Basha: Çdo vendim politik dhe organizativ i PD-së do të nisë nga anëtarësia

Gëzim Saliu

“PD do të garantojë që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek “rilindja” e mashtrimit”

 

971861_576706319047220_1193783843_n

Kandidati për kryetar i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi dje takime me demokratët në Tropojë, Has, Rrëshen dhe në njësinë bashkiake numër 2 në Tiranë, ku theksoi se anëtarësia do të ketë rol kryesor në vendimmarrjen dhe aspektin organizativ të partisë. Basha theksoi se në platformën e tij parashikohet që vendimmarrja në PD, të bëhet me pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe simpatizanti të kësaj partie, përfshirë jo vetëm zgjedhjen e drejtuesve të partisë por edhe kandidaturat  për drejtues vendorë apo deputetë. “Pika e parë e platformës sime për këtë fillim të ri është që çdo vendim politik apo organizativ i PD, të nisë nga anëtarët dhe militantët e PD, kudo që ndodhen”, tha Basha. Më tej, ai u dha garancinë demokratëve se nën drejtimin e tij Partia Demokratike do të jetë e gatshme të mbrojë çdo punonjës të administratës që, sipas tij, do të preket nga mentaliteti antishtet i Edi Ramës.  “Partia Demokratike do të të faturojë çdo ditë, përmes një rrjeti juridik, të gatshëm jo vetëm të evidentojmë, por të provojmë me fakte para çdo gjykate padrejtësitë e këtyre vendimeve, t’i kthejë ato në konsekuenca ligjore, për rikthim në punë, konsekuenca financiare për dëmshpërblim dhe më pas është detyra jonë t’i kapitalizojmë si konsekuenca politike, për të shkurtuar ditët e kryezullumqarëve”, deklaroi Basha. Nga ana tjetër, kandidati për postin e kreut të PD-së bëri të ditur se në drejtimin e tij, demokratët do të zhvillojnë një aksion të gjerë opozitar, i cili  do të tërheqë pranë selisë blu edhe ata që ai i quan “të mashtruar nga rilindja”. “PD do të garantojë që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek “rilindja” e mashtrimit. Ne do të na kenë mbi kokë ditë për ditë, për t’i kujtuar se kanë premtuar 300 mijë vende të reja pune, se kanë premtuar heqjen e taksës për biznesin e vogël, se kanë premtuar shëndetësi falas për çdo shqiptar. Opozita shqiptare nuk mund të mjaftohet vetëm me kaq, në kushtet e kësaj mazhorance. Ne duhet të jemi gati sot, t’u paraqesim shqiptarëve platformën tonë, se ne jemi dhe mbetemi e vetmja shpresë e Shqipërisë së zhvilluar evropiane”, deklaroi Basha.

 

Olldashi

Ndërkohë kandidati tjetër për postin e kryetarit të PD-së Sokol Olldashi në takimet e zhvilluara dje në qytetet e Peshkopisë, Bulqizës dhe Burrelit deklaroi se me marrëveshjen e 1 prillit PS dhe LSI rithemeluan partinë mëmë. “Me marrëveshjen e 1 prill PS dhe LSI rithemeluan partinë e tyre mëmë dhe nga ky moment është detyrë e Partisë Demokratike, që ta fokusojë këtë koalicion si e keqja e këtij vendi dhe ta luftojë këtë koalicion si e keqja e këtij vendi me të gjithë fuqinë e vet politike. Kjo është ajo që unë kam deklaruar, kjo është ajo që unë besoj”, tha Olldashi. Në këtë kontekst, ai akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama jo vetëm për përdorim abuziv të pushtetit, gjatë kohës kur e ka ushtruar atë, por edhe për lidhje kriminale me njerëz që sot janë anëtarë të Parlamentit shqiptar. “Edi Rama është i njëjti prototip politik që ka prodhuar korrupsion, abuzivizëm, klientelë politike dhe kërcënimi që iu bë Njazi Kosovrastit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nxori në sipërfaqe fenomenin e ri të PS-së, atë që ne kemi paralajmëruar gjatë gjithë fushatës që brenda listës së Partisë Socialiste janë të paktën 30 njerëz me precedent të fortë kriminalë. Dhe Parlamenti i Shqipërisë nuk është qeli paraburgimi, nuk është vendi ku rrinë horrat dhe kriminelët”, deklaroi Olldashi. Në fund të fjalës së tij, kandidati për kreun e PD-së theksoi se platforma të cilën ai kërkon të aplikojë në Partinë Demokratik ka si synim kryesor ringritjen e kësaj force politike, duke e kthyer vëmendjen tek aktivistët.  “Instanca më e rëndësishme në Partinë Demokratike, nëse ne duhet të rikthehemi shpejt në shumicë, duhet të jetë anëtari i thjeshtë i partisë, militanti, të cilit nuk i dimë emrin. Në qoftë se ne nuk institucionalizojmë anëtarin e partisë si hallkën më të rëndësishme tonën, atëherë do të kemi probleme serioze”.

 

 

Takimi Bumçi-Verheijen

Holanda mbështet zgjerimin e BE-së dhe inkurajon Shqipërinë

Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi ka zhvilluar dje një takim me Kryetarin e Grupit Parlamentar për Integrimin në Parlamentin Hollandez, Mark Verheijen. Ministri Bumçi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e palës sonë për intensifikimin e dialogut politik përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë, duke nënvizuar rëndësinë e dimensionit parlamentar të këtyre marrëdhënieve. Duke u ndalur në integrimin evropian të vendit, Bumçi falënderoi për mbështetjen e dhënë nga Holanda në këtë proçes dhe informoi mbi progresin e bërë në këtë drejtim, duke siguruar se Qeveria ka qenë plotësisht e angazhuar për të ecur përpara në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian të vendit për të gjitha reformat e rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE. Nga ana e tij Verheijen, pasi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, ndau të njëjtin mendim me Ministrin Bumçi lidhur me rëndësinë e dimensionit parlamentar të marrëdhënieve. Ai vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri dhe progresin e arritur prej saj në procesin e integrimit. Verheijen konfirmoi se Holanda mbështet zgjerimin e BE-së dhe në këtë kuadër, inkurajon Shqipërinë në plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat.

 

 

Deputetja e PS-së

Hafizi: E gatshme të lë mandatin e deputetit për tu bërë ministre

Deputetja e PS-së në qarkun e Shkodrës, Mimoza Hafizi shpreh konsensusin e saj për nismën e ndërmarrë nga kreu socialist Rama dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta për një ndarje mes detyrës së ministrit dhe asaj të deputetit. Duke pohuar se nuk ka asgjë problematike që personat që do të bëhen ministra të heqin dorë nga mandati i deputetit, Hafizi bëri të ditur për News 24 se do pranojë pa asnjë lloj hezitimi të heqë dorë nga mandati i deputetit. “Unë nuk shoh asnjë problem për të lënë mandatin e deputetit. Mandati i deputetit është një bashkësi detyrash, funksioni i ministrit është një bashkësi detyrash të tjera, por unë personalisht nuk kam asnjë problem, për të lënë mandatin e deputetit në momentin që i shërbej asaj që ne kemi premtuar para qytetarëve. Pra edhe në qoftë se ke një funksion ministri që të obligon në rang kombëtar, nuk mund të shmangësh veten nga detyrat lokale dhe rajonale që ke marrë para qytetarëve”, deklaroi Hafizi. Ndërkohë lidhur me rezultatin e arritur nga PS në Shkodër, deputetja socialist theksoi se përveç punës në terren, ndikim pati edhe programi i opozitës. “Qeverisja e re, kryesisht në qarkun e Shkodrës do bazohet tek punësimi dhe sidomos pesha e madhe që na dha ky rezultat, kalimi në mazhorancë nga një minorancë e thellë ku kemi qenë, me rezultatin 6 me 5, por shumë të avancuar se dhe gjashtën e kemi me 7 mijë vota mbi minimumin e kalimit të kësaj barriere. Kjo na ka ngarkuar me një përgjegjshmëri të madhe”, u shpreh Hafizi.

Share it :