.72 miliardë lekë i takon Bankës së Shqipërisë. Në ankandin e mëparshëm të të njëjtit maturitet, interesi rezultoi 3.8%. Për bonot 3-mujore, shuma e shpallur për shitje është 2.3 miliardë lekë, nga e cila 1.61 miliardë lekë i takon Bankës së Shqipërisë. Në ankandin e mëparshëm të të njëjtit maturitete, yield-i (interesi) rezultoi 3.36%.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka shitur dje në ankand për llogari të Ministrisë së Financave 2.5 miliardë lekë obligacione 2-vjeçare, me interes fiks. Shuma e shpallur për shitje ishte 2.5 miliardë lekë, ndërsa ajo e kërkuar nga investitorët arriti në 3 miliardë lekë. Pavarësisht nga kërkesa e lartë, kuponi ishte 4.92%, nga 4.85% që ishte kuponi indikativ, duke reflektuar oreksin e investitorëve për të marrë kthime më të larta nga investimet në letrat me vlerë të qeverisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Java mbyllet me vlerësim të lekut ndaj euros

 

Monedha vendase e ka mbyllur javën duke fituar pikë ndaj euros.

Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, të premten një euro këmbehej me 140.41 lekë, nga 140.49 lekë që ishte niveli më i lartë i javës, i arritur të martën dhe të mërkurën. Edhe në raport me dollarin, monedha vendase fitoi pikë të premten, duke u këmbyer me 102.44 lekë, nga 102.55, që kuotohej një ditë më parë.

Sipas aktorëve të tregut, kërkesa për valutë në treg është e dobët, duke bërë që leku të kuotohet në pozita të qëndrueshme, i ndihmuar dhe nga nënçmimi i euros në bursat e huaja. Ekspertët presin që monedha vendase të vijojë të luhatet në kuotat e 140-140.5 për një euro.

Në tregjet ndërkombëtare, monedha amerikane fitoi 0.1 për qind në $1.3707 për euro. Dollari pritet të vazhdojë të jetë i fortë, teksa Rezerva Federale parashikohet që të vijojë të reduktojë stimujt për ekonominë, ndërsa kjo e fundit po shfaq gjithnjë e më shumë shenja rimëkëmbjeje.

 

 

Share it :