Elton Qyno
Pritet verifikimi i tabulateve dhe marjanë në pyetje e personave të dyshuar
Nuk kanë mbushur 24 orë nga kërcënimi i përfaqësuesit ligjor në KQZ të Partisë Demokratike Njazi Kosovrasti dhe prokuroria e Tiranës ka nisur menjëherë hetimet. Gjatë ditës së djeshme, Kosovrasti ka paraqitur një kallëzim penal në prokurori për akuzën e kanosjes për shkak të detyrës, ndërkohë që materiali kallëzues pasi është vlerësuar nga prokurori i rrethit, ka kaluar për hetime të mëtejshme, duke autorizuar një prokuror dhe një oficer të policisë gjyqësore për verifikimin e numrave telefonikë dhe marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për ngjarjen. I pari që do të japë shpjegime është vetë i kërcënuari Njazi Kosovrasti, i cili do të japë detaje të mëtejshme në shërbim të hetimit. Ndërkohë që siç mësohet, pas bërjes publike të mesazheve kërcënuese, policia e Tiranës ka marrë në mbrojtjes Njazi Kosovrastin dhe familjen e tij. Kosovrasti është kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes, pasi ka denoncuar skemën e manipulimit të zgjedhjeve nga forcat e opozitës, gjatë zhvillimit të votimit në qarkun e Lezhës.
Mesazhet kërcënuese
Gjatë një mbledhje në Komisionin qëndror të zgjedhjeve përfaqësuesi i PD Kosovrasti ka thënë publikisht se atij i kanë shkruar në sms: “Gjakun e djersën tonë e lan familja jote”. Tashmë kjo çështje është në duart e prokurorisë për hetime të mëtejshme. Gjatë ditës së djeshme jashtë godinës së KQZ janë vendosur dy makina me gjashtë efektivë policie. Menjëherë pas deklaratave në KQZ, ku po diskutohej rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit për Qarkun e Lezhës, Kosovrasti ka pohuar se në telefonin e tij kanë mbërritur dy mesazhe kërcënuese nga persona të paidentifikuar. Diskutimi i rezultateve të qarkut të Lezhës dje në KQZ u shoqërua me debate të forta pas konstatimit se për 10 Qendra Votimi, KZAZ nr. 13 ka dorëzuar fotokopjet e tabelave përfundimtare dhe jo ato origjinale. “Çdo gjë që na del përballë gjakun dhe djersën tonë vetëm familja juaj e lanë”, është mesazhi i dytë. Mesazhi i fundit “Do ta shikosh se sa të vlen lëkura, të fala fëmijëve”. Të treja sms, Kosovrasti tashmë i ka vënë në shërbim të hetuesve, ndërkohë që pritet të sekuestrohen dhe pamjet filmike të KQZ, ku Kosovrasti shfaqet duke deklaruar publikisht tekstet e mesazheve kërcënuese. “Manipulimi ka ndodh nga tre personazhe që kanë qenë në detyrë në KZAZ-në numër 13. Kryetari i kësaj KZAZ-je është përfaqësues i Partisë Socialiste, Alketa Hoxha që ka qenë edhe dorëzuese e materialeve këtu në KQZ. Për fat të keq shoqëruesi ka qenë Aleksandër Gjonmarkaj përfaqësues i PD-së, sekretar. Ka munguar në dorëzimin e materialeve në KQZ nënkryetari Gjovalin Gjeloshi, përfaqësues i PD-së. sipas një udhëzimi të KQZ-së, të tre këta, kryetari dhe sekretari të vinin dhe të dorëzonin materialet në KQZ. Për mua manipulatorët e këtyre 10 tabelave janë këta të tre, mos më shumë”,- ka thënë Niazi Kosovrasti gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së.
Verifikim tabulateve
Rreth kësaj çështje policia dhe prokuroria pritet të kërkojnë të dhëna rreth numrave telefonikë që kanë mbëritur në telefonin e Njazi Kosovrastit. Nëpërmjet këtyre numrave pritet të nxiret dhe personi që kryevi, kërcënimin me jetë të Kosovrastit. Nërkohë që në ditët në vijim, prokuroria do të marrë në pyetje dhe tre anëtarët e KZAZ nr.13 në Lezhë, emrat e të cilëve u përmendën nga Njazi Kosovrasi, I cili më pas këtij fjalimi u kërcënua me jetë.
Plagosi dy persona
Kapet duke vajtuar tek varri i të atit
Përfundon arratisja e autorit të plagosjes së dyfishtë në Elbasan. Policia lokale e këtij qyeti ka vënë në pranga shtetasin Agron Koburja, i cili në intenerare të ndryshme plagosi me thikë dy persona brenda ditës. Në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese” Koburja plagosi me thikë 17-vjecarin D.Zdrava. Sipas policisë dyshohet se dy të rinjtë janë grindur fillimisht me njëri-tjetrin për motive të dobëta dhe më pas sherri ka degjeneruar deri në përdorimin e thikës nga ana e shtetasit Agron Koburja. Menjëherë i riu është dërguar në spitalin rajonal ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori i plagosjes pasi i ka shpëtuar arrestimit, ka arritur që në mesditë të plagosë me kaçavidë Artan Debrovën, 34 vjeç. Pas kërkimeve të shumta të policisë, Agron Koburja, u gjet duke vajtuar në varrin e babait të tij të vdekur. Ai është arrestuar në varrezat e Elbasanit.
Ngjarja në Shkodër
Flakët shkrumbojnë banesën në Shkodër
Një banesë e vjetër është përfshirë nga flakët në lagjen Tërgut të qytetit të Shkodrës mbrëmjen e së mërkurës teksa fatmirësisht nuk ka shkaktuar të lënduar. Dy forca zjarrëfikëse mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe lokalizaun vatrën e zjarrit teksa flakët e tij janë shumë të mëdha dhe rrezikojnë edhe familjet aty pranë. Mësohet se në këtë banesë të vjetër jetonin gjashtë familje të cilat tashmë janë të pastrehë. Dyshohet paraprakisht se shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë elektrike. Megjithatë forcat e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.
Vendimi nga bordi
Neshat Fana, në krye të magjistraturës
Bordi i Shkollës së Magjistraturës ka zgjedhur dje me nëntë vota pro kandidaturën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Neshat Fana, për të qenë kreu i ri i kësaj shkolle. Sakaq që zgjedhja e tij do të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës të KLD-së, gjatë së cilës do të merret në shqyrtim propozimi i bordit të shkollës për Neshat . Zgjedhja dhe emërimi i zotit Fana, i cili njihet si një njeri i afër me qeverinë aktuale në ikje, bëhet pas shkarkimit të drejtoreshës aktuale, profesore doktore Marjana Seminit. Semini është një person i njohur në botën akademike dhe gjithashtu në fushën e jurisprudencës. Më 21 qershor, bordi votoi me shtatë vota pro dhe 6 kundër për t’i propozuar KLD-së emrin e Seminit për të drejtuar sërish këtë shkollë. Por dy orë pas këtij propozimi, KLD-ja është mbledhur sërish në mënyrë të shpejtë dhe e ka kthyer mbrapsht këtë propozim pa asnjë argument ligjor apo proçedurial. Në votimin e ditës së mërkurë, bordi ka deklaruar të hapur votimin, duke e përjashtuar nga gara zonjën Semini dhe duke vënë përballë njëri-tjeterit për këtë post ish-ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe anëtarin e KLD-së Neshat Fana.
Ngjarja në Shkodër, viktima telefonoi policinë “Jam i rrethuar”
Konflikti për pronën, xhaxhai vret me armë nipin, plagosen dhe tre të tjerë
Sërisht një sipërfaqe prone është bërë shkak një krimi brenda një familje, ku si pasojë e sherit mes nipit dhe xhaxhait, ky i fundit ka qëlluar me armë zjari duke vrarë të nipin dhe më pas ka plagosur te anëtarët e familjes së tij. Vrasja ka ndodhur në mbrëmje rreth orës 20:40 në fshatin Vukatanë të Shkodrës nga e cila ka mbetur i vrarë Gjin Murri. Siç mësohet nga burime pranë policisë së Shkodrës, Murri është vrarë nga xhaxhai i tij, Çesk Murri. Gjini para se të vritej ka telefonuar shërbimin operativ të policisë në Shkodër dhe lajmëroi me fjalët: “Jam i rrethuar”, “duan të më vrasin” dhe se “policia duhej të mbërrinte urgjentisht”. Kaq ka mundur të thotë. Por kjo telefonata në organet e rendit nuk ka shpëtuar jetën e Gjin Murrit, pasi policia ka mbërritur vonë në vendngjarje dhe kanë gjetur aty 1 të vdekur, Gjin Murrin dhe 3 të plagosur, anëtarë të familjes. Në këto kushte është dhënë ndihma e para duke I transportuar të plagosur në spitalin e Shkodrës, për mjekim ndërkohë që trupi i pajetë, është çuar në morgun e qytetit për tju nënshtruar ekspertizës. Një grup hetimor është ngritur për këtë çështje me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit. Policia që mbrëmjen e djeshme ka shpallur në kërkim shtetasin Çesk Murri, ndërkohë që gjatë mbrëmjes së djeshme janë kryer kontrolle në disa banesa. Në vendgjarje janë sekuestruar dhjetëra gëzhoja, ndërkorë pritët që ditën e sotme policia të marrë në pyetje të plagosurit për të mësuar të vërtetën e krimit të rëndë, mes familjeve të të afërmve.





