Sonja Caka
Zëdhënësi Tefik Sulejmani: Ja veprat penale të konsumuara gjatë ditës, qarqet me incidente më të rënda. Një simpatizant u vra në Laç jashtë qendrës së votimit, një kandidat për deputet dhe kushëriri i tij u plagosën
Policia e Shtetit ka dalë zyrtarisht në media dhe ka raportuar ngjarjet më të rënda të evidentuara në disa nga qarqet e vendit, për konsumim të disa veprave penale shumë të rënda, nga plagosjet dhe duke degjeneruar deri në vrasje. Përmes një daljeje për shtyp, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Tefik Sulejmani e ka nisur raportimin zyrtar të incidenteve zgjedhore me ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e vogël të Laçit dhe mbarë opinionin, ku një simpatizant i LSI-së ka mbetur i vdekur nga disa të shtëna me armë zjarri, ndërsa të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ishin kandidati për deputet i PD-së, Mhill Fufi dhe kushëriri i tij Kastriot Fufi. Policia ka nisur menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe identifikimin e autorëve, ndërsa ka shpallur në kërkim 7 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje. Sipas z.Sulejmani, rreth orës 08.45’, të ditës së djeshme, në ambientet e jashtme të Shkollës së Mesme “AT Shtjefën Gjeçovi”, të qytetit të Laçit, ka patur një shkëmbim zjarri, ku për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Gjon Gjoni, 49 vjeç, banues në Laç. Gjithashtu, nga këto të shtëna kanë mbetur të plagosur shtetasi Mhill Fufi, 49 vjeç, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike, për Qarkun e Lezhës, i cili është dërguar për mjekim në Spitalin e Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën, si dhe shtetasi Kastriot Fufi, 39 vjeç, banues në Mamurras, i cili është dërguar për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë. Strukturat e Policisë po punojnë intensivisht për zbardhjen e dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë. Për hetimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili kryesohet nga Prokurori i rrethit Gjyqësor Kurbin. Në përbërje të këtij grupi të posaçëm hetimor bëjnë pjesë dhe specialistët më të mirë të kësaj fushe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Qarku Elbasan
Më tej, komunikimi i incidenteve ka vijuar me situatën në qarkun e Elbasanit. Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 11.00’ është marrë informacioni se në një qendër votimi në qytetin e Peqinit është goditur me mjete të forta nga tre shtetas anëtari i komisionit i kësaj qendre votimit, si dhe i kanë marrë kartën e identitetit bashkëshortes së tij. Menjëherë nga ana e policisë u shkua në vendin e ngjarjes, ku u bë i mundur identifikimi i personave, si dhe sekuestrimi në cilësinë provës materiale i mjetit me targa TR 5515 K, me të cilin këta shtetas qarkullonin në qytetin e Peqinit. Tre personat e identifikuar janë Gazmend Sinani, drejtuesi i mjetit tip Mitsubishi; Astrit Kashi dhe Aleksandër Bajo, që të tre banuesa në Elbasan. Këto shtetas janë shoqëruar dhe aktualisht për rastin në fjalë po kryhen veprimet procedurale. Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip automatike, 1 shotgan, si dhe një sasi municionesh.
Qarku Korçë
Blerja e votave ka vijuar sërish, ndonëse policia ka paralajmëruar për procedim penal për këdo që ofron para në këmbim të votës. Nga Policia e Shtetit u bë publike dje se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Pajtim Myrtollari, 51 vjeç nga Korça. Ky shtetas, dy ditë më parë, rreth orës 23.10’, në vendin e quajtur Ura e Fajancës është kapur në flagrancë me automjetin tip benz KO 8013, me 11 zarfa me nga 5000 lekë të reja, të cilat dyshohet se do u ndaheshin personave të ndryshëm për të votuar për Subjektin Politik LSI , ku ky i fundit ishte dhe koordinator i këtij subjekti. Po lidhur me këtë rast, sipas policisë, filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal edhe për 2 shtetas të tjerë. Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Në të njëjtën kohë, policia bën me dije se po në Korçë filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasve Shkëlqim Topa, punonjës i Komunës Libonik dhe Naveljan Topa, përkatësisht 45 dhe 20 vjeç, pasi akuzohen se rreth orës 22.00’ të dy ditëve më parë, në Libonik, për shkak të bindjeve partiake kanë goditur me sende të forta shtetasit Armando Cenolli e Maksi Cenolli, edhe këto banues në fshatin Libonik. Ndaj tyre u kryen veprimet procedurale e materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje të kryer në bashkëpunim. Ndërkohë që dje, rreth orës 10.30’, në qytetin e Korçës, në lagjen nr.4, përballë shkollës 9- vjeçare “Nuçi Naçi”, ka patur një grindje mes shtetasve Edmond Poreci dhe shtetasit Leonard Mitre për motive ende të pasqaruara. Për ndërprerjen e këtij konflikti ka ndërhyrë për t’i ndarë kandidati për deputet i Partisë Socialiste, shtetasi Ilirjan Pendavinji, i cili në momentin që po ulte konfliktin është goditur në fytyrë me grushta nga shtetasi Edmond Poreci. Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe hetimore dhe po punohet për kapjen e autorit. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme për veprën penale dëmtime të tjera me dashje të parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.
Qarku Tiranë
Qarku i Tiranës, ndonëse realitivisht i qetë, ka shënuar disa incidente që kanë degjeneruar deri në plagosje. Kështu, dy netë më parë, rreth orës 23.30’, në ambientet e një lokali në rrugën “Pandi Dardha”, është plagosur me armë zjarri shtetasi Ardi Kacnija, 38 vjeç, me banim në Tiranë, si dhe janë goditur me mjete të forta 2 shtetas të tjerë. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale, ndërkohë që po punohet intensivisht për identifikimin, kapjen e autorëve të këtij konflikti, si dhe dokumentimin ligjor të saj. Gjithashtu, në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Tafil Daci, 35 vjeç, banues në Kamzë, pasi rreth orës 01.45’, në Zall Mner, nga kontrolli në mjetin tip “Benz” me targë AA 738 BH, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip TT, të cilën e mbante pa leje. Po edhe komisariati i Kavajës ka bërë një arrestim për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”. Filloi procedimi penal e punohet për kapjen e shtetasit Emiljano Leka, 29 vjeç, banues në Kavajë, pasi rreth orës 22.00’ të dy netëve më parë, në qytet, gjatë kontrollit të mjetit tip “Skoda” me targë AA 312 GM, të cilin ky shtetas e braktisi për t’i shpëtuar kapjes nga forcat e policisë, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik si dhe një sasi prej rreth 300 fishekësh, të cilat i mbante pa leje, po ashtu iu gjet dhe sekuestrua një tabelë e Policisë Bashkiake.
Qarku Vlorë
Dy shpërthime të fuqishme eksplozivi kanë tronditur në orët e mesnatës qytetin e Vlorës. Një sasi tritoli i është vënë drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Dorian Tafili në automjetin e parkuar para pallatit, ndërsa disa orë më vonë një tjetër shtetasi. Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 01.00’, në lagjen “Pavarësia”, në qytetin e Vlorës në automjetin tip Ëolksvagen Golf 4 në pronësi të shtetasit Dorian Tafili, me detyrë Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në pjesën e përparme të këtij automjeti (kofano) ka ndodhur një shpërthim. Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e tij të përparme dhe në momentin e shpërthimit ka qenë i parkuar në vendparkimin përpara pallatit ku banon shtetasi Dorian Tafili. Menjëherë nga Policia është ngritur një grup hetimor me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Vijojnë hetime intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Po në qytetin e Vlorës, në lagjen Uji i ftohtë, rreth orës 05:45’, është shkatërruar pjesërisht automjeti tip BMË X5, me targa AA 768 FN, në pronësi të shtetasit Kreshnik Tepelena, 31 vjeç banues në Vlorë. Mjeti në momentin e shkatërrimit ka qenë i parkuar përpara oborrit të banesës së këtij shtetasi. Menjëherë në lidhje me këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor i cili po punon intensivisht nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Por, pavarësisht këtyre dy incidenteve të orëve të mesnatës, gjatë gjithë ditës, në këtë qark vijon normalisht procesi i votimit dhe nuk janë evidentuar probleme apo incidente brenda apo në afërsi të qendrave të votimit. Vetëm në një rast, në qendrën e votimit Nr. 4665 në qytetin e Sarandës në shkollës “Adem Shema”, Komisioni i Qendrës së Votimit ka kërkuar mbështetjen e policisë, pasi kishte shumë njerëz brenda qendrës së votimit. Pasi është marrë vendimi përkatës, Policia ka ndërhyrë dhe situata është normalizuar. Më pas policia është larguar nga qendra e votimit sërish me vendim dhe procesi i votimit ka vijuar normalisht.
Qarku Gjirokastër
Situata problematike është paraqitur edhe në qarkun e Gjirokastrës, konkretisht në Këlcyrë, Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 10.55’ të ditës së djeshme, në Qendrën e Votimit nr. 4165 në qytetin e Këlcyrës, komisionerët kanë thirrur policinë për rivendosje të rendit dhe qetësisë publike, me vendim nr. 4 datë 23.06.2013, pasi shtetasi Fatjon Merkaj, ka debatuar me komisionerët e kësaj qendre votimi dhe ka goditur me grushta dy komisionerët Agim Allamani, komisioner i subjektit LSI dhe Dhimitër Qyra, komisioner i subjektit PD. Më pas është larguar nga Qendra e Votimit. Pas marrjes së vendimit, punonjësit e policisë kanë hyrë në qendrën e votimit për rivendosjen e rendit. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit nr.5, të ditës së djeshme, punonjësit e policisë janë larguar nga qendra e votimit drejt vendqëndrimit të tyre. Aktualisht kjo qendër votimi funksionon normalisht pa asnjë problem.
Tiranë
Policia ndalon 10 shokë të Shullazit, u kapën me armë pa leje
Policia e Tiranës ka ndaluar mesditën e djeshme 10 persona për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Sipas policisë, këta persona njihen për lidhjet shoqërore me Emiljano Shullazin, i njohur si person me precedent penal, i arrestuar në prag fushatash zgjedhore për “armëmbajtje pa leje”. Mësohet se këta persona janë ndalur në afërsi të pallatit me shigjeta në kryeqytet, ndërsa mësohet se janë miq të ngushtë me Shullazin. Një prej të ndaluarve është Gilmando Dani, shoku i Shullazit, dhe i ndaluar më parë dhe i dënuar po për këtë vepër penale. Ndërkaq, policia po ushtron kontrolle në banesat e tyre.
Llalla
Vrasja në Laç, autorët do të vihen para drejtësisë
Një koment për ngjarjen e rëndë të Laçit ka dhënë edhe kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa ka garantuar se autorët e ngjarjes në Laç do të vihen para drejtësisë. I pyetur nga gazetarët në përfundim të votimit të tij, Llalla bëri të ditur se prokurorët janë në krye të punës dhe me kapacitet të plotë, ndërsa pohoi se është në dijeni të vrasjes së ndodhur në Laç, ku simpatizanti i LSI-së, Gjin Gjoni humbi jetën, ndërsa mbetën të plagosur kandidati i Partisë Demokratike dhe dy të plagosur, kandidati i PD-së, Mëhill Fufi dhe një i afërm i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi. “Së pari, uroj dhe shpresoj që procesi zgjedhor në Shqipëri të vijojë normalisht, pasi në ditë të tilla qytetarët duhet të tregojnë maturi dhe qetësi. Zgjedhjet duhet të shihen si një proces normal demokratik, si një mënyrë më e mirë dhe e vetme për të ardhmen e vendit. Prokuroria Shqiptare sot është e angazhuar maksimalisht për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Trupa e prokurorëve në rrethe është në krye të detyrës. Jemi në kontakt me Policinë e Shtetit dhe po koordinojmë veprimet për çdo rast incidenti. Prokurorë të specializuar dhe nga më të mirët janë nisur drejt Laçit për të realizuar hetim të plotë e të thellë mbi ngjarjen. Do të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur autorët e ngjarjes në fjalë, për të bërë transparente në një kohë sa më të shpejtë edhe shkaqet e saj. Dua të garantoj se Prokuroria është në gatishmëri të plotë për të realizuar konform ligjit detyrën e saj”, vijoi Llalla.
Apeli
Ministria e Brendshme: Ndalni sulmet ndaj uniformave blu
Ministria e Brendshme i ka konsideruar si të papranueshme sulmet e përsëritura nga drejtues të opozitës ndaj Policisë së Shtetit. Në një konferencë për shtyp nga institucioni i Ministrisë së Brendshme, Avni Nezaj theksoi se Policia e Shtetit po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Laç dhe për çdo ngjarje tjetër. Ai I ka bërë thirrje forcave politike te distancohen nga çdo formë e presionit ndaj Policisë së Shtetit, të lejojnë organet e drejtësisë të zbardhin ngjarjen e Laçit dhe të lejojnë qytetarët të shprehin lirshëm vullnetin e tyre. “Uniformat blu kanë qenë dhe janë të vendosura në mbrojtje të Ligjit, Rendit dhe Sigurisë publike dhe të angazhuara 24 orë në 24 për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Sulmet ndaj uniformave blu në ditën e zgjedhjeve janë një tentativë e qartë për të prishur procesin zgjedhor dhe çdo insinuatë në këtë drejtim është një është veprim antishtet” përfundoi ai.





