Sòcrates Sampaio de Souza Vieira de Oliveira lindi më 19 shkurt të 1954-ës në Belem. Futbollisti brazilian ka luajtur me skuadrën e Botafogos, Korinthiansit (297 ndeshje, 172 gola), me Fiorentinën, Flamengon, Santosin dhe në moshën 50-vjeçare zhvilloi disa takime në Britaninë e Madhe me skuadrën e Garforth Taunit. Roli i Sòcratesit në fushë ka qenë alf (quhej në atë kohë fantazisti i skuadrës apo lojtari që qëndronte parapa sulmuesve). Sòcrates ka qenë kapiten i kombëtares së Brazilit. Me fanellën e artë ai ka koleksionuar 63 prezenca dhe shënuar plot 25 gola. Sòcrates ka marrë pjesë në dy botërorë: Spanjë 1982 dhe Meksikë 1986.
“Fitoret e mia në politikë janë pafundësisht më të rëndësishme sesa ato që kam marrë në fushën e lojës. Një ndeshje zgjat vetëm 90 minuta, ndërsa jeta vazhdon, ajo është reale”. Më 19 shkurt, Sòcrates mbushi 56 vjeç. I ati, Sampaio de Souza Vieira de Oliveira, i cili ishte mahnitur nga vepra “Republika” e Platonit, i dha emrin Sòcrates. 56-vjeçari prej 15 vitesh bën opinionistin në emisionin “Cartao Verde” (që transmetohet çdo të diel në “TV Cultura”). Por ata që janë më me fat, mund ta takojnë atë në “Ribeirao Preto da Pinguìm”, që tashmë është kthyer nga një birrari në një vend kulti, në një vend të shenjtë për të gjithë tifozët e Sòcratesit.
Idetë dhe sponsorët
Sjellja dhe idetë e tij kanë mahnitur breza të tërë në Brazil. Popullariteti i tij nuk njeh kufij: muaj më parë, një sponsor lokal vendosi që të bënte një festë dhe si reklamues mendoi të ftonte pikërisht Sòcrates Brasileiron (emërtimin pas e vendosim me qëllim që të mos ta ngatërroni me filozofin tjetër që jetonte në Athinë). Në atë ceremoni 56-vjeçari tërhoqi me mijëra persona. Të moshuar dhe të rinj ndenjën në radhë e gdhinë atë natë vetëm që të merrnin një autograf nga idhulli i tyre. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, të gjithë mbajnë mend madhështinë e Sòcratesit, i dobëti i madh, kur luante me fanellën e artë, ku të gjithë kundërshtarët i shikonte nga lart poshtë (ishte i gjatë 191 centimetra). Ai ishte lideri dhe kapiteni i Brazilit më të bukur, por më pak fitues, formacionit që në 1982-shin, së bashku me fenomene si Zico, Falcao dhe Junior habitën botën me lojën që zhvillonin.
Projekti “Cauim”
Idetë e tij ai i shkruan në të përditshmen “Agora”. Në këtë gazetë 56-vjeçari është kolumnist. Sòcrates gjithashtu merret edhe me një aktivitet të ri: ai ka krijuar një klub kinemaje në qendër të Ribeiraos. Në këtë ambient (që ka vend për 800 spektatorë) me pak fjalë ka marrë jetë një projekt i ri, një projekt që quhet “Cauim” dhe që është ideuar e realizuar nga kineasti i famshëm Fernando Kaxassa. Projekti “Cauim” është një projekt socio-kulturor që nëpërmjet kinemasë ndan ide dhe kulturë. “Është një ëndërr “Cauim”, një proces edukimi për të gjithë ata që nuk gjejnë mënyra të tjera për të shkuar në kinema. Ka shumë njerëz që nuk kanë të paguajnë 50 realë. Këtu në klubin tonë nuk kemi biletashitës, hapësirat këtu janë publike. Këtu të gjithë janë të lirë të vijnë dhe nëse dikush e ndien se duhet të paguajë diçka, e bën, ata që kanë mundësi mund të japin fonde për të mbajtur një mjedis të tillë”.
Preferenca për finte
Që Sòcrates nuk ishte një njeri si gjithë të tjerët (në sensin e mirë të fjalës), tashmë e dinë të gjithë, por i pari që zbuloi talentin e tij ishte i ati. Një ditë, pasi e shoqëroi për në Universitetin e Sao Paolos, në Fakultetin e Mjekësisë (USP), orë më pas, në kthim, pa një grup të rinjsh që luanin tek Botafogo të Ribeirao Pretos. Atë ditë në mes të fushës shkëlqeu një yll. Një yll të cilin shumë njerëz nuk u lodhën së pari. “Ai është një lojtar i madh. Ai është nga të paktët futbollistë që orientohen në fushë në mënyrë të përkryer. Sòcrates dinte shumë mirë se cilin kishte nga pas”, – ka thënë Pele. Legjenda braziliane nuk resht së përsërituri se “toques de calcanhar” – goditjet me takë të Sòcratesit nxirrnin jashtë loje çdo kundërshtar dhe në të njëjtën kohë mahnitnin të gjithë spektatorët. Sòcrates u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë, që nga ai moment “o doktor” nuk e ka ushtruar për asnjë çast profesionin e tij në klinikën “Ribeirao Preto”: ai kuronte më shumë mendjet sesa fizikun e personave që e rrethonin. “Për mua futbolli është njësoj si të ecësh: vetëm, jashtë çdo konteksti social, nuk është asgjë. Kur përdor këmbët nuk bën asgjë të jashtëzakonshme, por nëse me to shkon në Parlament, me qëllim që të mbrosh idetë e tua, atëherë çdo gjë ndryshon. Kështu edhe futbolli, nëse kthehet në një rrugë edukimi, atëherë kthehet në një mjet të përkryer”.
“Nëse kanë më shumë përgjegjësi, atëherë do të jenë më të përgjegjshëm”
Idetë e tij ai provoi që t’i vinte në punë në 1982-shin kur futi regjimin revolucionar “Democracia Corinthiana”, tek klubi i Korinthians-it (skuadra e jetës së tij). Në atë kohë ky klub ishte paska i çuditshëm, pasi funksiononte njëfarë vetudhëheqjeje. Lojtarët stërviteshin më pak, ata nuk grumbulloheshin pothuaj asnjëherë përpara takimeve, ndaj tyre asnjëherë nuk merreshin masa, por ajo çka kishte më rëndësi, ishte fakti se ata vetë, pra futbollistët, merrnin pjesë në drejtimin e klubit. “Nëse kanë më shumë përgjegjësi, atëherë do të jenë më të përgjegjshëm”, – thoshte Sòcrates. Në atë kohë ai fitoi kampionatin. Të njëjtën gjë bëri edhe në klubin Kabo Frio, ku ishte trajner, përgatitës atletik dhe psikolog. Përpara çdo seance stërvitore ai diskutonte me lojtarët për politikën dhe aktualitetin. Sòcrates i ftonte lojtarët që të prisnin disa pjesë të gazetave dhe më pas t’i ngjisnin ato në vendin ku bënin skemat dhe më pas i diskutonin ato mes tyre. Pra, ai ishte një revolucionar i vërtetë në një shtet si Brazili dhe në një fushë si ajo e futbollit që në atë kohë ishte reaksionare.
Propozimi
Tashmë ai ka propozuar që numri i futbollistëve që zbresin në fushë për një ekip të mos jetë 11, por të reduktohet në 9. Një herë e një kohë, çdo lojtar vraponte rreth 4 kilometra për ndeshje, ndërsa tani kjo shifër ka shkuar në 10. Me këto ritme është ulur shumë kreativiteti, pasi nuk ka më hapësira. Reduktimi i numrit të lojtarëve në fushë do t’i hapë vend fantazisë”.
Futbolli sporti që i solli lumturinë
Sòcrates, pas eksperiencës braziliane vendosi të luante në Evropë. Dhe klubi që pati fatin që t’i jepte fanellën e titullarit, ishte Fiorentina. Por, pasi shkoi në Itali, Sòcrates vuajti shumë stilin e lojës (agresiv) që luhej në Serinë A. Para pak kohësh ai pohoi edhe arsyen pse la Brazilin: gjithçka lidhej me politikën. Kandidati që ai përkrahte në atë kohë, Dante de Oliveira, nuk fitoi në zgjedhje dhe ky fakt mjaftoi që ta largonte Sòcratesin nga Amerika Latine. Edhe pse nuk ka njohur shumë fitore, ai nuk e ka braktisur politikën, tanimë ai përkrah “El Partod Trabalhadores” (Partinë e Punëtorëve) të udhëhequr nga Lula. “Unë kërkoja lumturinë, dhe jo paratë”, – shpjegon ai për aventurën njëvjeçare që pati në Firence. Kështu, pas një viti që kaloi në Toskanë, u largua, edhe pse merrte një milion e gjysmë dollarë. Pasi u kthye në shtëpi, ai iu bashkëngjit Flamengos së Zico-s.





