Ethet hemorragjike Shënohet rasti i parë në Kukës, pa pasoja për jetën

ISHP: Sëmundje e rrezikshme, përparon deri ne hemorragji të organeve

instituti-i-shendetit-publik-300x225Shfaqen në veri të vendit simptomat e para të sëmundjes së etheve hemorragjike, konkretisht në Kukës, Has, Tropojë, Kolonjë dhe disa fshatra të Beratit. Rasti i parë është diagnostikuar në Kukës nga specialistët e Institutit të Shëndetit, të cilët e vlerësojnë këtë sëmundje mjaft të rrezikshme për jetën, duke çuar deri në vdekje. “Ethja hemorragjike është një sëmundje tepër e rrezikshme, e cila transmetohet nëpërmjet rriqrave, por gjithashtu mund të transmetohet nga njeriu tek njeriu, kur kujdesesh për të sëmurin, qoftë në mjediset e shtëpisë, qoftë në mjediset e kujdesit shëndetësor. Është një sëmundje, e cila ka vdekshmëri të lartë. Kjo lloj etheje hemorragjike është e përqendruar në disa zona të vendit, sepse lidhet edhe me mjedisin natyror”, – pohon Silva Bino, shefe e departamentit të Sëmundjeve Infektive. Personat e prekur nga ethja hemorragjike kanë shenja të lehta në fillim, që, sipas specialistëve, duhet të mos neglizhohen në këto zona pasi sëmundja përparon deri në hemorragji të organeve. Nga kjo sëmundje mund të preken të gjithë, pa dallim moshe ose gjinie, ku më të rrezikuarit janë fshatarët, punëtorët e pyjeve, barinjtë dhe kampistët. “Sëmundja nis me dhimbje, me dhimbje të shpinës, dhimbje muskulare të forta, dhimbje mesi, temperaturë të lartë. Shenjat fillestare është shumë vështirë t’i dallosh. Në ato zona, që konsiderohen si endemike, këto lloj temperaturash duhet të merren në konsideratë. Më pas nisin të shfaqen perde në sy, zverdhje të lëkurës, fenomene hemorragjike”, – thekson Silva Bino.

Sëmundja

Ethja Hemorragjike Krime Kongo është sëmundje ngjitëse akute virale, që bën pjesë në grupin e sëmundjeve që karakterizohet me gjakderdhje nëpër pjesë të ndryshme të organizmit. Sëmundja shfaqet në vatra natyrore pas pickimit të rriqrave (këpushave) gjatë sezonit pranverë – vjeshtë. Më të shpeshta janë rastet kur sëmundja kalohet pa simptoma, por ka raste kur manifestohet me simptoma të rënda klinike. Për herë të parë kjo sëmundje është regjistruar në Kosovë në vitin 1954, ndërsa që nga viti 1995 e deri me tani kemi rritje të numrit të rasteve me Ethe Krime Kongo. Quhen Krime Kongo sepse për herë të parë virusi u izolua nga të sëmurët në Krime dhe në Kongo. Tani virusi është i përhapur pothuaj në tërë botën. Ndonëse në vendin tonë është konstatuar rasti i parë dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën pasi është kapur në kohë, në fqinjin tonë Kosovë janë evidentuar 17 raste dhe kane humbur jetën 5 të tjerë për shkak të ethes hemorragjike.

Simptomat

Fillimi i sëmundjes është i papritur, dhe karakterizohet me temperaturë të lartë (39-40°C) dhimbje muskujsh, marramendje, dhimbje dhe shtangim qafe, dhimbje të shpinës, dhimbje koke, dhimbje nyjesh, konjunktivit (lotim) dhe fotofobi (nuk shikon dritën) disa raste edhe me vjellje dhe dhembje fyti dhe barku. Pas disa ditësh i sëmuri kalon në gjendje të rendë shpirtërore dhe bëhet agresiv. Pas 4-5 ditësh kjo gjendje ndryshon dhe i sëmuri kalon në depresion dhe i përgjumur, dhimbja lokalizohet në pjesën e sipërme të djathtë të barkut, d.m.th. rritet mëlçia. Gjakderdhja fillon nga dita 3-5. Paraqiten njolla të gjakut nëpër tërë trupin. Gjakderdhja paraqitet në urinë, nga hunda dhe nga gingivat (mishi i dhëmbëve). Si pasojë e kësaj ulet shtypja e gjakut dhe dëmtohen veshkat, mushkëritë dhe mëlçia. Për pacientët që i mbijetojnë këtij stadi (meqë vdekshmëria është e lartë) shërimi zgjat deri në 4 javë e më shumë (vdekshmëria 30-50%).

 

Ethja hemorragjike paraqitet në tri forma:

1. Me manifestime hemorragjike (me gjakderdhje)

2. Pa manifestime hemorragjike (pa gjakderdhje)

3. Pa simptoma fare

Sëmundja zhvillohet nëpër tri stade:

1. Para paraqitjes së gjakderdhjes

2. Faza me gjakderdhje

3. Faza e përmirësimit

 

Share it :