Kupa e Konfederatave, riluhet finalja e Euro 2014 Spanja dhe Italia përballen sot në një ndeshje të vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave

Spanje-Italië-484x321Përgatiti Altin Vorpsi

Sot Spanja dhe Italia do të riluajnë edhe njëherë atë finale të vjetshme që vlente për shumë më shumë se sa një finale e Kupës së Konfederatave… luhej për titullin kampion Evrope. Përballë njëra-tjetrës sot do të jenë Spanja dhe Italia. Dy skuadra që kanë ndërtuar fitoret me anë të stileve të ndryshme.

 

Del Boske: Luaj me 9-ç

“Me këtë stil loje arrijmë të mbrojmë mirë dhe jemi efikas përpara. Nuk e di nëse do të mund të ishim efikas me një tjetër stil loje”, – shpjegon trajneri i Spanjës përpara sfidës gjysmëfinale me Italinë. Lidhur me modulin e lojës 4-6-0 me të cilën kampionët u përballën me Italinë në finalen e “Euro 2012”, tekniku shton: “Në realitet është pak i ekzagjeruar, por ndonjëherë u them të gjithëve se duhet të ndihemi mesfushorë. Duhet të ekzistojë vullneti për të mbrojtur, ndërtuar dhe sulmuar njëkohësisht. Nëse do të luanim me 10 mesfushorë do ishte më mirë”. Por Del Boske konfirmon se sot përballë Italisë do të ketë një numër “9”, ashtu si prej fillimit të këtij turneu. “Jemi një skuadër që luan mirë dhe qarkullon topin me lehtësi më të madhe krahasuar me vitet tona më të mira. Këtë e kemi treguar dhe në tre ndeshjet e para”.

 

Prandeli: Spanja mundet me dy topa

Mario Baloteli është larguar nga grumbullimi i kombëtares italiane në Brazil dhe është kthyer në Milano duke i dhënë fund kështu Kupës së Konfederatave. Sulmuesi kryesor i axurrëve u dëmtua në këmbën e majtë dhe vendosi që të kthehej në Itali për tu rikuperuar sa më mirë në kuadër të paraeliminatoreve të Ligës së Kampioneve që duhet të luajë me Milanin. Tekniku i Italisë, Çezare Prandeli, shpjegon se si do e përballojë mungesën e yllit të skuadrës: “Pa Marion, do të duhet të luftojmë edhe më shumë në sulm. Kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme për ta zëvendësuar”. Pritet që Alberto Xhilardino të zërë vendin e Baloteli në formacion. Sot Italia do të luajë gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave ndaj Spanjës dhe Prandelli e sheh shumë të vështirë këtë takim për faktin se skuadra e tij do e ketë të vështirë të përpunojë topin. “Kur luan kundër Spanjës duhen dy topa në fushë sepse është e vështirë t’i heqësh topin nga këmbët. Janë skuadra më e mirë në botë”, – theksoi Prandeli i cili për këtë takim do të rikuperojë Montolivon dhe Pirlon.

 

 

Merkato

CR7 fillon bisedimet me Junajtidin

Kristiano Ronaldo mund të jetë duke vendosur që të kthehet përfundimisht te Mançester Junajtid, pasi është zbuluar se ai po planifikon të takohet me drejtuesit e klubit anglez brenda tre ditëve të ardhshme.

Kohët e fundit, është spekuluar shumë për një kthim të lojtarit në Angli, pas një sezoni ku ai nuk ishte shumë i lumtur te ekipi spanjoll. Mendohej se emërimi i Karlo Ançelotit do ta ndihmonte lojtarin të kthehej në “rrugën e duhur”. Por gazeta “El Pais” ka zbuluar se portugezi ka në plan të takojë drejtuesit e Mançester Junajtid, me të cilët ka ruajtur kontakte, para se të kthehet në Spanjë për të marrë pjesë në fazën përgatitore të sezonit me Real Madrid. Meqenëse FIFA nuk lejon kontakte mes futbollistëve që kanë kontratë dhe klubeve të tjera, të dyja palët do të refuzojnë zyrtarisht gjithçka. Por mendohet se organizimin e këtij takimi mund ta ketë marrë përsipër Aleks Ferguson, i cili është i bindur se portugezi dëshiron të kthehet përsëri të veshë fanellën e “djajve të kuq”, për t’u bërë figura përfaqësuese e ciklit të ri nën drejtimin e David Mojes.

 

Gjermani

8 mijë tifozë asistojnë në stërvitjen e parë të Pepit

Vendos rregulla të ashpra që ditën e parë të stërvitjes

Dje në orën 17:02 Guardiola drejtoi lojtarët e tij të rinj në fillim të fazës përgatitore për sezonin e ri. Për ta ndjekur debutimin e trajnerit spanjoll në stadiumin “Allianz Arena” ishin mbledhur rreth 8 mijë shikues, të cilët e përshëndetën me duartrokitje dhe me thirrje pasardhësin e Jup Hejnkesit. Që në ditën e parë të stërvitjes, 42-vjeçari ka vendosur rregullat e tij: Së pari, të gjithë lojtarët do vijnë më herët në stërvitje, sepse duhet të drekojnë së bashku. Kjo hyri në fuqi që ditën e parë të stërvitjes në orën 17:00, por do të jetë në fuqi edhe në ditët normale në orën 10:00. Pep ka vendosur që lojtarët të vijnë një orë përpara në qendrën stërvitore, për të ngrënë mëngjesin sërish së bashku. E njëjta gjë vlen edhe për stërvitjet e pasdites. Jup Hejnkes u kërkonte lojtarëve të vinin 30 minuta përpara, por nuk kërkonte të hanin së bashku. Arsyeja se pse Guardiola përdor këtë metodë: Do të forcojë shpirtin e ekipit, dhe i vë shumë rëndësi ushqimit të shëndetshëm.

Dhe rregulli i fundit: Bari i fushës duhet të ujitet përpara çdo seance stërvitore, në mënyrë që topi të rrëshqasë më shpejtë. Ekzaktësisht në orën 17:02 nisi epoka e Guardiolës. Trajneri bashkë me ndihmësit e tij zbriti në fushë ku e prisnin 16 lojtarë nga skuadra e parë dhe shtatë nga ekipet rezervë, përfshirë edhe shqiptarin Ylli Sallahi. Mbrojtësi i majtë, është pjesë e ekipit të 19-vjeçarëve të akademisë, por pritet që këtë sezon të kalojë në skuadrën e dytë. Lojtarët dukeshin të shtensionuar ashtu si edhe trajneri i ri, i cili përfitoi për të folur në veçanti edhe me kapitenin Lahm, Gomezin, Xhanin dhe Mylerin. E gjithë stërvitja vëzhgohej në stol nga Bastian Shvajnshtajger, i cili vazhdon të rikuperohet pas operacionit në kavijle.

 

Akuzat

Lugano: Nejmar simulon

Kapiteni i Uruguait, Diego Lugano, ka akuzuar yllin e Brazilit, Nejmar, se është një simulues dhe për këtë arsye, gjyqtarët duhet të marrin vendime më të ashpra ndaj gjesteve të tij. Akuza e Lugano erdhi pikërisht para ndeshjes mes dy skuadrave në gjysmëfinalet e Kupës së Konfederatave, ndërsa po komentonte mënyrën se si ylli brazilian fitoi goditjen e dënimit ndaj Italisë, të cilën më pas e transformoi saktësisht. “Nejmar mund të shtiret për një faull dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që askush të mos mashtrohet nga kjo aftësi që ka”, – tha Lugano para gazetarëve. “Nejmar është shumë i lehtë si peshë, mund të bjerë në tokë dhe të mashtrojë gjyqtarët apo rivalët e tij”. “Brazili është një skuadër që ka braktisur futbollin e bukur, ata të godasin rëndë dhe janë shumë të fortë fizikisht. Unë kam luajtur këtu dhe ky është ndoshta futbolli më i ashpër në Amerikën Latine, ndërsa ata aplikojnë një sistem taktik mjaft të qëndrueshëm”, – shpjegoi Lugano para ndeshjes që është një prej klasikeve më të ndjeshme në Amerikën e Jugut. Kuptohet që ndeshja më e famshme mes palëve është ajo e vitin 1950 në “Marakana” ku Uruguai fitoi 2-1 duke i rrëmbyer Brazilit Kupën e Botës.

Share it :