Gëzim Saliu
Rama dhe Meta: PS dhe LSI do të mbrojnë çdo votë
Premtimi për mandatet, kreu i LSI-së premton 80, kryesocialisti mes 77 dhe 80
Në daljen e parë të përbashkët që pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit paraelektoral në Shkodër, kreu i PS-së Edi Rama dhe ai i LSI-së Ilir Meta premtuan dje se do të mbrojnë çdo votë në garën vendimtare të së dielës. Në një konferencë për shtyp, Meta dhe Rama shprehën bindjen për fitoren e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, por ndërkohë edhe një herë nga të dyja palët nuk u paraqit një kandidat zyrtar për postin e kryeministrit. Po ashtu të dy liderët e forcave kryesore të së majtës bënë thirrje për pjesëmarrje masive në votime, ku theksuan domosdoshmërinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Konferenca
Megjithëse për më shumë se një muaj fushatë, kryesocialisti dhe kreu i LSI-së nuk u panë në asnjë aktivitet të përbashkët, Rama dhe Meta zgjodhën konferencën e djeshme, dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, për të dhënë mesazhin e fundit elektoral të koalicionit të majtë. Pa asnjë shtrëngim duarsh në sy të medias në nisje të konferencës, kreu socialist Rama dhe ai i LSI-së, Meta, e nisën takimin duke siguruar të gjithë aleatët e koalicionit si edhe të gjithë shqiptarët se vota e së dielës nuk do të preket. “Dua të konfirmoj vendosmërinë tonë për të bashkëpunuar shumë ngushtë me Partinë Socialiste, por dhe me të gjithë subjektet e tjera që kanë përgjegjësitë e tyre në administrimin e këtij procesi zgjedhor për të mbrojtur edhe një votë të vetme nga çdo tentativë tjetërsimi dhe trysnie sepse edhe një votë e vetme është mjaft e rëndësishme për të gjithë standardin e këtyre zgjedhjeve”, – tha Meta. Në të njëjtën linjë, lideri i socialistëve theksoi se rezultati duhet të dalë nga kutitë i njëjtë dhe i patjetërsuar ashtu siç shqiptarët e kanë hedhur në kuti, prandaj sipas tij, çdo votë duhet mbrojtur. “Edhe pse fushata jonë ka marrë formën e një feste ne do festojmë pas fitores, kur vula të jetë vendosur mbi rezultatet që presim. Duam t’ju drejtohemi atyre që na kanë mbështetur, për këto 48 orë që janë më të rëndësishmet. Çdo votë duhet mbrojtur dhe mbrojtja më e sigurt është dyfishimi i votës tënde me atë të dikujt tjetër. Sigurohuni që ditën e diel të keni dy vota të siguruara. U lutem emigrantëve që nuk ia dalin dot të jenë këtu, të mos reshtin së kërkuari dy vota të sigurta në Shqipëri, njësoj sikur të ishin këtu”, – u shpreh Rama. Ndërkohë, sa i përket sigurisë së fitores, dy liderët e koalicionit të majtë shprehën mendime të ndryshme, ku Meta shprehu bindjen për një fitore me 80 mandate deputeti e ndërsa Rama bëri të ditur se fitorja shkon nga 77 deri në 80 mandate. “Unë shpreh besimin e plotë se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të fitojë 80 mandate. Është e qartë se kjo është aleanca më e madhe që nga viti 1992, që ka marrë pjesë në zgjedhjet elektorale dhe jo vetëm kaq, por kjo aleancë do të vijë duke u zgjeruar pas 23 qershorit, sepse në themel të saj është fryma e bashkëpunimit dhe e gjithëpërfshirës”, – pohoi kreu i LSI-së e ndërsa Rama tha: “Na intereson të fitojmë me dinjitet, ne jemi Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe bashkë me LSI përfaqësojmë opozitën në komisione dhe grupe numërimi, jemi të vendosur të mbrojmë votën e çdo zgjedhësi. Do t’ia dalim të nxjerrim nga kutitë rezultatin që presim 77 deri në 80 mandate, ditën e dielë ky rezultat duhet të dalë i paprekur nga kutitë”.
Mospërputhje e parashikimeve mes Ramës dhe Metës për mandatet e opozitës
Edi Rama
“Unë nisem nga sondazhet tona të brendshme dhe harku i probabilitetit është 77-80. Frytet e punës sonë do t’i shohim së bashku dhe nuk shohim gjë tjetër. Të gjithë deputetët e aleancës do jenë një trup që do shkojë në një drejtim pavarësisht se vijnë nga forca të ndryshme. Kjo është e qartë dhe pa asnjë ekuivok. Pastaj nëse do jenë 77 apo 80, ju do na e falni. Kjo fushatë është parë ndryshe nga të tjerat. Secila parti ka kërkuar vota për veten e vet”
Ilir Meta
“Unë shpreh besimin e plotë se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të fitojë 80 mandate. Është e qartë se kjo është aleanca më e madhe që nga viti 1992, që ka marrë pjesë në zgjedhjet elektorale dhe jo vetëm kaq, por kjo aleancë do të vijë duke u zgjeruar pas 23 qershorit, sepse në themel të saj është fryma e bashkëpunimit dhe e gjithëpërfshirës”
Bashkëpunim postzgjedhor me Berishën, Meta: Histori e mbyllur
I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryesocialistin Rama lidhur me mundësinë e rikthimit të LSI-së në bashkëpunim me koalicionin e djathtë, kreu i LSI-së e përjashtoi këtë skenar, duke theksuar se forca që ai drejton do të vazhdojë aleancën me të majtën edhe pas zgjedhjeve. “Natyrisht që ditën e diel mendoj se njëherë e mirë Shqipëria ndahet me qeverinë e z. Berisha dhe Shqipëria vendos që të ecë në një drejtim të ri, në atë drejtim që kërkon pikërisht shumica e popullit shqiptar, i cili ndeshet me vështirësi të mëdha dhe të përditshme dhe që ka nevojë për një qeverisje që të mirëkuptojë dhe të mbështesë zgjidhjen e këtyre problemeve. Kështu që kjo histori është e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Ne jemi në një aleancë parazgjedhore, që do të thotë se jemi edhe në aleancën paszgjedhore”.
Përqindja e pushtetit, Rama dhe Meta: Nuk kemi marrëveshje tjetër përveç Shkodrës
Të pyetur në konferencën e përbashkët për ndarjen e përqindjes së pushtetit në rast të fitores të së majtës në zgjedhjet e së dielës, të dy liderët e koalicionit të majtë mohuan ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë. “Marrëveshja që ne kemi bërë është marrëveshja e Shkodrës dhe natyrisht që pas këtyre zgjedhjeve, e theksova se, aleanca për Shqipërinë Evropiane do të jetë edhe më e gjerë se çka hyrë në këto zgjedhje për arsye sepse këtë e garanton fryma e bashkëpunimit, e tolerancës, e gjithëpërfshirës”, – tha Ilir Meta.
Kandidati i pavarur
Malaj: Këto zgjedhje duhet të sjellin një qeverisje të qëndrueshme
Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, ka dhënë dje mesazhin e fundit elektoral para nisjes së heshtjes zgjedhore, duke ftuar qytetarët për një pjesëmarrje masive ditën e diel në kutitë e votimit. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë një moment shumë i rëndësishëm për vendin. Pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime do të përcaktojë cilësinë e zgjedhjeve dhe do të mundësojë rrotacionin politik me anë të votës. Nëpërmjet votës së lirë, qytetarët duhet të zgjedhin më të mirët, më të përkushtuarit, më të përgjegjshmit për t’i përfaqësuar ata. Të rinjtë, me pjesëmarrjen e tyre masive në zgjedhje, do të marrin vetë në dorë fatin e tyre për një të ardhme më të mirë. Procesi zgjedhor nga votimi, numërimi e deri tek certifikimi i rezultatit nuk duhet të cenohet”, – tha Malaj. Më tej, ai theksoi se palët politike duhet të punojnë për të garantuar një proces zgjedhor të besueshëm pasi sipas tij, institucioni i votës së lirë është i shenjtë. “Të eliminohet çdo vonesë në procesin e numërimit. Të eliminohet çdo tentativë për manipulimin e vullnetit të votuesve që dëmton kredibilitetin e zgjedhjeve dhe të ardhmen e vendit. Këto zgjedhje duhet të sjellin një qeverisje të qëndrueshme për vendin. Nuk duhet të humbasim asnjë moment në rrugën e integrimit evropian. Ekipi ynë fitues do të vazhdoj fushatën dhe angazhimet vetëm pozitive në të gjitha fazat e procesit zgjedhor dhe në sfidat e pas zgjedhjeve”, – përfundoi mesazhin e tij elektoral kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës Arben Malaj.





