Florenc Drizari
“Zyra e Kryeministrit të zgjedhur në PS”, Berisha: Nga Republika parlamentare tek Republika e Edi Ramës! Ai është vetëshpallur Kryeministri i zgjedhur dhe nuk paska nevojë të emërohet nga Presidenti as edhe të votëbesohet nga Parlamenti
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, kritikon ashpër qëndrimet e fundit publike të kreut të PS-së, Edi Ramës, për ngritjen e mekanizmave të një qeverie paralele deri në konfirmimin e mundshëm të tij në krye të ekzekutivit, në shtatorin e ardhshëm. Me anë të një reagimi në rrjetin social Facebook, Berisha thotë se Kryeministri, Presidenti apo kreu i Parlamentit qëndron në detyrë deri në ditën e zgjedhjes së pasardhësit të tij. Për këtë kreu i qeverisë aktuale citon Kushtetutën dhe shembuj të tjerë qeverisës nga vende të zhvilluara të Evropës, ndërkohë që hapjen e “zyrës së Kryeministrit të zgjedhur” pranë ambienteve të Partisë Socialiste, Berisha e quan një revansh që “të bën dhe Enver por dhe Don Kishot”. Sipas tij, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare zgjidhen deputetët, e jo Kryeministri apo Presidenti, ata votëbesohen në Parlament – thotë Berisha.
BERISHA
“Z. Rama ka hapur në selinë mavi, ngjitur me zyrën e tij prej kryetari të PS-së, zyrën e tij të “Kryeministrit të zgjedhur”. Në kushtetutat e vendeve të lira, President apo Kryeministër i zgjedhur njihet vetëm Presidenti dhe Kryeministri që zgjidhen direkt nga populli në periudhën nga dita e fitores se zgjedhjeve deri ditën e inaugurimit ne detyre. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e të gjitha republikave parlamentare dhe mbretërive konstitucionale të Evropës nuk njohin Kryeministër të zgjedhur, pasi në zgjedhje të përgjithshme zgjidhen vetëm deputetet kurse vetë Kryeministri emërohet nga kryetari i shtetit ose Parlamenti dhe gjithnjë votëbesohet në Parlament. Këto norma themelore kushtetuese, institucionet kushtetuese te vendit, Presidenti dhe Parlamenti nuk ekzistojnë për Edi Ramën me 63 deputetët e tij. Ai është vetëshpallur Kryeministri i zgjedhur dhe nuk paska nevojë të emërohet nga Presidenti, as dhe të votëbesohet nga Parlamenti. Revanshi te verbon, të bën dhe Enver por dhe Don Kishot! Ndryshim! Përpara drejt të shkuarës!!!”, – përfundon komenti i kreut të Këshillit të Ministrave, Sali Berisha, në faqen e tij të internetit, në Facebook.
Ndërkaq, disa ditë pas 23 qershorit dhe daljes së rezultateve paraprake, Edi Rama ka ngritur në ambientet e selisë së Partisë Socialiste “zyrën e Kryeministrit të Zgjedhur”, ku përfaqësues të PS-së, deputetë të kësaj force politike bëjnë deklarata shtypi për iniciativa dhe vendime që priten të merren me ardhjen në pushtet në fillim të vjeshtës.
Më herët PS me një nismë të fundit ka hapur një rrjet aplikimesh online në ueb për vende të reja pune në bazë të meritës, duke pranuar jetëshkrime nga aplikantë të ndryshëm. Sipas shifrave që japin përfaqësues të PS-së, numri i këtyre aplikantëve ka arritur mbi 5 mijë.
Gjithashtu, Partia Socialiste në bashkëpunim me Lëvizjen Socialistë për Integrim, si dy forca politike të dala fituese në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, kanë ngritur edhe një grup punë për koordinimin e pikave programore, veçanërisht për qeverisjen në 300 ditët e para. Përfaqësues i grupit të punës për PS-në është Ilir Beqja dhe përfaqësues i LSI-së është Edmond Haxhinasto. Në ditët në vijim pritet që ky grup punë të dalë në një raport të përbashkët për përafrimin e pikave programore për të qeverisur në ditët e para të marrjes së pushtetit. Pikat kyçe në të cilat janë fokusuar përfaqësuesit e dy partive janë ato të sistemit fiskal, punësimit dhe shëndetësisë.
Rama: Berisha të vetëpërmbahet
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë mbledhjes së parë të grupit parlamentar të bërë të martë që shkoi, i bëri thirrje Kryeministrit në detyrë, Sali Berishës, të bëjë kujdes me shpenzimet qeveritare. Sipas tij, të gjitha koncesionet e dhëna në këtë periudhë dymujore dhe vendimet e tjera të qeverisë me kosto financiare për qeverisjen e re që pritet të formohet në fillim të muajit shtator, do të anulohen. “Për sa i takon qeverisë dhe Kryeministrit aktual unë e përsëris, edhe sot, thirrjen publike për vetëpërmbajtje e përgjegjshmëri në shërbim të interesit të vendit e të publikut… Ndaloni shpenzimet e mëtejshme të parave të popullit shqiptar, përmes vendimesh që nuk kanë asnjë legjitimitet moral e as politik. Jo vetëm kaq, po mos merrni më as vendime mbi pasurinë kombëtare të cilat rëndojnë në kurriz të vendit e të njerëzve. Njerëzit iu kanë larguar, prandaj shfrytëzojini këta dy muaj për të kaluar në opozitë si humbës normalë, jo për të qeverisur si fitues imagjinarë. Ne do të anulojmë çdo vendim për shpenzime parash, që shkojnë përtej kostove normale të rolit të një qeverie kujdestarie në një fazë tranzicioni të pushtetit. Po ashtu, do të zhbëjmë menjëherë edhe çdo vendim për tenderë, privatizime e koncesione të marrë pas 23 qershorit, sipas avazit të vjetër të gjithë këtyre viteve “të kapim ç’të kapim kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht”, – ka deklaruar Rama.
Ambasada Egjiptiane në Tiranë: Ngjarjet në Egjipt, jo grusht shteti
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ambasada e Egjiptit në Tiranë deklaron se ndryshimet e fundit politike në këtë shtet, si produkt i revoltës popullore gjithëpërfshirëse, nuk kanë asnjë lidhje me atë çka po interpretohet si grusht shteti.
“Çdo përpjekje për ta paraqitur si grusht shteti atë që ndodhi gjatë ditëve të fundit, është e pabazuar në fakte dhe pa sens objektiviteti apo një përqasje të saktë ndaj asaj që po ndodh këto ditë në Egjipt”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga selia diplomatike e Egjiptit në vendin tonë.
Në vijim bëhet e ditur edhe axhenda e punës së Presidentit të Përkohshëm të Republikës për periudhën kalimtare. Një ndër pikat kryesore të kësaj axhende, është “thirrja e një Referendumi Popullor, brenda 30 ditëve, që të vendosë mbi amendamentet e propozuara kushtetuese”.
“Nëse referendumi miraton amendamentet kushtetuese, Presidenti i Republikës do të vendosë brenda 15 ditëve mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në një distancë kohore jo më pak se një muaj dhe jo më shumë se dy muaj. Përcaktimi i Zgjedhjeve Presidenciale do të bëhet një javë nga seanca e parë e Kuvendit të Ri të zgjedhur”, – njofton ambasada.
Ministri i Jashtëm
Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Ahmed Hassan Abdellah, me kërkesën e këtij të fundit.
Ambasadori egjiptian përshkroi situatën më të fundit në Egjipt, duke veçuar se tashmë situata ka hyrë në rrugën e përmirësimit, ndërsa theksoi po merren të gjitha masat e domosdoshme për zgjidhjen se menjëhershme të krizës atje. Në këtë kuadër, ai vlerësoi veçanërisht rolin e SHBA-së dhe BE-së, të cilët janë shprehur në favor të paqes dhe sigurisë në Egjipt.
Nga ana e tij, ministri Bumçi theksoi se Shqipëria ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të veçantë situatën e krijuar në Egjipt. Në këtë kuadër, ai shprehu bindjen se duke shmangur dhunën, të gjitha faktorët politike në vend, do të punojnë së bashku për të siguruar rivendosjen e demokracisë dhe stabilitetit afatgjatë në Egjipt.






