Partia Demokratike e vetmja shpresë e shqiptarëve për zhvillim dhe integrim
Ina Jano
Fundjava përsëri në bazë, takime me demokratët. Tashmë prej ditësh kështu janë ditët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili garon përballë Sokol Olldashit për liderin e ri të Partisë Demokratike. Ditën e djeshme kandidati Basha u takua me demokratët e Bilishtit, Tepelenës dhe Ersekës, ndërsa ditën e martë ai do të takojë anëtarësinë e partisë në qendrën e juglindjes në Korçë, për tu kërkuar atyre votën më 22 korrik. Përveç prezantimit dhe shpalosjes së platformës për të drejtuar partinë më të madhe të së djathtës, zoti Basha është ndalur gjatë fjalës së tij edhe në komentimin e situatës politike në vend, duke u përqendruar tek mazhoranca e re. Sipas numrit një të Bashkisë së Tiranës, aleanca mes Partisë Socialiste dhe asaj të Lëvizjes Socialiste për Integrim rezultoi se fitoi përmes mashtrimit, duke shtuar në këtë drejtim se tashmë gënjeshtrat kanë filluar të dalin në dritë. Për kreun e bashkisë së kryeqytetit kjo u fakton të gjithë shqiptarëve se ata erdhën në pushtet përmes mashtrimit, dhe tashmë po tërhiqen nga premtimet e tyre. Në këtë grup zoti Basha përfshin premtimin për punësimin e 300 mijë shqiptarëve, premtimin për ofrimin e sistemit shëndetësor falas por edhe heqjen e taksave për 95 për qind të shqiptarëve. “Asnjë forcë demokratike, vetëm klikat marksiste vijnë në pushtet me mashtrime dhe premtimet e tyre, çdo ditë po faktohen që janë mashtrime nga të cilat po fillojnë të tërhiqen akoma pa u zhdukur boja nga gishti i votuesve të mashtruar të 23 qershorit. Premtuan heqjen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe kritikuan taksën tonë të sheshtë por pardje thanë se taksa e Sali Berishës qenka taksa më e mirë për ekonominë. Premtuan shëndetësi falas por tani na thonë që: “jo, s’kemi marrëveshje koalicioni, do jetë falas apo jo”. Premtuan 300 mijë vende pune por kanë filluar me konkurse në faqen zyrtare të internetit të Partisë Socialiste, çka paralajmëron pushime masive të administratës dhe zëvendësimin e tyre me militantë, mendësi kryekëput e partisë -shtet” – theksoi zoti Basha. Sipas kwtij tw fundit, mazhoranca e re ka nisur që sot të zmbrapset nga premtimet e saj, me pretendimin se projekti i saj është për 8 vjet dhe jo për katër. “Partia Demokratike duhet të jetë gati të rikthehet si mazhoranca e shpresës, për ëndrrat dhe aspiratat shqiptarëve. Që sot kanë filluar të zmbrapsen si akrepi dhe të justifikohen në mënyrën më të paturpshme, se objektivat me të cilat morën pushtetin, mashtrimet e rilindjes së mashtrimit i paskan bërë për 8 vjet por shqiptarët i votuan për 4 vite. Sot, na lind detyra të bëhemi gati, në mënyrë që duke i shkurtuar ditët kësaj mazhorance të mashtrimit, ne të jemi gati një orë e më parë, për t’u rikthyer si mazhoranca e shpresës dhe si forca e vetme ku mund të mbështeten shqiptarët e ndershëm për ëndrrat e aspiratat e tyre”, – u shpreh Basha. Kjo mazhorancë e premtimeve piramidale, sipas tij duhet të përballet çdo ditë dhe çdo orë me mazhorancën morale të shumicës së shqiptarëve. Zoti Basha ka theksuar se Partia Demokratike ka qenë që në krijim të saj dhe mbetet edhe sot, e vetmja shpresë e shqiptarëve për zhvillim dhe integrim. Kjo forcë politike e cila bëri realitet ëndrrat shekullore të shqiptarëve, sipas Bashës do të jetë e gatshme që nesër t’u kthejë shqiptarëve shpresën për të ardhmen. “Përballë na kanë ne, Partinë Demokratike të Shqipërisë, Partinë Demokratike të Sali Berishës, Partinë Demokratike të Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos që shembën komunizmin, eliminuan pasojat e tij, vunë bazën e parë të ekonomisë së tregut. Jemi ne që krijuam trashëgiminë e mirëqenies përmes punësimit, punësimit përmes investimeve, investime përmes një klime biznesi të paraleltë në stimuj dhe lehtësira. Për këtë, jemi dhe duhet të jemi në çdo moment krenarë, kokëlartë dhe dinjitozë!”, – mbylli fjalën e tij kandidati Basha, ndërsa në fund të ekspozesë së tij, ai mori edhe pyetje nga demokratët e këtyre qyteteve, ku ishte. Nw Leskovik, Përmet dhe Paskuqan. Zoti Basha e ka konsideruar si një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, mungesën e vëmendjes dhe mirënjohjes ndaj anëtarësisë së PD si dhe garantoi se si kryetar i PD, do të mbajë një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD. “Një gjë mund t’ua them sot, jo si konkluzion por si mendimin tim personal, si zërin tim individual, si anëtar i PD, se një ndër arsyet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes dhe mungesa e mirënjohjes ndaj anëtarëve dhe militantëve të PD, ndaj dhe pika e parë e asaj që duhet të bëjmë si parti politike është të korrigjojmë këtë gabim dhe ta nisim duke bërë të mundur, që në bazë të kontributit të çdo anëtari nga dita e parë e themelimit të partisë e deri më sot të vlerësohen edhe meritat, sot në opozitë dhe nesër në pushtet. Personalisht angazhohem, nëse më besohet kjo detyrë e lartë, që të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD” – deklaroi z. Basha.
Premtimet, dje dhe sot
Premtuan heqjen e taksave për 95 % të shqiptarëve, sot thonë taksa e Berishës më e mirë për ekonominë
Premtuan 300 mijë vende pune, sot kërkojnë CV që kalojnë nga selia e PS-së për ta mbushur administratën me militantë
Premtuan shërbim shëndetësor falas, sot thonë nuk kemi marrëveshje koalicioni
Elbasan
Olldashi: PD ti kthejë partinë militantëve
Sokol Olldashi, kandidat për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë deklaroi në Elbasan se ringritja e Partisë Demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, por nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë, militantët. Në referencë të paketës për ristrukturimin e PD-së, Sokol Olldashi kërkoi të përcaktohen me statut: mekanizmi i rezultatit dhe mekanizmi i karrierës .
“PD duhet t’ia kthejë “partinë” militantit !”-deklaroi Olldashi. Sipas tij kjo duhet të bëhet për të vënë në kohë të plotë pune, të gjithë motorët e kësaj force politike. Ringritja, fillimi i ri i Partisë Demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, fillon nga insitucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë të partisë, asnjë organizëm nuk mund të funksionojë nëse nuk funksionon qeliza bazë, nëse nuk funksionon AND-ja. Dhe ADN-ja e Partisë Demokratike nuk është kryetari, nuk është kryesia, nuk është Këshilli Kombëtar, është demokrati i thjeshtë. Partia Demokratike duhet të ndërtojë me shpejtësi inventarin e kontributeve për secilin anëtarë të saj. Vetëm kështu do të jemi në gjendje që t’i japim gjithsecilit meritën që ka”, – tha ai. Në bashkëbisedimin me demokratët e Elbasanit , Sokol Olldashi theksoi rëndësinë e një veprimi të fortë opozitar për të kthyer Partinë Demokratike në një kohë sa më të shkurtër, në destinacionin e përhershëm të saj, fitoren. Piramida e gënjeshtrave të Ramës ka nisur të rrëzohet-tha Olldashi dhe PD ka përpara një mur që shembet lehtë. “Shikoni, çfarë po ndodh me administratën. Kanë deklaruar për vite me radhë që ky vend ka 1 milion të papunë dhe sot deklaruan që ka vetëm 5 mijë e 300 aplikime në Partinë Socialiste. Ku janë 1 milion të papunët ?! E gjithë piramida e gënjeshtrave elektorale të Edi Ramës do të fillojë të çmontohet një e nga një. Ne duhet të vazhdojmë dialogun më intensiv të mundshëm me qytetarët shqiptarë për të rrëzuar çdo skemë, çdo premtim, çdo politikë të shpallur, gjoja prej tyre”, – shtoi ai. Kandidati për drejtimin e Partisë më të madhe të se djathtës në vend, Sokol Olldashi, në vijim të takimeve në Qarkun Elbasan, për prezantimin e platformës së tij për t’u votëbesuar si kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike, u takua edhe me anëtarët e kësaj partie në Cërrik, dhe Gramsh.
Qëndrimi
Berisha: Energji e paparë për të bërë mazhorancën e re, opozitë
Që pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, e djeshmja ishte e hera e parë që Sali Berisha komenton garën në selinë blu për kreun e ri të kësaj partie. Pasditen e djeshme ai duke bërë paralelizim me rastin e Sebastianit, një i ri që i ka shkruar shefit të qeverisë dhe i ka folur për humbjen e PD-së në këto zgjedhje. Kryeministri thekson se të gjithë duhet të ndjekin modelin e Sebastianit për të bërë opozitë. “Të dashur miq, duke ju ndjekur çdo ditë tek mbushni sallat në takimet me kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, më vijnë vetishëm në mendje fjalët e të riut Sebastian Dema që në mesazhin e tij një javë më parë më shkruan: “Unë jam shumë i ri dhe që nga viti 2005 nuk isha mësuar me humbjen e partisë me të cilën jam lidhur. Por dua të të them të vërtetën, nuk e di se si, por që nga dita që u morr vesh humbja në mënyrë të çuditshme ndiej në veten time një forcë, një energji që unë kurrë nuk e kam ndjerë ndonjëherë për të bërë gjithçka që këta që erdhën në pushtet ti bëjmë prapë opozitë që në sekondat e para të mandatit tjetër, Sebastian Dema”. Pra duke lexuar fjalët e Sebastianit sot për ne demokratët nuk mund të ketë koment tjetër veçse: Të gjithë jemi Sebastian! Përpara!”, – shkruan Berisha.






