Altin Vorpsi
Lika dhe Morina mund të rikthehen
Një Tiranë e re për një edicion të ri. Ekipi 24 herë kampion i Shqipërisë po tenton që të nisë gjithçka nga e para. Afrimi i disa lojtarëve në moshë të re përbën një risi tek skuadra më e titulluar në Shqipëri, e cila gjithmonë ka tentuar të fitojë tituj që në merkato kur afronte lojtarë si Muka, Rraklli, Jupi, Salihi.
11 nga 16
Dje ishte dita e parë e përgatitjeve për sfidën e re. Teknikut Dede dhe tërë stafit drejtues do t’i duhet që të bëjë mrekullinë me një grup lojtarësh që përsëri ka ndryshuar shumë. Në seancën e parë të zhvilluar dje në fushën stërvitore të kompleksit “Skënder Halili” kanë dalë në fushë 16 lojtarë, nga të cilët njëmbëdhjetë ishin futbollistë që përfunduan edhe sezonin e shkuar me këtë skuadër. Bëhet fjalë për: Marsel Çakën, Xhino Sejdon, Erion Hoxhallarin, Entonio Pashajn, Erando Karabecin, Gentian Muçën, Ardit Peposhin, Afrim Takun, Renaldo Kalarin, Elvis Sinën dhe Mirel Çotën. Ndërkohë, në fushë u panë edhe pesë emra të rinj, duke filluar nga Ergys Sorra dhe Enri Tafaji, të cilët janë të njohur për kampionatin shqiptar dhe me tre të rinj: Algi Lapardhaja, Florian Hoxha dhe Ilir Kastrati.
Të larguarit dhe “mëkatarët”
Përveç pranisë së të rinjve, vihej re mungesa e senatorëve. Tani për tani rezultojnë të larguar lojtarë si: Ilion Lika, Julian Ahmataj, Erion Dushku, Nertil Ferraj, Françesko Pigoni, Arian Pisha, Klodian Duro, Elton Muçollari, Dario Xhuti, Arbër Abilaliaj, Herbi Fortunat, Mario Morina, Eleandro Pema dhe Gerald Tushe. Ndërsa, sipas drejtuesve të klubit, po tentohet të negociohet me Gilman Likën dhe Mensur Limanin, me qëllim që t’u rinovohet kontrata edhe për sezonin tjetër.
Gjoba e parë
Edhe pse ishte dita e parë, rregullat duket se janë ato të njëjtat. Tirana nisi me “dorë të hekurt” që në seancën e parë stërvitore duke bërë “shembull” Renaldo Kalarin. Sipas drejtuesve të ekipit, mbrojtësi nuk u lejua të stërvitej me shokët e skuadrës, pasi erdhi me vonesë në stërvitje (10 minuta). Kështu, si për ndëshkim, u detyrua që ta shikonte stërvitjen nga stoli. Lojtari mund të marrë edhe gjobë.
Lojtari i 12-të… nuk mungon kurrë
Ashtu siç u ka hije, tifozët e Tiranës nuk munguan në seancën e parë stërvitore të skuadrës së zemrës. Rreth 90 tifozë të grupit “Fanatics” ishin të pranishëm në fushat stërvitore “Skënder Halili”. Tifozët u ulën të qetë në shkallët e stadiumit dhe po me atë qetësi ndoqën vazhdimin e stërvitjes së drejtuar nga trajneri Nevil Dede dhe ndihmësi i tij, Sokol Bulku.
Blerjet e reja
Pas Lapardhasë dhe Hoxhës, Tirana ka afruar edhe dy lojtarë të tjerë nga Shkëndija e Tiranës. Bëhet fjalë për Gavazajn dhe Hysenin. Alush Gavazaj ka lindur në Prizren dhe është krijuar si futbollist në ekipet e moshave të Lirisë. Ai ishte i vetmi kosovar që bënte pjesë në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi” dhe aktivizohej për ekipin e Shkëndijës U-19. Mesfushori shtatlartë është dalluar në kampionatin e të rinjve për fantazinë që e karakterizon në lojë dhe altruizmin në fushën e blertë. Në të njëjtin rol pak a shumë është edhe Hyseni, edhe ky i dalluar me këtë skuadër gjatë sezonit të shkuar. Sipas drejtuesve të klubit, me lojtarët është rënë dakord dhe ata do jenë pjesë e Tiranës.
Nevil Dede këshillon drejtuesit: Duhet të mbajmë Morinën dhe Likën
Në ditën e parë të punës, Nevil Dede i ka idetë të qarta. Trajneri i Tiranës edhe një herë nuk u shmanget përgjegjësive, duke theksuar se realiteti nuk u përshtatet aspak pretendimeve që ka. Në një prononcim për mediat, Dede shpjegoi: “Kam pritur 7-8 lojtarë, emrat e të cilëve i kam bërë publikë, por deri tani nuk kemi pasur asnjë risi. Gjithsesi, kjo gjë nuk është se më shqetëson shumë, kur shkoj përreth, pasi thuajse të gjitha klubet e Superiores nuk kanë bërë lëvizje. Ju e dini shumë mirë që lojtarë cilësorë janë vështirë që ti marrësh, pasi cilido klub që i ka mundohet t’i mbajë sa më gjatë, por gjithsesi unë si trajner pres sa më shumë afrime që të jetë e mundur. Natyrisht duke qenë koshient se jo gjithçka mund të realizohet”. Po sa i përket merkatos, Dede përfitoi nga rasti për të ngritur disi kujdesin e Tiranës në drejtim të futbollistëve cilësorë që po e lënë. “Gilmani është në huazim dhe nuk është larguar, gjithsesi si për atë dhe për Morinën, ju e dini fort mirë se unë i kam konsideruar si lojtarë shumë të rëndësishëm, që nuk ka skuadër në Shqipëri që nuk do donte t’i kishte. Të shpresojmë që klubi do arrijë që t’i mbajë edhe për sezonin tjetër”, – tha Dede.
Partizani prezanton Demirin: Me Partizanin dua të fitoj edhe kombëtaren
“Këtu jemi në Shqipëri, jemi në mëmëdheun tonë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të refuzohet një ftesë për të luajtur në kampionatin shqiptar. Për më tepër që këtu jemi edhe pranë ekipit kombëtar, i cili është ëndërr për çdo futbollist shqiptar”
Altin Vorpsi
Ertan Demiri flet si “i kuq”. Blerja më e re e Partizanit ka përvojë mbi shpatulla dhe tashmë pritet të jetë një nga pikat e forta në formacionin e Likës. 34-vjeçari prej kohësh është përfolur në kampin e kuq si një përforcim, pas ndeshjes seleksionuese që ka zhvilluar rreth një muaj më parë me të kuqtë në stadiumin e Kamzës. Pas disa kohësh bisedime me drejtuesit e “të kuqve”, futbollisti më në fund ka vendosur të largohet nga Shkëndija dhe t’u bashkohet kryeqytetasve. Lojtari ishte dje i pranishëm në ambientet e klubit të kuq, ku ka firmosur edhe kontratën dyvjeçare që e mban të lidhur me skuadrën.
I lumtur
“Jam mjaft i lumtur që do të aktivizohem me Partizanin dhe përveçse dëshira e drejtuesve ka qenë edhe dëshira ime, që të luaj sezonin tjetër këtu. Partizani është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe sa herë flitet për kampionatin shqiptar dhe historinë e tij është e pamundur, që të mos flasësh për këtë skuadër. Kjo ka qenë edhe shtysa imë kryesore, që kam vendosur të jem pjesë e kësaj skuadre, për më tepër në një sezon mjaft të rëndësishëm për klubin, pasi rikthehet në Kategorinë Superiore, pas disa viteve mungesë”, – tha 34-vjeçari, i cili duket se i ka të qarta objektivat e tij me të kuqtë. “Do të jap maksimumin për këtë ekip, në mënyrë që të arrijmë objektivat e vëna nga klubi. Jam i bindur se Partizani do të luftojë si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë, ku do të tentojmë të fitojmë të paktën një trofe. Të gjithë e presin shumë nga ekipi dhe unë do të jap kontributin tim që të mos zhgënjej askënd”, – vazhdoi Demiri.
Objektivi i madh
Mosha duket se nuk është problem për Demirin që pretendon kombëtaren shqiptare të futbollit. 34-vjeçari doli hapur dje duke pretenduar një ftesë: “Këtu jemi në Shqipëri, jemi në mëmëdheun tonë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të refuzohet një ftesë për të luajtur në kampionatin shqiptar. Për më tepër që këtu jemi edhe pranë ekipit kombëtar, i cili është ëndërr për çdo futbollist shqiptar”.





