Kërkesa Vrasësi i 4-fishtë: Të bëhet ADN-ja e djalit 4-vjeçar të Danielës, është fëmija im

Sonja Caka

Gjykata e lë në burg 49-vjeçarin Letollari, avokatët bojkotojnë mbrojtjen e tij. Dëshmia para Gjykatës: Danielën dhe Belimonin i vrava se nuk më jepnin atësinë e djalit, Rexhepin nuk doja ta vrisja, vetëm Valentinën. Kjo më prishi lidhjen me të dashurën

 

bashkim latollari“Pranoj vrasjet, ndihem i penduar, por kërkoj nga ju t’i bëhet analiza e ADN-së djalit të vogël të Danielës, pasi dyshoj që është fëmija im”. Kjo ka qenë dëshmia e 40-vjeçarit Bashkim Letollari para togave të zeza dje në Gjykatën e Korçës, ku kishte dalë për t’u njohur me akuzën dhe masën e arrestit. Ai ka pranuar vrasjen për pasion, ndërsa është shprehur se nuk ka dashur ta vrasë Rexhep Metellarin, por vetëm gruan e tij, Valentinën, të cilën e akuzon për prishjen e lidhjes së tij me të dashurën, tashmë një nga viktimat e shkaktuara prej tij. Ai është shprehur se arsyeja pse i ka kryer këto vrasje ishte prishja e lidhjes jashtëmartesore mes tij dhe Danielës. Gjatë kohës që zhvillohej seanca, familjarë të irrituar të viktimave kanë qëndruar jashtë sallës së gjyqit, duke krijuar një situatë të tensionuar, ndërkohë që seanca e masës u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura.

 

Dëshmia

Bashkim Letollari është shoqëruar dje nën masa të rrepta sigurie për t’iu caktuar masat e arrestit në Gjykatën e Korçës. Para gjyqtarit ai është shprehur se është penduar për vrasjet, ndërsa ka kërkuar që të bëhen analizat e djalit të Daniela Meçollarit, që ai pretendon të jetë i tij. “Rexhep Metellarin nuk doja ta vrisja, por doja të vrisja vetëm gruan e tij, Valentinën, sepse ajo më prishi lidhjen. Danielën e vrava, sepse nuk donte të divorcohej nga Belimoni. Dua t`i bëhet analiza e ADN-së djalit”, – u shpreh i akuzuari, duke shpjeguar se Belimon dhe Daniela Meçollarin i kishte vrarë, për shkak se nuk pranonin t’i njihnin fëmijën 4-vjeçar. Ndërkohë, asnjë nga avokatët kryesisht nuk ka pranuar të marrë përsipër mbrojtjen e tij, për shkak të disa parregullsive. Ka qenë kreu i Dhomës së Avokatisë për Korçën, Arben Lena, që ka pranuar ta marrë në mbrojtje të akuzuarin. “Avokatët kanë bojkotuar mbrojtjen e Letollarit. Duke u nisur nga situata, do ta marr unë në mbrojtje Letollarin”, – është shprehur Lena.

 

Akuza

Para se i akuzuari për vrasje të katërfishtë të jepte dëshminë e tij për Gjykatën dhe të shprehte pendesën për krimet e kryera, prokurori i çështjes ka lexuar dinamikën e ngjarjeve dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur. Bashkim Letollari akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër më shumë se dy personave dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Sipas akuzës, më datë 7 dhjetor, në orët e pasdites, i arrestuari Bashkim Letollari kishte vrarë katër persona në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës me armë automatike model 63, të cilin e mbante pa leje. Më tej prokurori ka shpjeguar edhe lidhjet mes viktimave. “Viktimat ishin shtetasit Belimon Meçollari, Daniela/Manjola Meçollari, Rexhep Metellari dhe Valentina Metellari. Belimani kishte lindur me 8.5.1982 dhe ishte bashkëshorti i Danielës, e lindur me 10.12.1983. Rexhepi kishte lindur me 29.7.1954 dhe ishte bashkëshorti i Valentinës, e lindur me 14.6.1960. Belimani ishte nipi i Rexhepit, pra djali i motrës së tij”, – ka vijuar fjalën e tij përfaqësuesi i akuzës.

 

Ngjarja

Prokurori u shpreh gjatë leximit të akuzës se “rreth orës 18:30 të datës 7 janar, i arrestuari Bashkim Letollari, me paramendim, kishte shkuar në banesën e shtetasit Belimon Meçollari, brenda ambienteve të kuzhinës, dhe kishte qëlluar me armë atë dhe bashkëshorten e tij Daniela/Manjola Meçollari, në prezencë të fëmijëve të tyre të mitur, duke u shkaktuar vdekjen. Më pas, i arrestuari kishte shkuar në kasollen ku banonin shtetasit Rexhep Metellari dhe bashkëshortja e tij, Valentina Metollari, dhe kishte qëlluar me të njëjtën armë edhe në drejtim të tyre, duke u shkaktuar po ashtu vdekjen. I arrestuari ka deklaruar se këto vrasje i kishte kryer për shkak të prishjes së lidhjes jashtëmartesore që ai kishte prej vitesh me viktimën Daniela Meçollari. Nga kontrolli i vendeve në posedim të të arrestuarit u gjetën në një kasolle prej dërrase, të ndodhur brenda oborrit të banesës së tij, një numër i konsiderueshëm fishekësh, të cilat së bashku dhe me disa fishekë që ju sekuestruar të arrestuarit, si dhe armën e krimit janë administruar me cilësinë e provës materiale”.

 

 

Share it :