Më në fund, më 1 dhjetor të vitit 1909, Shkolla Normale e Elbasanit hapi dyert e saj. Ishte pritur shumë për mbërritjen e kësaj dite. Gjithnjë kishin pyetur veten se ku do t’i gjenin të hollat që do të duhej t’i shpenzonin për aktivitetin normal të shkollës. Gjithkush e kishte të qartë se nuk do të ishte e lehtë. Kërkoheshin fonde për ngritjen e shkollave, për mësuesit, për botimin e librave, për sigurimin e pajisjeve etj. Megjithatë, përgjigjja kishte ardhur në çast nga çdo shqiptar: “Do të paguajmë ne!” Sigurisht kishin qenë njerëzit e pasur ata që merrnin përsipër një barrë të tillë. Gjithkush do të paguante me aq sa mundej. Të hollat do të vinin jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga shqiptarët e Amerikës, të Stambollit, të Rumanisë, të Kosovës, të Çamërisë, të Greqisë, të Italisë etj. Thirrja e një kongresi po bëhej gjithnjë e më shumë e domosdoshme. Për këtë arsye, fillimisht u vunë në dijeni të gjitha klubet dhe shoqëritë patriotike. Ditën e çeljes së Kongresit, më 2 shtator 1909 do të merrnin pjesë 35 delegatë: Lef Nosi, Mid’hat Frashëri, Osman Joraja, Gjergj Qiriazi, Sevasti Qiriazi, Hamdi Bej, Abdullah Bej, Abdullah Rushit Ahmeti. Nikoll Kaçorri, Jahja Ballhysa, Dervish bej Biçaku, Gligor Cilka, Simon Shuteriqi, Josif Haxhi Mima, Qemal Karahasani, Orhan Pojani, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Dhimitar Buda, Emin Haxhiademi, Abdullah Koprencka, Kristo Dako, Qamil Haxhifeza, Mihal Sava, Andrea Konomi, Selaman Blloshmi, Idhomenë Kosturi, Kahreman Vrioni etj.
Ëndërr
Vërtet kishte qenë si ëndërr, por tashmë Shkolla Normale e Elbasanit i kishte hapur dyert për të gjithë djemtë e Shqipërisë kudo që ndodheshin. Me këtë rast gazeta “Korça” njoftonte: “Shoqëria “Përparimi” u bën të njohur gjithë shqiptarëve kudo që gjenden se pagesa për nxënësit e shkollës Normale të Elbasanit, që do të hanë e do të flenë brenda në shkollë, është vetëm 10 lira. Ata prindër pra, që dëshirojnë të marrin djemt e tyre mësime të lartra në gjuhën shqip dhe të marrin një diplomë nga kjo shkollë, le të dërgojnë me kohë djemt e tyre në Elbasan se mësimet nisnë. Po ata nxënës që do të hanë e do të flenë jashtë, për mësimet s’paguajnë gjë”. Kjo ishte një nga fitoret më të bukura të shqiptarëve Nxënësit që kishin filluar të regjistroheshin u përkisnin të gjitha viseve të Shqipërisë. Atë vit u regjistruan 140 veta. Pothuajse gjysma e tyre ishte nga Kosova dhe Çamëria. Ishte e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe. Shqiptarët e pasur e kishin mbajtur fjalën e dhënë. Gjithkush prej tyre kishte nisur të dhuronte të holla. Dhurimet do të vazhdonin për aq kohë sa do të ishte e nevojshme. Të gjithë udhëhiqeshin nga e njëjta dëshirë: fëmijët e tyre duhej të mësonin shqip.
Ndihmat e para
Sipas gazetës “Korça” të asaj kohe (1909), ndihmat e para për shkollën normale të Elbasanit u dhanë fill pas përfundimit të kongresit. Ja si i pasqyron gazeta e përmendur më sipër:
Kozani 6 lira, Frashëri 18 lira, Selaniku dhe Karaferja 16 lira, Katerina 10 lira, Filati 10 lira, Korça 50 lira, Përmeti 5 lira, Struga 2 lira, Leskoviqi 15 lira, Skrapari 12 lira, Peqini 4 lira , Klubi Bashk. Elbasan 25 lira, Klubi “Vllaznia” Elbasan 25 lira, Monastir 25 lira, Gjinokastra 20 lira, Berati 20 lira, Starova 8 lira, Dibra 6 lira, Gramshi 1 lirë, Bukureshti me anën e Korçës 36 lira, gazeta “Lirija” 2 lira, Bashkimi i Kombit 4 lira, Shoqata “Afërdita” Elbasan 4 lira, Devish beu 50 lira, Qemal beu 15 lira, Rifat bej Toptani 9 lira, Urhan bej Toptani 3 lira, Idhomene Kosturi 3 lira, G. M. Cilka 2 lira, Tefik bej Rusi 25 lira, Osman Efendi 3 lira, Taqi Buda 3 lira, Ismahil Rahmi 3 lira, Irfan beu 5 lira, Ymer pashë Vrioni 15 lira, Aqif Pasha 25 lira, Shefqet beu 20 lira, Hristo Meksi 13 lira, Don Kacori 3 lira, Emin Mysli Preveza 25 lira, Myfit beu 30 lira për tri vjet. Megjithatë të gjithë këta njerëz edhe pse bënë gjithhcka mundën për arsimin dhe gjuhën shqipe, me ardhjen e regjimit të diktatorit Hoxha jo vetëm që do të liheshin në një harresë totale, por në të njjtën kohë edhe nëse do të ishte e nevojshme përmendja e emrit të tyre, kjo do të bëhej me një përbuzje të plotë. Në të vërtetë, përpjekjet për mënjanimin nga politika të njerëzve të pasur kishte nisur që pas viteve 1912. (Gjithçka vijoi si një komplot i heshtur) gjë që do të vijonte deri në rrëzimin e diktaturës, kur pothuajse nuk kishte mbetur asnjë prej familjeve të mëdha.
Rrofshin priftërinjtë e Elbasanit!
Çelja e Shkollës Normale në Elbasan nuk kishte qenë e rastësishme. Ndryshe nga sa ndodhte me priftërinjtë në jug të vendit, në Elbasan priftërinjtë ishin të dashuruar me gjuhën shqipe. Ja çfarë shkruhet në gazetën “Korça” të 8 majit 1909:
“Rroftë Elbasani me bijt e tij e paçin bekimin e Perëndisë e të kombit shqiptar. Historia do t’i shkruaj me shkronja të arta emrat e atyre të bekuar priftërinj, të cilët patnë fatnë të mësojnë e t’i luten Zotit për të parën herë në Shqipëri në gjuhën e bukur shqipe si kundër gjithë vëllezërve orthodhoksë. Perëndija dhënte që për së shpejti të dëgjojmë githë ortodoksit shqiptarë të Shqipërisë, Greqisë e kudo që gjenden të gjyrmojnë shembëllin e Elbasanit”. Megjithatë, ndryshe nga sa ndodhte në Elbasan, në qytetin e Korçës, kronikat e kohës bënin të ditur se “në shkollën greke të çupave po mblidhen mjaft groshka (është fjala për grosh-të holla) prej atyre çupave që lajthitin e flasin ndonjë fjalë shqip në shkollë. Është vendosur një nom prej direktorisë së shkollës se ajo çupë që do të flasë një fjalë shqip do të paguaj një grosh. Për sa fjalë aq groshka. Pyesim pra z-ën direktoreshë të na çkoqitë këto dy çështje që s’mundim t’i kuptojmë dot. 1) përse kjo masë kaq e rreptë kundër gjuhës shqipe në kthizën e Shqipërisë në Korçë? 2)Përse do të përdoren ato të holla që mblidhen prej vashave, të cilat mezi shohin një pesç në xhep për të blerë gjësend?” Ajo që ndodhte në qytetit e Korçës ishte e trishtueshme. Elbasani po tregonte se ishte një shpresë e madhe, një frymë e re që po përhapej gjithandej. Përpjekjet për gjuhën shqipe po bëheshin edhe më të mëdha
Ndihmat vazhdonin
Ndihmat për Shkollën Normale të Elbasanit vazhdonin ashtu se edhe më parë. Dhuruesit e radhës ishin: Jashar bej Starova 5 lira, Medi Leskoviqi 5 napolona, Shykri Zavalani 25 lira, Reshid Akif pashë Tetova 25 lira, Min. Pun. Mb. 20 lira, Azis pashë Vrioni, deputet i Beratit 15 lira, Muhamet Hilmi bej Këlcyra 15 napolona, Neshet pashë Vlora 30 lira, Rassih bej Dina Prevezë 20 lira, Klubi i qypërlisë 5 lira, A. Elmaz Kuçi Myzeqe 2 lira, Siri bej, mytesarifi i Bali-qesresë 5 lira, Dr. Haki efendi Mborja 50 libra, Shahin Teki bej Kolonja, deputet i Korçës për tre vjet 36 lira, Remzi Përmeti në Përmet, nxënës i shkollës së Dhematjes 25 grosh, Kristaq N. Dogjani 25 napolona, Fejzullah bej Sehije, myfti i Shkodrës 2 lira ( Gazeta Korça, E enjte 29 vjesht’ e dytë 1909). Ndërsa në një njoftim të radhës po kjo gazetë njofton emra të tjerë: Mihal Grameno 20 grosh, Fleta Korça 107, N. Kristofor Katundi 117, Vehbi Preveza 10, Bahtjar Dibra 5, Rifat Vlora 10, Reshid Libohova 5, Meshat Janina 10, Neki Tepelena 5, Abdurahman Prishtina 20, Aladyslamet Lurësi 10, Izydin Janina 20, Vangjel Goxhaman Berati 10, Emin bej Janina 20, Qemal Elbasani 5, Fiqri Dibra 10, Emin Avni Pravishta 10 lira”.
Fryma e Elbasanit mbërrin në Korçë
Fryma e shenjtëruar e Elbasanit për gjuhën shqipe kishte mbërritur edhe në Korçë. Shumë gjera kishin nisur të bëheshin shqip. Gazeta e sipërcituar më 31 mars 1909 shkruante: “Për herë të parë në çamit të Korçës, Mevludi (lindja e profetit Muhamed) u këndua në gjuhën shqip. Dëgjonjësit qenë aq tepër sa çamija nuk i nxinte. Të gjithë mbetën të kënaqur se kishte shumë kohë që këtë mevlud e këndonin në gjuhë tjatër, por kurrë nuk u kishte bërë një përshtypje kaq të mirë dhe kaq të madhe. Prandaj urojmë Hafiz Alinë i cili e këndoi dhe e ka përkthyer këtë vivlo në gjuhën shqip. Pa dyshim edhe shumë gjëra të tjera që po përkthen shqip do të këndohen nëpër çamitë”. Edhe Mytesarifi i Korçës, kishte filluar të bënte të gjitha përpjekjet për shkollat e myslimanve. Gazeta e mësiprme, më 23 tetor 1909 shkruante: “Këto ditë nën kryesinë e Mytesarifit të Korçës për të ndihmuar shkollat e myslimanëve që ndodhen nëpër fshatrat e Korçës do të lohet (luhet) një thjatro nga nëpëunësit e nga mësonjësit e shkollave oficiale. Shpresohet se mjaft të holla do të mblidhen. Pa dyshim, as njeri do të mos mbetet pa vajtur të shohë këtë thjatro, q’e cila do të bëhet me një vereje (vëmendje) të madhe. Urojmë të gjithë ata zotërinjtë që mejtojnë të këtilla mir-bërje që janë të dobishme për atdhenë”. Por lajmi më i bukur duket se është ai që vjen nga shkolla e çupave myslimanka. Ja çfarë thuhet: “Shkolla e çupavet Myslimanka ca ditë më parë u hap. Në këtë shkollë do të këndohet gjuha turqisht edhe gjuha shqipe, edhe do të mësohet pak mjeshtëri që i lipset një çupej kur është çupë dhe si të bënet grua. Shpresojmë se zonjat mësonjëse verejen (vëmendjen) do ta kenë të tepër (të madhe) dhe kurrë nuku do të kursehen për të dhënë pak dritë këtyre foshnjave që me kohë do të bëhen mëmat e shumë bijve”. Pra, gjuha shqipe tashme po hynte në shpirtin e çdo djali dhe vajze në Korçë. Edhe klubi i quajtur i Osmanllinjve, tashmë ishte vënë në shërbim të gjuhës shqipe. Gazeta në fjalë shkruan: “Më 24 të këtij muaji, në sallën e klubit të Osmanllinjve, me shtytjen dhe nën mprojtjen e mytesarifit, zotit Nazim, i cili është Zot i zotëruar, sipas kohës dhe pas dëshirës t’atyre që dëshirojnë lirinë dhe brothësinë e mbretërisë, për fitim të shkollave të myslimanëve, nga an e oficerëve dhe nëpunësve, përpara 600 shpirteve u lojt një dramë fort e bukur, sa të gjithë dëgjonjësit mbetnë në habitje dhe në kënaqësi të madhe….
Kjo thjatro, thomi se la më shumë se 60 lira turke, një fitim që të cilat do të prishen për mbrothësinë e shkollave që thamë më sipër…(Gazeta “Korça” e enjte 29, vjesht’ II-të 1909). Ndërkaq Riza Efendiu, nëpunës i bankës së Folorinës, i fali shkollës së Korçës 100 grosh. Pleqësi e klubit i falet nderës. (E enjte 12 vjesht’ e III-të 1909). Dhuruesit dhe dëshira për të dhuruar në ndihmë të gjuhës shqipe po vinte duke u rritur.
Ndihmat nuk reshtin
Nga njoftimet e gazetës “Korça” bëhet e ditur se të gjithë ata që kishin marrë përsipër të ndihmonin Shkollën Normale të Elbasanit, nuk harrojnë që për çdo muaj të dërgojnë donacionet e tyre. Madje është kjo arsyeja që në faqet e kësaj gazeta gjejmë herë pas herë njoftime të tilla si: “Islam Bej Këlcyra, i cili kurdoherë e ka mbajtur hapët qesen dhe gjithnjë nuk është kursyer për të ndihmuar qëllimet e atdhetarëve, këtë radhë për shkollën “Normale” që u hap në Elbasan, arkës së shoqërisë shkollore “Përparimi” i dhuroi 15 napolona. Nga ana e shoqërisë ngjatjetojmë dhe i falemindersë për mirësinë që bëri” Në një njoftim tjetër thuhet: “Vaskë Terpoja, anëtar i vërtetë, për shkollën normale dërgoj 15 napolona, të cilat shoqëria e “Përparimi” i priti me gas dhe i falet nderës. Ky zot si nga hera prapë edhe këtë radhë kujtoj shkollën e qytetit të Korçës me 5 dhe nga gazeta “Lidhja e Ortodoksisë” me 3, “Zgjimin e Shqipërisë” me 2 dhe “Bashkimin e Kombit” me 2 e gjysëm napolona. Marrim kurajo që nga pleqësi e shkollës dhe nga direktorët e gazetave të ngjatjetojmë zotërin e tij Vaskë Terpon për mirësinë e pëlqyer”, ndërsa në një rast tjetër gazeta shkruan: “Me përpjekjen e shoqërisë “Besa-Besën” n’Amerikë po mblidhen mjaft ndihma për shkollën normale të Elbasanit. Gjer sot, sipas radhuas që është hapur janë mbledhur këto ndihma… Gazeta jep emrat e dhuruesve: Shoqëria “Besa-besën: Kr Qirka, N.Tromara, Dheli Sotir dhe Tale Mihal. S’kemi përveçse të ngjatjetojmë shoqërinë “Besa-Besën” dhe ndihmëtarët për veprat e tyre kombëtare, përfundon njoftimi Kurse për Hysen bej Kolonjën shkruan: “Hysen bej Kolonja dhe Nofuz Mydir i Monastirit dhuroj shoqërisë “Përparimi” 3 lira. Pleqësi e shoqërisë i falet nderit. Në vijim të informacioneve të tilla shkruhet: “Ndihmën që bëri Reshit Aqif pasha ministror i vjetër i punrave të brendshme prej 20 lirash për shkollën Normale , shoqëria “Përparimi” e priti me gas të madh…”
Nga sa shihet, dhurimet nisën me shkollën normale të Elbasanit, ndërsa më pas, nisur nga kjo përvojë do të ndihmoheshin të gjitha shkollat shqipe që po hapeshin në atë kohë, sigurisht e njëjta gjë kishte ndodhur edhe më mësonjëtoren e parë shqipe në Korçë, por tashmë Elbasani ishte shndërruar në frymën e shenjtë të gjuhës shqiptare. Elbasani po merrte bekimin e të gjithve.
Hapja e shkollave të reja
Tashmë, Elbasani ishte kthyer në një sfidë të vërtetë për çdo atdhetar që e donte gjuhën shqipe dhe vendin e tij. Fill pas ngjarjeve të tilla, “Atdhetari” i flaktë Emin Efendiu, i cili është nëpunës i tapive në Korçë, shkruan gazeta “Korça”, kuptoj se gjuha e vet lartëson mendimin e njeriut dhe forcon kombësinë, hodhi këmbën përpara dhe hapi një shkollë në fshat të tij në Selenicë (Frashër). Nga zemra e urojmë këtë zot dhe të vëllanë Jakup Efendinë, i cili do të jetë i detyruar për përparimin e kësaj shkolle”. Baba Abidini i teqesë së Frashërit, shkruan më tej gazeta, shtëpinë e tij që ka në katund Krushovë e ndërtoi mirë dhe e bëri shkollë shqipe…” Ishte koha kur shkollat shqipe po hapeshin njëra pas tjetrës.
Vepror Hasani





