Gëtce: Ardhja tek Bajerni është vendimi më i mirë

 Përgatiti Altin Vorpsi

bayrenTalenti i Bajernit dha dje një intervistë të gjatë për “fcbayern.de”

 

Mario Gëtce flet për herë të parë për vendimin që ka marrë për t’u transferuar nga Borusia e Dortmundit ku u rrit si lojtar, te kundërshtarët me të mëdhenj të skuadrës së Klëp, Bajern Mynih. Fantazisti gjerman u del ballë për ballë të gjithë kritikëve, se me transferimin në “Allianz Arena” bëri lëvizjen e duhur.

“Jam shumë entuziast për sfidën e re. Isha i bindur kur e mora këtë vendim, sepse ky është një hap i madh për karrierën time”.

 

Për Pepin

21-vjeçari pret me padurim të nisë aventurën me trajnerin Pep Guardiola pasi ai beson se tekniku bask do të nxjerrë në pah cilësitë më të mira të të gjithë lojtarëve. “Pep është mahnitës. Ai është një njeri i thjeshtë dhe i trajton lojtarët si shokë. Besoj se do të na çojë shumë larg me filozofinë e tij. Gjithsesi, unë jam i fokusuar te ecuria ime pasi dua të rikthehem sa më shpejt në stërvitje, sepse vendimin për aktivizimin tim do ta marrë trajneri”.

 

9-shi fals

Mediat gjermane kanë filluar të aludojnë për pozicionin e Gëtces në fushë, duke zbuluar se 21-vjeçari do të jetë “Messi” i Bajernit për planet e Guardiolas. Vetë lojtari lë të hapur çdo mundësi, duke theksuar se është i gatshëm të luajë në çdo pozicion që ta caktojë tekniku katalanas.

 

 

 

Deklarata

Skolari: Spanjës i mbaron cikli për dy vite

Luiz Felipe Skolari ka preferuar që në konferencën e fundit për shtyp para finales të Kupës së Konfederatave, të lëshojë paralajmërime të qartë për Spanjën, duke u kujtuar të gjithëve se me largimin e një brezi lojtarësh, spanjollët do të kishin probleme të përsëritnin vetveten dhe lojën në këto nivele.

Fillimisht, trajneri brazilian nuk ka dashur të flasë për rivalët e tij, por vetëm për seleçaon. “Nuk kam se çfarë të them për Spanjën, dua të flas vetëm për lojtarët e mi. E respektoj shumë kundërshtarin por Brazili mbetet Brazili dhe do të luajmë në fushën tonë. Nuk po flas për favoritë të kësaj ndeshje, pasi Spanja në 6 vitet e fundit ka fituar gjithçka që ishte për t’u fituar. Ata kanë luajtur me të njëjtin ekip që është i jashtëzakonshëm, por edhe Brazili ka një ekip të madh”, ishin fjalët e para të Skolarit që më pas ka lëshuar “kërcënimin” ndaj iberikëve. “Ne kemi luajtur bukur në Botëror në vitin 1982 dhe nuk e fituam. Sakrifikuam rezultatin për spektaklin. Kombëtarja spanjolle ka luajtur bukur dhe ka fituar. Por është një brez që do të largohet pas dy vitesh, të mos e harrojnë një gjë të tillë, pasi të rinjtë nuk kanë të njëjtin stil loje”, – ishte paralajmërimi i Skolarit. Trajneri ka bërë të qartë se për të, më i rëndësishëm ishte mesazhi që ka lëshuar skuadra e tij sesa fitorja e mundshme e Kupës së Konfederatave. “Gjëja më e rëndësishme është se i kemi thënë botës së Brazili është në rrugën e duhur për Botërorin e vitit të ardhshëm. Kemi treguar se kemi ndërtuar një ekip në gjendje për të fituar”, – deklaroi Skolari.

 

Zikaltrit

Tohir kërkon 60% të aksioneve, Morati mban presidencën

Erik Tohir nuk pret më. Manjati indonezian ka gati një ofertë të re për Masimo Moratin, ndërsa bisedimet mes dy palëve vazhdojnë. Sipas “Gazzetta dello Sport”, miliarderi indonezian kërkon që të marrë drejtimin e 60% të aksioneve të klubit zikaltër. Por ai do të lërë Moratin që të ketë kryesimin e klubit, pra të mbajë detyrën e presidentit dhe me kalimin e viteve do ta marrë vetë këtë detyrë. Në fillim, palët kishin biseduar për shitjen e 30% të aksioneve. Por, nisur nga interesimi i Tohirit për më shumë, kërkesa u rrit. Brenda disa ditësh pritet ardhja e të dërguarve të Tohirit. Plani i indonezianit është që të vendosë 6 njerëz të tij në bordin e klubit. Ndërkohë që, më pas, me kalimin e kohës, ai të vendosë të besuarit e tij edhe në pozicione të tjera të rëndësishme. Por kalimi i kompetencave do të dojë pak kohë që të kryhet. Një tjetër punë e Tohirit do të jetë që ai të derdhë një pjesë të të ardhurave në bankat, ku klubi ka borxhe që të ulë vlerën e interesit të paguar nga Interi në një vit. Për vitin e kaluar, u paguan 9 mln euro interesa. Ndërkohë, vëmendje të madhe u është kushtuar edhe përforcimeve në merkato. Tohir e ka bërë të qartë se ai kërkon të sjellë në San Siro Raxha Naingolanin. Mesfushori i Kaljarit është me origjinë indoneziane dhe miliarderi kërkon që me këtë blerje të afrojë edhe më shumë tifozët e vendlindjes së tij me klubin zikaltër.

 

Jovetiç

Konte e takon në dasmën e Vuçiniçit

Juventusi nuk ka hequr dorë nga Stevan Jovetiçi, pavarësisht se ka bërë dy blerje të rëndësishme për sulmin. Ditën e djeshme ka pasur një ceremoni të veçantë, pasi sulmuesi i bardhezinjve Mirko Vuçiniç është martuar. Në dasmën e tij ka pasur shumë të ftuar dhe një ndër ta ishte edhe Stevan Jovetiç, patrioti i tij nga Mali i Zi dhe njeriu me të cilin formon dyshen e sulmit në kombëtare. Por kjo ceremoni është shfrytëzuar nga Konte për të pasur një takim me lojtarin. Mediat italiane shkruajnë se trajneri i ka shprehur dëshirën për ta pasur në ekip Jovetiçin. Palët kanë diskutuar edhe për strategjinë e transferimit.

 

Merkato

Fiorentina merr Ambrozinin

Menaxheri i Masimo Ambrozinit ka deklaruar në mediat italiane se lojtari është shumë pranë firmës me Fiorentinën, me një marrëveshje të mundshme që do të nënshkruhet brenda javës. 36-vjeçari u largua nga Milani pak javë më parë, pasi ish-klubi i tij nuk i rinovoi kontratën dhe tani është futbollist i lirë.

“Masimo do të kthehet nga pushimet në javën e ardhshme dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur për një marrëveshje”, – tha menaxheri Moreno Roxhi. “Tani jemi në pritje vetëm për telefonatën e Fiorentinës.“Firencja është një destinacion popullor, jo vetëm për atë, por për të gjithë Evropën. E kupton kur dëgjon zërat për Mario Gomezin dhe David Vijën”, – tha ai.

Share it :