Enver Iljazi Ju rrëfej gjyqin popullor të babait në kinemanë qytetit

1984

persekutimVepror Hasani

Familja Iliazi është një nga ato familje që pas përcaktimit të kufijve mbetën në shtetin grek. Shumë prej tyre u shpërngulën në Shqipëri për të gjetur një jetë më të mirë dhe përkrahje nga shteti shqiptar, por që në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Një histori të tillë të trishtuar sjell për familjen e tij Enver Iliazi, tashmë 53 vjeç. Ai tregon kalavarin e gjatë të një persekutimi të fshehtë dhe të hapur që ka përshkuar kjo familje. “Kurrë nuk e kam ndjerë veten më të braktisur, shprehet Enver Iliaz se sa ditën që u nda nga jeta babai im”.

 

Braktisja

 

“Atë ditë nuk kam për ta harruar kurrë, nis të tregojë Enver Iliazi. Ishte 20 korriku i vitit 1984. Babai im, Serveti, vazhdonte të qëndronte i shtrirë në shtrat. Dukej qartë se nga çasti në çast ai do të ndahej përfundimisht nga jeta. Rreth tij ishim vendosur që të gjithë, nëna Erveheja, motrat Ismihani dhe Hetemija, pas tyre qëndronte vëllai i madh Gëzimi, unë dhe tre vëllezërit e tjerë, Fatmiri, Skënderi dhe Nervuzi. Ishim 7 fëmijë. Që të gjithë ndiheshim të trishtuar. Përpiqeshim që të mos kishim lotë në sy, me qëllim që babai të mos na shihte ashtu në çastet e fundit të jetës, por gjithsesi kjo ishte e pamundur. Motra, Ismihani që mbante dorën e babait në pëllëmbën e saj, përpiqej t’i jepte kurajo, ndërsa i thoshte se shumë shpejt do ta shihte të ngrihej vetë në këmbë. Babai e dëgjonte i heshtur me sytë gjysëm të mbyllur. Motra tjetër, Hetemija mbante kokën ulur për të fshehur lotët që i rridhnin parreshtur, por nuk e ngrinte zërin. Babai ynë ndoshta po e kuptonte gjendjen tonë. Përpiqej të hapte sytë dhe të na vështronte të gjithëve me radhë. Edhe ai vetë e dinte që do të ndahej nga jeta.

 

Shtëpi e boshatisur

 

Atë çast pranë babait gjendej vetëm nëna dhe ne. Ende nuk kishte arrdhur dikush tjetër. Në të vërtetë ne prisnim vetëm njerëzit tanë, ndërsa nuk shpresonim në vizita të tjera. Rrethi ynë miqësor ishte tepër i ngushtë. Ne nuk ishim vendas . Në Shqipëri kishim arrdhur rreth vitit 1947. Gjyshi, stërgjyshi, madje dhe katragjyshi kishin lindur dhe jetuar në fshatin Masllavicë. Tashmë ky fshat ndodhet në anën tjetër të kufirit, në Greqi. Dikur, para se të ndaheshin kufijtë, Masllavica kishte qënë një fshat shqiptar vetëm me shqiptarë. Pazarin e bënin në Ersekë dhe në Korçë, ndërsa mblesëritë e Masllavicës shtriheshin në të gjithë Kolonjën, por edhe në Korçë dhe Devoll. Ndodhte kështu, sepse Masllavica gjendet aty, sapo fillon e zbret malin e Gramozit nga krahu tjetër. Nëna e babait tim kishte qënë nga fshati Leshnjë i Kolonjës, një fshat ky që gjendet shumë pranë me kufirin grek, por që vazhdon te jetë pjesë e Shqipërisë edhe sot. Të gjithë këto më kujtoheshin atë çast kur babai përpiqej të hapte sytë dhe të na vështronte të gjithëve me radhë për të fundit herë. Kishte një pamje tejet të dëshpëruar. Në të vërtetë po kaq e dëshpëruar kishte qenë e gjithë jeta e tij. Babai im ishte shpallur nga regjimi armik i popullit dhe partisë. Ndërsa ishte duke u ndarë nga jeta, me siguri që po mendonte se po linte pas një tufë me fëmijë që nuk do të kishin asnjë të ardhme. Befas te sytë e babait tim pashë të rridhnin lotë. Pas këtij çasti askush prej nesh nuk mundi ta mbante dot veten. Dy motrave Ismihanit dhe Hetemijes u kishte rënë të fiktë. Babai po gjendej në sekondat e fundit të jetës.

 

Zhgënjimi

 

Babai ynë kishte shpresuar se me të mbërritur në Shqipëri do të shihte ditë më të mira, të paktën do të shpëtonte nga keqtrajtimet greke, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Ne mund të kishim qëndruar edhe në Masllavicë, kështu ishte shprehur babai në tregimet e tij, por pas përcaktimit të kufijve, nuk kishte dashur të qëndronte më në anën tjetër të kufirit që tashmë e tutje do të quhej Greqi. Në fshatin e tij të lindjes ai kishte lënë pasuri të madhe, toka dhe pyje, por edhe shtëpi e gjë të gjallë, por të jetonte larg Shqipërisë e kishte patur të vështirë. Nuk kishte qenë kjo arsyeja e vetme e ikjes nga Masllavica, qeveria greke kishte nisur t’i keqtrajtonte mizorisht. Atëherë shumë banorë të Masllavicës u shpërngulën në vende të ndryshme të botës. Një pjesë e tyre erdhi në Shqipëri. Im at, Serveti, erdhi së bashkë më të vëllanë Salikon dhe të motrën Rabihanin. Së pari ishin vendosur në Maliq të Korçës, por që në çastin e parë kishin vërejtur se nga njerëzit e pushtetit popullor nuk ishin pritur mirë. Salikoja i kishte thënë të iknin përsëri dhe të viheshin në kërkim të një vendi tjetër, ndoshta në Turqi apo Rumani, por babai nuk kishte dashur. Dëshiroj të vdes këtu, kishin qenë fjalët e tij. Atëherë Salikoja kishte ikur, por njerëzit e qeverisë ikjen e Salikos e kishin cilësuar arratisje edhe pse Saliko kishte të drejtën e vet për të vendosur se ku do të jetonte. Që nga ky çast peripecitë dhe tmerri psikologjik mbi tim at nuk do të kishte të mbaruar. Për të gjithë këto arsye, vdekja e babait bëhej edhe më e dhimbshme. Ai njeri nuk kishte mundur të shihet një ditë të bardhë. Po vdiste i zhgënjyer nga gjithçka e nga të gjithë.

 

Familje e dyshimtë

 

Ndërsa dy motrat e mia kishin dalë nga gjendja e të fiktit, kishin nisur të vajtonin sërish. Gëzimi, vëllai më i madh, bënte të gjithë përpjekjet për t’i qetësuar, duke u shpjeguar se vajtimet nuk i sillnin asnjë të mirë shëndetit të babait. E vërteta ishte se babai gjendej në sekondat e fundit të jetës së tij. Ishim pak për të përballur dhimbjen që kishim përpara, por në shtëpinë tonë nuk mund të vinin njerëz të tjerë. Kishte vite që ishim braktisur nga të gjithë. Tani që babai ishte në pragun e vdekjes, po merrte me vete edhe një brengë të madhe, mallin për të vëllanë që nuk e kishte parë kurrë që nga dita e ndarjes dhe që nuk e dinte nëse ishte gjallë apo vdekur. Pas ikjes së Salikos nga Maliqi, babai ishte vendosur në qytetin e Ersekës, ndërsa ishte martuar me nënën time Ervehenë, e cila ishte nga fshati Taç i Kolonjës nga një fis që kishin qenë mjaft të pasur. Edhe këtë martesë njerëzit e regjimit nuk e kishin parë me sy të mirë.

Edhe babai e dinte që në varrimin e tij do të kishte pak njerëz. Sytë e tij edhe pse hapeshin për pak sekonda dukeshin tejet të trishtuar e të plakur. Ai i dinte të gjitha. Që nga dita e ikjes së vëllait të tij, Salikos, njerëzit e pushtetit popullor nxituan ta paraqitnin si një arratisje, ndërsa nisën të dëgjoheshin pëshpëritje sikur familja Iliazi ishte dërguar enkas nga grekërit që të spiunonin regjimin e Enver Hoxhës. Se çfarë mund të spiunonte babai im as sot nuk e marr dot me mend. Salikoja iku nga Shqipëria, por nga trungu i familjes tonë nuk e hoqën asnjeherë emrin e tij. Sa herë që na duhej të merrnim ndonjë çertifikatë na shënohej edhe emri i Salikos, njësoj sikur të ishte në Shqipëri dhe të jetonte së bashku me familjen tonë, por kjo bëhej për të na kujtuar në çdo çast se familja jonë duhej të ishte e kujdesshme, sepse kishte një person të arratisur. Këtë na e kujtonin sa hërë që kërkonim për të vazhduar studimet e larta. Asnjëri prej nesh nuk kishte mundur të shkonte në universitet edhe pse që të gjithë kishim patur rezultate të shkëlqyera në shkollë. Çdo ditë që kalonte ne bëheshim edhe më të dyshimtë për regjimin e asaj kohe. Babai e vuante shumë këtë gjendje të krijuar rreth tij, por nuk mund të them se e kishte patur më të lehtë nëna.

 

Mbledhja e Frontit Demokratik

 

Regjimi Enverian, vazhdon të tregojë Enver Iljazi, nuk do të mjaftohej vetëm me shpikjen e arratisje së Salikos. Kishte përgatitur edhe skenarë të tjerë. Sigurisht që ne nuk dinim asgjë. Ishte viti 1974. Dikush nga Organizata e Frontit Demokratik në rreth na erdhi në shtëpi dhe na tha se në kinemanë e qytetit do të bëhej një mbledhje e madhe, ku nuk duhej të mungonte askush por as familja jonë. Për këtë arsye babai shkoi bashkë me nënën, por morën me vete edhe motrën, Hetemijen, sepse në atë kohë motra e madhe, Ismihani ishte martuar. Mbledhja ishte vërtetë e madhe. Nuk kishte mbetur njeri pa arrdhur. Përveç banorëve të qytetit të Ersekës merrnin pjesë dhe gjithë titullarët më të lartë të rrethit. Nuk mungonin as përfaqësuesit e pushtetit popullor të Leskovikut, por as ata të këshillave të bashkuar të kooperativave dhe fermave të të gjithë Kolonjës. Do të trajtoheshin problemet e vigjilencës dhe të mbrojtjes. Jashtë kinemasë kishin vendosur altoparlantë. Ajo çka do të ndodhte në brendësi të ambienteve të saj, duhej të merrej vesh nga të gjithë, edhe nga njerëzit që nuk ishin në mbledhje. Ashtu siç ishte deklaruar, fillimisht ishin trajtuar problemet e vigjilencës dhe mbrojtjes, ndërsa më pas, gjithë mbledhja do të devijonte në një rrjedhë tjetër, e cila për ne do të ishte tepër e frikshme, aq sa nuk do ta harronim dot kurrë.

 

Dënimi

 

Një çast ishte dukur sikur mbledhja kishte qenë në përfundim e sipër, pasi ishte thënë gjithçka për vigjilencën dhe për mbrojtjen, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm, madje nuk ishin harruar as bunkerët që po mbushin gjithë malet e Gramozit. Megjithatë në mbledhje merrnin pjesë edhe prokurori, hetuesi, gjykatësi, kryetari i degës dhe njerëz të tjerë të sigurimit të shtetit. Kjo të bënte të mendoje se mbledhja edhe pse dukej sikur ishte afër fundit, nuk mund të mbyllej pa folur prokurori, gjykatësi apo kryetari i degës, sepse në fund të fundit ata nuk kishin ardhur kot në atë mbledhje. Pikërisht në këtë kohë kur pritej që të fliste një nga autoritetet me të larta të rrethit, foli Kryetari i Frontit Demokratik. I kërkoi babait që të ngrihej në këmbë. Të gjithë kthyen kokën nga ai. Babai im ishte ulur aty nga fundi i sallës, bashkë me nënë dhe motrën Hetemijen. Në fillim kishte besuar se nuk kërkonin atë, do të ishte ndonjë ngatërresë, por pastaj ishte ngritur ngadalë me një vështrim pyetës, si për të mësuar se përse ishte fjala, por organizatorët e mbledhjes i kishin kërkuar që ai të delte para të gjithëve. Babai nuk kishte kundërshtuar. Nuk kishte menduar se do të ndodhte ndonjë gjë e mirë, por nuk kishte menduar se e priste ndonjë e keqe. Kishte dalë para të gjithëve dhe ishte ndalur aty, duke pritur se çfarë do të ndodhte. Ku i dihej edhe mund ta vlerësonin për punën që kishte bërë, që nga dita e parë që kishte lënë Greqinë dhe kishte arrdhur në Shqipëri. Mund t’i kërkonin falje që nuk e kishin trajtuar edhe aq mirë sa çdo ta meritonte në të vërtetë. Babai im ishte njeri punëtor dhe kokulur. Por nuk ndodhi kështu. Ndodhi me e keqja. “E shikoni këtë njeri, u dëgjua zëri i drejtuesve të mbledhjes, ky njëri është armik i popullit dhe i partisë”. Fjalët e organizatorëve dëgjoheshin në të gjithë qytetin e Ersekës. Altoparlantët shpërndanin zërin gjithandej. Thuhet se ishte dëgjuar deri në fshatrat përreth qytetit. Nuk kishte mbetur njeri që nuk kishte mësuar lajmin se Servet Iliazi, njeriu i ardhur nga Masllavica ishte shpallur armik i popullit, i partisë dhe ushtrisë. “Ky njeri nuk e do Enver Hoxhën”, vazhdonin të shpjegonin organizatorët e mbledhjes. “E kemi dëgjuar të shajë partinë dhe ushtrinë popullore…”. “Kemi gjitha të dhënat se Serveti është shprehur kundër ndërtimit të bunkerëve, madje ka thënë se nga kush paska kaq frikë Shqipëria që nuk po le vënd pa ndërtuar qendra zjarri…”. “Servet Iliazi ka arritur deri atje sa të shprehet hapur se këtu fëmijët rriten shumë keq dhe vuajnë për mungesë të ushqimit…”. Nuk më kujtohet se çfarë u tha dhe çfarë nuk u tha tjetër. Mbledhja vazhdoi gjatë. Unë në atë kohë sapo kisha dalë nga shtëpia, kur dëgjova përmes altoparalantëve të flitej për babain tim. U ndjeva i shqetësuar dhe i tmerruar në të njëjtën kohë. Nuk dija çfarë të bëja, të shkoja e të mbyllesha në shtëpi për të mos më parë më askush apo të rrija aty dhe të dëgjoja. Për një çast kisha mbetur krejtësisht i shtangur

 

Përfundimi i mbledhjes

 

U përmenda vetëm atëherë kur vura re se njerëzit kishin filluar të delnin nga salla e kinemasë. Me sa dukej mbledhja kishte përfunduar. Gjithkush nxitonte të dilte i pari. Askush nuk donte të ndodhej në një dalje të njëkohshme me babain tim. Ndoshta kjo ishte arsyeja që im at doli gati i fundit nga mbledhja. Vura re që e mbante kokën ulur. Ishte tejet i dëshpëruar, ndihej i braktisur prej të gjithëve. Njerëzit po silleshimn me të siç mund të sillen me nje lebroz. Babai doli tek sheshi i qendrës së qytetit dhe mori drejtim nga shtëpia ku banonim. Ecte mjaft ngadalë. “Baba”, i thërrita, por ai nuk dëgjonte. “Baba”, përsërita sërish, por ai nuk do të më degjonte kurrë, nëse nuk do të nxitoja për ta kapur për krahu. Kur vura dorën time tek dora e tij, ai ktheu kokën. Më pa dhe heshti. Nuk ishte në gjendje të fliste asnjë fjalë. Pashë që nga sytë i dolën lotë. Lotët e tij ishin të njëjtë me lotët që po shihja tani, kur ai ndodhej në pragun e vdekjes. Nuk e kisha parë kurrë në atë gjendje. Nuk e pyeta për asgjë. “Shkojmë në shtëpi”, i thashë dhe u nisëm për atje të dy. Nuk e pyeta kurrë se çfarë kishte ndodhur në atë mbledhje. Nuk ishte e nevojshmë. Babai edhe mund t’i kishte thënë ato të gjitha, por edhe po të mos i kishte thënë, fundi do të ishte i njëjtë. Ne kishim qënë një familje e dyshimtë për regjimin e Hoxhës. Pas kësaj ngjarjeje, babai nisi të kishte probleme me zemrën. Mbledhja në kinemanë e qytetit e kishte tronditur keqazi. Nuk e kishin çuar në burg, por i kishin dhënë një dënim politik mes gjithë banorëve të rrethit. E kishin lënë të turpëruar dhe të poshtëruar atje në mes të kinemasë. Për shumë kohë me radhë nuk arriti ta merrte dot veten. Nëna nisi t’i qëndronte afër gjithnjë e më shumë. Sa herë e shihte të menduar i jepte disa lekë të shkoqura dhe i thoshte: “Servet dil nga klubet për të pirë ndonjë kafe”. Nuk di të jetë dashur ndonjë çift më shumë se nëna dhe babai im.

 

Babai e kishte dashur Shqipërinë

 

Babain tonë nuk e dënuan me burg. Nuk di të them pse ndodhi kështu, por sa herë që im at shihej nëpër rrugët e Ersekës, të gjithë kujtoheshin se gjithsescili prej tyre mund të kishte fatin e Servet Iljazit. Babai ngjante me një tmerr që lëvizte nëpër rrugë. Ishte një kërcënim i hapur për të gjithë. Nuk ishte nevoja për një propagandë tmerri. Panorama e mjerueshme e tim eti isht kujtesë për të gjithë. Gjithsesi unë nuk pata guxim ta pyesja ndonjëherë për atë çfarë kishte ndodhur në atë mbledhje të frikshme, por një ditë më babai më tregoi se ai kishte qënë në Shqipëri që nga viti 1940. Kishte qenë një nga miqtë e ngushtë të Safet Butkës. Madje më tregoi se kishte luftuar me çetën e Safetit deri ditën që ishte vrarë ky i fundit. Pas vrasjes së Safetit, babai kishte shkuar në Masllavicë. Në atë kohë kufijtë vazhdonin të ishin të hapur, madje një gjë e tillë kishte ndodhur deri në vitin 1949. Vetëm pas provokacioneve greke, kufijtë do të mbylleshin përgjithmonë. Babai po më tregonte se kufijtë nuk kishin qenë të mbyllura ndonjëherë as pas vitit 1913. Banorët e fshatrve shqiptare vazhdonin të hynin në Shqipëri njësoj si më parë, madje vazhdonin të lidhin miqësi të reja. Vetëm pas kësaj historie kuptova se njerëzit e sigurimit të shtetit mund të kishin zbuluar se babai kishte qenë pjesëmarrës në çetat e Ballit Kombëtar dhe pas kësaj kishin nisur të na luftonin gjithnjë e më shumë. Fatkeqësia ra mbi të gjithë familjen. Po kaq të dëshpëruar për jetën tonë ishim edhe ne fëmijët e tij. Kishim mbetur pa një të ardhme. Tmerri dhe frika e regjimit enevrian nuk na ndahej asnjë çast. Të gjithë këto i kujtoja atë ditë të vitit 1984, kur babai ishte në pragun e vdekes. Pas një çast ai ishte ndarë përgjitmon nga vdekja

 

Vdekja e babait

 

Po babai ynë kishte vdekur. Ishim shumë pak për ta përballur dhimbjen, por nuk prisnim që të na vinin njerëz të tjerë. Mbaj mend se kur u nisëm me arkivol për në varreza nuk ishim më shumë se 9 veta. Ecnim ngadalë dhe të heshtur, por në të njëjtën kohë dhe të braktisur nga të gjithë. Njerëzit që na shihnin pëshpërisnin se kishte vdekur ai që 6 vjet më parë ishte shpallur nga Fronti Demokratik armik i popullit dhe partisë. Edhe ne pinjollët e tij nuk kishim ndonjë ndryshim të madh nga njeriu që ishte në arkivol. Dukeshim sikur ishim të gjallë, por në listat e sigurimit të shtetit ne bënim pjesë tek ata njerëz që duhej të konsideroheshin si të vdekur. Na ishte hequr përgjithmon çdo e drejtë. Ndoshta do të vinte një ditë, kur mua apo ndonjërit prej vëllezërve të mi do t’i jepnin dënimin publik në kinemanë e qytetit, ashtu siç kishin bërë me babain tonë, por fatmirësisht nuk ndodhi kështu. Pas 6 vitesh, regjimi enverian ishte përmbysur.

 

Share it :