Liga e Evropës, Teuta dhe Kukësi luajnë për shumë

Altin Vorpsi

Pasi ka fituar në fushën e saj me rezultatin 3-1, Teuta do të kërkojë të mbrojë sot epërsinë e dy golave në fushën e Dacia Kishinievit në Moldavi, në ndeshjen e kthimit të Europa League.

 

Teuta-2 (1)

Pas eliminimit të Laçit nga turi i parë eliminator i Ligës së Evropës, do të jenë dy skuadra të tjera shqiptare që do të mundohen që të bëjnë më mirë. Mundësitë i kanë pasi në 90 minutat e para kanë marrë rezultate pozitive. Teuta mundi Dacian në Durrës, 3-1, ndërkohë që Kukësi erdhi nga Talini pas barazimit me gola përballë Florës.

 

Dy gola

Pasi ka fituar në fushën e saj me rezultatin 3-1, Teuta do të kërkojë të mbrojë sot epërsinë e dy golave në fushën e Dacia Kishinievit në Moldavi, në ndeshjen e kthimit të Europa League. “Djemtë e detit” kanë kryer dje në tokën moldave seancën e fundit përgatitore për këtë sfidë, ku u duhet të jenë të kujdesshëm përgjatë 90 minutave, në mënyrë që të mos dështojnë për t’u kualifikuar. Në deklaratën e tij, trajneri Gugash Magani ka thënë: “Për ne kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi kemi si synim kualifikimin në turin tjetër të këtij kompeticioni. Kemi një mundësi të artë, sepse në krahun tonë kemi një rezultat favorizues, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të jemi mjaft të kujdesshëm përgjatë gjithë ndeshjes. Në këtë sfidë nuk lejohen gabime, pasi mjafton një moment shpërqendrimi dhe gjithçka që kemi bërë deri tani hidhet në erë”. Pra, tekniku i durrsakëve ka paralajmëruar skuadrën të jetë e kujdesshme, sidomos në fazën mbrojtëse, për të mos pësuar. Teuta nuk ka mungesa për sfidën e sotme, teksa trajneri peqinase pritet të rreshtojë një formacion me theks mbrojtës, ndoshta për të besuar te ruajtja e rezultatit dhe të shënojë me anë të ndonjë kundërsulmi. Takimi i sotëm do të luhet në orën 19:15.

 

Historia në Evropë

Kukësi do të luajë sot në orën 19:30 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ndeshjen e kthimit të turit paraeliminator të Europa League me Flora Talin. Kuksianët vijnë pas barazimit 1-1 të arritur në Estoni, ndaj shanset i kanë të mëdha. Presidenti Safet Gjici pret një kualifikim historik të skuadrës së tij, teksa ka siguruar se do të ketë premio të veçantë në rast se formacioni që drejtohet nga Armando Cungu arrin një tjetër rekord, kalimin e turit të dytë eliminator të Europa League. Edhe pse nuk i kursen vlerësimet për kundërshtarin, Gjici beson se stafi teknik i Kukësit ka përgatitur strategjinë e duhur për ta kaluar turin. “Ata janë një ekip i mirë, por kam besim se stafi teknik dhe skuadra e ka përgatitur mirë këtë takim dhe shpresojmë të kualifikohemi. Do të ketë premio speciale nëse do të arrijmë suksesin, ndërsa kam besim se tifozeria do të na mbështesë fuqishëm, edhe pse nuk do të luajmë në Kukës”, – ka thënë Gjici.

Entuziazmi i zjarrtë i tifozëve, jo vetëm kuksianë, në shkallët e “Qemal Stafës” është një armë plus për skuadrën kuksiane në këtë përballje të dytë me Flora Talin. Edhe pse ndeshja nuk do të luhet në Kukës (UEFA nuk ka dhënë miratimin), tifozët e skuadrës verilindorë dhe jo vetëm ata, do të jenë të shumtë në stadiumin në Tiranë për të ndjekur këtë takim të shumëpritur, ku kuksianët do të kërkojnë të shkruajnë historinë në Evropë.

 

 

Mikhtarjan

Talenti armen shkëlqen në miqësoren e parë

Debutim fantastik për Henrikh Mikhtarjanin te Borusia. Mesfushori armen shënoi golin e dytë në miqësoren me Bazelin dhe dha asistin e golit të parë të Rojsit, i cili që kaloi në epërsi verdhezinjtë që në minutën e 11-të. Por Sher barazoi rezultatin për zviceranët 6 minuta më vonë. Ndërsa numri “10” i Borusias shënoi (27’) dhe në pjesën e dytë la fushën. Aubamejang spikati me shpejtësinë e tij, ndërsa fitoren 3-1 e vulosi Hofman në shtesë.

 

Rrëfimi

Rumenige: Pse preferuam Gëtcen para Nejmarit

Karl-Hajnc Rumenige thotë se Bajerni i Mynihut ka qenë i prirur kundër nënshkrimit me Nejmarin për shkak se kishin frikë që braziliani do të haste vështirësi për t’u përshtatur në Gjermani. Dhe për këtë arsye, bavarezët zgjodhën Mario Gëtce. Trajneri Pep Guardiola kishte rezervuar dy lojtarë, si përforcime të mundshme, Nejmar dhe Gëtce, por përfundimisht u vendos në mënyrë të parakohshme për ish-yllin e Borusias së Dortmundit, i cili u transferua në “Allianz Arena” për shifrën e 37.000.000 €. “Ne patëm një ide të qartë se me çfarë lloj lojtari duhej të nënshkruanim, gjë për të cilën kemi diskutuar edhe me Pep, – thotë Rumenige për “Sport Bild”. – Kanë qenë me të vërtetë vetëm dy lojtarë nën vëzhgimin tonë, si objektiva realistë për t’u transferuar te Bajerni. Njëri ishte Nejmar dhe tjetri Gëtce. Vendimi eventual është marrë gjatë një takimi në Zyrih, kur kushtet atmosferike ishin për faqe të zezë. I thashë Pep se nuk do të ishte mirë të afronim një lojtar nga jashtë Gjermanisë. Këtu kisha parasysh një fakt, që ia thashë Guardiolës edhe në formën e një pyetjeje: a imagjinohet dot një brazilian duke e lënë vendin e tij të lindjes, ku temperatura është 30 gradë celsius, për të arritur në Gjermani, kur shënohen temperatura minus. Përveç kësaj, Nejmar nuk fliste gjuhën dhe nuk njihte kulturën gjermane. Në Gjermani nuk ka asgjë të përbashkët me një atmosferë të ngrohtë si në Amerikën e Jugut. Pra, të gjitha faktorët do ta bënin goxha të vështirë përshtatjen e një lojtari të tillë të ri në Bundesligë”. Nejmar u largua nga Santosi për të shkuar te Barcelona këtë verë, teksa katalanasit superuan rivalitetin e Real Madridit për nënshkrimin e 21-vjeçarit.

 

PSG

Dorëhiqet Leonardoja

Lamtumirë Leonardo! Braziliani paraqiti dorëheqjen nga posti si drejtor sportiv i Paris Saint-Germain, por këtë detyrë do të vazhdojë ta mbajë deri në mbylljen e kësaj merkatoje verore, para se të dalë përfundimishht nga skena. Një vendim aspak i papritur që ishte paralajmëruar para pak ditësh nga mediat franceze dhe ato italiane. Në fakt Leonardo po e mendonte prej ditësh opsionin për të dhënë dorëheqjen lidhur edhe me skualifikimin nga ana e federatës franceze që në apel e rriti deri në 30 qershor të 2014 pezullimin e tij pasi kishte shtyrë arbitrin Aleksandre Kastro në përfundim të ndeshjes me Valencienes. Leonardo iu kishte rrëfyer miqve të tij më të ngushtë se do të jepte dorëheqjen vetëm pasi të arrinte të bëntë Kavanin që të firmoste me PSG. Lajmi i dorëheqjes u dha në mesditë së pari nga televizioni i katarit “Bein sport”, dhe më pas u pasqyrua menjëherë edhe në të përditshmen franceze “L’Equipe”. Pak minuta më vonë konfirmimi erdhi drejtpërdrejt nga faqja zyrtare e PSG në një komunikatë ku shkruhej se klubit i vjen shumë keq për vendimin e Leonardos por respekton zgjedhjen e tij. Sikurse u përmend Leonardo do të jepte dorëheqjen vetëm pas firmës së Kavanit, dhe në fakt histori po verifikohet ekzaktësisht. Agjenti i el matador ndodhet në kryeqytetin francez ku mbeten për t’u diskutuar vetëm detajet e fundit për nënshkrimin e kontratës që çon Edinson Kavanin nën urdhëratë e Loro Blank.

 

Premtimi

Mojes: Do të rikthej Runin e vjetër

“Jam takuar 3-4 herë deri tani me Uejn Runin dhe ai nuk më ka kërkuar të largohet dhe as klubi nuk ka ndërmend ta shesë. Ai është i lumtur që është tek Mançester Junajtid dhe e shoh çdo ditë të qeshur në stërvitje. Ka ardhur disa herë në shtëpinë time dhe unë kam shkuar tek e tija për të folur”. Dejvid Mojes ritheksoi edhe një herë tjetër përpara nisjes së skuadrës në tur, se sulmuesi i “djajve” nuk do të largohet nga “Old Trafford”. Tekniku skocez u zotua se ai do e rikthej sërish në formë, madje do t’i marrë 27-vjeçarit më të mirën e tij ashtu si në kohët e vjetra tek Junajtid dhe Evertoni.

Share it :