Krimi Ekzekutohet para banesës biznesmeni i kromit

Anxhela Tao

 

 Dyshohet se motivi i krimit është larje hesapesh, viktima i përfshirë në konflikt për një galeri minierë

 Vëllai i viktimës u kap në vitin 2012 nga policia me 300 kg tritol, do e përdorte për të shpërthyer galerinë D

 

PoliciaLarja e hesapeve për minierën e kromit i merr jetën biznesmenit Hasan Talja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:30 në rrugën “Besim Allaraj”, në afërsi të banesës së viktimës. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se Talja ishte biznesmen në Bulqizë, por që prej pesë vitesh ishte transferuar në kryeqytet, ku banonte në zonën e “Mihal Gramenos”. Mësohet se viktima ishte duke u futur në banesë në momentin që i është afruar një person i armatosur dhe ka qëlluar në drejtim të tij. Hasani është rrëzuar direkt në tokë dhe kalimtarë kanë njoftuar me urgjencë policinë. Viktima është transportuar në Spitalin Ushtarak, por nuk ka mundur t’i bëjë dot ballë plagëve të marra. Sipas mjekëve Talja ka pasur shumë hemorragji, çka i ka kushtuar jetën, ndonëse dhënies së ndihmës së parë. Të dhënat e para të policisë e lidhin këtë ngjarje me një konflikt për një galeri të minierës së Bulqizës. Sipas bluve konflikti ka ndodhur në zonën e Tregut Elektrik dhe ngjarja është transferuar në darkë në afërsi të banesës së viktimës. Blutë kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë, të cilët kanë përshkruar skenën e krimit dhe kanë dhënë një identikit rreth autorit të ngjarjes. Një informacion tjetër është fakti se vëllai i Tajles është arrestuar në vitin 2012 nga blutë, pasi në makinën e tij është gjetur një sasi prej 300 kilogramësh tritol. Sabah Talja dyshohet se do ta përdorte lëndën plasëse për një shpërthim në galerinë D të minierës. Në momentin që u kap nga blutë Sabah Talja nuk kishe dokumente shoqëruese për lëndës plasëse. 

Ngjarja

Ka qenë ora 21:30 kur një telefonatë mbërriti në komisariatin e policisë për të sinjalizuar se në rrugën “Mihal Gramneo” kishte të shtëna dhe një person të plagosur. Menjëherë blutë u paraqitën në vendngjarje dhe transportuan për në spital të plagosurin, që u identifikua si Hasan Talja. Por viktima humbi jetën në duart e mjekëve, duke mos i bërë ballë plagëve. Burime nga policia bëjnë me dije se viktima ka qenë biznesmen kromi në zonën e Bulqizës dhe ka pasur përplasje me grupet rivale që menaxhojnë galeritë e minierës. Dyshohet se viktima ka pasur një konflikt për një galeri minierë, e cila ka çuar në vrasjen e tij. Kjo ngjarje lidhet edhe me arrestimin e vëllait të tij para një viti me një sasi prej 300 kg tritol, që donte t’ia vinte galerisë D. Mësohet se viktima ishte duke u kthyer në banesë kur një person ka hapur zjarr ndaj tij. Dyshohet se viktimës i ishin zënë pritë dhe autori i maskuar me kapuç ka hapur zjarr. Bëhet me dije se autori i krimit është larguar me shpejtësi me motor nga bashkëpunëtori i tij. Sipas dëshmitarëve okularë autori ishte me gjatësi mesatare dhe me veshje të errëta, në kokë mbante një kapuç për të mos u identifikuar. Momentalisht blutë kanë arritur të ndërtojnë identikitin, ndërsa kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë. Turpi i pajetë ndodhet në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

 

Kapshticë

Heroinë në patatina, pranga studentit

 

Heroinë në patatina, arrestohet një 19-vjeçar. Studenti E. Dalipaj që studionte në Rumani është ndaluar në një autobus të linjës Tiranë – Selanik. Gjatë një kontrolli rutinë nga Policia Kufitare në pikën doganore të Kapshticës, studentit iu gjet në pakon me patatina një sasi prej 100 gramësh heroinë. Nuk dihet nëse studenti e kishte për përdorim vetjak apo për qëllime trafikimi. Këtë do ta zbulojnë hetimet, pasi i riu është arrestuar nën akuzën e trafikimit të lëndëve të ndaluara narkotike.

 

 

Lushnjë

Grabisin karburantin, mbajnë peng punonjësin

 

Dy persona të maskuar dhe të pajisur me mjete të forta kanë grabitur një karburant në fshatin Gramsh. Sipas policisë, personat kanë kërcënuar me mjete të forta dhe e kanë dhunuar punonjësin e karburantit. Njëri nga grabitësit ka mbajtur peng punonjësin, ndërsa grabitësi tjetër ka marrë shumën e xhiros ditore të karburantit. Policia bën me dije se punonjësi i karburantit është goditur me kaçavidë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Pika e karburantit ndodhet në anë të rrugës. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

 

Gjirokastër

Arrestohet me 64 mijë euro, do të blinte drogë në Lazarat

 

Policia e Gjirokastrës parandalon blerjen e sasisë narkotike në Lazarat, që në origjinë. Një blerës narkotik nga Vlora është ndalur në momentin fillestar nga uniformat blu, teksa po udhëtonte drejt Lazaratit. Sasia e eurove të sekuestruara kapte shifrën e 69.400 eurove, ndërkohë që nuk dihet se nga kush do të blihej malli narkotik. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së mërkurës, duke u gdhirë e enjte në aksin nacional Gjirokastër – Tepelenë, teksa policia e Gjirokastrës, përmes informacioneve në terren, siguroi se K. S., 32 vjeç, nga Vlora, do të shkonte në Lazarat, pikërisht për të dorëzuar këtë sasi eurosh, si dhe mjetin e tij, tip fuoristradë, kundrejt tërheqjes së mallit narkotik.

 

Share it :