Anxhela Tato
Gëzim Doçi mohon përfshirjen e djalit të tij në organizimin e fushatës së Saimir Tahirit
5 muaj nga ngjarja e rëndë e “Komunës së Parisit”, policia ende asnjë informacion për autorët
Ende asnjë i dyshuar për atentatin ndaj Elvis Doçit, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit të kaluar në zonën e “Komunës së Parisit”. Ndonëse kanë kaluar pesë muaj nga krimi i rëndë, ku humbi jetën 35-vjeçari, policia nuk ka mundur që të gjurmojë dy atentatorët e krimit të rëndë. I pyetur rreth hetimeve, babai i viktimës, Gëzim Doçi, mohon që krimi të jetë i lidhur me aksionin kundër lojërave të fatit. Ai tregon se djali i tij ka qenë thjesht një i punësuar dhe jo pronar apo menaxher i një prej kazinove më të mëdha në vend. Ndërsa është ende në pritje të drejtësisë, e cila duhet që të zbulojë autorët dhe t’i ndëshkojë për këtë krim të rëndë. Gëzim Doçi nuk ka asnjë dyshim se cila mund të jetë arsyeja e këtij krimit të rëndë. I pyetur për aludimet e pjesëmarrjes së djalit në fushatën e ministrit Saimir Tahiri, Gëzim Doçi e kundërshton këtë lloj lidhje. Ai rrëfen se askush nuk është interesuar më dhe nuk ka ardhur ta kontaktojë për hetimet dhe zhvillimet. Gëzim Doçi tregon së ky krim mbetet enigmë për të dhe nuk mund të vërë gishtin mbi askënd si autor. Ai shprehet se djali ka qenë punonjës i një kazinoje dhe nuk ka pasur as shqetësime dhe as kërcënime. Në lidhje me plagosjen e ndodhur në vitin 2009, Gëzimi shprehet se mes dy familjeve ka raporte shumë të afërta dhe të mira shoqërore. Për sa u përket aludimeve se Elvisi ka qenë pronar kazinoje, babai i tij tregon se viktima punonte në një kazino, së cilës i kishin huazuar një magazinë me një qira mujore 3000 euro.
Rrëfimi
“Kanë kaluar pesë muaj nga vrasja e djalit dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Askush nuk ka ardhur të më kontaktojë nga policia si dhe të më thotë se çfarë po ndodh me hetimet. Ditën që ndodhi ngjarja, punonjës policie erdhën dhe më takuan. Më thanë që po kryenin hetimet dhe do të bënin të gjitha përpjekjet për të zbardhur ngjarjen dhe për të zbuluar autorët. Unë vetë nuk kam kontaktuar dhe as kërkuar askënd. Me ministrin e Brendshëm nuk kam folur dhe nuk kam lidhje me atë. Nuk di se çfarë të them për këtë krim, pasi nuk kam asnjë dyshim. Po të kisha ndonjë arsye apo nëse do të isha në dijeni të diçkaje, unë do të kisha folur dhe do të kisha treguar. Pres nga shteti që të vërë drejtësi dhe të më thonë se për çfarë u vra djali im. Dua t’u jap fund njëherë e mirë thashethemeve se djali im ka organizuar fushatën e ministrit të Brendshëm. Djali im nuk e njeh dhe as nuk ka lidhje me të. Djali im nuk ka lidhje me operacion “Fundi i marrëzisë”, sepse e kam thënë edhe me parë që djali im nuk ka pasur aksione në kompani lojërash fati. Mund të kontrolloni dokumentet dhe të provoni se ai ishte i punësuar. Ia kemi lënë në dorë shtetit dhe besojmë se një ditë do të zbardhet e vërteta dhe do të gjenden autorët. Këtë presim nga shteti”, – është shprehur Gëzim Doçi.
Ngjarja
Mbrëmjen e 25 tetorit të vitit të kaluar, mbeti viktimë e një atentati Elvis Doçi, ndërsa u plagos kushëriri i tij. Burime nga policia bënë me dije se kamerat kishin filmuar pamjen e motorit, i cili ka qenë në pozicion qëndrimi natën e ngjarjes, por cilësia e tyre nuk është shumë e pastër, ndërsa është e vështirë këqyrja e fytyrës së dy autorëve, të cilët kanë qenë të maskuar me kokore. Nga pamjet filmike vërehet se motori pas krimit ka lëvizur me shumë shpejtësi, duke marrë drejtimin nga zona e “21 Dhjetorit”. Personi që mbante armën e krimit të tipit “Kallashnikov”, ka qenë pasagjer në motor. Ai është një djalë me gjatësi të mesme, me trup të vogël dhe i dobët. Ndërsa mbante veshur një xhup ngjyrë gri dhe xhinse të errëta, në kokë kishte një kokore të zezë. Armën e krimit tentonte ta fshihte poshtë xhupit. Në lidhje me drejtuesin e motorit, edhe ai ishte me kokore të zezë. Në trup ishte i bëshëm, i gjatë dhe kishte veshur një xhup të zi dhe një palë xhinse të errëta. Ky përshkrim del nga kamerat e sigurisë, ndërkohë që blutë janë duke vijuar hetimet në disa pista dhe kanë shoqëruar disa persona në komisariat. Ka dyshime se autorët kanë qenë vrasës me pagesë.
Mirditë
Konflikt pronësie, 65-vjeçari plagos kushëririn me gërshërë në qafë
Një konflikt pronësie ka përfunduar me plagosjen e një 68-vjeçari në rrethin e Mirditës. Ngjarja është shënuar dje rreth orës 17:00 në fshatin Perlat, ku 65-vjeçari Gjergj Duka ka plagosur me një armë të ftohtë, gërshërë, djalin e xhaxhait të tij, Gjetë Duka. 68-vjeçari ka marrë plagë kokë dhe shpatull. Pas ndihmës së parë të marrë në spitalin e Rrëshenit, është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, është bërë e ditur se 68-vjeçari Gjetë Duka ka shkuar për të sqaruar një konflikt pronësie në lidhje me një rrethim pranë banesës së tij, por mes tij dhe autorit ka nisur debati, i cili ka degraduar në dhunë fizike. Në gjaknxehtësi e sipër 65-vjeçari ka marrë gërshërët, me të cilat po krasiste disa pemë dhe ia ka ngulur 68-vjeçarit. Djali i të plagosurit, i cili ka parë edhe ngjarjen, ka ndërhyrë menjëherë, duke e dërguar në spital të atin, ndërsa ka njoftuar edhe uniformat blu për ngjarjen e ndodhur. Policia e Mirditës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ka arrestuar edhe autorin e ngjarjes, i cili ka pranuar edhe krimin e kryer. Në deklarimet e dhëna në polici ai ka shfaqur pendesë për krimin e kryer, duke deklaruar se e ka bërë në debat e sipër. “Jam penduar për krimin që kam bërë dhe nuk doja të lëndoja kushëririn. Ndodhi çdo gjë në moment nervash, unë e humba logjikën dhe e godita. Uroj që ia të shpëtojë”, – mësohet se është shprehur 65-vjeçari. Policia bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur pasi autori kishte ndërtuar një mur rrethues, duke i ngushtuar rrugën djalit të xhaxhait, ndërsa ky i fundit kishte shkuar për të sqaruar problemin në fjalë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë
Takim miqësor me Këshillin Gjyqësor të Kosovës
Në mjediset e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zëvendëskryetari z. Elvis Çefa i shoqëruar nga anëtarët, z. Hysen Saliko, z. Flamur Kapllani, z. Tritan Hamitaj dhe z. Ilir Mustafaj priti në një takim miqësor një delegacion të nivelit të lartë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kryesuar nga kreu i këtij Këshilli, z. Enver Peci, i shoqëruar nga anëtarët e KGJK-së, z. Muharrem Shala, z. Salih Mekaj, znj. Valdete Daka, z. Malcolm Simmons, z. Nebojsa Boricic, znj. Rajma Elezi, z. Asllan Krasniqi dhe z. Agim Maliqi. Në këtë takim, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Çefa, e njohu kryesuesin dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me përbërjen, funksionet dhe kompetencat e KLD-së, si dhe organizimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi. Delegacionit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës iu bënë të njohura gjithashtu edhe disa prej arritjeve kryesore dhe prioriteteve të KLD-së, në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor shqiptar. Në vijim të takimit Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) z. Enver Peci e njohu z. Çefa dhe anëtarët e KLD-së me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor në Kosovë. Duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problematikat që ka sot sistemi gjyqësor në të dyja vendet, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që kushte esenciale për mirëfunksionimin e këtij sistemi janë rritja e mëtejshme e përgjegjshmërisë dhe forcimi i sistemit të karrierës së gjyqtarëve.
Shkodër
Denoncim në polici, se u mbajt peng për 3 orë, nisin hetimet
Një person në qytetin e Shkodrës ka denoncuar mbrëmjen e djeshme se është marrë peng për disa orë nga tre persona. Personi që ka bërë denoncimin, ka rrëfyer në polici se është mbajtur peng për tri orë nga Tuzi në Malin e Zi deri në qytetin e Shkodrës. Personi, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, është marrë në pyetje nga policia për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për identifikimin e autorëve. Policia sqaron se personi që ka bërë denoncimin është nga Tuzi i Malit të Zi.





