Një proces numërimi që duhet përmirësuar

votaÇelo Hoxha

 

Procesi i numërimit të votave në Shqipëri është një grusht i rëndë që realiteti i jep luftës kundër analfabetizmit të udhëhequr me sukses nga shoku Enver Hoxha në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë dhe masivizimin e universiteteve private me emblemë shokun Henri Çili. Duket sikur, falë tyre, shqiptarët dinë të lexojnë, por jo të numërojnë, në fakt, ata nuk dinë të mendojnë. Kur tre milionë qytetarëve u mjaftojnë 12 orë për të votuar, po kaq qytetarëve nuk u mjaftojnë gjysma e këtyre orëve për t’i numëruar 5508 kuti? A nuk i gjemë dot nga dy veta për kuti që numërimi të mbarojë brenda një ose dy orësh?

Ky është një problem serioz. Është hera të tretë që ndodh një e tillë (në 2001 unë s’kam qenë në Shqipëri) dhe procesi zgjedhor njolloset vetëm për shkak se dikush ka vendosur që numri i votuesve të jetë minimal. Mënyra si është organizuar procesi i numërimit ka shumë logjikë kooperativiste brenda, puna zgjatej që të mbulonte sa më shumë kohë, se njerëzit pastaj fillonin e mendonin gjëra të këqija kundër qeverisë. Me logjikë kapitaliste deviza është kjo: fitim sa më të madh në njësinë më të shkurtër të kohës.

Në procesin e numërimit qëllimi duhet të jetë numërimi i saktë i votave në njësinë më të shkurtër të kohës. Planifikimi është shumë i thjeshtë: njësia më e shkurtër e kohës është kohëzgjatja e numërimit të një kutie. Nëse krijojmë aq grupe numërimi sa kemi edhe kuti dhe nëse kohëzgjatja e një kutie është një orë, atëherë gjithë procesi i numërimit do të zgjasë vetëm një orë. Shto këtu dhe nja 2-3 orë sa të grumbullohen kutitë në qendrat e caktuara, atëherë rreth orës 12 të natës, ditën e zgjedhjeve, rezultati duhet të jetë gati. KQZ le ta firmosë kur të dojë, rutina zyrtare s’ka rëndësi, le të marrë dhe pak më shumë kohë, por tashmë gjithçka bëhet në prezencën e kamerave dhe rezultati de facto merret vesh direkt.

Ka tre procese zgjedhore që procesi i numërimit po ua nxin faqen zgjedhjeve në Shqipëri, pa folur për zgjedhjet lokale. Ky proces nuk e reflekton situatën reale të zgjedhjeve në Shqipëri. Të dielën qytetarët votuan me qetësi. Edhe incidenti i Laçit ishte i izoluar dhe fakti që në Laç ndodhi vetëm një i tillë tregon se edhe ai qytet e uli numrin e viktimave atë ditë. Dje, për shembull, në Laç u vranë tre vetë, por s’kishte të bënte fare me zgjedhjet.

Çështja e shpenzimeve nuk qëndron. Ajo çfarë do të harxhohet në shtimin e numërimit të votave, do të kursehet në kohë. Të paguash shumë numërues për 2-3 orë punë, është njësoj me pagimin e pak numëruesve për ditë të tëra. Veç kësaj, në qoftë se partitë heqin dorë nga përcaktimi i numëruesve ose nëse ato izolohen të mos kenë kontakte me to ditën e numërimit, nuk është e nevojshme që një grup numërimi të ketë 6-7 anëtarë. Një kuti e numëron edhe një njeri, edhe dy, edhe njëqind. Varet cila shifër është më me interes dhe reflekton edhe pak qytetërim. Fletët e votimit vetëm dy vetë i numërojnë, të tjerët janë aty thjesht për roje.

Ky është një handikap që duhet kaluar. Partitë politike duhet me ngadalë ta kuptojnë se nuk bëhet qameti nëse humbet dhe humbja është më e lehtë kur pa filluar ende gara që humbja ekziston si mundësi. Duke ditur që humbja është një mundësi, edhe fushatat do të jenë më racionale, edhe politikanët do të jenë më të qetë të përballen me rezultatin.

Me mënyrën si e kanë zgjidhur procesin e numërimit, politikanët e kanë punuar për të keqen e tyre. Humbja kështu kthehet në një dhimbje pa fund. Në 2005 dhe 2009 e përjetuan socialistët, sivjet demokratët. Tani që kanë shumicë të cilësuar, socialistët mund të bëhen euforikë dhe të mos i shikojnë kësi “vogëlsirash”, por s’duhet të harrojnë asnjë çast që qytetarët kanë dhënë prova se mund të jenë dakord me pushtetin, madje t’i mbushin edhe sheshet në mitingje, derisa vjen ora për të vënë kryqin mbi letër me mendje tjetër.

Share it :