Shefi i kabinetit, festa fiktive për marrjen e lekëve të ministrisë

policiaTask-forca nis hetimet për Kleves Bitron, kërkohet sekuestrimi i dokumentacionit në ministri

Shefi i kabinetit në Ministrinë e Punës, Kleves Bitro, dyshohet se ka shfrytëzuar disa festa zyrtare për të zhvatur para nga buxheti financiar i ministrisë ku ushtron detyrën. Ky konstatim është arritur të kapet nga një kontroll i ushtruar prej inspektorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët kanë arritur të zbulojnë se Bitro organizonte festa fiktive pa prezencën e askujt ose në shumë raste vetëm të pak njerëzve, dhe se këto aktivitete i justifikonte me fatura miliona lekëshe, duke bërë që një pjesë të konsiderueshme të lekëve ai t’i fuste në xhep. Për këtë konstatim nga ana e inspektorëve të KLSH, është kryer një kallëzim penal në prokurori, ku njësia hetimorë task-forcë, pranë kësaj prokurorie ka nisur verifikimet për të provuar rastin në fjalë. Në raportin financiar të hartuar nga KLSH, rezulton se për çdo aktivitet të kryer, Kleves Bitro merte nga një shumë që varionte nga 30 deri në 40 milion lekë. Të gjitha këto shuma janë marrë me fatura konkrete, ndërkohë që letrat bëheshin në mënyrë fiktive, duke i paraqitur ato si aktivitete të organizuara nga Ministria e Punës, ku Bitro ushtron detyrën e shefit të kabinetit.

Takimet imagjinare

Për rastin në fjalë, njësia hetimore task-forcë ka nisur hetimet një muaj më parë dhe se dyshimet janë se personi që është kallëzuar ka përdorur një skemë, për të vjedhur lekët e buxhetit të shtetit. Kështu, del se Kleves Bitro organizonte festa imagjinare, si festën e fëmijëve, të nënës dhe takime të tjera, duke mos përpiluar asnjë listë të ftuarish apo dhe foto me pjesëmarrjen dhe zhvillimin e aktivitetit. Shumë nga këto raste janë kryer në mënyrë fiktive, që më pas i kanë hapur rrugën depozitimit të dokumenteve në degën e financës së ministrisë, për tërheqjen e parave. Shumat variojnë në shifra të ndryshme, por ajo që dyshohet është se Kleves Bitro duhet të ketë bashkëpunuar me persona të tjerë, me qëllim marrjen e këtyre shumave financiare. Deri në këtë momente i vetmi i dyshuar për vjedhjen e lekëve nga buxheti i shtetit është shefi i kabinetit Kleves Bitro, ndërkohë që në ditët në vijim situata mund të ndryshojë pas hetimeve që do të kryejë njësia hetimore task-forcë.

Zhduken titullarët

Verifikimi i pretendimeve të inspektorëve të KLSH-së ka bërë që prokurorët e task-forcës, si dhe një oficer i Policisë Gjyqësore të kësaj njësie të shkojnë në Ministrinë e Punës, për të tërhequr dokumentacionin. Mirëpo, pikërisht në ditët e paraqitjes në Ministrinë e Punës, nuk ka pasur asnjë titullar për të dorëzuar dokumentacionin e kërkuar nga prokuroria. Nisur nga kjo situatë, hetuesit janë kthyer në zyrat e tyre duarbosh, duke lënë për një moment tjetër sekuestrimin e dokumentacionit të nevojshëm në Ministrinë e Punës. Pritet që në një moment të dytë ky dokumentacion të sekuestrohet dhe të verifikohet me imtësi për të mësuar nëse ka pasur shkelje me financat e ministrisë ose jo. Ndërkohë që pas verifikimit të dokumenteve, më pas organi i akuzës do të marrë në pyetje vetë të kallëzuarin Kleves Bitro dhe personat e tjerë me qëllim sqarimin e plotë të kohës së ushtrimit të detyrës së tyre pranë Ministrisë së Punës.

 

 

Ngjarja në Gramsh

Pranga të riut, i vodhi varësen një gruaje

Një person është vënë në pranga e policisë së Gramshit, pasi akuzohet për vjedhje. I ndaluari është Shkëlqim Ceci, 20 vjeç, banues në lagjen “Sporti” Gramsh, i cili i ka vjedhur një gruaje varësen e floririt që mbante në qafë. Po ashtu është bërë ndalimi edhe i 23-vjeçares Kostanca Kapurani, banuese në Korçë, pasi në qytetin e Librazhdit ajo ishte duke drejtuar automjetin tip “Peugeot”, me targa AA 729 FX dhe është përplasur me një makinë tip “Mercedes-Benz” me targa TR 1143 J, ku drejtuesi i këtij të fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë ai është Jonad Hoxha, vjeç 29. Lëndime mori edhe një tjetër person që udhëtonte me të. Në vendngjarje ka shkuar me shpejtësi policia e cila ka bërë hetimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të këtij aksidenti me pasojë vdekjen e një personi.

 

Shqipëri-Kosovë

Patrulla të përbashkëta në doganën e Vërmicës

Vetëm pak kohë pas firmosjes së marrëveshjes policia shqiptare dhe ajo e Kosovës nisën patrullimet e përbashkëta në Pikën e Kalimit Kufitar të Vërmicës. Drejtues të policive rrugore të të dyja palëve kanë zyrtarizuar këtë proces, i cili sipas tyre, synon një kontroll më efikas në të gjitha akset rrugore me synim lehtësimin e lëvizjes përgjatë sezonit turistik. “Rakordojmë për gjithë konstatimet në trafik. Në çdo dhjetë ne shkëmbejmë informacion për të gjithë dukuritë. Edhe këtë vit rezultatet do jenë pozitive dhe shërbimet tona do jenë model”, – thotë Qamil Sadiku, zv.drejtor i Qarkullimit Rrugor. “Ky është viti i katërt i patrullimeve të përbashkëta. Rezultatet janë të mira. Qytetarët tanë dhe të gjithë që qarkullojnë në këto akse rrugore janë të kënaqur me prezencën dhe punën e policëve tanë. Zyrat tona janë për t’u ofruar siguri qytetarëve”, – thotë Sheremet Ahmeti, përfaqësues i Policisë Rrugore të Kosovës. Sipas planit të hartuar nga të dyja palët, patrullimet e përbashkëta do të jenë më të fokusuara në rrugët kombëtare të cilat lidhin bregdetin shqiptar me rajonet e tjera të vendit nga ku fluksi i hyrjeve të shtetasve të huaj është edhe më i madh.

 

Vetëplagosja e punonjëses së policisë, përmirësohet gjendja e saj në spital

Përmirësohet gjendja shëndetësore e efektives së policisë E. Hyseni, e cila u vetëplagos aksidentalisht me armën e shërbimit, dy ditë më parë në kryeqytet. Burime nga spitali konfirmojnë se 22-vjeçarja e ka kaluar rrezikun dhe tashmë po mbahet nën trajtim mjekësor. Punonjësja e komisariatit numër 1 në Tiranë, E. Hyseni, u vetëplagos me armë në banesën e saj, më 28 qershor. Ajo u transportua menjëherë në Spitalin Ushtarak, në gjendje tepër të rëndë. Fatmirësisht, gjatë ditës së djeshme efektivja e policisë e ka tejkaluar rrezikun për jetën. Kanë qenë disa prej komshinjve të saj ata që kanë njoftuar policinë se në ambientet e pallatit kishin dëgjuar një të shtënë me armë. Për pasojë, forcat e policisë së Tiranës kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje, ku dhe kanë parë të shtrirë në dysheme 22-vjeçaren. Mësohet se kjo e fundit është vetëplagosur aksidentalisht me pistoletën e shërbimit, të cilën ishte duke e mbajtur në duar. Papritur, arma ka bërë një shkrepje të pavullnetshme dhe për pasojë plumbi i ka hyrë në trup 22-vjeçares, e cila shërbente pranë komisariatin nr. 1. Pas konstatimit të saj, forcat e policisë me ndihmën edhe të banorëve kanë transportuar në ambientet e Spitalit Ushtarak E. Hysenin, me qëllim trajtimin mjekësor të saj. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë për momentin ka nisur hetime dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, për të zbardhur plotësisht rrethanat e vetëplagosjes së 22-vjeçares.

 

Share it :