Përfundon numërimi i votave edhe në Tiranë Mbyllet tri ditë pas zgjedhjeve numërimi i votave, ja ndarja e mandateve në veri të vendit

Florenc Drizari

votaNdarja e mandateve në koalicione, ASHE 84 mandate, APMI 56

 

Tri ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, harta elektorale e Shqipërisë ndahet në 84 mandate për koalicionin e majtë dhe 56 mandate për koalicionin e djathtë. Edhe pse shpërndarja e mandateve dhe certifikimi i rezultatit nuk është bërë ende zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në qarqet kryesore të vendit sipas shifrave të publikuara nga KQZ dhe subjektet politike, forcë e parë politike rezulton Partia Socialiste e kryesuar nga Edi Rama, forcë e dytë politike Partia Demokratike e përfaqësuar nga Sali Berisha ndërsa forcë e tretë politike rezulton LSI e kryesuar nga Ilir Meta. Dy partitë PR dhe PDIU sipas rezultateve të dala marrin nga katër mandate, ndërsa dy subjektet e tjera që kanë fituar një vend në Kuvendin e ri të Shqipërisë, është PBDNJ  dhe ajo që cilësohet si surprizë e këtyre zgjedhjeve, Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë.

Përjashtuar Qarkun e Kukësit ku koalicioni i djathtë rezultoi fitues me tre mandate, krahasuar me 1 mandat të Partisë Socialiste, në qarqet e tjera veriore të vendit koalicioni i djathtë rezulton me më pak mandate krahasuar me atë të majtë.

SHKODËR

Kështu, në Qarkun e Shkodrës, Aleanca për Shqipërinë Europiane fiton  6 mandate, krahasuar me pesë që merre Aleanca për Punësimin, Mirëqenien dhe Integrimin e kryesuar nga të djathtë. Në rang partisë mandatet shpërndahen 5 për PD-në, 4 për PS-në, 1 për LSI-në dhe 1 për PKDSH-në. Pjesëmarrja në votime në Shkodër rezultoi 49,33%, nga 417 zona të administrimit zgjedhor që ishin përcaktuar nga KQZ-ja.

KUKËS

Qarku i Kukësit ishte e vetmja zonë në të cilën Koalicioni i djathtë dhe Partia Demokratike kryesuan bindshëm në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Përkatësisht ndarja e mandateve në këtë qark është 3 vende në Kuvendin e Shqipërisë Partinë Demokratike, 1 për Partinë Socialiste dhe 1 për Partinë Kristian Demokrate të Shqipërisë. Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në votime në Qarkun e Kukësit ishte 61,55%.

DIBËR

Në Qarkun e Dibrës dy koalicionet, ai i kryesuar nga PD dhe ai i kryesuar nga PS, dolën në barazim, duke marrë secila nga tri mandate. Por sipas ndarjes së vendeve për në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Demokratike merr 3 mandate, 2 PS dhe 1 LSI. Pjesëmarrja në përqindje në Qarkun e Dibrës sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është 59,75%.

LEZHË

Ndërkaq, edhe në Qarkun e Lezhës kryeson koalicioni i majtë më 1 deputet para. Kështu, ASHE ka marrë 4 mandate në këtë zonë dhe APMI 3. Sipas partive politike, mandatet shpërndahen 3 për Partinë Socialiste, 3 për Partinë Demokratike dhe 1 për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sipas të dhënave nga KQZ-ja, në këtë qark është votuar në shifrat e 51.9 për qind.

 

Qarku i Tiranës, ja deputet e PS, PD, LSI dhe PR

Ashtu si edhe në disa qarqe të tjera të vendit, edhe në kryeqytet koalicioni i majtë rezulton fitues me 19 mandate, krahasuar me të djathtët që marrin 13 mandate. Sipas shifrave paraprake të shpërndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të dhënave që kanë publikuar vetë subjektet politike, Partisë Socialiste në Tiranë i përkasin 16 mandate, Partisë Demokratike 11 mandate dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim 3 mandate. Dy mandate në këtë qark i takojnë dy aleatëve të PD-së, Partisë Republikane dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Qarku i Tiranës ishte zona e fundit që mbylli procesin e numërimit të votave. Kjo zonë çon edhe numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, plotë 32 të tillë. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Qarkun e Tiranës është votuar në shifrat e 53.51 për qind. Pjesëmarrja në zgjedhje në Tiranë ishte në shifrat e 58,29%. Deputetët e PS për Qarkun e Tiranës do të jenë: Pandeli Majko, Saimir Tahiri, Vasilika Hysi, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj, Lindita Nikolla, Besnik Baraj, Xhemal Qefalia, Sadri Abazi, Parid Cara, Spartak Braho, Artan Gaçi, Pjerin Ndreu, Rakip Suli, Milena Harito, Dashamir Peza. Ndërsa deputetët e PD-së në parlamentin e ri sipas rezultateve të djeshme janë: Sali Berisha, Myqerem Tafaj, Majlinda Bregu, Halim Kosova, Florion Mima, Gerti Bogdani, Dashamir Shehi, Jorida Tabaku, Edi Paloka, Keltis Kruja, Kastriot Islami. Ndërsa Partia Republikane do të përfaqësohet në Kuvend me Ylli Shehun dhe PDIU me Tahir Muhedinin.

 

Qarku Elbasan, 8 ASHE, 6 APMI

Procesi i numërimit të votave për 540 qendra votimi në Qarkun e Elbasanit përfundoi mëngjesin e djeshëm. Edhe pse jo zyrtare, rezultatet nxjerrin koalicionin e majtë fitues me 58.77 % të votave;  të dytin, koalicionin e djathtë me 39.36%; FRD-ja 1.30% dhe AK-ja 0.52%. Partia Socialiste ka marrë 6 mandate, PD-ja ka marrë 4, LSI-ja ka marrë 2, PDIU dhe PR -ja nga 1 mandat. Shpërndarja e deputetëve është si më poshtë:

PS 6 mandate

1. Ben Blushi
2.Evis Kushi
3. Damian Gjiknuri
4. Alfred Peza
5.Taulant Balla
6.Musa Ulqini

PD 4 mandate

1.Arben Imami
2.Eduard Selami
3.Ardian Abedin Turku
 4.Luçiano Boçi

LSI 2 mandate

1.Edmond Haxhinasto
2.Bujar Kllogjri

PDIU 1 mandat

Aqif Rakipi

PR 1 mandat

Luan Duzha

 

 

Ndarja e mandateve sipas koalicioneve

Koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”

– Partia Socialiste (PS) – 66 mandate

– Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) – 16 mandate

– Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) – 1 mandat

 

Në total: 84 mandate

Koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”

– Partia Demokratike(PD) – 49 mandate

– Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) – 4 mandate

– Partia Republikane (PR) – 3 mandate

Në total koalicioni i djathtë: 56 mandate

 

 

Zgjedhjet parlamentare dhe vendore, KQZ: Numërimi drejt fundit

Përfundon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bulqizë, në komunën e Sevasterit në Qarkun e Vlorës dhe Thumanë dhe njësinë bashkiake Nr.1 në kryeqytet.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj bëri me dije se KQZ po bën tabulimin e rezultateve, të dhëna këto që do hidhen në sistem dhe së shpejti do të shpallet rezultati përfundimtar.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, Hoxhaj tha se tashmë ka përfunduar numërimi në masën 99%, dhe se aktualisht po numërohet vetëm në një ZAZ më Tiranë, në Njësinë nr.9.

Sipas saj, shumë shpejt do të hidhen të gjitha të dhënat në sistem për të pasur një pasqyrim të plotë dhe zyrtar të rezultatit. Ndërkaq, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, edhe pse KQZ thotë se procesi i numërimt të votave, subjektet politike bënë të ditur se procesi përfundoi edhe në njësinë bashkiake numër nëntë.

Share it :