Programi Kryeministri: Të vendosur për uljen e mëtejshme të taksave

berishaInfrastruktura, integrimi, shëndetësia dhe ekonomia, prioritetet e programit të Partisë Demokratike

 

Prezantimin e fundit përpara zgjedhjeve të ditës së nesërme, Partia Demokratike zgjodhi ta bënte në televizionin “Klan”. Kryeministri Berisha në një format Town-Hall-i shoqërohej në studio me ministrin e Financave Ridvan Bode, ministrin e Transporteve Sokol Olldashi, ministren e Integrimit Majlinda Bregu, ministrin e Shëndetësisë Halim Kosova dhe ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, ndërkohë që përballë tyre ishin gazetarë dhe analistë të mediave të ndryshme. Kryetari i demokratëve tha se qeveria dhe Partia Demokratike do të vijojnë të mbeten në filozofinë e taksave të ulëta dhe gjatë gjithë kohës do të praktikojnë në uljen e taksave të mëtejshme. Për shefin e kabinetit qeveritar, një praktikë e tillë ka rezultuar e suksesshme, pasi nëse një gjë e tillë nuk do të kishte pasur sukses, atëherë nisma të tilla nuk do të ndërmerreshin. Një aludim i tillë është tërësisht i gabuar dhe kjo ka bërë që qeveria të ndërmarrë një tjetër paketë fiskale, e cila do të pasojë atë të parën, por në të njëjtën kohë do të sjellë një ulje të mëtejshme të taksave, gjë që do të çojë në rritjen e investimeve dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Kryeministri tha se arritjet janë të dukshme dhe se qeveria nuk ka asnjë mundësi që të bëjë diversion me taksat. “Në këtë fushatë nuk kam bërë populizëm me taksat, është një filozofi dhe nuk është e tillë. Nëse ulja e taksave nuk do kishte pasur pasojat pozitive, dhe në 6 vite janë mbledhur 9.2 miliardë dollarë më shumë, atëherë kjo mund të quhej aventurë, populizëm, por në fakt është një politikë”, – iu përgjigj lideri i selisë blu pyetjeve të gazetarëve në studio.

Në lidhje me të gjitha premtimet e bëra, kryetari i qeverisë pohoi se të gjitha taksat janë hequr për të gjitha makineritë. Ai premtoi të tjera nisma gjatë mandatit të ardhshëm, duke vlerësuar faktin se për herë të parë në histori disa prej reformave të ndërmarra dhe që janë edhe premtime të kësaj fushate, janë implementuar duke dhënë një shembull se realisht kjo qeveri i mban premtimet dhe se nëse të djathtët votohen, vazhdimësia e tyre është e sigurt. “Ne hoqëm taksën për të gjitha makineritë, hoqëm taksën për imputet bujqësore. Kjo është një gropë në buxhet, por është tërësisht e parashikuar. Interesi i investitorëve është i lartë, ulja e taksave për makineritë ka pasur ndikimin e vet pozitiv edhe në këtë drejtim”, – vlerësoi Kryeministri. Ndërsa duke folur për fushatën dhe ritmin e saj, kreu i demokratëve nuk harroi ta cilësonte se të gjitha fushatat janë të lodhshme dhe kjo është tejet normale. Duke iu referuar opozitës, zoti Berisha tha: “Çifti tjetër nuk u lodh dot, se të lodhesh duhet të kesh aktivitet dhe ata nuk e kanë pasur”. Ai u shpreh me siguri se gjithë fushata e Partisë Demokratike ka kushtuar jo më shumë se helikopteri që kreu i opozitës, Rama, ka marrë vetëm ditën e djeshme për të lëvizur nga Shkodra në Vlorë, pra jo më shumë se 300 mijë dollarë. Infrastruktura, shifrat e punësimit dhe papunësisë ishin pjesë e debatit, për të cilët ministrat dhanë shifrat përkatëse duke faktuar deklaratat e tyre. Integrimi dhe shëndetësia po ashtu ishin një tjetër kapitull që u diskutua gjatë emisionit, ku kreu i demokratëve prezantoi programin e ardhshëm qeverisës për këto fusha, megjithatë duke mos larguar vëmendjen nga ekonomia e cila pa diskutim që mund të thuhet se mbeti pjesa më e nxehtë e debatit, ku disa herë u desh edhe ndërhyrja e ministrit Bode për të përforcuar deklaratat e Kryeministrit.

 

Ftesa

Basha: Rama, prodhim i skaduar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me të rinj të kryeqytetit dhe votues për herë të parë. Zoti Basha i ka ftuar ata të votojnë Partinë Demokratike, pasi në këtë mënyrë do të garantojnë një të ardhme më të mirë për ta. Kryebashkiaku Basha ka garantuar se me alternativën e PD dhe Kryeministrit Berisha, të rinjtë do të kenë me shumë mundësi për tu arsimuar brenda dhe jashtë vendit, për të punësuar apo vetëpunësuar. “Ata të rinj dhe të reja që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje ti bashkohen uraganit blu, për një të ardhme më të mirë, për çdo të ri dhe të re në qytetin e Tiranës. Për çdo të ri dhe të re që beson se tani ka ardhur koha për të bërë hapin e fundit drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Përgjigja është: Sali Berisha”. Gjithashtu Basha ka zhvilluar një takim me banorë të Selitës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Basha u ka bërë thirrje banorëve të votojnë modelin e politikës që përfaqëson interesin e qytetarëve për zhvillim, punësim dhe mirënie. “Ky shpirt entuziazmi dhe besimi është paralajmërimi më i qartë i fitores që na pret të dielën. Me votën tuaj për numrin 44, ju do të çimentoni njëherë e mirë modelin e politikës që përfaqëson, interesin tuaj, në zhvillim, punësim dhe mirëqenie. Ambicia tjetër është prodhim i skaduar. Skadoi me 8 maj 2011 dhe prodhimet e skaduara, edhe po t’ia ndryshosh ambalazhin nuk bëjnë më”, – tha Basha .

 

Bregu

Shqiptarët votojnë modelin e PD-së

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, fton qytetarët që të mbështesin Partinë Demokratike në zgjedhjet e së dielës. “Të gjithë kemi një vendim të rëndësishëm për të marrë, për të zgjedhur modelin që do ta çojë Shqipërinë përpara, modeli i Kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike e për të vulosur njëherë e mirë humbës modelin e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, thënë ndryshe modelin e bllokimit, bojkotit, grevave të urisë që me çdo kusht donin të bëheshin pengesë e rrugës drejt progresit. E gjitha kjo vetëm e vetëm për të përfituar personalisht Edi Rama”, – tha Bregu në një konferencë për mediat. Ministrja Bregu kujtoi arritjet e kësaj qeverie, ndërsa akuzoi liderin e PS-së për bllokime e mashtrime. “Ofendoi mësuesit duke thënë se janë më të këqij në histori. Rama ofendoi infermieret duke u bërë thirrje grave që t’i ruajnë burrat e tyre nga ato. Rama ofendoi rininë duke deklaruar se ata rrinë si parazitë, duke pirë gjithë ditën duhan, alkool dhe duke luajtur në lojëra fati, bilardo e Facebook. Rama ofendoi prindërit dhe rininë duke deklaruar se nxënësit tanë janë analfabet”, – tha ajo. Po ashtu Bregu bëri të ditur se, “së fundmi kemi marrë vesh se Kongresi Amerikan i ka bërë thirrje FBI-së për të hetuar mundësinë e pastrimit të parave nga Edi Rama. Por nëse e pyesni Ramën mbi këtë, ai nuk flet ose gënjen. Ai refuzon të përgjigjet qoftë edhe për pyetjet më të thjeshta të qytetarëve mbi aktivitetin e tij kriminal”. Duke vijuar me premtimet e PD-së, Bregu tha se, do të inkurajojmë punësimin e të rinjve duke hequr taksat për çdo të ri të punësuar rishtas. Ne do të ndërtojmë Boshtin e Jugut, do të përfundojmë Rrugën e Arbrit, do të asfaltojmë të gjitha rrugët e në të gjithë vendin; rrugët kombëtare dhe ato rajonale”.

 

Share it :