“Kush ndërton pa leje apo në shkelje të lejes në bregdet duhet të ndalet sepse pa asnjë dyshim po i çon paratë në det”
Nuk do të tolerojmë asnjë ndërtim pa leje në vijën bregdetare të Republikës së Shqipërisë. Ky ishte mesazhi që dha dje kreu socialist Edi Rama nga qyteti i Vlorës, duke theksuar se qeveria e re e së majtës nuk do të tolerojë më ndërtimet pa leje. “Mesazhi është i qartë: Kush ndërton pa leje apo në shkelje të lejes në bregdet duhet të ndalet sepse pa asnjë dyshim po i çon paratë në det!”, deklaroi Rama, duke shtuar se në këtë praktikë do të ndiqet shembulli i nismës së ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës në kohën kur drejtohej nga kryesocialisti me lumin e Lanës. “Në vijën bregdetare të Shqipërisë do bëjmë çka bëmë me Lanën në Tiranë! Pas katër vjetësh ndërtimi pa leje në breg do jetë një ëndërr e keqe”, shkruante Rama në rrjetin social twitter.
Takimi
Në vizitën e fundjavës në Vlorë, të kthyer tashmë në ritual nga kreu socialist, edhe për shkak se është zgjedhur si deputet i këtij qarku, Rama zhvilloi një takim me përfaqësuesit vendorë në Vlorë, ku ka diskutuar për konkursin ndërkombëtar mbi planin e zhvillimit të qarkut dhe aksionin e prishjeve të ndërtimeve pa leje në bregdet pas marrjes së mandatit si kryeministër. Lideri socialist pohoi se një ndër projektet e para të qeverisë së tij, do të jetë një paketë ligjore për ndërtimet pa leje, ku ndërkohë ripërsëriti premtimin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, e cila do të përcaktojë kriteret e zhvillimit të gjithë pasurisë detare. Nga ana tjetër, Rama bëri të ditur se çdo deputet socialist do të ketë tryezën e tij përkatëse në qarkun përkatës nga ku është votuar. “Në Vlorë do të kem prej shtatorit edhe zyrën e deputetit me një strukture standarde që do ta këtë çdo zyrë deputeti socialist në çdo qark”. Bregdeti shqiptar dhe ndërtimet pa leje në vijën bregdetare kanë qenë në qendër të fushatës elektorale të kryesocialistit për zgjedhjet e 23 qershorit. Në një takim të zhvilluar në Talë të Lezhës, më 6 qershor, Rama bëri të ditur programin e PS-së për bregdetin shqiptar, ku premtoi se,: “Ne kemi në program ngritjen e një agjencie që do quhet Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila do të ketë gjithë fuqinë ligjore dhe institucionale për të trajtuar gjithë problematikën e vijës bregdetare, që nga aspektet e pronësisë tek aspektet e planifikimit, tek aspektet e mbrojtjes dhe zhvillimit të kësaj vije bregdetare”. Sipas planit të PS-së, me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit do të zgjidhet problemi i pronës dhe do të sigurohet rendi dhe ligji. “Ne kemi tek vija bregdetare një potencial shumë të madh zhvillimi, por fatkeqësisht ky potencial po rrënohet siç po rrënohen nga të katër anët burimet e pasurisë së vendit. Jam i bindur që me ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, me një proces transparent dhe të drejtë të verifikimit të pronave në vijën bregdetare të vendit tonë në raport me jo vetëm proceset e kthimeve dhe kompensimeve, por edhe me të vërtetën e arkivave origjinale mbi të cilat është bërë një batërdi e madhe në këto vite, por ne do të disponojmë kopjen e paprekur të tyre, ne do t’ia dalim që të vendosim rend, ligj dhe qetësi mbi gjithë këtë territor dhe për të gjithë njerëzit që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose indirekt mbi këtë territor”, ka premtuar kreu i PS-së Edi Rama.
Auditi ndërkombëtar
Angjeli: PS nuk mund të marrë pushtetin pa inventar. Preçi: Auditi me organizmat ekzistues
Auditi i financave të shtetit shqiptar, i propozuar nga kreu socialist Edi Rama shihet meritë ndryshe nga ekspertët e fushës. Ish ministri i financave Anastas Angjeli dhe deputeti i zgjedhur i PS-së tha dje se qeveria e re nuk mund të marrë drejtimin e shtetit pa një inventar të gjendjes ekonomike dhe financiare, dhe aktor kryesor në proces do jetë FMN-ja. “ PS nuk mund të marrë drejtimin e shteti pa bërë një inventar të gjendjes ekonomike dhe financiar. Ajo do ta bëjë së bashku me institucionet ndërkombëtare. Këto institucione do të jenë të pranishme pranë qeverisë, me qëllim të bëjnë këtë auditim, këtë transparencë të gjendjes ekonomike dhe financiare që qeveria në ikje po lë”, u shpreh ai për “Ora News”. Ndërkohë eksperti i ekonomisë Zef Preçi, edhe pse bie dakord me vendimin për auditimin e shtetit, pohoi se në përmbushje të këtij prioriteti nuk mund të injorohen institucionet shqiptare. “Pa e nënvleftësuar idenë e një auditi ndërkombëtare, mendoj se skanimi i situatës aktuale mund të mbështet në kuadrin ligjor dhe organizmat ekzistuese të cila duhet shkundur, dhe duhet të prodhojnë ato raporte që në thelb kontribuojnë për të parë ku ka rrjedhje të fondeve publike dhe njëkohësisht kjo është kryesorja për qeverinë e re, për të mbyllur shtigjet e vjedhjes së fondeve publike”, theksoi Preçi. Ndërkohë ish-ministri i financave Arben Malaj u shpreh dy ditë më parë kundër nismës së PS-së për të ndërmarrë një audit ndërkombëtar për kontrollin e financave dhe ekonomisë në vend. Për Malaj, Kushtetuta e Shqipërisë ka përcaktuar qartë se cilët janë institucionet që kanë detyrë të bëjnë kontrollin e shteti dhe veçanërisht financat e vendit. “Në Kushtetutën e Shqipërisë theksohet se detyrimin ligjor për të certifikuar financat publike e ka Kontrolli i Lartë të Shtetit, për kontrollin e financave të vendit. Një auditues i huaj nuk mund të anashkalojë institucionet shqiptare të parashikuara nga Kushtetuta e Shqipërisë”, tha Malaj.
Takimi
Berisha pret këngëtarët e fushatës: Gati për fitoren më të afërt
Kryeministri i vendit Sali Berisha ka zhvilluar dje një takim në zyrën e tij më një pjesë të stafit të fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 23 qershorit. Në fotografitë e bërë publike nga kryeministri vihen re këngëtarët Vedat Ademi, Ermal Mamaqi, Soni Malaj apo edhe sportistja Klodiana Shala. Së bashku me të rinjtë që u bënë pjesë e fushatës, këngëtarët që kënduan himnin e PD-së në zgjedhje, “Ne jemi ndryshimi”, u vlerësuan nga Berisha si më të mirët. Kryeministri theksoi se PD është gati për fitoren më të afërt. “Me më të mirët! Gati për fitoren më të afërt!!”, shkruante në rrjetin social facebook, kryeministri Berisha.






