Liga e Evropës, Laçi është përballë misionit të (pa)mundur

Altin Vorpsi

laciSot Laçi do të luajë takimin e kthimit të vlefshëm për turin e parë eliminator të Ligës së

Evropës në orën 20:30

 

 

Disfata në Korçë ka tronditur jo pak ekipin e Laçit, që vetëm pak ditë pas asaj disfate do t’i duhet të mbledhë forcat dhe të reagojë. Kësaj here luhet në Luksemburg dhe rivali është i njëjtë, Diferdanzhi. Janë po ata amatorët që të enjten e kaluar tronditën djemtë e Nicës, që dha dorëheqjen, duke fituar 1-0. Kësaj here, Laçi ka 90 ose 120 minuta në dispozicion për të kthyer një rezultat që duket irreal.

 

Mungesat

Ashtu si në ndeshjen e parë, te kurbinasit pritet të mungojë mbrojtësi i majtë Emiljano Çela, i cili vetëm një ditë para ndeshjes së parë me Diferdanzhin u shtrua në spital, pasi ka pësuar një ftohje të brendshme, duke mos mundur ta ndihmojë ekipin në ndeshjet e Ligës së Evropës, objektiv për të cilin kontribuoi aq shumë, duke arritur t’i dërgojë kurbinasit fillimisht në finale të kupës me golin e shënuar ndaj Kukësit e më pas të shënojë edhe golin që u dha kurbinasve kupën, të parin trofe të rëndësishëm në historinë e kurbinasve. Gjithashtu, do të mungojë edhe mesfushori Bilibashi, i cili është lënë i lirë nga klubi pas kërkesës për t’u provuar në një klub jashtë vendit.

 

Arbitri

UEFA ka publikuar emrat e gjyqtarëve të ndeshjes së kthimit mes Diferdanzhit dhe Laçit, që do të luhet sot në Beneluks. Sfidën do ta gjykojë një polak, i cili ka që në vitin 2001 që mban stemën e FIFA-s. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin, Robert Malek, i cili në profesionin e tij është polic. Ai e ushtron këtë punë në qytetin e tij të lindjes, Slask. Malek vlerësohet si arbitër i Kategorisë së Parë të UEFA-s, teksa çdo edicion angazhohet në ndeshjet e Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës. Gjithashtu, ai ka gjykuar edhe takime paraeliminatore, të vlefshme për Kupën e Botës dhe të Evropës gjatë viteve të fundit.

 

Bastet

Kompanitë e basteve kanë nxjerrë edhe kuotat e para për këtë sfidë. Duke qenë se takimi i parë foli për miqtë nga Luksemburgu, atëherë ata edhe sot që luajnë në shtëpinë e vet janë favorit. Triumfi i Diferdanzhit kuotohet me koeficientin 1.70, ndërkohë që fitorja e Laçit ka koefiçentin 4.20, ndërsa barazimi është kuotuar me koeficientin 3.60.

 

 

Udhëtimi

Kurbinasit kanë lënë dje në mëngjes tokën shqiptare për t’u nisur drejt Luksemburgut, që në orën 06:15, teksa nga aeroporti “Nënë Tereza” kanë fluturuar fillimisht drejt Romës, e më pas në Bruksel, ku edhe ka përfunduar udhëtimi i tyre me avion, që është pasuar edhe me 2 orë të tjera udhëtimi me autobus drejt Diferdanzhit, ku janë akomoduar në hotel “Gulliver”.

 

 

Merkato

Skënderbeu gjen pasardhësin e Plakut

Muzafer Ejupi është goditja e radhës në merkaton e Skënderbeut. Sulmuesi 24-vjeçar shqiptar, me shtetësi maqedonase, firmosi kontratë dyvjeçare me presidentin Ardian Takaj, i cili në këtë mënyrë mbushi hapësirën e lënë bosh nga Sebino Plaku në vijën e parë. Ejupi u vu menjëherë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa që zhvilloi seancën e parë stërvitore në kompleksin “Tropikal” pas kthimit nga Austria, ku kampionët e Shqipërisë zhvilluan fazën përgatitore. Tekniku i Tiranës në takimin e parë me sulmuesin nga Maqedonia i komunikoi se do të jetë në listën e futbollistëve të federuar për ndeshjet e Champions-it, por nuk i siguroi vendin e titullarit, pasi më parë duhet ta bindë në fushën e blertë. Muzafer Ejupi ka lindur në Shkup, ndërsa karrierën si futbollist profesionit e nisi në vitin 2006 te skuadra e Vardarit, ku qëndroi deri në 2010, pasi më pas u transferua për një sezon te Metalurgu i Shkupit. Sezonin e kaluar u aktivizua në radhët e Shkëndijës së Tetovës, duke qenë një nga pikat më të forta të kësaj skuadre. 24-vjeçari e mbylli sezonin në kuotën e 19 golave në kampionatin e Maqedonisë, vetëm 3 më pas se futbollisti që fitoi këpucën e artë. Pritshmëritë për këtë sulmues janë shumë të mëdha, madje ai e siguroi kontratën me Skënderbeun pa qëndruar asnjë ditë në provë.

 

Prezantimi

Bekim Bala po

Sulmuesi 22-vjeçar shqiptar, Bekim Balaj, për sezonin e ardhshëm do të luajë me Jagiellonia Białystok të Polonisë. Marrëveshja me lojtarin e Sparta Pragës ka një opsion të caktuar transferimi. Sikurse njofton faqja zyrtare e klubit në fjalë, ku ka kaluar shkodrani i talentuar, Bala ka të nënshkruar një kontratë tre vjeçare me Spartën e Pragës. Për ngjyrat e 11-herë kampionëve të Republikës Çeke, që posedon edhe kartonin e sulmuesit, në sezonin 2012-2013 ai ka luajtur 15 ndeshje (3 gola) në garën e “Gambrinus Çeke League” dhe bëri shtatë paraqitje në Europa Leagu”, duke shënuar një gol (në fitoren 3-1 kundër Athletic Bilbao). Më 14 nëntor 2012 ai bëri debutimin e tij me ekipin kombëtar të Shqipërisë, në ndeshjen kundër Kamerunit (0-0). Në shkurt të këtij viti, fanellën kuqezi e veshi për herë të dytë, (në ndeshjen Shqipëri-Gjeorgji 1:2).

 

Kërkesa

Arsyet familjare shtynë Bashën larg Torinos

Vetëm pak ditë më parë Torino i pagoi Atalantës rreth 350 mijë euro për të bërë komplet të vetin Migjen Bashën. Por ky i fundit duket se nuk është i lumtur nga zgjidhja e klubit “granata”. Burime pranë 26-vjeçarit kanë informuar “TuttoMercatoWeb” se drejtuesve të Torinos u ka mbërritur një kërkesë. Nëpërmjet kësaj të fundit Basha u ka kërkuar atyre që ta shesin. Nga sa është marrë vesh deri më tani, është kuptuar se një nga arsyet që Basha pretendon të shitet, janë private (familjare).

 

Përllogaritja

Kuqezinjtë do të ngjiten në gusht në vendin e 35-të në FIFA

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të njohë një ngjitje të re në renditjen botërore të FIFA-s për muajin gusht. Sipas përllogaritjeve, skuadra e trajnerit Giani de Biazi do të ngjitet në vendin e 35-të, duke kapërcyer dy vende në klasifikimin e përgjithshëm. Kjo do të thotë një tjetër rekord për kombëtaren kuqezi dhe ngritja vjen nga barazimi i fundit 1-1 me Norvegjinë në Tiranë. Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e 37-të, por nëse do të ishte fituar në ndeshjen e fundit, skuadra do të ishte ndoshta në vendin e 30-të. Përfaqësuesja kuqezi ka një tjetër mundësi të tentojë tjetër ngjitje në muajt në vijim. E rëndësishme për këtë do të jetë miqësorja e gushtit kundër Armenisë. Në rast të një rezultati pozitiv mund të kemi ngjitje tjetër për renditjen e FIFA-s në muajin shtator. Megjithatë, rëndësi kryesore kanë ndeshjet eliminatore për Kampionatin Botëror, për të cilat Shqipëria do të luajë më 6 shtator në fushën e Sllovenisë dhe më pas më 10 shtator, në transfertën e vështirë kundër rivalëve të drejtpërdrejt të Islandës.

 

 

 

Share it :