Andon Mëhillaj/ “Juliani e dinte konfliktin tim me Sokol Veizin”

Anxhela Tato

 

Rrëfimi i “sekserit” para prokurorëve: Më fajësoi qëllimisht, për të marrë hak për sherrin

 Prokuroria: Llogaritë bankare të Sinanajt dhe shtëpia në Vlorë, provat kundër Andon Mëhillajt

 

andon mehillajProkuroria disponon prova që përfshijnë Andon Mëhilaj në bankën e vrasësve me pagesë. Sipas burimeve të organit të akuzës, shtëpia në Vlorë është një nga provat që ngul Andon Mëhillajn. Nga të dhënat mësohet se ka qenë vetë Mëhillaj, i cili ka kaluar në emrin e njerkës së Julian Sinanajt pronësinë e shtëpisë dhe kjo pak ditë pas ekzekutimit të peshkatarit të ndjerë Sokol Veizi. Kjo provë është zbuluar pas sekuestrimit të dokumenteve të pronësisë së banesë në Vlorë në zonën e Ujit të Ftohtë. Një nga dokumentet ishte akti noterial, që kalonte shtëpinë në emrin e njerkës së njeriut bombë dhe në fund mbante firmën e Andon Mëhillajt. Ndërsa mësohet se kjo kopje do i nënshtrohet një analize daktilografie, për tu krahasuar me shkrimin e Andon Mëhillajt. Një provë tjetër në duar e prokurorisë janë edhe transaksionet dhe llogaritë bankare, që i kanë kaluara Sinanajt pas krimeve. Ai ka rrëfyer se është paguar 35 mijë euro për ekzekutimin e Agron Çelës, 7500 euro për atentatin me bombë ndaj Arben Kollozit, 20 mijë për eksplozivin në automjetin e Besnik Dervishit dhe 150 mijë do të ishte shuma që do të merrte në rastin e vrasjes së biznesmenit Piro Bare. Sipas Sinanajt, ka qenë Andon Mëhillaj që i ka kërkuar të trembte pa i shkaktuar dëmtime Arben Kollozin, e ka prezantuar me Ilir Karçinin si dhe i ka kërkuar të hiqte qafe Sokol Veizin. Sipas burimeve të Prokurorisë, janë disa raste kur Andon Mëhillaj ka derdhur lekë në llogaritë bankare të Julian Sinanajt, i cili me anë të transaksioneve i kalonte në emër të mamasë dhe motrës. Pritet që Mëhillaj të ballafaqohet këto ditë më dëshminë e Sinanajt dhe Gjokonës.

 

Dëshmia

 Për Andon Mëhillajn akuzat e Sinanajt janë një shenjë hakmarrjeje për sherrin mes tyre. Sipas Andonit, çdo fjalë e thënë nga Sinanaj drejt tij është një mashtrim dhe sajesë, të cilën ai e bën qëllimisht për të fshehur personat e vërtetë që janë të përfshirë në këtë skemë krimi. Për Mëhillajn kjo situatë është shumë shqetësuese dhe alarmante dhe po e përjeton keq, si dhe është i gatshëm që në çdo formë të zbardhi emrin e tij nga shpifjet e Sinanajt. Ndërsa ka pohuar sërish se me Sinanajn e lidh çështja e Sokol Veizit. Andon Mëhillaj ka rrëfyer për prokurorët se Sinanaj ka qenë në dijeni të konfliktit të tij me Veizin, pasi ky fakt ishte i njohur për të gjithë. Por në asnjë moment Andoni nuk është përfshirë në krimin e vrasjes së peshkatarit, ndonëse problemeve të pronësisë. “Juliani do të më akuzojë mua dhe do të hakmerret ndaj meje meqë unë prej 1 vit kam shkëputur komunikimin me të. Ne nuk flasim më dhe ai e bën qëllimisht këtë gjë që të më fajësojë mua dhe të fsheh personat e vërtetë që e urdhëronin për të bërë vrasje. Unë e dija se kush ishte Juliani dhe çfarë bënte dhe ndaj ia kisha frikë. Pasi bëmë sherr isha shumë i trembur dhe madje Juliani më përndiqte dhe kërcënonte. Tani Juliani e dinte shumë mirë që unë isha zënë me Veizin dhe kishim probleme për pronën. Këtë fakt e dinin të gjithë, pasi ne edhe kemi bërë sherr dhe jemi zënë. Por unë nuk kam lidhje në asnjë moment me vrasjen e tij. Nuk e di për kë e vrau Juliani, por i kërkova që të tregonte të vërtetën, pasi po më shikonin mua si shkaktar”, – është shprehur Andon Mëhillaj.

 

 

Atentati ndaj Besnik Dervishit

Sinanaj e bleu telefonin nga grabitësi 25-vjeçar Redon Asllani

Celulari i përdorur nga Sinanaj në atentatin ndaj Besnik Dervishit është blerë në treg të zi nga një grabitës, që ia kishte vjedhur një taksisti. Ky është rrugëtimi i celularit që do të mundësonte shpërthimin në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, pak kohë më parë. Sipas informacioneve të fundit, Redon Asllani është personi që i grabiti celularin një taksisti nga Bërzhita, më pas ai e ka nxjerrë atë në tregun e zi të telefonave tek “Dollari”. Pikërisht në këtë treg telefoni është blerë nga Julian Sinanaj dhe më pas është përdorur për të instaluar tritolin e telekomanduar në makinën e prefektit Dervishi. Redon Asllani u arrestua mbrëmjen e të enjtes nga shërbimet e komisariatit numër 4 të policisë së Tiranës, si grabitës i 6 taksistëve në kryeqytet. Asllani dyshohet se ia ka grabitur telefonin bashkë me paratë dhe sendet personale me vlerë një taksisti nga Bërzhita. Julian Sinanaj, i dyshuar si vrasës me pagesë, ka përfituar dy shtëpi në Qarkun e Vlorës për ekzekutimet që do të kryente. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar dy kontrata noteriale, ku vërtetohet kalimi i pronësisë së këtyre pronave të paluajtshme në emrin e nënës së Julianit, Zana Sinanajt. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga njëra kontratë e firmosur para noteres A. M., rezulton që Marion Mitro, i dyshuar si porositës i lëndës eksplozive, që u zbulua më 13 janar 2014 në makinën e prefektit të Qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi, i ka kaluar në pronësi nënës së të dyshuarit Sinanaj, një pronë të paluajtshme, konkretisht një shtëpi. Kjo pronë, nga verifikimet rezulton se ndodhet brenda në qytetin e Vlorës dhe dyshohet që i është dhënë Sinanajt, si “shpërblim” për ekzekutimin që duhet të kryente, atë të Dervishit, plan të cilin ai nuk mund ta realizonte, pasi lënda eksplozive u zbulua teksa makina e prefektit po hynte në parkimin e Kryeministrisë.

 

 

 

Vlorë

Analiza e Prokurorisë, Llalla: Pranga për zyrtarët e korruptuar

 Kryeprokurori Adriatik Llalla paralajmëron pranga për zyrtarët lokalë të Vlorës. “Pasuria e tyre është vënë në rruge kriminale, ndaj duhen hetuar dhe vendosur para ligjit”, – tha Llalla gjatë analizës vjetore me vartësit e tij në këtë qytet. I shqetësuar është shprehur sërish numri një i akuzës edhe për punën e punonjësve të Policisë Gjyqësore. Kryeprokurori prej ditësh ka nisur takimet me vartësit e tij në rrethe. Duke marrë në analizë punën e tyre vjetore, ai ka renditur edhe problematikat sipas specifikave që paraqet çdo zonë. Në Durrës ai kërkoi vënien para përgjegjësisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve të korruptuar. Një ditë më pas, në Elbasan, ai tha se pas krimit ekonomik fshihen persona me pushtet dhe për të luftuar fenomenin, kërkohen prokurorë të përkushtuar.

 

Share it :