Ina Jano
Zbatimi i këtij vendimi do të fillojë gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit korrik
Me vendimin më të fundit të qeverisë shqiptare, të gjithë shqiptarët kudo në botë mund të përfitojnë shtetësinë shqiptare, por duke përjashtuar këtu shqiptarët e Kosovës. Ditën e djeshme, Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër të hapur njërit prej komentuesve të tij të shumtë në rrjetin social Facebook, duke mbrojtur vendimin e së mërkurës së kaluar, por nga ana tjetër jep edhe disa detaje të reja në lidhje me kohën se kur do të shtrijë efektet e tij ky vendim. Zoti Berisha sqaron se vendimi, pavarësisht të gjitha fjalëve dhe komenteve që ka hasur këto ditë, është kushtetues dhe tërësisht i ligjshëm. Kryeministri nënvizon se të gjithë albanofobët nuk kanë të ardhme dhe në këtë drejtim heq paralele me situatën e njëjtë që ndodhi kur u ndërtua rruga e kombit, autostrada Durrës – Kukës, dhe reagimin që ata patën për një ngjarje të tillë. “Vendimi i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare dhe të gjitha vendimet e kësaj qeverie janë plotësisht kushtetuese përveçse për ata të cilët revanshi i bën qesharak, madje i çon larg e më larg gjeri në Bangladesh dhe besojnë se nuk janë zgjedhur për një mandat 4-vjeçar, siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë, por 4 vjet dhe tre muaj?! Kjo është punë e tyre. Vendimi për dhënien dhe fitimin e shtetësisë është vlerësuar lart nga shqiptarët kudo në botë, por edhe siç dihet ai është pritur me tërbim të vërtetë nga albanofobët jo shqiptarë dhe shqiptarë. Këta të fundit të denatyruar nga çdo ndjenjë kombëtare kanë tmerr ndaj çdo hapi që i afron e bashkon shqiptarët njëri me tjetrin. Ata në çdo rast janë të gatshëm të bëjnë kauzë të përbashkët me albanofobët jo shqiptarë në mbështetje të këtyre të fundit. Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien ose fitimin e shtetësisë është aq kushtetuese sa ç është shqiptare Kushtetuta e Shqiperisë, e cila përcakton qartë detyrimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve kudo në botë”, – shkruan shefi i qeverisë në detyrë, zoti Berisha. Ky i fundit saktëson se në fakt vendimi do të hyjë në fuqi që dhjetëditëshin e fundit të muajit korrik, ndërsa nënvizon se ndien keqardhje që shtetasit e Kosovës nuk mund të përfitojnë, por për këtë duhet që të ekzistojë një marrëveshje e veçantë me shtetin fqinj. “Si përfundim vendimi për dhënien ose fitimin e shtetësisë shqiptare është një vendim i bazuar plotësisht në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në standardet rajonale ndërkombëtare. Zbatimi i këtij vendimi do të fillojë gjatë dhjetëditëshit të fundit të muajit korrik”, – thotë Berisha në letrën drejtuar zotit Luan Gacaferi.
Gjithashtu, kreu i ekzekutivit pohon se albanofobët janë ata që nuk kanë të ardhme, duke shtuar se ky është një vendim që ka kaluar dhe në vende të tjera dhe që askund nuk ka pasur të njëjtin efekt që ka në Shqipëri. “Në rastin e Rrugës së Kombit, albanofobët joshqiptarë përdorën të gjithë mekanizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë që kontrollonin për të mos e lejuar ndërtimin e saj, e cila, sipas tyre, do të dëmtonte thellë gjeopeshën e porteve të vendeve të rajonit. Në mbështetje të tyre shqiptarë apatridë bënin çdo gjë për ta bllokuar rrugën dhe e shpallën atë si rruga e asgjëkundit. Por rruga u ndërtua, albanofobia dhe albanofobët nuk kanë të ardhme. Ata njohin vetëm një kushtetutë, atë të fobisë dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe midis tyre si për të më rikujtuar një proverb latin që thotë se çobani i bagëtive të egra është më i egër se vetë ato më të egrit, më zelltarët janë shqiptarët apatridë”, – deklaron Kryeministri. Më tej zoti Berisha pohon se ky është një vendim i vonuar për të gjithë shqiptarët. Ai thotë se vende të tjera kanë bërë dhe bëjnë edhe më shumë për shtetasit që kanë kombësinë e tyre. Numri një i qeverisë sjell në vëmendje rastin grek për të cilin thotë, se madje ky shtet u paguan edhe pensione shtetasve të tyre që nuk jetojnë në republikën e tyre. “Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë fatkeqësisht është tejet i vonuar. Një vendim të këtij lloji për pakicat dhe bashkëkombasit e tyre e kane marrë vite më parë pa përjashtim të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë si: Greqia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi etj. Madje Greqia, e ndofta ndonjë vend tjeter, paguan pensione të moshuarve me origjinë greke në Shqipëri. Mirëpo në këto vende nuk ka ose ka fare pak njerëz me fobira ndaj kombit të tyre si tek ne. Prandaj dhe askush nuk ka protestuar, në të kundërt kanë mbështetur unanimisht brenda dhe jashtë vendit vendime te tilla. Ju rikujtoj këtu se me dekretin e 17 korrikut të vitit 1992 unë si President Republike dekretova njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare kudo që jetonin përfshirë këtu edhe qytetarët e Kosovës, e cila asokohe ishte pushtuar nga serbët. Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova ishte plotësisht dakord me atë dekret. Sot ky vendim nuk mund të shtrijë efektin në Kosovë, jo sepse jugosllavistët albanofobë vazhdojnë t’i bien fyellit të tyre të vjetër të padronëve të tyre të kombit kosovar, pra të dy kombeve shqiptare. Këtë tezë në Kosovë, por as në rajon dhe më gjerë, nuk e beson njeri. Por vendim i qeverisë shqiptare në kushtet e sotme kur Kosova është vend i pavarur me mbi 94% të qytetarëve të saj shqiptarë nuk mund të shtrijë kurrsesi veprimin e tij në Republikën e Kosovës dhe ne qytetarët e saj me banim në Kosovë. Kjo detyrimisht kërkon një marrëveshje të veçantë midis qeverisë së Shqipërisë edhe qeverisë së Kosovës për këtë çështje”.
Kush përfiton
Vendimi i Këshillit të Ministrave i javës së kaluar, zbardhi të gjitha detajet se kush do të përfitojë nga kjo nismë e marrë nga qeveria “Berisha”. Kështu, shtetësia shqiptare u njihet ose u jepet:
a) personave të lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes;
b) personave, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me të paralindurin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare;
c) personave me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian, SHBA-ve apo një shteti tjetër, shtetasit e të cilit mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen apo që janë me qëndrim me dokumentacion të rregullt në njërin prej këtyre shteteve.3. Subjekteve të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, u njihet shtetësia shqiptare e fituar dhe vetiu në përputhje me nenin 7, të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar. Procedurat për paraqitjen e kërkesës, të dokumentacionit të nevojshëm provues, afatet e shqyrtimit, të njoftimit e të regjistrimit të shtetësisë, si dhe strukturat kompetente për trajtimin e kërkesës parashikohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Punëve të Jashtme.
4. Subjekteve të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 2, të këtij kreu, u jepet shtetësia shqiptare, në bazë të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
Takimi
Reeker: Zgjedhjet më të mira postkomuniste, të shfrytëzohen për integrimin
Në një takim me korrespondentët e Ballkanit në Bruksel, zëvendësndihmëssekretari i shtetit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, ka dhënë midis të tjerash një mesazh të qartë për Shqipërinë. Shqipëria duhet të ecë përpara në integrimin evropian, duke shfrytëzuar oportunitetin që i ofrohet pas zhvillimit të zgjedhjeve më të mira që pas fundit të komunizmit: “Kishte një pjesëmarrje të madhe të votuesve, një vendim shumë të qartë të votimit dhe një proces shumë të mirë zgjedhor. Mund të them që është procesi më i mirë zgjedhor që prej fundit të epokës së komunizmit. Ne kemi parë qëndrime shumë pozitive prej Kryeministrit Berisha gjatë fjalimit të tij, i cili e mbajti nivelin e retorikës të lartë edhe pas një humbjeje të hidhur, por dhe nga Kryeministri i ardhshëm Edi Rama. Është shumë e rëndësishme që koalicioni i ri qeveritar që do marrë funksionet në shtator të shohë përpara. Pata rastin që të flas me këtë me zotin Rama gjatë evenimentit të Zagrebit”. Pyetjes se disa evropianë mendojnë, se demokracia shqiptare do të kishte qenë më e shëndoshë nëse në zgjedhjet e 2009 Rama do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim, Philip Reeker iu përgjigj: “Është gjithnjë shumë interesante që të diskutohet për skenarë të ndryshëm me nëse, sikur. Ne mund të diskutojmë shumë në qoftë se. Por me zhvillimin e një procesi shumë të mirë dhe pozitiv zgjedhor këtë radhë në Shqipëri, kemi një oportunitet që duhet të përdoret në drejtimin e duhur, veçanërisht për ta rifutur vendin në shinat e procesit të anëtarësimit në BE. Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe vitin e kaluar nga kolegët tanë të BE-së, ambasada amerikane në Shqipëri, duke përfshirë edhe përpjekjet në Uashington, në mënyrë që Shqipëria të fitonte statusin e kandidatit. Kishte kritere shumë të qarta për t’u plotësuar nga Shqipëria. Dhe ne ishim të gjithë të zhgënjyer që vëmendja u përqendrua te zgjedhjet dhe politika në Shqipëri. Por tani që zgjedhjet i lamë pas, mendoj se liderët do të fokusohen te tranzicioni i ri, të shohin rekomandimet e ODHIR për përmirësimet që nevojiten të bëhen dhe të vazhdojnë me të njëjtat tone që janë përdorur nga zoti Rama dhe Kryeministri Berisha pas zgjedhjeve. Politikanët duhet të kuptojnë mesazhin e popullit shqiptar që thotë: Ne duam më pak politike dhe më shumë progres. Kjo është ajo që SHBA-të, ambasada jonë dhe Komuniteti Ndërkombëtar përpiqen të bëjnë në Shqipëri”.





