Sonja Caka
Pronari i argjendarisë u përlesh me njërin nga autorët e armatosur
Sulmohet me armë dhe tentohet të grabitet një argjendari në Tepelenë, duke plagosur rëndë pronarin e saj. Sulmi me maska është kryer në orët e mesditës në argjendarinë e Arben Goxhajt, ndërsa rezistencës së këtij të fundit dy të rinjtë e maskuar i janë përgjigjur me të shtëna me armë zjarri. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur në kofshë pronari Goxhaj, ndërsa policia e Tepelenës ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga të dhënat e para hetimore mësohet se falë pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë dhe gjurmëve të lëna në vendngjarje, policia ka identifikuar dy të rinjtë, autorë të ngjarjes, dhe po punon për kapjen e tyre. Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e dy të rinjve, emrat e të cilëve nuk bëhet të ditura për arsye hetimore, dhe nuk i kanë gjetur, ndërsa po ushtrojnë kontroll në gjithë zonën për kapjen e tyre. Ndërkohë, fotot e tyre u janë shpërndarë edhe kolegëve të qyteteve fqinje, me qëllim bashkëpunimin në kapjen e dy të rinjve.
Ngjarja
Ka qenë ora 13:00 kur një person i maskuar i është afruar dyqanit, pronë e Arben Goxhajt, i cili tregtonte në të rroba dhe bizhuteri. Personi i dytë ka ndenjur gati me automjetin e parkuar pas dyqanit. Nën kërcënimin e armës, i riu i ka kërkuar pronarit floririn që kishte në dyqan, por ka hasur në kundërshtimin e këtij të fundit, i cili është konfrontuar fizikisht me të. Gjatë kësaj përleshjeje, pronari i argjendarisë është plagosur në kofshë nga një e shtënë e armës së zjarrit që kishte njëri prej grabitësve në dorë. Më pas, duke mos arritur të marrin gjë dhe prej të shtënës në dyqan, dy të rinjtë janë larguar me shpejtësi, me një automjet tip “Golf”, të cilin e kishin parkuar pas dyqanit. Policia, e lajmëruar për plagosjen në qendër të qytetit, ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për një tentativë vjedhjeje me pasojë një të plagosur me armë zjarri.
Dëshmia
Pronari i argjendarisë, 45-vjeçari Arben Goxhaj, ka dëshmuar për uniformat blu se në dyqan ka hyrë një person i maskuar dhe armatosur me armë zjarri pistoletë dhe i ka kërkuar që t’i jepte lekët dhe bizhuteritë prej floriri dhe argjendi që kishte në vitrinë për shitje. Pronari i dyqanit ka refuzuar t’i japë lekët dhe bizhuteritë dhe është përleshur me autorin. Sipas dëshmisë së vetë Goxhajt, autori në përleshje e sipër ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të tij duke e plagosur në kofshën e majtë dhe më pas është larguar me shpejtësi pa vjedhur gjë, pasi s’ka mundur për shkak të zhurmës dhe rrëmujës së krijuar. Pas kësaj situate, autori është trembur dhe është larguar me shpejtësi me një automjet. I plagosuri është transportuar menjëherë në drejtim të Spitalit Rajonal Gjirokastër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimi
Policia e Tepelenës ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur punën për kapjen e dy autorëve të tentativës së grabitjes, me pasojë një të plagosur. Menjëherë në akset rrugore Tepelenë – Memaliaj dhe Tepelenë – Gjirokastër u ngritën pika kontrolli si dhe u shoqëruan në ambientet e komisariatit të policisë Tepelenë 11 shtetas, kryesisht pronarë të lokaleve përreth vendit të ngjarjes me qëllim, marrjen e informacioneve rreth ngjarjes për ngushtimin e rrethit të të dyshuarve. Rreth orës 14:30, policia ka bërë të mundur ngushtimin e rrethit të personave të dyshuar, ku numri i tyre është dy shtetas; njëri, autori që ka hyrë me maskë dhe tjetri drejtuesi i mjetit tip “Golf” që e priste mbrapa lokalit. Të dy këta të rinj janë nga Tepelena dhe po punohet për kapjen e tyre, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesat e të dy shtetasve të dyshuar, asnjëri prej tyre nuk ishte në banesë. Nga ana e policisë po vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes, për kapjen e autorëve dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.
Itali
Vrau shqiptarin para 500 personave, prangoset Roland Marku
Një 27-vjeçar është vënë në pranga nga policia italiane, i akuzuar për vrasjen e një bashkatdhetari. Krimi i rëndë ka ndodhur në një disko në prani të 500 personave. I arrestuar nga policia italiane është Roland Marku, i akuzuar se një vit më parë vrau 32-vjeçarin Edmond Shtjefni. Ngjarja për të cilën akuzohet Marku ka ndodhur më 8 janar të vitit 2012 në një lokal nate në Vigevano (Pavia). Sipas policisë, vrasja ka ndodhur për larje hesapesh mes bandave rivale, përkatësisht në rrjetin e shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Marku ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në kokë. Hetimet kanë qenë të vështira në këto 1 vit e gjysmë, pasi Marku ishte kthyer në Shqipëri dhe më pas duke u rikthyer në Itali duke u spostuar në rajone të ndryshme. Viktima është Edmond Shtjefni ndërsa prej pak kohësh kishte mbushur 32 vjeç. Ai u vra në orët e mesnatës në brendësi të “Sayonara”, lokal nate në Ticino. Vrasësi, i mbuluar nga dy bashkëpunëtorë, iu afrua ballkonit dhe pasi e përqafoi, i qëlloi tri herë më pistoletë në kokë, me një pistoletë të kalibrit 7.65. Ndërsa u rrëzua në tokë, Shtjefni u qëllua edhe dy herë të tjera e më pas vrasësi dhe dy bashkëpunëtorët u larguan nëpër errësirë.
Itali
Zënka për xhelozi, burri hedh gruan nga ballkoni dhe e raporton vetëvrasje
Një 30-vjeçar hedh nga ballkoni gruan e tij dhe më pas lajmëron policinë, duke e deklaruar ngjarjen si akt vetëvrasës. Por, shqiptarin 30-vjeçar Zef Lleshi e kanë tradhtuar shenjat e dhunës në trupin e gruas, por edhe disa shenja në trupin e tij, të cilat kishin mbetur në momentin që gruaja është shtyrë nga kati i nëntë i ballkonit të apartamentit ku jetonte bashkë me të shoqin. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të dy netëve më parë në Cologno Monzese, në Milano, në një lagje në rrugën “Einaudi 9”, ku karabinierët u lajmëruan fillimisht për një vetëvrasje. Viktima, Silvana H., 31 vjeçe, edhe ajo shqiptare, ka vdekur pasi ra nga kati i nëntë i ballkonit të shtëpisë ku jetonte me bashkëshortin. Sipas policisë, shkak i zënkës mes çiftit ka qenë xhelozia e gruas ndaj bashkëshortit dhe dyshimi se ai në Shqipëri kishte një të dashur. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ka qenë 30-vjeçari që ka lajmëruar policinë se gruaja e tij ishte hedhur nga dritarja e katit të 9-të të banesës së tyre për motive xhelozie, por kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, kanë konstatuar shenja të një zënke të mëparshme mes tyre. Në ato momente, ata kanë shoqëruar në polici të shoqin, i cili pasi është marrë në pyetje, ka pranuar që e ka shtyrë gruan e tij nga kati i 9-të, duke i shkaktuar vdekjen. Nëna e viktimës dhe një mikja e saj italiane kanë rrëfyer për policinë raportin e dhunshëm mes çiftit dhe problemet që kishin. Policia ka dyshime se viktima ishte mjaft xheloze ndaj të shoqit, aq sa kishte udhëtuar javën e kaluar drejt Shqipërisë për të takuar atë që dyshonte se ishte e dashura e tij. Në pyetje janë marrë edhe fqinjë të çiftit, të cilët kanë konfirmuar zënkat e shpeshta mes tyre. Sipas tyre, burri kishte një të dashur në Shqipëri dhe gruaja e tij kishte shkuar deri në vendin e origjinës për të takuar këtë femër, ndërsa ka tentuar t’i mbushë mendjen të shoqit të kthehej sërish me të. Por, pavarësisht nga të gjitha, raporti mes tyre ishte mjaft i acaruar, derisa arriti në ngjarjen e dy netëve më parë. Pavarësisht nga tentativa e të shoqit për të fshehur këtë krim brenda familjes, kanë qenë dy dëshmi dhe disa prova që e kanë zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.





