Donte të bënte skaner, roja i spitalit rreh pacientin

Gestjana Musha

Dëshmia e rojës në polici: Mungesë dokumentacionesh

 

Spitali-Nene-Tereza-ne-Tirane

Spitali Onkologjik i QSUT-së në Tiranë është përfshirë dje në një skandal sherri, midis rojës së spitalit dhe një familjeje nga Fieri. Ngjarja ka nisur në ambientin e brendshëm të Spitalit të Onkologjikut dhe shkaku ka qenë ndërhyrja e rojës në radhët e gjata të pacientëve për skaner. Roja në këtë rast ka kërkuar nxjerrjen jashtë ambienteve të spitalit familjen nga Fieri, për mungesë dokumentacioni nga mjeku i rrethit për të kryer skanerin në këtë spital. Kjo ka mjaftuar për të nxehur situatën, duke e çuar konfliktin në grushte. Sëmundje nga më të rëndat drejtojnë qytetarët shqiptarë drejt Spitalit Onkologjik për të marrë ekzaminimin e duhur. Çdo ditë në hyrjen e spitalit përballë derës së skanerit sheh një numër të madh njerëzish që presin në radhë për të kryer analizat e duhura lidhur me shëndetin e tyre.

Konflikti

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:35 minuta, jashtë ambientit të spitalit. Ndërhyrja e rojës ka nxitur familjarët e pacientes që priste të kryente skaner, të degjenerojnë në sharje dhe dhunë fizike. Gjendja u përkeqësua më tej kur në skenë u shfaqën edhe familjarë të rojës, të cilët e komplikuan edhe më shumë situatën. Familjarët e pacientes në radhë i kanë kërkuar mjekut që të respektojë radhën e pritjes, kur përgjigjja vjen nga roja duke tentuar nxjerrjen e tyre nga ambienti i spitalit. Ngjarja e rëndë ka sjellë nevojën e ndërhyrjes së forcave të rendit. Efektivë të policisë kanë marrë në rajon familjen nga Fieri dhe rojën e spitalit për të dhënë deklaratat e tyre lidhur me këtë ngjarje të shëmtuar. Sipas dëshmisë së rojës, familja nga Fieri nuk ka pasur dokumentacionin e duhur për të kryer skanerin në Spitalin Onkologjik të QSUT.

Thirrje

Më i dëmtuar nga kjo përleshje ka mbetur babai i pacientes që do të kryente skanerin. Drejtoria e QSUT-së u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojë me rreptësinë e ligjit, lidhur me ngjarjen e ndodhur. Drejtoria e Spitalit ka nënvizuar se mjekët u shërbejnë të gjithë pacientëve që drejtohen në këtë spital. Spitali i Onkologjikut vizitohet nga mijëra qytetarë kryeqytetas dhe jo vetëm të kryeqytetit, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të specializuara. Një situatë e tillë ka ngjallë pasiguri dhe panik tek qytetarët shqiptarë. Mjekësia përbën një ndër organet më të rëndësishme të çdo shteti, duke i shërbyer nevojave qytetare, me specialitetet e ofruara teknologjike. Ndaj, shëndetësia, sipas mjekëve, është gjithmonë në ndihmë të pacientëve që kanë nevojë për të, duke u shërbyer atyre.

 

Dëmton me acid makinën e mjekes, dyshime mbi familjarin e një pacienti

Një tjetër incident shënohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përpara Infektivit. Është dëmtuar dje me acid makina e mjekes së Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, para godinës së Infektivit ku mjekja me inicialet V. T. punonte. Burime të policisë kanë bërë me dije nga kallëzimi i mjekes se është dëmtuar me acid mjeti “Seat” me targë TR 6453 T. Sipas policisë, mjekja ka deklaruar dhe dyshimet konkrete ndaj një personi që mendohet të jetë familjar i një pacienti. Përplasja që mjekja ka hasur me pacientin ka çuar familjarët drejt kësaj vepre të pakëndshme. Vepra të tilla hakmarrëse po rrisin vigjilencën e efektivëve të policisë për të zbardhur çdo gjë duke vendosur qetësi dhe rregull në vend.

 

Operacionet shtyhen në shtator, Zeçishti: Urgjenca ka mungesë gjaku

Vetëm ata pacientë që kanë urgjentisht nevojë për ndërhyrje, kryesisht të aksidentuarit, të sëmurët me tumore do të operohen gjatë muajve korrik dhe gusht, të tjerët në vjeshtë. Operacionet planifikohen deri në shtator për shkak të temperaturave të larta, vështirësisë së furnizimit me gjak të spitaleve dhe pushimet verore të mjekëve. Dr Ylli Zeçishti, shefi i urgjencës së Kirurgjisë në QSUT pohon se janë marrë të gjitha masat në shërbimin që ai drejton për mos pasur neglizhenca apo incidentet ndërsa detajon llojet e ndërhyrjeve. Kirurgjia, ashtu siç po ndodh edhe në shërbimet e tjera, vuan nga mungesa e furnizimit me gjak. Dr. Zeçishti thotë se nuk është momenti për të dhënë alarmin, por kjo gjendje nuk mund të pranohet në urgjencën e kirurgjisë në QSUT. Bluzat e bardha do të pushojnë në verë sipas një kalendari të përcaktuar ndërsa autoritetet thonë se është punuar që të mos ketë mungesa të tyre në asnjë shërbim të QSUT dhe më gjerë.

 

Mungesë serumesh kundër pickimeve në Infektiv, mjekët: Pacientët i blejnë vetë ilaçet

Spitali Infektiv në Tiranë po vuan me mungesën e serumeve kundër pickimeve nga gjarpri si dhe medikamenteve kundër tetanozit. Mjekët thonë se kjo mungesë është prej muajsh ndërkohë që pacientët në raste të tilla janë të detyruar t’i blejnë vetë ato. Serumet të cilat janë tepër specifike, kushtojnë nga 1800 lekë të reja deri në 6000 mijë, ndaj mjekët ngrejnë shqetësimin për nevojën e këtyre medikamenteve në këto ditë korriku. Pasi tani janë dhe rastet më të shpeshta të helmimeve nga gjarpri, pickimeve apo dhe plagëve të marra të cilat kërkojnë mjekim të specializuar. “Ka mungesa herë pas here të disa medikamenteve, kryesisht serumit antitetanik që mungon në urgjencë që të sëmurët e blejnë. Duhet të jetë i siguruar. Antivipër, antitetaniku duhen të jenë pranë çdo urgjence, sidomos urgjencës pranë Spitalit Infektiv. Serumi antitetanik parandalon tetanozin pas plagëve shpuese apo dëmtuese, ndërsa serumi antiviper është serumi i helmimin nga gjarpri. Pritet që rastet mund të jenë prezente çdo ditë në prezencë”, – pohon mjekia infeksioniste Klodiana Shkurti. Por nuk është vetëm spitali infektiv në QSUT që po përballet me mungesë medikamentesh në këtë sezon veror, ka dhe mjaft shërbime të tjera të cilat kanë nevojë për barna. Pak kohë më parë ministri Halim Kosova premtoi se ilaçet do të bliheshin me prokurim të drejtpërdrejtë në bazë të nevojave, por faktet tregojnë se ende spitalet kanë nevoja dhe nga ato më emergjentet të cilat duhet të disponohen edhe kur nuk zhvillohen tenderat në kohë, pasi vonesat kushtojnë jetë njerëzish.

Share it :