Elton Qyno
Prokuroria: Fitim Alla u përlesh me Musa Skurajn dhe më pas e qëlloi me automatikun që mbante në dorë
Dy bashkëpunëtorët, akuza vetëm për “Armëmbajtje pa leje”. Tre të pandehurit shfaqin pendesë
Mbyllen hetimet për tre autorët e vrasjes së komisarit Musa Skuraj. Vrasja e këtij të fundit është bërë pikërisht ditën kur Policia e Shtetit festonte 100-vjetorin e saj të themelimit. Si autor të vrasjes hetimet kanë identifikuar të pandehurin Fitim Alla, ndërkohë që Edison Lleshi dhe Vilson Milkurti, dy shokët e tij, janë akuzuar nga ana e prokurorisë vetëm për akuzën e “Armëmbajtjes pa leje”. Në konkluzionin përfundimtar, ka rezultuar se mes Fitim Allës dhe komisarit Skuraj ka pasur një konflikt fizik dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar nga afër me armën e zjarrit tip automatik, duke e lënë të plagosur rëndë. Komisari është transportuar në drejtim të Spitalit Ushtarak dhe më pas në një spital në Itali, por nuk ka mundur të shpëtojë. Vetë i pandehuri gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se ndjente pendesë të thellë. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe dy të pandehurit e tjerë Edison Lleshi dhe Vilson Milkurti, të cilët kanë pohuar se ditën e vrasjes së komisarit Skuraj, ata kishin ngarkuar një furgon me municione dhe se po i transportonin ato për t’i shitur tek disa persona të tjerë.
Ngjarja
Fakti penal që u atribuohet të pandehurve lidhet me ngjarjen e datës 13 janar 2013, datë në të cilën të pandehurit janë arrestuar në flagrancë. Pikërisht në këtë datë në bazë të një plani operacional forcat e policisë së komisariatit të policisë Mat kanë dalë në ndjekje të një veprimtarie kriminale në drejtim të transportimit, shitjes dhe blerjes së municioneve. Gjatë këtij operacioni në ndjekje të autorëve që merren me veprimtarinë e transportimit të municionit, shitjes apo blerjes së tij ka mbetur i plagosur rëndë efektivi i policisë në detyrë, shtetasi Musa Skuraj, i cili disa ditë më vonë për shkak të plagëve të marra, ka gjetur vdekjen. Efektivi i policisë Musa Skuraj është goditur me armën tip automatik, që i përket të pandehurit Fitim Alla. I pandehuri Fitim Alla është përleshur me efektivin e policisë, duke gjuajtur dhe me armë luftarake në drejtim të tij. I pandehuri Fitim Alla së bashku me të pandehurit Vilson Milkurti dhe Edison Lleshi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë masat për të gjetur, mbajtur, siguruar një sasi të konsiderueshme municioni me qëllimin për ta shitur atë. Sipas aktit të ekspertimit të datës 14 janar 2013, rezulton se sasia e municionit të sekuestruar me cilësinë e provës materiale në vendngjarje përbëjnë fishekë të rregullt teknikisht dhe të përshtatshëm për të realizuar qitje.
Përleshja me komisarin
Gjatë marrjes në pyetje i pandehuri Fitim Alla në lidhje me ngjarjen e ndodhur deklaron se është ndodhur në vendngjarje dhe se pranon të jetë ndjekur nga efektivi i policisë së vrarë i ndjeri Musa Skuraj. Në analizë të provave të dala nga hetimi rezulton se efektivi i policisë Musa Skuraj u është afruar në distancë personave të dyshuar për kryerje vepre penale të cilëve iu ka kërkuar të ndalonin. Të pandehurit Fitim Alla dhe Vilson Milkurti, pasi kanë kuptuar praninë e forcave të policisë kanë tentuar të largohen dhe në këtë moment efektivi i policisë Musa Skuraj pasi ka thërritur disa herë “Ndal policia!”, është vënë në ndjekje të tyre. Në ndjekje e sipër pasi ka arritur të kapë të pandehurin Fitim Alla, ky i fundit duke qenë i pajisur me armën tip automatik model 56 kalibër 7.62 mm, ka realizuar qitje drejt efektivit të policisë. Në vendin e ngjarjes është arritur të zbulohet një gëzhojë e cila është identifikuar sipas aktit të ekspertimit me nr 833. Sipas aktit të ekspertimit me nr. 2881 datë 15 mars 2013 rezulton se: Këmisha e predhës objekt ekspertimi është qitur nga arma automatik model 56, kalibër 7.62 mm, e cila është arma që ka pasur i pandehuri Fitim Alla. Vrasja ka ndodhur me dashje duke qenë se i dyshuari i kishte të gjitha mundësitë të parashikonte pasojën.
Pendesa e të pandehurve
I pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet shtetasi Edison LLeshi, pranon faktin e ekzistencës së një sasie municioni të mbajtur prej tij dhe të pandehurve të tjerë në bashkëpunim, me qëllimin për t’i shitur. Edhe vetë i pandehuri Vilson Milkurti pranon faktin e ndodhur dhe përfshirjen e tij në vepër penale duke treguar pendim të thellë. Në lidhje me të pandehurin Fitim Alla themi se ky shtetas është kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së veprës penale, ka pranuar faktin penal duke treguar pendim të thellë.
Mjekimi tek spitali “Padre Pio” në Foxhia
Musa Skuraj, vdekja në spitalin italian, pas 8 ditësh nga plagosja
Edhe pse u dërgua për kurim më të specializuar në Itali, shefi i krimeve të Matit Musa Skuraj nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, duke u ndarë nga jeta në 21 janar të këtij viti. Skuraj ka humbur jetën mbrëmjen e kësaj date në spitalin e Foxhias në Itali. Shefi i krimeve ka ndërruar jetën në orën 10:30 të mbrëmjes. Skura u transferua një javë pas plagosjes me armë në gjendje tepër të rëndë në spitalin “Padre Pio”, për shkak të dëmtimit të 5 organeve dhe hemorragjisë së brendshme. Komisari Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande kriminale. Në aksion e sipër, disa persona kanë shkëmbyer zjarr me efektivat blu. Për pasojë u plagos me 1 plumb në gjoks 57-vjeçari Musa Skura. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe njëri prej agresorëve, Fitim Alla. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale Burrel – Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit. Për arrestimin e personave të dyshuar është vënë në lëvizje struktura e trupave RENEA, ndërkohë që për këtë çështje janë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë, të cilët kanë qenë në furgonin e mbushur me municion.





