Cilësia, spitalet publike e private në garë për 17 kriteret e akreditimit

Blerta Mrishaj

spitaletSpitalet nuk do të akreditohen, nëse nuk kalojnë 70 pikët. Kur plotësojnë nga 70 deri 80 pikë, ata mund të marrin akreditim njëvjeçar dhe ata që kalojnë mbi 80 pikë akreditohen për 5 vjet. Tashmë është përzgjedhur edhe një listë me 17 kritere që duhet të përmbushë çdo institucion shëndetësor si dhe tarifat për akreditimin

 

“Do të emërojmë menjëherë koordinatorët në të gjitha institucionet shëndetësore për ta përshpejtuar këtë proces. Ata drejtues të cilët do ta pengojnë këtë proces, pa dyshim që do të ketë masa ndëshkuese. Do kërkojmë nga ISKSH-ja që të mos tolerojë në blerjen e shërbimeve, po të blejë ato shërbime cilësore dhe të sigurta dhe të akredituara”, – tha Vangjel Tavo, ministër i Shëndetësisë.

 

 

Spitalet publike dhe private në vendin tonë do t’i nënshtrohen akreditimit, proces që vlerëson cilësinë e shërbimeve që ofrojnë. Përmes 17 kritereve atyre u duhet të konkurrojnë për të kaluar nivelin e 70 pikëve, në të kundër përfitojnë akreditimin vetëm për një vit, ndërkohë nëse kapin 80 pikë akreditimi është 5-vjeçar. Në këtë mënyrë pacienti do të mësojë të vërtetën dhe nuk do të gënjehet nga reklamat. Kështu do të ketë në treg spitale të akredituar dhe të paakreditur dhe ata do të ndëshkohen nga tregu. Hyrja në fuqi e ligjit të ri për sigurimet shëndetësore në mars të këtij viti bën të domosdoshëm akreditimin e institucioneve shëndetësore për të mundësuar një treg konkurrent shëndeti. Cilësia e shërbimeve nuk mund dhe nuk duhet të jetë një aspekt a mjet i paprekshëm, i pamatshëm, i pakapshëm dhe i pakuptueshëm për ne dhe qytetarin. Për ta bërë cilësinë të prekshme, të matshme e të arritshme shërben pikërisht procesi i akreditimit të institucioneve shëndetësore.

Takimi

Në një takim me drejtues të institucioneve shëndetësore në vend, ministri i Shëndetësisë, z. Vangjel Tavo, së bashku me drejtorin e Qendrës së Akreditimit të Cilësisë dhe Standardeve, kanë bërë publike masat e reja që do të çojnë në një përshpejtim të reformës së marë më shëndetësi për akreditimin e institucioneve të shëndetit (publike dhe private). “Fillimi i implementimit të ligjit të ri për sigurimet shëndetësore në mars të këtij viti e bën jo vetëm të nevojshëm, por madje të domosdoshëm akreditimin e institucioneve shëndetësore për të mundësuar një treg shëndeti konkurrent, me një blerës që përzgjedh mes ofertuesve shërbimet më cilësore, me kosto efektive dhe me të sigurta për qytetarët”, – u shpreh ministri Tavo.

Procesi

Ky është një proces i gjatë, pasi vlerësimi, vetëvlerësimi, përmirësimi dhe monitorimi i treguesve të cilësisë kalon në disa faza. “Secila prej tyre synon përmirësimin hap pas hapi të infrastrukturës fizike, infrastrukturës diagnostikuese e mjekuese, trajnimin, kualifikimin dhe edukimin në vazhdim të burimeve njerëzore, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë të shërbimeve shëndetësore ndaj qytetarëve”, theksoi ministri i shëndetësisë. “Ne synojmë e do të punojmë të arrijmë standardet bashkëkohore të cilësisë në të gjitha institucionet tona shëndetësore publike, veçanërisht në spitalet rajonale për të mos kufizuar aksesin për shërbime shëndetësore në të gjithë vendin”, – u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Pikët

Drejtori i Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, tha se spitalet nuk do të akreditohen, nëse nuk kalojnë 70 pikët. Ai sqaron se kur plotësojnë nga 70 deri 80 pikë, ata mund të marrin akreditim njëvjeçar dhe ata që kalojnë mbi 80 pikë, akreditohen për 5 vjet. Tashmë është përzgjedhur edhe një listë me 17 kritere që duhet të përmbushë çdo institucion shëndetësor si dhe tarifat për akreditimin. “Është i konfirmuar nga OBSH-ja, kemi një grup vendesh të studiuara dhe ky proces ka dhënë rezultate në përmirësimin e cilësisë. Pacienti që do të dijë të vërtetën dhe nuk do të gënjehen nga reklamat. Ne do kemi në treg spitale të akredituar dhe të paakreditur dhe ata do të ndëshkohen nga tregu”, – tha Isuf Kalo, drejtor i QKCSA-ISH. Sipas Kalos, akreditimi i institucioneve shëndetësore garanton pacientët për shërbime më cilësore dhe të sigurta. Ai thotë se pa kaluar këtë proces të gjitha institucionet shëndetësore mund të cilësohen të rrezikshme dhe për këtë inkurajon nisjen nga puna që të gjithë të akreditohen brenda afateve. Ndërkohë, ministri Tavo paralajmëroi masa ndëshkuese, sipas bazës ligjore, ndaj drejtuesve të institucioneve që nuk bëhen pjesë e këtij procesi. “Do të jemi të vëmendshëm dhe të patolerueshëm ndaj drejtueseve të atyre institucioneve që nuk bëhen pjese e procesit, pjese e zgjidhjes por pengesë për ndryshimin dhe akreditimin e institucioneve të tyre”, – tha Tavo. Sakaq shëndetësia do të vijojë me implementimin si dhe do të emërohen menjëherë koordinatorët e cilësisë në të gjitha institucionet shëndetësore, për të institucionalizuar cilësinë, si personat përgjegjës për të koordinuar në bashkëpunim me drejtoritë përkatëse dhe Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit për të përshpejtuar procesin.

 

Rikonstruksioni

Basha: Investimet, në parametra cilësorë dhe jo për qëllime elektorale

 

Një sërë investimesh janë shtrirë në gjithë kryeqytetin, duke nisur me rikonstruksione rrugësh dhe shkollash. Ndërkohë që secili prej investimeve të nisura nga Bashkia e Tiranës, janë planifikuar përmes projektesh. Kryebashkiaku Lulzim Basha dje në një investim të radhës në Tiranë është shprehur se këto punime janë në parametra cilësorë dhe jo për qëllime elektorale. Pikërisht dje kryebashkiaku Lulzim Basha ishte i pranishëm në nisjen e punimeve për rikonstruksionin e plotë të rrugës “Agush Gjergjevica”, me gjatësi rreth 1.8 km, një investim prej 94.7 milionë. Ndonëse kjo rrugë në një gjatësi prej 500 metrash iu nënshtrua një asfaltimi sipërfaqësor, sot gjendja e saj është tejet e amortizuar, pa kanalizime, trotuare, ndriçim dhe gjelbërimi as nuk mund të mendohet”, – thonë banorët e zonës. Kreu i bashkisë, Lulzim Basha, ka garantuar se kjo rrugë do të ketë të gjithë parametrat e nevojshëm dhe se në Tiranë ka përfunduar koha e asfalteve elektorale. “Rruga “Agush Gjergjevica” është një ndër rrugët më të gjata të qytetit tonë, me një gjatësi prej afro 1.8 km dhe që i shërben një komuniteti prej mbi 5000 banorësh. Para tre vitesh, në këtë rrugë është bërë asfaltimi i 1/3 të rrugës, pra afro 500 metra, asfaltim i cili sot për fat të keq duhet të kryhet përsëri, për t’u shërbyer qytetarëve të kësaj zone. Pra, hedhim në “kosh të plehrave” disa miliona lekë të qytetarëve, taksapaguesve të Tiranës, për shkak të një investimi të pjesshëm dhe të paplanifikuar mirë. Përsëris zotimin tim që çdo projekt, që në fakt janë para të qytetarëve të Tiranës, të jetë në parametra cilësorë, të tillë që të mos shohim më ndërhyrje fatkeqe, siç është fillimi i projektit këtu i pjesshëm, i paplanifikuar, jocilësor, pra paraelektoral”, – u shpreh z. Basha. Projekti për rrugën “Agush Gjergjevica” parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, vendosjen e 42 shtyllave elektrike që do të ndriçojnë gjithë gjatësinë e rrugës, mbjelljen e 228 fidanëve si dhe zëvendësimin e mureve rrethues me kangjella.

 

Share it :