Ish-bashkiaku Edmond Gjoka, ka abuzuar me 129 leje ndërtimi. Shkelje konstatohen edhe ne Durrës
Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka dërguar për ndjekje penale në prokurori, zv/Kryetarin e Bashkisë Durrës, 9 punonjës të Bashkisë Durrës dhe ish-Kryetarin e Bashkisë Sarandë Edmond Gjoka. 12 këta zyrtarë të lartë të pushtetit lokal janë kapur me shkelje, prej të cilave buxheti i shtetit ka humbur dhjetëra milionë lekë. Kryesisht shkljet janë të natyrës së dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë të paligjshme si dhe shpërdorimi i fundeve publike në disa investime që ishin parashikuar në këtë zonë. Lajmi për depozitimin e kallëzimeve penale në prokurori është bërë nga vetë KLSH, e cila sqaroi se gjatë auditit të bërë në bashkitë Durrës dhe Sarandë janë konstatuar një sërë shkeljesh të rënda ligjor, të kryera këto në periudhën 2003-2011. Nënkryetarët e Bashkisë së Durrësit, si dhe 9 nëpunës të lartë të administratës së bashkisë së këtij qyteti janë paditur për ndjekje penale në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për shkak të dëmëve që kanë shkaktuar në tenderat për rindërtimin e Bulevardit “Dyrrah” dhe gjelbërimin e qytetit.Po, ashtu KLSH ka denoncuar per ndjekje penale edhe ish kryetarin e bashkise se Sarandes Edmond Gjoka, per abuzim me shitjen e trojeve dhe dhenien e lejeve të ndërtimit jashtë vijës së verdhës dhe zonës së studiuar.
Durrës, dëmi 10 milion
Nga kontrolli i ushtruar në bashkinë e Durrësit, KLSH flet për mbi 40 milion lekë abuzime me tenderat për bulevardin dhe gjelbërimin, cilësinë e punimeve dhe blerjen e luleve e palmave. Ndërkohë që shumë më tepër se kaq janë shkaktuar dëm nga mosvjelja e taksave. Kontrolli i Shtetit ka zbuluar sesi dy nënkryetarët, me cilësinë e kryetarëve të komisioneve prokuruese, kanë shkelur ligjin duke ua dhënë tenderat kompanive që kishin ofruar çmime më të larta e duke skualifikuar ato me çmime më të ulëta. Po ashtu janë zbuluar shkelje për kriteret teknike të blerjes së palmave për shëtitoren. Pas kontrollit ka rezultuar është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë për prokurorim e ndërtimit të bulevardidi “Dyrrah” dhe në prokurimin “Gjelbërimi në qytet”, zhvilluar në vitin 2012, një dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë. Në të dyja prokurimet, shkeljen kryesore e përbën fakti që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar konkurentët me ofertë më të ulët dhe ka kualifikuar padrejtësisht ata me vlerë më të lartë, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik Bashkisë. Për të gjitha shkeljet e konstatuara, në prokurimin për “Rikonstruksioni i bulevardit kryesor Dyrrah”, me dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë mbajnë përgjegjësi zv/Kryetarët e bashkisë për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Bulevardi i shtuar disa herë më pallka dhe po aq herë u shkatërrua duke përfunduar përfundimisht në shtrim me asfalt. Ndërkohë që paratë e dy rikonstruktimeve shkuan dëm.Kontrolli i Shtetit vëren gjithashtu se për të gjitha shkeljet e konstatuara në prokurimin për “Gjelbërimi në qytet”, me dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë, mbajnë përgjegjësi zvkryetar i Bashkisë, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe dy anëtarë të këtij komisioni. KLSH ka kryer kallëzim penal për Grupin e ngritur për “Kolaudimin dhe marrjen në dorëzim”, pasi nuk ka zbatuar e plotësuar procedurat ligjore në përmbushje të kritereve teknike të vendosura në kontratën e furnizimit me palma, sipas specifikimeve teknike të kërkuara nga autoriteti kontraktor në tenderin me objekt “Gjelbërimi në qytet”, duke i shkaktuar dëm ekonomik Bashkisë në vlerën 21,960,000 lekë.
Sarandë,dëmi me lejet
Ndër shkeljet më kryesore të kryera, përmendim faktin që për periudhën kohore 2006-2011, nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë(KRRT) Sarandë, brenda vijës kufizuese të qendrës së qytetit janë dhënë 129 leje ndërtimi, në kundërshtim me vendimin e KRRTRSH nr. 3, datë 21.08.2002 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”. Po ashtu, në kundërshtim me nenet 21, 50 dhe 53 të Ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” i ndryshuar dhe VKM nr 722, datë 19.11.1998 “Rregullore e urbanistikës”, Bashkia Sarandë, në zbardhjen e Formularëve nr. 2 e nr. 4, ka shtuar për 17 raste, më shumë kate se Vendimet e KRRT-së, të protokolluara në procesverbalet espektove të mbledhjeve të KRRT së Bashkisë. Për 68 dosje të audituara për periudhën 2006-2011, në 38 raste janë konstatuar një sërë shkeljesh në lidhje me studimet urbanistike të miratuara, veprime këto në kundërshtim me Ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën” i ndryshuar, dhe me VKM nr. 722, datë 19.11.1998. Janë konstatuar shitje trojesh bazuar në vendime të kundraligjshme të Këshillit Bashkiak, pa patur asnjë tagër ligjor mbi pronësinë, në kundërshtim me Nenet 197 dhe 198 të Kodit Civil, dhe pa qenë të rregjistruara këto troje në Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Patundshme Sarandë, etj






