Florenc Drizari
KQZ miratoi me 4 vota pro tabelat përmbledhëse të rezultateve për Tiranën dhe Gjirokastrën
Rreth dy javë pas 23 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i japë fund procesit të publikimit të rezultateve zyrtare në 12 qarqet e vendit. Gjatë mesditës të së martës KQZ do të shqyrtojë projektvendimin për miratimin e tabelës së rezultateve në Qarkun e Lezhës, zonën e fundit zgjedhore të mbetur pas miratimit të 11 qarqeve të tjera. Ndërkaq, një ditë më parë KQZ miratoi tabelat e rezultateve për Tiranën dhe Gjirokastrën. Në këto dy zona koalicioni i majtë rezulton fitues, ashtu si në 11 qarqet e tjera, përjashto Kukësin, ku e djathta mori tri mandate dhe e majta një.
SHIFRAT PËR TIRANËN
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun e Tiranës, Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka marrë 251921 vota dhe koalicioni i djathtë, Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, ka marrë 184188 vota. Përkthyer në mandate, ASHE ka marrë 19 mandate në Kuvendin e Shqipërisë dhe APMI 13, nga 32 mandate që përfaqëson Qarkun e Tiranës në 140 vendet për Kuvend. Ndërkaq, dy forcat e tjera politike që garuan të vetme, Aleanca Kuq e Zi dhe Fryma e Re Demokratike, nuk arritën dot të kalonin pragun e fitores së një mandati në kryeqytet. Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, AK mori në Tiranë 4801 vota dhe FRD mori 10062 vota. Duke i renditur sipas partive në zgjedhjeve, Partia Socialiste ka marrë numrin më të madh të votave 198837 vota, ndërsa parti e dytë renditet PD 151472 vota. Parti e tretë në Tiranë rikonfirmohet LSI dhe më pas vijnë partitë e dyta dhe të treta të dy koalicioneve, të PD-së dhe PS-së.
MBLEDHJA E KQZ-SË
Mbledhja e djeshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kaloi pa debate dhe akuza mes palëve, ashtu siç kanë kaluar pothuajse të gjitha tabelat e rezultateve në KQZ. Nga ana e tij, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Niazi Kosovrasti kërkoi shpjegime nga administrata zgjedhore për disa zona të numërimit të votave në Tiranë, ku numëruesit nuk kishin pasqyruar rezultatet në sistemin elektronik, ndërkohë që në tabelat e miratuara nga komisionerët shifrat ishin të përfshira. Pyetjet e tij për përfshirjen e të gjitha shifrave në tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun e Tiranës, bënë që kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), ta shtynte më 30 minuta mbledhjen për verifikimin e shifrave të kërkuara nga përfaqësuesi i PD-së, ku pas verifikimit rezultoi se të dhënat ishin të përfshira në tabelën e rezultateve.
ANKESAT NË KQZ
Referuar Kodit Zgjedhor, pas miratimit të çdo të dhëne në KQZ (tabelës përmbledhëse të rezultateve), çdo subjekti politik të regjistruar në komision i lind e drejta ta ankimojë rezultatin duke u bazuar në të dhënat që disponon për parregullsi të procesit zgjedhor. Një ditë më parë ishte Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane që kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në disa qarqe të vendit. Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane pretendon se në Qarkun e Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Beratit dhe Fierit janë bërë padrejtësi ndaj këtij subjekti dhe për këtë kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve në këto zona. Kërkesa e ABDE do të rishikohet nga komisioni zgjedhor.
Të dhëna nga votimi në Tiranë
Lista e zgjedhësve 785086
Pjesëmarrja në votim 457668
Fletë votimit të papërdorura 321364
Fletë votimit të dëmtuara 2534
Fletë votimi të gjetura në kuti 457653
Vota të pavlefshme 6246
Vota të vlefshme 451407
LSI i rikthehet Kukësit duke ankimuar rezultatin, Muho: Kërkojmë rinumërim në 15 QV
Në limitet kohore, LSI vendos të ankimojë rezultatin në Qarkun e Kukësit. Lëvizja Socialiste për Integrim ankimon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatin duke pretenduar se gjatë procesit zgjedhor janë konstatuar parregullsi. Lajmi u konfirmua nga Ilirjan Muho, i cili më parë ka qenë anëtar i propozuar nga LSI në KQZ, dhe tashmë është përfaqësues ligjor i saj. Muho argumenton se LSI-ja kërkon rinumërimin e votave në disa qendra votimi në qarkun e Kukësit. Mandatet sipas KQZ-së në Kukës janë ndare 3 për koalicionin e djathtë dhe 1 për koalicionin e majtë. Gjatë një komente të bërë disa ditë më parë, Mohu ka pohuar se mandati i LSI-së në këtë qark ka humbur për 15 vota.
“Kemi depozituar kërkesën ankimore të bërë nga LSI për zonën zgjedhore të qarkut të Kukësit. Përmbajtja e kësaj kërkesë ka të bëjë me kundërshtimin tonë të rezultatit në ZAZ nr 9 të rrethit të Tropojës. Kemi kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave për 15 qendra votimi, të cilat sipas materialit filmik të vënë në dispozicion nga KAZ, na rezulton që numri i votave për Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim është më i madh se ai që pasqyrohet në regjistrimin filmik”, – deklaroi Muho.
LSI pretendon se ka fituar një mandat në Qarkun e Kukësit. Në vendimin e KQZ-së, nga 4 mandatet e qarkut Kukës 3 shkuan për koalicionin e djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” dhe 1 mandat për koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Ndërkaq, dje përfundoi edhe afati ligjor që i jep të drejtën subjekteve zgjedhore që të ankimojnë rezultatet e votimit të 23 qershorit.





