Qëndrimi Fule-Ashton: Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të rregullt, partitë të veprojnë në mënyrë konstruktive

Ina Jano

fuleQeveria sapo të krijohet, të merret me trajtimin e menjëhershëm të sfidave që ju presin

 

Pavarësisht misionit të OSBE/ODIHR-it, i cili prej disa javësh ndodhet në Tiranë, me qëllim vëzhgimin e zgjedhjeve, dje komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, dhe Baronesha Catherine Ashton, dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp. Të dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian i cilësuan zgjedhjet si të rregullta dhe shprehën interesin, por edhe vëmendjen e tyre që partitë politike të cilat garojnë në këto zgjedhje, të veprojnë në mënyrë konstruktive. Duke përgëzuar të gjithë qytetarët për sjelljen e tyre, ata nënvizuan se ky proces është tejet i rëndësishëm për Shqipërinë dhe prandaj është kaq i vëzhguar, ndërsa në vend ka mbi 8000 vëzhgues të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të qenë pjesë e zgjedhjeve.

Deklarata

“Dëshirojmë të përgëzojmë qytetarët shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit që u zhvilluan në mënyrë të rregullt. Tani duhet garantuar ndjekja e duhur e gjetjeve paraprake dhe konkluzioneve të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin para drejtësisë”, – thuhet në deklaratën e përbashkët të ndërkombëtarëve. Sipas Ashton dhe Fule, tani është e rëndësishme që stadet e mbetura të procesit zgjedhor të kryhen në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të veprojnë me frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar”, – thuhet në deklaratën e dy personaliteteve. “Sapo të certifikohen rezultatet, duhet të krijohet menjëherë qeveria për trajtimin e sfidave të menjëhershme që ju presin për të garantuar që programi i reformave të vendit do të ndiqet fuqimisht dhe që procesi i integrimit evropian të mund të fitojë një vrull të ri”, – përfundon deklarata e përbashkët e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton dhe komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule.

Vëzhguesit

Në listën e vëzhguesve të miratuar nga KQZ-ja bëjnë pjesë thuajse të gjitha ambasadat e vendeve të BE-së, por nuk mungojnë as SHBA. Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, dhe ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, kanë bërë të ditur se ata do të jenë vëzhgues të drejtpërdrejtë të procesit të votimit dhe numërimit të 23 qershorit. KQZ ka regjistruar deri tani 564 vëzhgues të huaj, pjesa më e madhe janë pjesë e misionit të OSBE/ODIHR-it, si dhe 8 mijë vëzhgues nga organizatat shqiptare.

 

Akuzat

Shehu: PS dhe LSI manipuluan procesin zgjedhor

Kandidati i PD-së në Dibër, i Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, Sherefedin Shehu, akuzoi dje Partinë Socialiste dhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim se kanë manipuluar procesin zgjedhor të 23 qershorit. Ai ka vijuar më tej duke specifikuar edhe “metoda të sofistikuara” të përdorura prej tyre në manipulimin e këtyre zgjedhjeve, pasi, sipas tij, nuk është e shpjegueshme kjo rritje e jashtëzakonshme e përkrahjes në përqindje, në rang kombëtar, ndaj Partisë Socialiste, me kryetar Edi Ramën, dhe LSI-së, me kryetar Ilir Metën, të cilët hynë si një koalicion i përbashkët opozitar në garë, kundrejt koalicionit të udhëhequr nga partia në pushtet, PD e Sali Berishës. Deri tani, nga rezultatet paraprake të KQZ-së, rezulton se koalicioni i djathtë është drejt humbjes së zgjedhjeve.

 

Deimel: Vrasja në Laç errësoi procesin

Zëvendësdrejtuesja e Shoqatës së Evropës Juglindore dhe ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel mendon se kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri do të nënkuptonte mosplotësim standardesh. Për Deimelin, episodi i rëndë i dhunës në Laç dhe incidentet e tjera, e errësuan procesin zgjedhor, aq më tepër në kushtet kur Bashkimi Evropian, OSBE-ja, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara e theksuan vazhdimisht se këto zgjedhje do të ishin një test absolut për proceset e zhvillimet ku ndodhet e vazhdon të ecë Shqipëria, por edhe për standardet demokratike. U investua shumë energji nga ndërkombëtarët për të mënjanuar vështirësitë. Por, sipas saj, mundësia që rezultatet të kontestohen ekziston për shkak të mosplotësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në të vërtetë duhej të ishte plotësuar në përputhje me Kushtetutën. “Partitë e kishin mundësinë ta mënjanonin një KQZ të paplotësuar dhe nuk e bënë”, – shprehet ajo. Duke cituar mundimin e madh të Brukselit dhe Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në miratimin e tri ligjeve të shumëpërfolura dhe faktin që në fund gjërat ngecën tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Deimel theksoi se kontestimi i rezultateve do të sillte kohë të vështira për Shqipërinë. “Ne e shohim Shqipërinë të ecë drejt një kohë kritike, madje nga ana politike edhe te paqëndrueshme, gjë që u përpoq të pengohej me shumë përpjekje, shton ajo. Deimel kujton se ndërsa nga ana verbale, integrimi në BE është një qëllim i formuluar mirë, zbatimi i vërtetë i reformave kërkon shumë guxim politik dhe rrezik”, – përfundoi ajo.

 

 

Berisha dhe Basha, takim me Nishanin

Paraditen e djeshme, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Presidentin Bujar Nishani. Pavarësisht se lajmi u bë publik në të gjitha mediat online, paraditen e djeshme nga zyra e shtypit e Kryeministrisë dhe ajo e Presidencës heshtën dhe as nuk e konfirmuan, por as e hodhën poshtë këtë ngjarje. Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë është biseduar gjatë këtyre takimeve, ndërsa edhe më e pazakontë bëhet situata kur zyrën e Presidentit Nishani e vizitoi edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ka aludime për një diskutim të mundshëm të një dorëheqjeje morale të Kryeministrit, i cili pas kësaj do të jetë vetëm në detyrë, pa pasur të drejtën e marrjes së vendimeve në kabinetin qeveritar. Megjithatë, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në selinë e Partisë Demokratike mbizotëroi vetëm heshtje dhe asnjë lajm nuk u bë publik. Deri në orën 21:00 qarkullonin fjalë se do të kishte një mbledhje kryesie, por edhe një lajm i tillë mbeti i pakonfirmuar dhe anëtarët demokratë, të kontaktuar nga “Standard”, nuk kishin asnjë njoftim për një organizim të tillë. Kryetari i demokratëve nuk ka vizituar selinë blu që të dielën pas mesnate, atëherë kur u largua nga zyra. Të hënën në parti u bënë vetëm dy deklarata nga zëdhënësja e fushatës, zonja Bregu, dhe kreu i Forumit Rinor Demokrat, Gerti Bogdani, të cilët ishin të vetmit që komunikuan me median.

 

Share it :