Korrupsioni Apeli lë në fuqi masat për tre nga të arrestuarit e skandalit të Pukës

Sonja Caka

Avokati, kancelarja dhe sekretarja kërkojnë ndryshim të masës, gjyqtarja Sollaku i lë në burg deri në përfundim të hetimeve

 

gjykate-denimGjykata e Apelit shqyrton dhe lë në burg 3 prej 6 të arrestuarve të skandalit të Pukës, duke mos pranuar argumentet e paraqitura prej tyre për ndryshim mase. Gjyqtarja Zeqine Sollaku ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” dhënë nga kolegët e Shkallës së Parë për Meliha Kukaj, ish-kancelare, Liljana Shkjau, ish-sekretare e Gjykatës së Pukës dhe Fariz Xhurxhi me funksion avokat, të arrestuar pas skandalit të denoncuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Ndaj të arrestuarve janë ngritur disa akuza, ndërsa këta të fundit nuk i pranojnë asnjë akuzë dhe deklarojnë se janë të pafajshëm. Kukaj, Shkjau dhe Xhurxhi u arrestuan mëngjesin e 8 dhjetorit, disa ditë pas skandalit të denoncuar në emisionin Fiks Fare, teksa merrnin ryshfet në këmbim të lirimit të disa të arrestuarve gjatë protestave për një kompani minerare në Kukës. Për tre të arrestuarit e tjerë Pëllumb Prençi, ish-prokuror i rrethit Pukë; Fran Dashi; si dhe Dëfrim Prençi, Gjykata e Apelit do të shprehet ditën e hënë.

 

Arrestimet

Për skandalin e Gjykatës së Pukës të denoncuar në “Fiks Fare”, u arrestuan Pëllumb Prençi ish-prokuror i rrethit Pukë, Meliha Kukaj, ish-kancelare, Liljana Shkjau, ish-sekretare e Gjykatës së Pukës, Fran Dashi dhe Fariz Xhurxhi me funksion avokat, si dhe Dëfrim Prençi. Këta të fundit u arrestuan 4 ditë më parë nga njësia speciale e uniformave blu të kryeqytetit, ndërsa do të përballen me drejtësinë shqiptare, pasi task-forca e Prokurorisë së Tiranës i ka gjetur ata fajtorë, duke abuzuar me detyrën dhe përfituar nga vepra korruptive. Ndërkohë, një ditë pas arrestimeve reagoi edhe ish-kreu i Gjykatës, Shtjefën Lleshi. Në një konferencë për mediat, gjyqtari Lleshi preferoi vetëm të jepte një deklaratë dhe të mos u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Ai deklaroi se nuk kishte ndërmend të largohej nga Shqipëria dhe ishte i gatshëm të përballej me çdo akuzë. Sipas tij, gjithçka e transmetuar në media është inskenim. “Deklaroj këtu publikisht se do të jem i gatshëm të deklaroj për këtë çështje hetimore të filluar tashmë, gjatë gjithë hetimit dhe gjykimit dhe nuk do të largohem për asnjë çast, por do të qëndroj deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit të kësaj çështje dhe zbardhjen e saj deri në fund. Po kështu unë do të jem përballë çdo akuze të drejtpërdrejtë apo akuze të përpunuar rëndom qoftë ajo”, – tha Lleshi. Vetëm disa ditë më pas iu vunë prangat edhe ish-kryetarit të Gjykatës, për të cilin ishte dhënë masa e arrestit në mungesë.

 

Tiranë

 Masat e policisë për festat e fundvitit

 Tri ditë para festave të fundvitit, Drejtoria e Policisë ka bërë publike masat e marra për të garantuar rendin publik dhe qetësinë për të gjithë qytetarët. Sipas Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë janë planifikuar dhe marrë një sërë masash për parandalimin e ngjarjeve kriminale apo ngjarjeve të tjera që cenojnë rendin e qetësisë publike, gjatë festave të ndërrimit të viteve. Masat e marra synojnë në parandalimin, zbulimin dhe goditjen në kohë të çdo lloj tendence kriminale; rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e ngjarjeve aksidentale; sigurimin e rendit dhe qetësisë në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës e në veçanti në Qendrat Tregtare, Bulevardet, Sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve; sigurimin e ambasadave, rezidencave të tyre, objekte të rëndësishme, duke përfshirë edhe në nënstacionet elektrike e depot e ujit; bashkëpunimin me shërbimet e emergjencës si: ambulancat, zjarrfikëset etj. Kontrolle dhe masa do të zbatohen edhe ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, drejtojnë mjetin nën efektin e pijeve alkoolike, apo ecin me shpejtësi tej normave të lejuara. Sipas policisë këto kontrolle do të ushtrohen kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë netëve që shoqërojnë festat e fundvitit në gjithë kryeqytetin, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarreve. “Njëherësh, theksojmë, gatishmërinë maksimale të shërbimeve policore, për të kaluar gëzueshëm festat e fundvitit, duke kërkuar bashkëpunimin e mirëkuptimin e qytetarëve për të mos shkaktuar incidente të mundshme. Ndërkohë, ajo vë në dispozicion numrat telefonik për të denoncuar çdo veprim të paligjshëm apo ngjarje aksidentale në numrat telefonik pa pagesë nr. 129 dhe nr. 126. Duke gjetur mirëkuptimin Tuaj, Policia e Tiranës, Ju uron Gëzuar festat!”, – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Share it :