Shqetësimet e Onufrit të varfër!

Intervistoi: Enkeleda Peti

 

ONUFRIDje, u dha edhe çmimi i parë i ekspozitës “Onufri 2012”, me orientimin kuratorial me përmbajtjen “Ndoshta të ëndërrosh”. Këtë çmim e fitoi Alketa Ramaj, me një fotografi me disa pemë, ku në qendër ishte një pemë të anuar keq në një anë dhe një skulpturë, e cila tregon një objekt, i cili ndihmon në rritjen drejt të një fidani. Pra, duket qartë mesazhi i skulptores për ruajtjen e ambientit. Ndryshe nga vitet e tjera, në të cilat në ekspozitën “Onufri”, janë dhënë minimum dy çmime këtë vit juria ka dhënë vetëm një çmim. Në intervistën për “Standard” nga anëtari i jurisë Genti Gjikola, shkak për këtë është bërë fakti që juria e shikonte punën e artistëve të tjerë të një niveli, pra nuk ishte në gjendje të veçonte një artist që të meritonte çmimin e dytë. Gjithashtu në intervistën për Standard, anëtari i jurisë Genti Gjikola, shprehet se kuratori, Daniele Capra, erdhi në përfundim, në një numër që është pak i reduktuar artistësh.

Artistja fituese, Alketa Ramaj, për shkak të angazhimeve jashtë Shqipërisë nuk ishte prezente në dhënien e çmimit, megjithatë ajo kishte dërguar një email ku shprehej: “Në pamundësi për të qenë prezente në ndarjen e çmimeve, dëshiroj të falëderoj të gjithë ata që kanë mbështetur dhe kanë besuar gjithmonë në punën time si dhe ata që vlerësuan punën në ekspozitë. Gjithashtu përshëndes dhe i uroj suksese të gjithë artistëve pjesëmarrës”.

Në motivimi e jurisë së çmimit “Onufri 2012”, për dhënien e çmimit artistes Alketa Ramaj thuhet: “Në të dy punët autorja tregon një qëllim të qartë e të konsoliduar, gjë që tregon se mendimi i saj është pjekur përpara realizimit të tyre. Nëse fotografia për vetë natyrën që ka mund të ketë ardhur rastësisht, skulptura tregon se ajo nuk mund të jetë një rastësi por zgjedhje e mirëfilltë. Kjo tregon qasjen konceptuale të autores. Ramaj merr përsipër të kthejë në skulpturë një objekt krejt të zakonshëm utilitar të jetës së përditshme e të ambientit urban që ne ndajmë”. Por më tej në motivimin e saj juria vijon se është tepër interesante të shqyrtosh se si autorja ka prezantuar si një vepër arti një strukturë korrektuese për rritjen drejt të pemëve. “Është një koincidencë interesante sepse edhe simboli i ortopedisë, një disiplinë mjekësore e lindur në mesin e shekullit XVII, është një shkop i lidhur me pas një peme”. Juria e ka vlerësuar autoren për rikthimin e vëmendjes drejt strukturave korrektuese çka tregon se artistja nëpërmjet këtij “antimodernizmi”, përpiqet të japë një mesazh për nevojën e ngritjes së një mekanizmi rregullator dhe jo shpërbërjes së tij. “Ky mesazh merr vlerë pikërisht në një vend si Shqipëria që shpesh duket si viktimë e keqkuptimit të lirisë së individit dhe mungesës së një rendi rregullator. Në rrafshin social kjo vepër duket si një mesazh për nevojën e strukturave që ndihmojnë rritjen, ndihmën dhe kujdesin ndaj individit dhe formimit të tij”- mbyllet motivimi i jurisë.

Përveç dy veprave fituese, në ekspozitën “Onufri” kishte edhe shumë vepra të tjera, në të cilat autorët shprehnin mendimet e tyre. Ajo që të bënte më shumë përshtypje ishte se shumë vepra, siç ishin dy piktura, të cilat ishin të mbushura me figura gjeometrike, apo një foto e një vajze me fytyrë të mbuluar, përcillnin frymë moderne, deri abstrakte. Në një intervistë për “Standard”, anëtari i jurisë së Onufrit, Genti Gjikola, flet për veprën fituese, për prurjet në ekspozitën e Onufrit, për tiparet e kësaj ekspozite dhe për artin modern.

 

Çfarë kishte të veçantë që ka tërhequr vëmendjen e jurisë në punët e Alketa Ramajt?

Juria ka dalë me një motivim, të cilin juve e keni të detajuar në atë press release që morët, që ju a dhamë. Por u pa si një punë sidomos domethënëse për Shqipërinë, për mesazhin që jepte, që kërkonte një strukturë. Si të thuash artistja kërkon një strukturë që të jetë rregullatore, ndihmëse, si për shoqërinë, për shtresa të ndryshme të saj ashtu edhe për vete. Për artin, njeriun. Një strukturë rregullatore.

 

Si ishin prurjet këtë vit?

Këtë vit Onufri 2012 ka qenë i kuruar nga Italiani Daniele Capra. Ka pasur 8 autorë, të ndarë në katër meshkuj dhe në katër femra. Ka qenë një balancë midis punëve. Titulli i ekspozitës është “Ndoshta të ëndërrosh” dhe ka ardhur pas një procesi të gjatë kurativ të Italianit Daniele Capra. Ai erdhi në këtë përfundim, në një numër që është pak i reduktuar artistësh dhe që të gjithë janë pothuajse të një brezi të rinj të artistëve shqiptarë dhe që tregojnë edhe se cilat janë shqetësimet, interesat apo qasjet e një brezi të rinj artistësh në Shqipëri.

 

Katër femra dhe katër meshkuj ishte për të krijuar një barazi gjinore nga kuratori apo thjesht rastësi?

Jo kjo nuk ishte një mendim i cili besoj se ka qenë vendimtar në rolin e ndarjes nga kuratori. Ai ka menduar se punët më të mira rastësisht ishin të ndara ndërmjet katër meshkujve dhe katër femrave.

 

Në krahasim me vitet e kaluara si ishte ky vit?

Çdo Onufër ka tiparet e veta, ka karakteristikat e veta. Puna e kuratorit është shpeshherë shumë e rëndësishme, dhe në varësi të prurjeve del edhe një rezultat përfundimtar i cili shpreh edhe një karakter të veçantë të secilit Onufër nga viti në vit. Këtë herë duke qenë se kuratori është Italian dhe pati mundësi që të punonte me një brez më të rinj autorësh. Është ndryshe Onufri i këtij viti nga Onufri i një viti më parë i cili ishte një kërkim në vazhdimësinë e artit në Shqipëri dhe që quhej “Jeta moderne”.

 

Përveç punës fituese, pati ndonjë punë tjetër që ju bëri përshtypje juve si anëtar jurie?

Juria mori vendim që këtë vit të jepte vetëm një çmim. Zakonisht ka qenë traditë që të jepej dhe një çmim i dytë përveç çmimit të parë. Por, që këtë vit u pa më e arsyeshme të jepej vetëm një çmim. Punët për një çmim të dytë ishin thuajse të barabarta në cilësi. Kështu që për jurinë qe pak e vështirë të ndante një çmim të dytë këtë vit. Kështu që menduam se një çmim i parë do të reflektonte më së miri këtë vit.

 

Pra, ishte fakti se veprat e tjera ishin të së njëjtës cilësi që ju bëri të jepnit vetëm një çmim, apo jo?

Ishte shumë e vështirë për të zgjedhur një çmim të dytë. Juria e pati të lehtë punën për të zgjedhur një çmim të parë, ndërkohë për një çmim të dytë nuk u pa e arsyeshme që një çmim i dytë në këtë rast ishte pak…

 

Nga cilët artistë influencohen artistët e rinj?

Artistët e rinj punojnë me influenca nga më të ndryshmet dhe nuk është çështja se ndikohet nga një artist apo nga një person i caktuar. Artistët janë njerëz të ciët jetojnë mes korenteve të ndryshme artistike, mes korenteve të ndryshme sociale. Jetojnë në këtë botë që jetojmë edhe ne, dhe po aq sa nga shkolla dhe nga rrymat artistike, ata ndikohen dhe nga ngjarjet të cilat ndodhin.

 

Shumë piktura janë moderne, madje deri diku abstrakte. A po shkojmë gjithmonë e më shumë drejt një modernizimi?

Periudha të ndryshme të artit kanë pasur shqetësime të ndryshme. Kjo kohë në të cilën jetojmë ka këto lloj shqetësimesh të cilat shprehen në këtë gjuhë figurative. Edhe kjo, është pjesë shumë e rëndësishme e artit. Kjo lloj krijimtarie është po aq pjesë e rëndësishme e artit saç janë edhe periudha e mëparshme të tilla në historinë e artit.

 

Share it :