Takimi me dyer të mbyllura Rama takon Nishanin në Presidencë: Bashkëpunim institucional, takim pozitiv

nishaniFlorenc Drizari

Nishani uron Ramën për
fitimin e zgjedhjeve

Rama: Me Presidentin e Republikës
për bashkëpunim institucional

 

Pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, në mjediset e Presidencës. Takimi mes tyre zgjati për rreth 40 minuta dhe u zhvillua pa praninë e medias.
Edhe pse munguan deklaratat për mediat nga të dy përfaqësuesit, Presidenca zbardhi disa detaje në vija të përgjithshme të bisedës mes kreut të shtetit dhe kryesocialistit Rama, ndërkohë që ky i fundit me anë të një mesazhi në rrjetin social Twitter, e vlerësoi takimin si pozitiv.

Mësohet se Presidenti Nishani e uroi zotin Rama për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për suksese në zbatimin praktik të programit politik, në të mirë të qytetarëve të vendit dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë, ndërkohë që Rama në Twitter vlerësoi takimin me kreun e shtetit. “Presidenti Nishani dhe kryesocialisti Rama shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të forcimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor”, – përfundon mesazhi i zyrës së shtypit pranë Presidencës.

Nga ana e tij, kryesocialisti Rama, duke e cilësuar si një takim pozitiv bisedën që zhvilloi me Nishanin në zyrën e kreut të shtetit, tha se në qendër të bashkëbisedimit ishte bashkëpunimi institucional dhe tranzicioni i pushtetit pa probleme.

“Me Presidentin e Republikës për tematiken e bashkëpunimit institucional e të tranzicionit të pushtetit pa probleme të reja. Takim pozitiv”, – shkruan Rama në Twitter.

Ky ishte takimi i parë që kryesocialisti Rama zhvilloi me Presidentin Nishani, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku koalicioni i majtë rezultoi fitues i zgjedhjeve.

Nëse u referohemi deklaratave të mëparshme të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Ramës, takimi i djeshëm mes tyre duket një “shkrirje akujsh” pas rrotacionit të pushteteve që pritet të ndodhë në fillim të shtatorit të ardhshëm. Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, kreu i PS-së përsëriti qëndrimin e tij se me ardhjen në pushtet, do të vendosë fotografinë e Ismail Qemalit në institucionet publike dhe në Kryeministri, duke hequr figurën e kreut të shtetit. Nga ana e tij, kreu i shtetit, edhe pse nuk ka mbajtur një deklaratë zyrtare lidhur me këtë qëndrim të kryesocialistit Rama, gjatë një bashkëbisedimi që ka zhvilluar me gazetarët në prag të fushatës elektorale ka cituar ligjin për respektimin e institucioneve dhe të drejtat që ata gëzojnë në Kushtetutën e vendit. Ndërkaq, njihen edhe disa qëndrime kritike të kreut të PS-së të mbajtur ndaj Presidentit Nishani para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare lidhur me disa vendime në krye të Presidencës. Më herët Rama ka kritikuar Nishanin për zbatimin e vendimeve jashtë kritereve ligjore që, sipas tij, vinin nga partia e tij që e zgjodhi në krye të institucionit të Presidencës.

Por takimi i djeshëm duket se i hap rrugë një marrëdhënieje të re mes qeverisë që pritet të formohet në fillim të vjeshtës dhe Presidentit të Republikës, mandati i së cilit, sipas Kushtetutës, përfundon më 2017.

 

 

Rama takon kryeprokurorin Llalla: Në fokus, bashkëpunimi institucional dhe influenca e krimit në vend

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi pasditen e djeshme një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Takimi i Ramës me Adriatik Llallën erdhi pas atij të zhvilluar në drekë me kreun e shtetit, Bujar Nishani.

Biseda mes Ramës dhe Llallës zgjati për rreth një orë dhe edhe në këtë takim nuk pati deklarata për shtyp nga palët.

Në përfundim të takimit, kryesocialisti Rama preferoi ta komentonte takimin përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social Twitter. Duke e cilësuar si një takim pozitiv, Rama thekson se në fokus të bisedës me kryeprokurorin ishte bashkëpunimi institucional dhe influenca e krimit mbi vendin.

“Me prokurorin e Përgjithshëm për tematikën e bashkëpunimit institucional dhe influencën e krimit mbi vendin. Takim pozitiv”, – komentoi Rama.

Ky është takimi i parë mes Ramës dhe kryeprokurorit, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ndërkohë që PS gjatë qeverisjes së demokratëve ka kritikuar dhe shprehur shqetësimin për situatën e kriminalitetit në vend. Lidhur me situatën e kriminalitetit në vend, kryesocialisti Rama ka premtuar ndryshimin e saj brenda 300 ditëve të para të qeverisjes së tij.

 

 

Nishani uron Obamën me rastin e Ditës së Pavarësisë

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i dërgoi një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obamës. Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani përcjell urimet më të përzemërta dhe më miqësore me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Nishani rikonfirmon edhe marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe garantoi vendosmërinë e tij për t’i forcuar këto marrëdhënie edhe më tej në të ardhmen.

“Shqipëria dhe shqiptarët janë dhe do të jenë gjithmonë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që na kanë ofruar në sfidat më të rëndësishme me të cilat kombi shqiptar është përballur përgjatë historisë së tij. Roli i SHBA-së ka qenë i pazëvendësueshëm në anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në gjithë rajonin tonë.

Populli shqiptar mbetet seriozisht i angazhuar për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin ndërkombëtar në këtë drejtim. Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon, si dhe do të kontribuojë në drejtim të forcimit të paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Ballkan e më gjerë.

Duke përsëritur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta, si dhe duke Ju uruar suksese në misionin Tuaj të rëndësishëm, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, – përfundon meshari i kreut të shtetit.

Share it :