Prokuroria Mbyll hetimet për 5 ish-zyrtarët e Ministrisë së Punës

Anxhela Tato

 

Hetimet, abuzimi me tenderin për spotin publicitar, dëmi financiar 9.2 mln lekë

 Konkursi fiktiv, ish-zyrtarët paracaktuan firmën fituese dhe lidhën kontratë pa u zhvilluar tenderi

 

 prokuroria-e-tiranesProkuroria ka përfunduar hetimet për pesë ish-zyrtarë të lartës të Ministrisë së Punës, të cilët abuzuan me tenderin e spotit publicitar, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 9 milionë lekësh. Me anë të falsifikimit të dokumenteve, pesë zyrtarët paracaktuan firmën fituese të tenderit dhe kontrata është nënshkruar ende pa u shpallur tenderi. Nga hetimet e organit të akuzës rezulton se me datë 26 prill 2010, me urdhër të ish-ministrit është ngritur komisioni për ndjekjen e procedurave dhe hartimin e dokumenteve në marrjen pjesë të ngjarjes “1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve”. Anëtarët e këtij grupi ishin Murat Mehmeti, kryetar i komisionit, Kleves Bitro, Flora Batusha, Ilir Ibrahimi dhe Besnik Dema. Vlera për organizimin e këtij aktiviteti ishte caktuar 19.800.000 lekë. Ndërkohë, më datë 30 prill është nënshkruar kontrata me firmën fituese, ndërsa ish-ministri Ksera është njoftuar vetëm për linjën procedurale. Në ngarkim të pesë ish-zyrtarëve rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim.

 

Hetimet

Procedimi penal nr. 4166 në Prokurori është regjistruar në datë 6 tetor 2011. Dosja u çel pas kallëzimit të një shtetaseje, e cila ka deklaruar se funksionarë të lartë të MPÇSSHB për veprime në kundërshtim me ligjin gjatë organizimit të aktivitetit për festën e 1 Majit. Gjithashtu, kallëzim ka bërë edhe KLSH-ja. “Me urdhrin datë 26.4.2010 të ministrit të MPÇSSHB është urdhëruar ngritja e komisionit për ndjekjen e procedurave dhe hartimin e dokumenteve për marrjen pjesë në festën e 1 Majit, me këtë përbërje: M. Mehmeti, kryetar i komisionit, shtetasit Kleves Bitro, Flora Batusha, Ilir Ibrahimi dhe Besnik Dema, anëtarë të komisionit. Vlera për organizimin e këtij aktiviteti ishte caktuar 19.800.000 lekë. Më datë 26 prill 2010 rezultojnë se janë dërguar ftesa për organizimin e aktivitetit të tre subjekteve. Më pas shtetasi M. Mehmeti, njofton ministrin duke i dorëzuar raportin e hollësishëm për realizimin e procedurave të organizimit të aktivitetit për ditën e 1 Majit. Është lidhur kontrata e shërbimit midis MPÇSSHB përfaqësuar nga ministri dhe një subjekti privat. Subjekti privat ka lëshuar faturën tatimore të shitjes për blerësin MPÇSSHB në shumën 19.800.000 lekë. Më datë 26.5.2010 nga ana e MPÇSSHB është lëshuar urdhri i shpenzimit për kalimin e kësaj shume në favor të firmës private. Në vijim të hetimeve u është kërkuar informacion televizioneve ku sipas ofertës së paraqitur nga subjekti fitues do të transmetohej spoti televiziv për festën e 1 Majit. Është provuar se nga ana e anëtarëve të komisioneve të ngritura me urdhër të ministrit janë konsumuar elemente të veprave penale të falsifikimit të dokumenteve. Konkurrimi rezulton të jetë bërë fiktiv, pasi nga dokumentacioni rezulton se oferta e subjektit fitues të jetë protokolluar në ministri më datë 29.4.2010 dhe kontrata që e ka shpallur fitues është lidhur më datë 30.4.2010, pra subjekti fitues është paracaktuar dhe nuk ka pasur konkurrim”, – thuhet në dosjen e Prokurorisë.

 

Të pandehur:

Kleves Bitro, i hetuar në masë sigurimi arrest në burg në mungesë, akuzuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshoje aktin të kryer në bashkëpunim.

 

Murat Mehmeti, i hetuar në masë sigurimi arrest në burg në mungesë, akuzuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin të kryer në bashkëpunim.

Flora Batusha, e hetuar në masë sigurimi detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, akuzuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin të kryer në bashkëpunim.

Ilir Ibrahimi, i hetuar në masë sigurimi arrest në shtëpi, akuzuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyre të lëshojë aktin të kryer në bashkëpunim.

Besnik Dema, i hetuar në masë sigurimi arrest në burg, akuzuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin të kryer në bashkëpunim.

 

 

Auditi

Firma fituese u pagua pa dorëzuar dokumentet e kërkuara nga ligji

 Prokurorët gjatë hetimit kanë zbuluar se “nga ana e punonjësve të MPÇSSHB është vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi është bërë pagesa për subjektin me datë 26 maj 2010, pa u njohur me të gjitha dokumentet që sipas kontratës subjekti kishte detyrim ti paraqiste për të provuar se kishte vepruar sipas preventivit. Nëse këto dokumente do të ishin paraqitur, Ministria nuk duhet të kishte paguar një pjesë të mire të vlerës prej 19.800.000, pasi shërbimet janë kryer nga “M…..” sh.p.k. jashtë periudhës së kërkuar nga Ministria”. Në fund të hetimit, prokuroria ka nxjerrë konkluzionet në lidhje me abuzimet e bëra nga zyrtarë e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. “Në lidhje me vlerën e dëmit çmojmë si vlerë dëmi faktin që reklamat e vendosura nga “P……” që sipas preventivit është në vlerën e 5.500.000 lekëve, kanë pasur vlerën e vërtetë 8000 euro me TVSH dhe kohëzgjatja e vendosjes së këtyre reklamave shkon përtej datës 1 Maji që është dhe dita e organizimit të aktivitetit që reklamohej si e tillë dhe para datës 30 prill 2010 që është data e lidhjes së kontratës”, – thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës. Në dosje nënvizohet se “dëm për interesin e shtetit përbën edhe vlera që është paguar për transmetimin e spotit në televizionet e përzgjedhura para datës 30 prill 2010, pasi në specifikimet teknike, kërkohej transmetimi i spotit vetëm për dy ditë. Transmetimi i spotit jashtë këtyre datave, minimalisht nuk duhet të ishte paguar nga Komisioni i ngarkuar për verifikimin dhe nga financa e MPÇSSHB pasi është jashtë kushteve të kontratës së lidhur. Ky fakt provon fiktivitetin e procedurës dhe kontratës së lidhur”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :