Gestjana Musha
Mjekët: Shmangni diellin, konsumoni lëngje
Temperaturat e larta të stinës së verës janë karakterizuar me çrregullime shëndetësore tek fëmijët. Këtë situatë e tregon fluksi i fëmijëve nëpër qendra spitalore, si dhe mjekët pediatër. Mjekët në tilla rastesh këshillojnë prindërit që të tregojnë kujdes tek fëmijët nga virozat deri tek mbrojtja nga dielli. Sipas mjekes pediatre në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve numër tre në Tiranë, konfirmohet situata e rënduar shëndetësore e fëmijëve në këtë periudhë të nxehtë vere. Sipas saj fëmijët e ardhur në këtë qendër janë adresuar me dhimbje barku (diarre), të vjella, bronkit, imunitet të dobët, që kanë shtuar rastet e emergjencës në këtë qendër. “Fëmijët reagojnë në mënyra të ndryshme, pasi sistemi imunitar apo mbrojtës, nuk është zhvilluar tërësisht”, – pohon ajo. Duhet bërë kujdes me ambientin ku qëndrojnë fëmijët, me higjienën e tyre, por edhe me ushqimin që konsumohet. Fëmijëve duhet t’u jepen lëngje frutash, ujë natyral i pastër, ushqime të lëngshme e të gatuara në moment, këshillojnë mjekët. Sipas tyre, është mjaft i rëndësishëm konsumimi i sa më shumë frutave dhe zarzavateve të freskëta dhe lëngjeve. Ndërsa, në shtëpi duhet të mbahen ambientet e freskëta, në temperaturë deri 25 gradë celsius e me lagështi normale.
Masat
Masat që duhen të merren për parandalimin e këtyre infeksioneve janë, konsumimi i ujit të pijshëm të sigurt, larja e vazhdueshme e duarve, ruajtja e ushqimeve në frigoriferë ose vende të freskëta. Kujdes i veçantë, sipas mjekëve, duhet bërë me konsumimin e ushqimeve nga fast food-et, akulloret etj.
Mjekët theksojnë se fëmijët që i përkasin grupmoshave nga 1-4 vjeç duhet të jenë në mbikëqyrje të plotë nga prindërit e tyre, pasi kjo është grupmosha më e rrezikuar nga virozat e stinës dhe rrezet e diellit. Ndër çrregullimet që vihen re gjatë stinës së verës tek kjo grupmoshë janë irritimi i lëkurës, që më së shumti shkaktohet nga një mjedis i nxehtë dhe i paajrosur.
Irritimi i lëkurës nga nxehtësia është i zakonshëm tek fëmijët, pasi gjendrat e djersës tek ta nuk funksionojnë ende ashtu siç duhet. Për shmangien e irritimeve mjektë këshillojnë veshjen e fëmijëve me rroba të lehta,pambuku në një ambient me ajër të pastër. Infeksionet nga viruset ose bakteret, shfaqen kryesisht në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta, apo edhe nga ushqimet e pakontrolluara. Bakteret më të zakonshme janë Salmonelat ose Escherichia Coli.
Për shmangien e çrregullimeve diarreike, mjekët këshillojnë prindërit që të respektojnë rregullat e higjienës, por dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve, përdorimin e ushqimeve të freskëta, ujit higjenikisht të pastër, etj.
Mbrojtja nga dielli
Fëmijët janë ata që ekspozohen më shumë ndaj rrezeve të forta të diellit në verë. Sezoni i plazhit i bën ata më të rrezikuar nga rrezeve ultravjolet. Mjekët në këto raste këshillojnë që fëmijët të mbahen nën hije, të mos qëndroijnë gjatë të ekspozuar në diell. Sipas mjekëve lëkura e dobët dhe delikate e tyre i bën ata më të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm. Masat që duhen të merren sipas pediatrëve janë : lyerja me krem mbrojtës, konsumimi i frutave dhe pijeve të freskëta.
Kosovë, shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Drogës
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka shënuar dje shënuan Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogës në Kosovë me një varg aktivitetesh. Me këtë rast, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe Zëvendësministri i MPB-së, Sasha Rashiq, vizituan Qendrën për trajtimin e vartësve nga droga “Labyrinth” në Prishtinë. Drejtuesit e kësaj Qendre njoftuan për punën dhe aktivitetet që zhvillohen aty. Vizita e tyre vijoi më tej me ambjentin në të cilën reabilitohen përdoruesit e drogave.
Ministri Bajram Rexhepi theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në luftimin e të gjitha fenomeneve negative, me theks të veçantë format e krimit të organizuar, duke përfshirë edhe parandalimin dhe luftimin e trafikimit të substancave narkotike. “Ne jemi përqendruar në zvogëlimin e furnizimit të substancave narkotike në Kosovë”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani bëri të ditur se është miratuar strategjia kombëtare për luftimin e përdorimit të narkotikëve dhe Plani nacional për ballafaqimin e sëmundjeve të varësisë nga përdorimi i substancave narkotike.
“Në dy-tri vitet e fundit janë bërë rezultate tejet konkrete. Kosova është duke shënuar hapa të shpejtë dhe të jashtëzakonshëm në drejtim të ballafaqimit adekuat të kësaj dukurie shumë të rëndë”, tha ministri Agani.
Ministria e Punëve të Brendshme falënderon Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për përkrahjen në kuadër të Projektit të Binjakëzimi: “Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe Lufta Kundër Trafikimit të Narkotikëve 2013-2015”. Ky projekt është duke u zbatuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda.






